Sikundër ishte premtuar dhe më herët, studentët e pranuar në degët e mësuesisë, të cilët janë me rezultate të larta, do mund të përfitojnë rimbursim të tarifës vjetore të studimeve, sikundër edhe do të sigurojnë mbështetjen nëpërmjet programit të bursave.
Qeveria ka zyrtarizuar në mbledhjen e djeshme vendimin për mbështetjen që do të përfitojnë studentët e mësuesisë të pranuar përgjatë këtij viti akademik në ciklin e parë të studimeve.
Në këto kushte, të gjithë studentët e regjistruar në vit të parë, në ciklin “Bachelor” në institucionet publike të arsimit të lartë në programet e studimit në fushën e mësuesisë, që plotësojnë kriterin e notës mesatare të përcaktuar nga qeveria, do të përjashtohen nga detyrimi i derdhjes së taksës vjetore të studimit për këtë vit akademik, si dhe ata që vijnë më pas.
Kriteri i mesatares
Studentët e pranuar në vit të parë sipas këtij vendimi, duhet që të përmbushin kriterin e notës mesatare 9 deri në 10, e përllogaritur kjo si mesatare e notave të të gjitha viteve të arsimit të mesëm të lartë, përfshirë këtu edhe rezultatet e arritura në provimet e detyruara dhe ato me zgjedhje të Maturës Shtetërore 2018. Ndërsa studentët e regjistruar në vitet pas të parit, gjithashtu duhet që të përmbushin kriterin e notës mesatare nga nota 9 deri në 10.
Kjo mesatare do të llogaritet si rezultat i të gjitha notave dhe detyrimeve të parashikuara në programin përkatës të studimit dhe të shlyera për vitet pararendëse. Po sipas vendimit, kjo kategori studentësh do të gëzojë të drejtën e përjashtimit nga tarifa vjetore e shkollimit vetëm për periudhën që ndjekin studimet në këto programe dhe për kohëzgjatjen normale të përcaktuar për këtë cikël në ligjin e arsimit të lartë.
Krahas kësaj mbështetjeje, qeveria ka kaluar edhe vendimin në të cilin përcakton zgjerimin e kategorive që do trajtohen me bursë nga shteti për vitin akademik 2018-2019, ku në këtë grup për herë të parë do të bëjnë pjesë edhe studentët e pranuar në degët e mësuesisë. Edhe në këtë rast, do mund të përfitojnë bursë vetëm studentët që përmbushin kriterin e notës mesatare, të përllogaritur sipas kritereve të përmendura më lart. Programi i mbështetjes me bursë të këtyre studentëve do të vijojë përgjatë gjithë ciklit të studimeve.
Aplikimet
Me hyrjen në fuqi të këtij vendimi, institucionet e arsimit të lartë në vend do të çelin procedurat e aplikimit për të gjithë kandidatët që plotësojnë kushtet për t’u përjashtuar nga taksa vjetore e studimeve, si dhe për të siguruar bursën. Aplikmi do të bëhet pranë institucioneve përkatëse të arsimit të lartë që kandidatët janë duke ndjekur, duke dorëzuar dosjen përkatëse të dokumenteve të kërkuara.
Kështu, studentët që plotësojnë kriteret dhe dokumentacionin ligjor të përjashtimit ose reduktimit të tarifës së shkollimit pasi plotësojnë kërkesën përkatëse dhe i paraqesin ato pranë sekretarisë mësimore të fakultetit.
Ndërkohë që aktualisht po vijon procesi i pranimit të kërkesave dhe dokumenteve për të gjitha shtresat e tjera në nevojë që plotësojnë kushtet për të përfituar rimbursimin e kostos së studimeve të larta në programet që janë duke ndjekur.
Studimet në programet e mësuesisë
Për të rritur cilësinë e mësuesve të rinj, është ndërhyrë edhe në reformimin e programeve të mësuesisë. Programet e studimit në fushën e mësuesisë për arsim parashkollor dhe arsim fillor tashmë organizohen në dy cikle që janë: program i ciklit të parë “Bachelor”, që formon mësues të arsimit parashkollor, si dhe program i ciklit të dytë “Master profesional”, që formon mësues të arsimit fillor.
Programet e studimit për formimin e mësuesve të arsimit të mesëm të ulët dhe të lartë organizohen si programe të ciklit të dytë të studimeve “Master”, me 120 kredite, sipas fushave përkatëse të formimit. Programet e ciklit të dytë të studimit në fushën e mësuesisë duhet të përmbajnë 25 për qind të krediteve në shërbim të formimit të përgjithshëm psiko-pedagogjik.
Sipas ligjit të arsimit të lartë, programet e ciklit të dytë të studimit, që formojnë mësues të së njëjtës fushë të mësuesisë, duhet të kenë së paku 80 për qind të kurrikulës me përmbajtje të ngjashme.
Kohëzgjatja e studimeve
Kohëzgjatja maksimale e studimeve në një program studimi nuk mund të jetë më shumë se dyfishi i kohëzgjatjes normale të studimeve që parashikon programi, pa marrë në konsideratë periudhën e kohës kur studenti i ka pezulluar studimet. studenti, që nuk arrin të përfundojë studimet brenda kohëzgjatjes maksimale të programit, ka të drejtë të aplikojë për të rifilluar studimet në të njëjtin program studimi ose në një program tjetër.
Ai u nënshtrohet kritereve dhe procedurave të shpallura për regjistrimin në programin e studimit të institucionit pritës. Kreditet e grumbulluara nga studenti gjatë periudhës së mëparshme të studimeve mund të transferohen, me vendim të njësisë bazë të institucionit që pranon studentin, sipas kritereve të përcaktuara në rregulloren e saj.
DITA
