Lufta e Parë Botërore dhe “diplomaci misionare” e Presidentit Wilson

Leda Hysa

Kjo ese nga sociologu dhe diplomati i njohur Fatos Tarifa botohet në kuadër të 100-vjetorit të përfundimit të Luftës së Parë Botërore.

Vijon nga numri i kaluar

Fundi i utopisë paqësore

Në fillim të shekullit XX Amerika ishte bërë një fuqi globale dhe, si e tillë, synimi i saj ishte që t’i pengonte fuqitë e tjera të mëdha të bëheshin fuqi hegjemone në rajonet e tyre. Por, në fillim të shekullit të XX, Amerika ishte bërë, gjithashtu, e vetmja fuqi, e cila i kishte të gjitha mundësitë për të marrë në duart e saj lidërshipin për organizimin e një bote pa luftë.

Norman Angell, në librin e tij Iluzioni i madh (1913), botuar vetëm një vit para se të niste Lufta e Parë Botërore, dhe i cili, i shitur në më shumë se 2 milionë kopje brenda pak muajve, u bë, në njëfarë kuptimi, manifesti intelektual i atij optimizmi jetëshkurtër që karakterizoi periudhën në fjalë, shkruante se lufta ishte shndërruar tashmë në një dukuri të vjetëruar dhe se forcat e kapitalizmit—teknologjia, tregtia e lirë dhe racionalizmi liberal—po krijonin një botë paqësore, pa kufij dhe pa luftë. Një përfundim i tillë, “jashtëzakonisht i gabuar”, ka bërë që ky libër të jetë cilësuar si libri më i keq i shkruar ndonjëherë në fushën e Marrëdhënieve Ndërkombëtare dhe vetë autori i tij, si “autori më i cituar i utopistëve të gabuar”.

Ishte po Angell ai, i cili, tre vite më vonë, më 1915, në librin e tij Amerika dhe rendi i ri botëror (2015) argumentonte se, për shkak se të gjitha kombet e qytetëruar ishin bërë tashmë të ndërvarura prej njëri-tjetrit dhe se, për këtë shkak, epoka e izolimit kishte marrë fund, duke bërë që asnjë vend i madh të mos mbetej i pandikuar nga standardet ekonomike, ushtarake dhe morale të Amerikës, ky vend, pra Amerika, duhej “të merrte ledërshipin e qytetërimit të krishterë, çka e bënin të mundur kushtet e saj historike dhe rrethanat e saj të veçanta”. Rrethanat që e mundësonin lidërshipin e Amerikës në atë kohë ishin, sipas Angell-it, kryesisht, dy:

Së pari, distanca nga Europa dhe mosangazhimi i saj në luftë, si pjesëtare e aleancës mes fuqive ndërlufuese, kishin krijuar për Amerikën avantazhe të caktuara, të cilat ajo mund t’i përdorte tani për të marrë rolin e lidërshipit në organizimin e një rendi të ri ndërkombëtar.

Së dyti, ndërkohë që Fuqitë e Mëdha europiane ishin angazhuar në rivalitete dhe konflikte mes tyre, Amerika kishte akumuluar aq pasuri—dhe popullsia e saj ishte rritur në atë shkallë—sa ky vend mund të ushtronte tani lehtësisht influencën e vet, si një faktor përcaktues në përpjekjet e ardhshme diplomatike.

Kjo, sipas Angell-it, ishte koha kur Amerika duhej të zinte vendin e Europës dhe të luante rolin kryesor në krijimin e një rendi të ri shtetëror (“new world-state”), pasi ajo ishte e vetmja fuqi, e cila, duke shfrytëzuar pozitën e saj të fuqishme, mund t’i inkurajonte Fuqitë e Mëdha për realizimin e këtij projekti që do të synonte vendosjen dhe ruajtjen e ligjit e të rendit ndërkombëtar dhe promovimin e miqësisë e të bashkëpunimit midis kombeve. Angell shkruante se: “Amerika duhet të ushtrojë influencën e saj për të siguruar abandonimin prej Fuqive të Krishtera të aleancave rivale dhe për të krijuar, në vend të tyre, një aleancë të të gjitha Fuqive të qytetëruara, që do të kishte si qëllim të saj veprime të përbashkëta―jo domosdoshmërisht ushtarake―për të krijuar garanci kolektive kundër agresionit ndërmjet tyre”.

Angell argumentonte se, me fillimin e shekullit XX, për Amerikën kishte vetëm dy opsione: “Një opsion që do e shpinte atë drejt militarizimit dhe rritjes së pakufizuar të armatimeve―ky do të ishte kursi i izolimit nga bota dhe nga përpjekjet e reja që duheshin bërë për organizimin e botës; tjetri ishte opsioni që do i mundësonte asaj të parashikonte ngjarjet dhe të merrte iniciativën e lidërshipit të organizatës botërore, çka do të kishte efektin që do e bënte qytetërimin Perëndimor, përfshirë edhe vetë Amerikën, më pak të militarizuar, më pak të varur nga armët dhe do ta vinte zhvillimin e këtij qytetërimi mbi baza civile dhe jo aq ushtarake”.

Më tej, Angell shkruante se forca që mund ta krijonte këtë organizim të ri botëror dhe që tashmë e kishte krijuar atë, nuk ishte forca ushtarake, por “një realizim i pandërgjegjshëm i varësisë së çdo kombi nga një partneritet global”. Ky rend i ri botëror, simbole pararojë të të cilit ishin bërë tashmë rregullimi i shërbimeve postare, kodet ndërkombëtare të sinjalistikës, kreditë ndërkombëtare, si edhe qindra marrëveshje, mbi bazën e të cilave rregullohej biznesi ndërkombëtar, kishte nevojë, sipas Angell-it, për një organizim më efektiv, që do të lejonte përdorimin e armës më të fuqishme të qytetërimit modern kundër një shteti të pabindur, atë të mosmarrëdhënies me të.

Hapi i pari drejt një organizimi të tillë do të ishte insistimi për të përcaktuar në çdo rast, mbështetur në fakte, shtetin agresor në çdo konflikt që eventualisht mund të krijohej. Në këtë përpjekje, Shtetet e Bashkuara do të kishin një rol të veçantë, të cilin Angell e formulonte si vijon: “Ne duhet të ushtrojmë tërë forcën tonë kundër cilësdo Fuqi që refuzon t’i japë qytetërimit mundësinë që të paktën të shqyrtojë dhe të gjejë se cilat janë faktet në lidhje me çdo konflikt mes shteteve. Pas shqyrtimit të vëmendshëm, ne mund të rezervojmë të drejtën që të tërhiqemi nga çdo ndërhyrje e mëtejshme në konfliktin midis kësaj fuqi dhe kundërshtarit të saj. Por, të paktën, ne obligohemi të sigurojmë se, duke ushtruar forcën tonë joushtarake, ne mbajmë anën e më të dobtit”.

Lufta e Parë Botërore dhe “diplomaci misionare” e Presidentit Wilson

Në zgjedhjet presidenciale të vitit 1912, si Taft ashtu edhe Roosevelt humbën përballë Woodrow Wilson-it, i cili u zgjodh në krye të Shtëpisë së Bardhë pas 16 vjetësh që Amerika ishte drejtuar nga Partia Republikane. Wilson-i, njëlloj si pararendësit e tij, ishte një internacionalist, veçse, në dallim nga internacionalizmi “muskuloz” i presidentit Roosevelt, Wilson-i zhvilloi një internacionalizëm idealist, të cilin ai e artikuloi qartë gjatë viteve të Luftës së Parë Botërore dhe, sidomos, në Konferencn e Paqes në Paris dhe në debatin mbi Lidhjen e Kombeve.

Pjesëmarrja e Shteteve të Bashkuara në Luftën e Parë Botërore dhe fitorja në atë luftë ka qenë ngjarja e parë e madhe që shënoi kthesën vendimtare në politikën e jashtme amerikane dhe në fatet politike të globit. Po kështu, deklaratat e Presidentit Wilson mbi politikën dhe rendin botëror të pas-luftës, përfshirë edhe “Katërmbëdhjetë Pikat” (Fourteen Points) e famshme të tij, (siç njihet ndryshe fjalimi i tij në Kongresin amerikan, më 18 janar 1918, i cili argumentonte ideologjikisht qëndrimin e Shteteve të Bashkuara në Luftën e Parë Botërore), u bënë më pas baza e sistemit të ri të marrëdhënieve ndërkombëtare në periudhën midis dy luftrave botërore dhe origjina e Lidhjes së Kombeve, e cila u krijua në janar të vitit 1920, në bazë të vendimit që kishte marrë një vit më parë (në janar 1919) Konferenca e Paqes, e mbledhur në Paris. Dihet se edhe pse presidentit Wilson iu dha Çmimi Nobel për Paqen, në vitin 1919, SHBA, për shkak të kundërshtimit të Senatit Amerikan, nuk e ratifikoi Kartën e Lidhjes së Kombeve dhe nuk u bë asnjëherë, ashtu si edhe Bashkimi Sovjetik, anëtare e asaj organizate.

Pas saj erdhi përpjekja e presidentit Wilson për krijimin e Lidhjes së Kombeve dhe të një rendi të ri botëror, në të cilin do të sundonte “paqja kantiane”. Pjesëmarrja amerikane në atë luftë u motivua nga presidenti Wilson jo thjesht si një “akt vetmbrojtjeje”, por me rolin dhe misionin e Amerikës “për ta bërë, më në fund, botën të lirë”, për ta bërë botën “të sigurt për demokracinë”, si edhe me idenë që përpjekja amerikane të ishte “lufta finale për lirinë njerëzore”, “lufta që do u jepte fund të gjitha luftërave”.

Henry Kissinger i ka vlerësuar dhe rëndësinë e filozofisë e të diplomacisë së presidentit Willson si vijon: “Gjatë administratës së [presidentit] Wilson, Amerika u bë një aktor kyç në çështjet botërore, duke shpallur parime të cilat, edhe pse reflektonin aksiomat e mendimit amerikan, përbënin një ndarje revolucionare nga diplomatët e Botës së Vjetër. Këto parime thoshin se paqja varet nga përhapja e demokracisë, se shtetet duhet të gjykohen sipas të njëjtave kritere morale si edhe individët, dhe se interesi kombëtar konsiston në aderimin në një sistem universar të së drejtës….Duke shpallur një shkëputje radikale nga principet dhe eksperiencat e Botës së Vjetër, ideja e Wilson-it mbi rendin [e ri] botëror buronte nga besimi i amerikanëve në natyrën esencialisht paqësore të njeriut dhe në një harmoni të presupozuar të botës. Sipas saj, shtetet demokratike janë vetvetiu paqësore”.

Vendimi që mori presidenti Wilson për të mbështetur partnerët (që ende, në atë kohë s’ishin bërë aleatët) e tij përjej Atlantikut—Britnaninë e Madhe dhe Francën—kundër agresionit gjerman, motivohej nga bindja se Amerika dhe populli i saj kishin një “obligim moral” për ta ndryshuar botën për mirë, qoftë edhe përmes veprimeve ushtarake, bindje që rezononte fuqishëm me sentimentet e amerikanëve dy dekada më parë, kur presidenti Roosevelt i shpalli luftë Spanjës dhe e mposhti atë. Duke folur për rolin e Amerikës dhe të ushtarëve të saj në Luftën e Parë Botërore, presidenti Wilson, do të shprehej më vonë se “ata luftuan për t’i dhënë fund një rendi të vjetër dhe për krijuar një rend të ri”, që, sipas tij, do të ishte rendi demokratik në shkallë globale.

Rëndësinë e jashtëzakonshme të këtyre dy ngjarjeve, presidenti Wilson e ka shprehur në Konferencn e Paqes, në Paris, në vitin 1919, me këto fjalë, që tashmë janë bërë proverbiale: “Më në fund të gjithë e dinë se Amerika është shpëtimtarja e botës”. Në fakt, pritja që iu bë presidentit Wilson në Europë, në prag të Konferencës së Paqes, dëshmon pikërisht rëndësinë që kishte hyrja e Amerikës në Luftën e Parë Botërore dhe rolin e saj vendimitar në fitoren ndaj fuqive agresore. Parisi, Londra dhe Roma e përshëndetën Wilson-in si “Perëndinë e Paqes” dhe si “shpëtimtarin e njerëzimit” që erdhi “nga përtej Artlantikut” Madje, vetë kryeministri britanik në atë kohë, David Lloyd George, në kujtimet e tij mbi Konferencën e Paqes, shkruante se: “Fillimisht, presidenti idealist [Wilson] u duk se e shihte veten si një misionar, roli i të cilit ishte që t’i shpëtonte europianët e varfër e të pafe nga reverimi i hershëm i perëndive të tyre të rreme e të zemëruara”.

Woodrow Wilson ishte një figurë revolucionare, që jo vetëm e pranoi rolin misionar të Amerikës, por edhe u mundua ta realizojë atë në jetë. Arthur Link, në librin e tij Wilsoni: Liria e Re, shkruan se: “Presidenti Wilson ishte esencialisht një misionar i demokracisë, i nxitur nga një impuls i brendshëm për t’u dhënë popujve të tjerë të mirat e demokracisë dhe i frymëzuar nga besimi se ai e dinte se si duheshin promovuar paqja dhe mirëqenia në vende të tjera më mirë se sa drejtuesit e këtyre vendeve”.

Një tjetër studiues amerikan, Richard Gamble, shprehet se përpjekjet e Wilsoni-it dhe të progresistëve që mbështeteshin në të njëjtën filozofi si ai, pas Luftës së Parë Botërore, mund të thuhet se përfaqësojnë shkallën më të lartë të ndërgjegjes mesianike të amerikanëve deri më sot. Sipas tij, “Te Wilsoni dhe progresistët gjejmë të kombinuar në mënyrë virtuoze temën mesianike, në të gjitha variantet e saj, me misionin e puritanëve, optimizmin e iluministëve, dialektikën hegeliane, racizmin darvinian dhe milenianizmin social biblik. Në shoqërinë amerikane ata ringritën themelet kulturore dhe konstitucionaliste të kombit amerikan, sipas një plani të ri, mbështetur në parimet e demokracisë, egalitarizmit, universalizmit, eficiencës dhe konsolidimit të pushtetit. Në arenën ndërkombëtare, ata formuluan një politikë të jashtme bazuar në aplikimin në shkallë globale të parimit biblik të shërbimit”.

Më mirë se kudo tjetër, kjo u bë evidente në atë që është quajtur “diplomaci misionare” (Missionary Diplomacy) e presidentit Wilson, e cila shërbeu si baza e politikës së jashtme të Shteteve të Bashkuara në Meksikë, në Amerikën Qendrore dhe në rajonin e Karaibeve gjatë periudhës së presidencës së tij (1913-1921). Wilsoni shihte një marrëdhënie të ngushtë midis politikës së brendshme dhe politikës së jashtme të Shteteve të Bashkuara. Sidoqoftë, edhe pse ai nuk ishte kundër intersave të biznesit, fillimisht ai e refuzoi “diplomacinë e dollarit”, të promovuar nga paraardhësi i tij, presidenti Taft, pasi mendonte se interesat dhe veprimtaria e biznesit duhet të vihen nëshërbim të interesave publike dhe jo të dominojnë mbi to.

Në politikën e jashtme të presidentit Wilson kanë luajtur një rol të veçantë besimet e tij morale e fetare. Sipas tij, shtetet, ashtu si edhe njerëzit, duhet t’u përmbahen standardeve morale dhe të veprojnë në përputhje me to. Po kështu, sipas tij, demokracia ishte formamë kristiane dhe më e përshtatshme për qeverisjen e të gjithë popujve dhe, Shtetet e Bashkuara kishin një detyrim moral, një mision dhe mandatin për të luajtur rolin e lidërshipit global.

Wilson ishte presidenti amerikan në detyrë në kohën e inagurimit të Kanalit të Panamasë (15 gusht 1914) dhe, njëlloj si Theodore Roosevelt, të cilit i përket merita kryesore për realizimin e atij projekti të jashtëzakonshëm, por nga një këdvështrim filozofik i ndryshëm prej tij, ai e vlerësonte këtë Kanal si një mundësi për “bashkimin shpirtëror” (spiritual union) mes Amerikës Veriore dhe Amerikës Jugore. Kanali i Panamasë, sipas tij, do t’i shërbente jo vetëm zhvillimit të tregëtisë botërore, por edhe afrimit shpirtëror dhe simpatisë reciproke mes popujve në veri dhe në jug të atij kanali dhe emancipimit të tyre.

Megjithatë, ndërhyrjet ushtarake periodike të Shteteve të Bashkuara në Meksikë (më 1914, më 1916-1917 dhe më 1918-1919), pushtimi i Nikaraguas (nga viti 1912 deri më 1933), i Haitit (nga viti 1915 deri më 1934), si edhe pushtimi i Republikës Dominikane (nga viti 1916 deri më 1924), të jusitifikuar fillimisht me “diplomacinë misionare” të presidentit Wilson, jo vetëm që nuk i shërbyen afrimit dhe “bashkimit shpirtëror” të Amerikës me këto vende dhe me vende të tjera të Amerikës Latine, por, përkundrazi, krijuan sentimente anti-amerikane dhe një armiqësi në radhët e popujve të këtyre vendeve ndaj Shteteve të Bashkuara, të cilat, në një masë a në një tjetër, vazhdojnë edhe sot e kësaj dite.

Fund

Share This Article
4 Comments
  • Burrat e ndershem rrespektohen e nderohen pa rreshtur ne gjithe faqen ma te lavdishme te historise ne cdo kohe dhe sa here vjen per te diskutue mbi Historine.
    Fillohet me presidentin USA Wilson dhe pershendetet po me presidentin Bill Clinton.

  • Fatos Tarifa ne kete ese, nuk e kapercen nivelin e nje studenti kopjac, pa formim, qe citon pa reshtur paragrafe pas paragrafesh nga trakte te propogandes te asaj kohe, nje propogande e rafinuar per turmat e verbera qe, pas terminologjive paqesore, idealiste, me njgjyrime kristiane hipokrite, fshihte ne fakt realitetin e ri boteror:

    Nje superfuqi e re, USA, e eger, e plotfuqishme, financiarisht, ushtarakisht dhe ekonomikisht, nje superfuqi e re, ambicioze, makiaveliste, e pameshireshme, dhe e pandaleshme tashme, kishte dale ne skenen globale, kishte akaparuar dhe pushtuar te gjitha hapsirat e mundeshme detare dhe si teritoret fqinje te saj, pa ceremonira e skrupuj dhe, pa doreza, po rivendikonte te shkaterronte dominimin e botes nga Perandoria globale Britanike ne te cilen, deri athehere, nuk perendonte kurre dielli, si edhe nga fuqite e vjetra koloniale, per t’i zevendesuar ato me zotin e ri te botes, me superfuqine e re te detrave dhe te tokes, me te gjithe mjetete e mundeshme ne dispozicion, me arme, me ushtri, me dollare, me misionare, me korporata, me ndeshkime/sanksione e bllokada ekonmike apo financiare deri ne izolim total, deshtim e kapitullim te tyre.

    Ne 99% e esese se tij, zoti Fatos Tarifa. na citon dhe na lexon psalmet e kesaj stategjie, ne meshen per grigjen e besimtareve qe pas meshes do shkonin ne luftra e beteja per te vrare e per t’u vrare.

    Per te ardhur ne paragrafin e fundit te esese se tij, si ajo lopa proverbiale, qe pasi eshte stermunduar dhe shterzuar per te mbushur koven me qumeshtin pa yndyre te leksioneve te merziteshme pacifiste, i fut nje shkelm per ta derdhur ate kove, duke deklaruar qe, megjithate, diplomacia dhe llafollogjia “misionare” deshtoi ne menyre spektakolare te sillte paqen, dashurine, demokracine dhe progresion social e ekonomik, me se pari ne hapsirat imediate fqinje te kesaj perandorie te re te botes, ne Ameriken Qendrore dhe ne Ameriken Latine.

    Me me pak pretendime e realizem, zoti Fatos Tarifa, do te mund te sillte nje fare kontributi modest ne dritat e zbehta qe rreken te ndricojne realitetet e sotme gjeopolitike ne skenen boterore, duke analizuar jo me frazeologji broshurash te propogandes, por me faktet konkrete, pasojat qe kane per jeten e popujve dhe vendeve te ndryshme, politikat e bllokimit, bllokadave, sabotazheve dhe sanksioneve, ne emer te futjes se tyre ne vathen cobanit qe do ti mjele dy here ne dite.
    Shembuj demonstrues te ketyre vendeve “jashte vathes”, jane te gjalle sot, ne drite te diellit dhe kullojne gjak, mjerim, masakra, terrorizem, percarje dhe eksode biblike, shkaterime totale dhe gjenerata te tera te shkuara hupe, ne altarin e nje grushti metropolesh dhe popujsh te privilegjuar.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *