Qëndrimi ndaj mentalitetit se ke doktori duhet të shkojmë vetëm kur përballemi me komplikacione të rënduara, mban në nivele alarmuese sëmundshmërinë në popullatën tonë. Krahas sëmundjeve të zemrës, të cilat listohen si faktori i parë që shkakton numrin më të lartë të vdekjeve në vendin tonë, problem më vete po bëhen edhe sëmundjet e veshkave. Specialistët e nefrologjisë vënë në dukje se gjatë viteve të fundit po përballen me një fluks të lartë pacientësh, të cilët vuajnë nga sëmundjet kronike të veshkave për shkak të moszbulimit të këtyre sëmundje që në stadet fillestare. Sipas bluzave të bardha mjafton kryerja e tre testeve të thjeshta për të shpëtuar nga komplikacionet që mund të vijnë si rrjedhojë e humbjes së funksionit të veshkave, të cilat mund të mbartin edhe pasoja fatale për jetën. Kundrejt rasteve të shumta që paraqiten çdo ditë në gjendje të rënduar si pranë mjekut të familjes, ashtu edhe në urgjencat e QUST-së, bluzat e bardha apelojnë për kujdes në kryerjen e tre testeve të thjeshta, të cilat jo vetëm ndihmojnë zbulimin e shpejtë të sëmundjes, por parandalojnë edhe humbjen e funksionit jetik të veshkës. “Zbulimi i hershëm mund të ndihmojë parandalimin e progresionit të sëmundjes së veshkave në stadin kronik. Tre teste të thjeshta mund të zbulojë sëmundjet e veshkave, siç janë kontrolli i tensionit të gjakut, gjetja e albuminës në urinë dhe matja e kreatininës në serum. Rritja e sasisë se proteinave në urinë është një tregues se sëmundjet kronike të veshkave janë të pranishme. Kalimi i tyre në stad kronik mbart një kosto të konsiderueshme për trajtimin dhe kujdesin shëndetësor. Duhet ngulitur në mendje se sëmundjet kronike të veshkave nuk janë të shërueshme dhe pacienti do të ketë nevojë për përkujdesje përgjatë gjithë jetës. Ndaj, kryerja e herëpashershme e këtyre tre testeve të thjeshta ju mban larg kësaj jetese të vështirë. Sipas të dhënave rezulton se çdo vit në vendin tonë raportohen mbi 400 raste të reja me sëmundje kronike të veshkave”, konfirmojnë specialistët e shërbimit të nefrologjisë. Shkaku i sëmundjeve të veshkave shpesh mbetet i panjohur. Megjithatë, diabeti i sheqerit dhe tensioni i lartë në gjak janë ndër shkaktarët kryesorë që dobësojnë funksionimin e veshkave duke e kaluar sëmundjen në stad kronik. Ndërkohë që kalimi në stad kronik është burim i një sërë problemeve të tjera që shfaqen në organet e tjera të trupit. Sipas të dhënave të OBSH-së, rezulton se vdekjet nga sëmundjet kardiovaskulare janë 8 herë më të larta tek pacientët me sëmundje kronike të veshkave. “Fillimi i sëmundjes shpesh mund të jetë i heshtur dhe pa shenja të dukshme për pacientin të cilat ai i konsideron si pjesë të normalitetit të tij të përditshëm. Ndër shqetësimet më të shpeshta që paraqesin të sëmurët me sëmundje të veshkave që nuk duhen neglizhuar rezultojnë të jenë: “Ndryshime të urinimit si: urinim të shpeshtë (mbi 4-5 herë në ditë), me dhimbje ose djegie, me ngjyrë të kuqe apo të errët, ndryshim të sasisë së urinimit etj. Shfaqje e edemave (ënjtjeve) në: këmbë, duar apo fytyrë .Shqetësime të tjera janë: lodhja, të përziera, të vjella, vështirësi në frymëmarrje, dhimbje mesi”. Ato janë cilësuar vrasës të heshtur, mbasi dëmtimi i veshkave ndodh në mënyrë të ngadalshme dhe të fshehtë për një periudhë të gjatë kohore, prej muajsh apo vitesh, çka sjell një diagnostikim të vonshëm të tyre dhe dëmtime të rënda të veshkave; që më pas kërkojnë terapi zëvendësuese të funksionit të tyre apo të vetë veshkave si dializa apo transplanti.

Personalisht besoj se askush nuk ka nevoje te shkoje te mjeku ne rast se e ndjen veten shendoshe e mire. Mjekesia sot eshte kthyer ne biznes. Mjeket fitojne kur i futin tmerrin njerezve me lloj lloj semundjesh imagjinare. Nga ana tjeter duhet ditur se nje pjese e ilaçeve, barnave mjekesore, bejne mire ne nje ane dhe keq ne anen tjeter. Jane me efekte anesore, siç thuhet. Trupi i njeriut eshte nje univers teper i komplikuar. Edhe femijen 1 vjeç po ta çosh per kontroll mjekesor do i dali diçka. Aq shume organe dhe qeliza ka trupi i njeriut. Prandaj mendoj se mund te jetosh deri 80 vjet edhe pa vajtur nje e dy te mjeku. Perjashtohen rastet kur ke dhimbje, temperature etj etj. Te shkosh per kot eshte kot.