Një letër për zyrën e z.Rama

anazapta

I nderuar z.Rama! Jam një emigrante në Greqi. Jam mësuese pensioniste dhe me shumë kënaqësi votuam familjarisht për ju. Problemet në punën tuaj të nderuar si kryeministër i këtij vendi me shumë halle, janë të panumëruara, se kështu e la “kryeministri” në ikje.

Erdha me pushime në Vlorë, por fatkeqësisht nuk pushova, por më shumë u lodhëm. Ja përse: Në temperaturat e larta të muajit gusht, pallati ku banoj është pa ujë në pjesën më të madhe të ditës. Bëmë punë të vështira në Greqi për të blerë një hyrje të vogël për të kaluar pushimet. Jemi të detyruar ta shesim sepse ndonjë ditë mund të ndahemi nga jeta nga copat e suvave që bien nga ballkonet. Kjo për arsye të punës me cilësi të dobët të firmës.

Pallati është 8 vjeçar, por duket si 28 vjeçar dhe me një projekt krejt ndryshe me ato që shkruheshin në kontratë. Në Greqi çdo pallat ka një përgjegjës që e kryen detyrën deri në një. Përse kjo, z.Rama nuk ndodh edhe në Shqipëri? Lexoj çdo ditë gazetën “DITA” dhe pikërisht sot që po ju shkruaj u gëzova që ju çelët zyrën tuaj në Vlorë. Kjo më jep shumë optimizëm që diçka do të bëjnë punonjësit e kësaj zyre dhe se do të jeni më në kontakt me zgjedhësit tuaj.

Do t’ju lutesha shumë të lexohet kjo letër dhe vitin tjetër t’i kalojmë pushimet në një ambient më të mirë, sidomos të na sigurohet uji. Punonjësit e zyrës suaj në Vlorë le t’i hedhin sytë nga ky pallat fatkeq. Pallati quhet “Aleksandria”. Ndodhet në Skelë.

Me shumë respekt,

Drita Bako.

Share This Article
Leave a Comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *