Në fillim, ai ishte taksur për Qatip, por pastaj ja vunë emrin Shansmir, ndërsa së fundi preferon të quhet Uni, Uni Shafranballiu.
Të gjitha mediat, domethënë ato që janë pronë e të atit dhe ca portale që i bëjnë ventilator babit, lajmet mbi të nisin me fjalinë, “Uni Shafranballiu është padyshim një nga meshkujt shqiptarë më të komentuar në media, që tërheq vëmendjen kryesisht për shkak të jetës luksoze që bën”.
Përdorimi taksativ i “padyshim” dhe kryesisht” i jep vulën serioze lajmit dhe krijon pritshmëri për më tej. Në të vërtetë, Uni i shkretë është disi i komentuar dhe kjo kryesisht në mediat e të atit; por absolutisht vetëm për jetën luksoze që bën.
Uni donte të bëhej futbollist. Firmosi kontrata me shumë klube, por e kapte një valë skepticizmi sapo mësonte se në kontratë parashikohej edhe vrapi për të kapur topin, pasimet e sakta, stërvitja dy herë në ditë etj.
Megjithatë nuk hoqi dorë nga klubet, me kusht që t’i frekuentonte vetëm pasi binte nata.
Ndërsa klubet e ditës e ndiqnin pas vetvetiu, sepse çunat, ata që vraponin vërtet, e shijonin shumë qerasjen e tij.
Intervista e fundit televizive e Unit ishte një retrospektivë në një ngjarje të egër të ca viteve më parë.
“Ene ishim ne çunat e Partizonit, ene i ftova unë se kisha ditëlindjen. Kishim vesh papijon komplet si grup, a m kupto? Ene një gocë që ishte me të dashurin, i mbetën sytë nga ne. Dmth nga unë, Uni. Ene i dashuri i asajt gocës çmenet fare. Po ishte budallik, kupto ti? Se ç’faj kena ne si futbollista me talent, dhe me Meklaren, kur ti s’ma dot gocën tate? Ene hudhi karrigen ai çuni, po i shkoi huq. Ene hudhëm ne karriget, ene erdhi policia. Na pyti me rradh. Më thanë mu, po ti kush je? Un kam kët Meklarenin, i thash una, dhe i tregova një foto t’u hangër buk me Pamela Andersonin”, rrëfeu me elokuencë Shansmiri, alias Uni, pa sqaruar se ajo goca po i shikonte me këmbëngulje çunat me papijon, sepse kërkonte kamarierin.
Më tej Uni rrëfeu se do hapte biznes ndërtimi në Hollivud.
“Ajo zonë do zhvilluar, është copë-copë. Do shkojmë t’u japim një dorë,” shpjegoi Uni. Ai hapi zemrën dhe tha se i vetmi hall ishte se gjysma e aktorëve dhe këngëtareve në Los Anxheles kërkonin të lidheshin me të.
“Shakira desh me u nda nga burri vet për shkakun tim. Po unë nuk du. Se unë kur ndahem me aktoret e famshme jam qytetar, kupto? Mbetemi vetëm miq të mirë, ene u dërgoj kartolina për Vitin e Ri,” shpjegoi Shansmiri, dmth Uni.
Këto momente, burime padyshim kryesisht të mirëinformuara, na bëjnë me dije se ky material ka për thyer rekord si shkrimi më i gjatë me njëfarë kuptimi, që ka për protagonist Unin e Shafranballinjve. Kështu që s’po e zgjasim më.
Shënim: Gojët e Liga është rubrikë padyshim satirike që kryesisht s’ka lidhje me personat realë.


Hahaha djali irfanit qe desh u fejua me pamela andersonin 56 vjece nga qefi vipllekut
IA KA MESUAR E MOTRA, BALLIUT, KUR PUNONTE TE SHOQATA ME TE HUAJT!!