Kompromentimi, fonetika tjetër!

Ornela

Moikom Zeqo

Ka një fonetikë formale. Për të gjithë. Nuk ka të shkruar pa fonetikë! Po a mund të ketë një fonetikë të dytë? Alternative? Pra, edhe shqipja ka më shumë se një fonetikë? Migjeni ndoshta e do një futurizëm të gjuhës shqipe, përtej çdo psikologjizimi marramendës të saj. Ja një hulli e re studimore! E paparashikueshme dhe tunduese! Shkrimtarët e tjerë e pranojnë fonetikën normale, rutinore. Për Migjenin shkrimi është dilema e shkrimit. Ndaj Migjeni analizon më 1934 paradoksin:

“Të shkruaj! – por çka… Të kam premtue, në rast se nuk vij, ta shkruej një letër, – por me çfarë përmbajtjeje? Nuk kemi pasë fjalën. Shkurt: ta kam premtue letrën e unë nuk do dij mbi çka të shkruej, andej rrjedh silogjizmi hipotetik: po deshta të shkruej me e majtë fjalën, e jo si “dikushi” – më duhet të shkruej marina, ose: po deshta mos të shkruej marina – që mos të komprometohem, hëm-hëm – më duhet të praj, të përfundoj letrën. Por jo! Jam për silogjizmin e parë: të shkruej, të shkruej marrina – të kompromentohem. Çka asht kjo fjalë, ky verb me u komprometue? Shpeshherë ia thojmë shoqi-shoqit – kinse me sinqeritet – “mos të komprometohesh!” Njeriu ia thotë vedit, po sa del prej derës së shpisë, tu’ e vra fytyrën: “seriozisht, mos të komprometohem!!! Gruaja, në rrugë, nuk shikon as djathtas as majtas, – as kenin – mos të komprometohet; po ia tërhoqi sytë simpatikisht subjektit reciprok, e lan vedin me fjalë: “pse janë sytë?, mandej nuk se shikova shumë që të komprometohem” – dhe kështu komprometohet dyherësh: kur shikojti dhe kur desh të lajë vedin. Edhe në mue, në ndërgjegjen, d.m.th. në hijen e mendimit – endet ky verb: me (u) komprometue, endet edhe shumë. E unë s’e dij pse më sulmon kaq shpesh? Ndoshta e drue, ose jam flia e tij? Por argumentet, me cilët arsyetoj para vetes teme, nuk më lanë me mendue se e drue kët verb, ose jam flia e tij. Për veten teme, ky duhet mëshi fare prej gjuhës, ose do të ruehet ndën ndoj kuptim tjetër, si e ka për shembull fjala një rraje me kët verb “comprom” – d.m.th. një të dalun (si prej ngatrresave, sidomos politikën morale). E verbin, me kuptim, si e merr bota shqiptare duhet me e dëbue. Me u komprometue me fonetikë tjetër, d.m.th. me shpallë sinqeritetin ; kur thotë ndokush : Mos të komprometohesh – ai thotë : mos trego sinqeritet, me fjalë tjera : rrej ! Epo atherë a asht e arsyeshme ta majmë kët verb ? – Jo ! Njeri mondan comme il faut, si e lyp koha duhet ta dëbojmë! Mos ec si ta do natyra, por ec si duhet, mos të komprometohesh ; mos fol si ta do natyra, por fol si duhet, mos të komprometohesh ; mos u sjell si ta do temperamenti ; por sjellu si duhet, mos të komprometohesh ; mos u shpreh kurrë me sinqeritet, por me rezervë, mos të komprometohesh – dhe kështu gjith jeta e njeriut, ndër imitacione ; e pra, shumë vet thonë se njeriu nuk rrjedh prej majmunit – që t’imitojn kaq shumë. »

Tekst i ndërlikuar. Monumental. E njëjta gjuhë është dy gjuhë. Me sinqeritet dhe shtrirje të rremë. Një gjuhë e vërtetë dhe një gjuhë falso! Dallim epokal. Kufiri fatal i Rubikonit. Mendërisht shkrimtari i vërtetë dh joshkrimtari! Njeriu dhe kopja e neveritëshme! Njeriu mondan i arratisur. Luciferr! Flijimi në një altar fjalësh të padenja! Hija e mendimit e mjegulluar! Kompromentimi kohësor dhe vizionarizmi mendor! Klientelizmi shekullor, mjeran, utilitar i njeriut që shkruan! Rebelizmi ndaj kohës armiqësore! Betejat sakrifikuese! Vetmia dritëruese dhe madhështore e Migjenit! Etimologjitë si shpjegime kundërshtuese! Masakrimi jetik i fjalorëve, që zhdukin fjalët e pavërteta.

Fonetika e mendimit e ndryshme, sfiduese nga fonetika e formalizimit gjuhësor. Konvencionalizëm tragjik. Epifani luftarake. Strategji globale e mbijetesës së nëmur. Ah, Migjeni! Hero fonetikisht i panënshtrueshëm. Ah, Migjeni! Eukaristia dekartiane e dyshimit hulumtues! Ah, Migjeni? Kompromentimi i lexuesit si skllavëri dinake! Për të vdekur përgjithmonë si kryengritës të lirisë. Liria potenciale si mungesë e lirisë! Ego sum Veritas! Po kush është e Vërteta?

COUCHEMARS

Tek poezia shpërthyese “Një natë pa gjumë” Migjeni në dorëshkrim e ka vargun “Hiqmuni qafe, mendime couchemars” Nga frëngjishtja “le couchemar” (ëndërr e frikëshme). Traktati “Mind of Man” i psikologut Gustav Spiller thotë se ëndërra të tilla korrespondojnë me bazën më të ulët të veprimtarisë mendore. Shika dhe Groussac tek “Entre deux reves” si dhe “Le voyage intellectuel”. Referencat janë hutuese. Fjala përkatëse greke «efialte», në latinisht «incubus», spanjisht «pesadilla», gjermanisht «alp» nga « elf » – demoni i kushemarit (ëndrrës). Në anglisht «nightmare». Shekspeare : « I meat the nightmare » është « chaval noir la nuit ». Ah, ëndrrat e lemeritshme të Migjenit! Ankthet e Historisë! James Joyce-i ka shkruar “Historia është le couchemar-i prej të cilës po provoj të zgjohem!” Tek “Finnegans Wake”. Mohim aktiv, e tashmë pjesore e çdo futurologjie dhe utopie! Ah, James Joyce i migjenizuar! Ah, Migjeni që s’di gjë për James Joyce-in! Ah, historia si kimia më e dëmshme dhe e rrezikshme e intelektit sipas Poul Reverdy-së! Universi cauchemar! Zgjohu Migjen nga historia! Zgjohu njerëzim!

Share This Article
Leave a Comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *