ANTROPOLOGJI / Trump zbulon një tribu të panjohur, e fajëson direkt për lidhje me demokratët

redaktor
464812055

Një zbulim i papritur shkencor ka ndodhur në pyjet e dendura të malit Talamankan në Kosta Rika, ngjitur me Kosta Grillon, aty ku asnjë vizitor nga qytetërimi modern nuk ka arritur të hyjë.

Presidenti amerikan Donald Trump, në krye të një ekipi zbuluesish republikanë ka çarë me hanxhar në dorë shkurret dhe lianat e lidhura me njëra-tjetrën, në kërkim të një grupi etnik tërësisht të paekspozuar ndaj modernitetit në këtë cep të Amerikës Qendrore.

Ngjarja e ndodhur disa ditë më parë, e ka marrë shtysën nga një mbledhje e stafit të ngushtë presidencial, mësojnë burimet.

Pasi u bë një bilanc i shënjestrave të deritanishme të presidentit, rezultoi se Trump kishte bërë me rradhë leckë si fajtorë për problemet e Amerikës, meksikanët, guatemalasit, hondurianët, san-salvadorasit etj, dhe publikut amerikan nuk i bënte më përshtypje përmendja e vendeve të njohura të Amerikës qëndrore.

“Kemi të dhëna të sigurta se kjo zonë është atdheu i një race të humbur njerëzish që jetojnë në izolim të plotë,” tha Trump para një kamere amatore që dokumentonte udhëtimin epik. “Po i gjeta, do mund t’i fajësoj për lidhje të errëta me demokratët, për marrjen e vendeve amerikane të punës dhe vendosjen e kushteve të pafavorshme tregtare me SHBA-në”.

I veshur me një jelek bezhë tipik për eksploratorët, teksa hapte rrugën me hanxharin tradicional vendas, maçete, Trump shtoi në kamera se nëse kryhej zbulimi i madh, gjëja e parë që do të bënte, ishte t’i kërkonte tribusë primitive që të ndërpriste urgjentisht programin bërthamor.

“Duke qenë krejt të shkëputur nga bota, anëtarët e këtij fisi me siguri që përhapin me njëri-tjetrin lajme të rreme, fiks si CNN-i,” shtoi Trumpi.

Kamera amatore tregoi në vijim disa pamje të largëta siluetash të njerëzve lakuriq, ndërsa u dëgjua Trump që udhëzoi ekipin e tij: “Djema, filmojini në bardhezi që t’i përdorim në fushatën e ardhshme elektorale. Hëni, oburrani!”

Shënim: Gojët e Liga është rubrikë satirike, ngjarja e mësipërme eshtë e sajuar. Trump vazhdon të fajësojë vetëm kombet e njohura . 

Share This Article
2 Comments
  • Do te ishte mire te renditej dhe emri I autorit te kesaj sajese. Emri I nje personi qe permendet mbas Kosta Rikes eshte lapsus apo i qellimshem? Ne pritje te se vertetes jo satirike.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *