Presidenti sirian bie dakord të dorëzojë armët kimike. Konfirmimi ka ardhur nga vetë lideri sirian gjatë një interviste në një televizion rus, duke i hapur në këtë mënyrë rrugën propozimit të Putin për tratativa, një ide që u mbështet edhe nga SHBA-të disa ditë më parë.
Qeveria siriane do t’i dërgojë Organizatës së Kombeve të Bashkuara dokumentet e firmosura, të cilat ndalojnë përdorimin e armëve kimike. Në intervistë, Asad ka saktësuar se vendimi i tij ka ardhur si pasojë e propozimit të Rusisë dhe jo kërcënimit për ndërhyrje ushtarake nga ana e SHBA.
Takimi në Gjenevë
Diplomacia amerikane dhe ajo ruse do të vendosin gjatë ditës së sotme dhe asaj të nesërme se cili do të jetë hapi i radhës. Në Gjenevë do të mblidhen në një tryezë të rrumbullakët sekretari amerikan i shtetit, John Kerry dhe ministri i Jashtëm rus, Sergei Lavrov, për të vendosur se si mund të vendosen nën kontroll ndërkombëtar armët kimike të Damaskut.
Lavrov, i cili ashtu si edhe Kerry do të shoqërohet nga ekspertë të armatimit kimik, është optimist. “Mbetet ende një mundësi për paqe”, ka deklaruar ai në Astana (Kazakistan), pak para nisjes drejt Gjenevës.
Nëse palët do të bien dakord, Kerry dhe Lavrov mund të shfrytëzojnë rastin për të hedhur hapin e parë në drejtim të organizimit të konferencës së shumëpritur të paqes për Sirinë, e njohur ndryshe si “Gjeneva 2”.
Në këtë pikë, zëdhënësi i OKB-së ka konfirmuar se në takimin e sotëm do të jetë prezent edhe i dërguari për Sirinë, Lakhdar Brahimi.
Raporti i OKB
Shpresat për gjetjen e zgjidhjes për konfliktin në Siri varen nga raporti i inspektorëve të OKB-së, të cilët po investigojnë mbi sulmin e 21 gushtit në periferi të Damaskut. Raporti pritet të përmbyllet të hënën, ndërsa presidenti rus ka deklaruar se një sulm ushtarak vetëm nga ana e SHBA-së do të çonte në kaos.
Me anë të një apeli drejtuar në mënyrë të drejtpërdrejtë opinionit publik dhe politikës amerikane, lideri i Kremlinit ka pranuar se nëse SHBA do të sulmonte ushtarakisht Damaskun pa mandatin e Këshillit të Sigurimit të OKB-së, ky veprim do të ishte “hedhje në erë e besueshmërisë së këtij organizmi dhe sistemit të të drejtave dhe rregullave ndërkombëtare”.
Por lufta vazhdon…
Ndërkohë, në Siri luftimet vijojnë. Në Maalula, një qendër e vogël simbol i krishtërimit në Siri, trupat besnike të regjimit janë ende në ndjekje të grupeve rebele, të cilët të dielën e shkuar kishin pushtuar zonën. Opozita ka denoncuar një tjetër sulm “me gaz helmues”, natyra e të cilit nuk është ende e qartë. Edhe kësaj radhe, në shënjestër janë lagjet periferike të Damaskut. / Përgatiti: Gazmira Sokoli
