Studentët e diplomuar në ciklin 3-vjeçar “Bachelor” në Fakultetin e Gjuhëve të huaja rrezikojnë të mbeten pa master. Për shkak të burokracive të krijuara shpesh herë ndërmjet strukturave të arsimit në vendin tonë, ky fakultet rrezikon çeljen e studimeve master gjatë vitit të ri akademik 2013-2014. Shkak për këtë bllokim bëhet pengesa që Senati Akademik i Universitetit të Tiranës ka shfaqur në miratimin e kurrikulave të reja që janë përgatitur nga fakulteti për ciklin e dytë të studimeve universitare. Dekania e Fakultetit të Gjuhëve të Huaja, Klodeta Dibra ka deklaruar gjatë ditës së djeshme se kurrikulat e miratuara për programet master në nivelin profesional dhe shkencor nuk janë miratuar nga Senati i UT-së, çka pengon hapjen e aplikimeve për pranimet e reja gjatë këtij viti.
Sipas Dibrës, kurrikulat dhe ndryshimet e detajuara në to, prej kohësh i janë dërguar edhe Ministrisë së Arsimit, por pavarësisht këtij fakti ish ministri Myqerem Tafaj nuk ka marrë në shqyrtim asnjë nga kërkesat e fakultetit, çka është reflektuar në moskthimin e përgjigjes. Duke iu referuar afateve kohore, Dibra vë në dukje se shkresat përkatëse në Ministrinë e Arsimit janë dërguar që në muajin qershor, por pa rezultat pasi ish ministri Tafaj nuk ka marrë në shqyrtim asnjë kërkesë të dërguar nga Fakulteti i Gjuhëve të Huaja. Ndërkohë që edhe vetë senati i UT-së në mbledhjen e zhvilluar nuk ka marrë parasysh vendimet e këshillit sa i takon kurrikulave të reja për programet master. “Fakultete të ndryshme janë prononcuar me shkresa dhe këshilla, duke shkelur kompetencat e tyre janë prononcuar dhe kanë gjykuar vendimet e këshillit të Fakultetit të Gjuhëve të Huaja, e cila është antiligjore, nuk është aspak akademike, nuk është aspak miqësore dhe nuk është aspak bashkëpunuese. Unë e kam dërguar këtë dokumentacion që në muajin qershor në Ministrinë e Arsimit. I kam dërguar ish-ministrit Myqerem Tafaj, dy shkresa dhe nuk më ka kthyer përgjigje.
Për të gjithë Fakultetin kishim planifikuar 18-të mastera, pasi si fakultet kishim vetëm 8-të “Mastera Shkencor”, ka deklaruar gjatë ditës së djeshme dekania Klodeta Dibra. Për të zgjidhur këtë ngërç dhe për të mos penguar vijimin e këtyre studimeve nga mijëra aplikues që janë në pritje, Dibra thekson se brenda pak ditësh do të zhvillohet një mbledhje e Këshillit të Fakultetit, ku do të merret një vendim se çfarë do të ndodhë më tej me ciklin e studimeve master në specialitetet e Gjuhëve të Huaja. Më tej ajo shton se do të kërkohet sa më shpejt edhe një takim me ministren e Shëndetësisë Lindita Nikolla , për gjetjen e një zgjidhje të shpejtë ndaj këtij ngërçi i cili rrezikon studentët ti lërë pa studime master qoftë në nivelin shkencor ashtu dhe në atë profesional.
Ndërkohë që janë me mijëra studentët që pasi janë diplomuar në ciklin “Bachelor” e duan të vijojnë studimet e mëtejshme në nivelin e dytë, të cilat klasifikohen si kusht për të siguruar të drejtën e përfshirjes në tregun e punës. Gjatë dy viteve të fundit kanë qenë të shumta kërkesat e refuzuara për punësim të studentëve që gëzojnë një diplomë të nivelit bachelor. Refuzime të cilat nuk kanë ardhur vetëm nga subjektet private të biznesit, por edhe nga institucionet shtetërore. Kjo pasi me një diplomë të nivelit 3-vjeçar mundësitë e punësimit dhe përfshirjes në tregun e punës janë pothuajse zero. Për shumë kandidatë vijimi i studimeve të këtij niveli në shtet është e vetmja mundësi, pasi tarifat e privatit janë të papërballueshme.
Kreditet për programet “Master shkencor”
Programet e studimeve të ciklit të dytë “Master Shkencor”, i pajisin të diplomuarit që zotërojnë diplomën universitare “Bachelor” me njohuri të thelluara, teorike dhe praktike, si dhe trajnim për kërkim shkencor brenda një specialiteti. Programet e studimeve të ciklit të dytë të këtij niveli realizohen me 120 kredite, ku përfshihen 30-40 kredite për projektin kërkimor dhe tezën dhe kohëzgjatja normale e tyre është 2 vite akademike. Me kryerjen e këtyre studimeve kandidatët sigurojnë njohuri të thelluara në lidhje me studimet teorike dhe praktike të një specialiteti përkatës, duke i lejuar ata të kalojnë më pas në ciklin e studimeve të nivelit të tretë.
Kreditet për programet “Master Profesional”
ky cikël studimesh u ofron të diplomuarve, që gëzojnë së paku një diplomë “Bachelor”, arsimim dhe trajnim të mirëfilltë profesional. Programet e studimeve “Master profesional” realizohen me 60-90 kredite dhe kohëzgjatja normale e tyre është 1,5 vite akademike. Studentët e këtij programi studimi duhet të japin në përfundim edhe provimin e gjuhës angleze, mbi bazën e testeve të njohura ndërkombëtare. Në përfundim të këtyre programeve të studimeve lëshohet diplomë universitare “Master profesional” në fushën e arsimimit e të trajnimit profesional të kryer, çka i ndihmon studentët të afrohen më shpejt me tregun e punës.
