Pensionet: Si përfitohet kompensimi mujor për personat në ngarkim

Leda Hysa

Përfituesit e pensionit të pleqërisë, invaliditetit dhe atij familjar nëpërmjet skemës së sigurimeve shoqërore kanë të drejtë që të sigurojnë edhe kompensimin për personat që kanë në ngarkim. Këtë shtesë mbi pensionin mujor e përfitojnë të gjithë personat që marrin pension dhe që kanë anëtarë të familjes në ngarkim sipas moshës së përcaktuar, të cilët duhet të jenë me banim të përhershëm në qytet. Referuar këtij kriteri, kjo pagesë jepet për të gjithë pensionistët që kanë në ngarkim fëmijë nën moshën 18 vjeç, ose deri në 25 vjeç dhe që janë duke vazhduar studimet në një nga institucionet e arsimit të lartë në vend. Gjithashtu të drejtën e marrjes së këtij kompensimi e kanë edhe të gjithë përfituesit e pensioneve, për të cilët  faktohet se kanë persona të tjerë në ngarkim dhe që nuk janë më në marrëdhënie pune. Sipas kushteve të përcaktuara në Manualin e Përfitimeve,përjashtohen nga kjo lloj pagese të gjithë pensionistët që realizojnë të ardhura nga veprimtaria ekonomike si të punësuar, punëdhënës, të vetëpunësuar, ose që kanë tokë në pronësi.

Si ndryshon masa e kompensimit

Masa e përfitimit të kompensimit është e ndryshme në varësi të personave që janë në ngarkim të pensionistit. Konkretisht, sipas përcaktimeve të bëra në legjislacionin përkatës të sigurimeve shoqërore pensionisti ka të drejtë që të përfitojë një kompensim prej 414 lekë në muaj për çdo person të familjes në ngarkim kur rezulton se fëmijët janë nën moshën 18 vjeç, ose deri në 25 vjeç dhe që janë ndjekur shkollën. Më tej bëhet e ditur se këtë pagesë e përfitojnë edhe pensionistët që kanë në ngarkim nipat dhe mbesat që nuk i kanë prindërit, por që konstatohet se bashkëjetojnë me pensionistin dhe janë nën moshën 18 vjeç, ose deri në 25 vjeç dhe që janë duke vazhduar studimet. Ndërsa kompensimin mujor në masën prej 207 lekësh në muaj për çdo person në ngarkim e përfitojnë kur një nga prindërit është në marrëdhënie pune, ose në pension.

Kushtet si përfitohet

Për të siguruar këtë të ardhur pensionisti duhet që të dorëzojë pranë organeve përgjegjëse të sigurimeve shoqërore pranë vendbanimit të tij, dosjen përkatëse të dokumenteve të përcaktuara. Në mënyrë të detajuar, dosja e dokumenteve që kërkohet duhet të përfshijë: fotokopjen e letërnjoftimit elektronik për personat përfitues, certifikatën familjare, vërtetimin nga shkolla për fëmijët që ka në ngarkim, vërtetim nga zyra e tatimeve, taksave dhe nga bashkitë dhe komunat nëpërmjet të cilit konfirmohet se nuk janë duke ushtruar asnjë aktivitet tjetër. Pjesë e dosjes duhet të jenë edhe vërtetimi nga zyra e punës, si punëkërkues për personat që janë në ngarkim dhe nuk janë në marrëdhënie pune, si dhe deklarata personale. Pasi verifikojnë dokumentet përkatëse, autoritetet përgjegjëse të sigurimeve japin edhe vendimin nëse pensionisti do të përfitojë edhe këtë lloj kompensimi për të gjithë personat që rezultojnë të jenë në ngarkim të tij.

Si llogaritet pensioni i pleqërisë dhe ai i invaliditetit

Pensioni mujor i pleqërisë përbëhet nga një shumë bazë dhe nga një shtesë. Shuma bazë llogaritet si raport i periudhës së sigurimit që ka realizuar personi me periudhën e sigurimit të kërkuar, bazuar në moshë dhe vite sigurimi, shumëzuar me pensionin social. Shtesa do të jetë 1për qind  për vit sigurimi shumëzuar me bazën mesatare të vlerësuar që personat e siguruar kanë arritur nëpërmjet kontributeve, gjatë gjithë historisë së tij kontributeve. Shuma e përgjithshme e pensionit nuk mund të jetë më e vogël se pensioni social. Këtij pensioni i shtohen edhe kompensimet sipas kushteve që plotëson pensionisti përkatës. Lidhur me kushtet e përfitimit të pensioneve të invaliditetit legjislacioni përcakton se:

Periudha minimale e sigurimit për pension invaliditeti është sa 3/4 e diferencës së moshës së personit të siguruar në kohën që bëhet i paaftë dhe moshës 20 vjeç dhe në 5 vitet e fundit para lindjes së të drejtës të ketë së paku 12 muaj sigurim shoqëror. Personi, që është në kushtet e invaliditetit të plotë, por që nuk plotëson periudhën minimale të sigurimit, ka të drejtë për pension invaliditeti të reduktuar, në masën që rezulton nga raporti i periudhës së tij të sigurimit me periudhën e duhur për pension të plotë invaliditeti. Ndërsa personi që përfiton pension për invaliditet, kur plotëson moshën,  ka të drejtë të kërkojë pension pleqërie, nëse ky do të jetë më i favorshëm për të. Shuma e pensionit të invaliditetit të plotë llogaritet në të njëjtën mënyrë si pensioni i pleqërisë. Shuma e përgjithshme e pensionit të plotë nuk mund të jetë më e vogël se 75 për qind e pagës minimale neto në shkallë vendi.

Dokumentacioni që kërkohet:

  • Fotokopje e letërnjoftimit elektronik për personat përfitues.
  • Certifikatë familjare.
  • Vërtetim nga shkolla.
  • Vërtetim nga zyrat e tatimeve, taksave dhe nga bashkitë dhe komunat, për mospasje të aktivitetit.
  • Vërtetim nga zyra e punës, si punëkërkues, për personat që janë në ngarkim dhe nuk janë në marrëdhënie pune.
  • Deklaratë personale.

Afatet e dorëzimit të kërkesave për bursat e studimit tek Drejtësia

Për të vijuar përfitimin e bursës së studimit në programet e Fakultetit të Drejtësisë, studentët e viteve të dyta dhe të treta, si dhe kategoritë e tjera përfituese, duhet të paraqesin pranë departamenteve përkatëse të këtij fakulteti dosjen e dokumenteve të kërkuara. Autoritetet e këtij institucioni të arsimit të lartë bëjnë me dije se pranimi i kërkesave për studentët e ciklit të parë me kohë të plotë do të vijojë deri në datën 7 dhjetor. Në përfundim të këtij afati, një komision ekspertësh do të verifikojë dosjen e paraqitur nga secili student, për të përcaktuar më pas edhe listën e studentëve që plotësojnë kushtet e përcaktuara për të siguruar bursën e plotë ose të pjesshme të studimit për vitin akademik 2018-2019. Në vijim të shkrimit do të gjeni të detajuar listën e plotë të dokumenteve që duhet të përfshini në dosje.  Kategoritë në nevojë që do të përfitojnë bursë për këtë vit akademik janë: “Studentët që ndjekin studimet në largësinë mbi 10 km nga vendbanimi i përhershëm i tyre, familjet e të cilëve trajtohen me ndihmë ekonomike nga njësia e vetëqeverisjes vendore, secili nga studentët, i cili rezulton bashkëshort me fëmijë, dhe kur familja e tij trajtohet me ndihmë ekonomike nga njësia e vetëqeverisjes vendore, si dhe personat me aftësi të kufizuar. Gjithashtu me bursë trajtohen edhe  studentët që kanë përfituar statusin e jetimit, ata që kanë humbur përgjegjësinë prindërore, me vendim gjykate të formës së prerë, studentët që janë identifikuar e trajtuar si viktima të trafikut të qenieve njerëzore dhe kanë humbur kujdesin prindëror, si dhe studentët që rezultojnë fëmijë të punonjësve të Policisë së Shtetit, të Gardës së Republikës, të Shërbimit të Kontrollit të Brendshëm, të Policisë së Mbrojtjes nga Zjarri dhe të Shpëtimit, të Forcave të Armatosura, të Shërbimit Informativ Shtetëror dhe të Policisë së Burgjeve që kanë humbur jetën në krye dhe për shkak të detyrës, si dhe studentët me rezultate të larta, si dhe studentët e degëve të mësuesisë që plotësojnë kushtin e vendosur të mesatares. Sipas vendimit të miratuar më herët nga qeveria, studentët nuk përfitojnë dot bursë kur konstatohet se: “Janë ndarë nga trungu familjar, kur familjet e tyre ushtrojnë veprimtari private, në rastet kur vazhdojnë studimet në një program të dytë studimi, kur shpallen ngelës dhe humbasin vitin shkollor për arsye të rezultateve jokaluese, si dhe kur nuk kanë përfunduar programin e studimit brenda kohëzgjatjes normale të tij, të përcaktuar në aktin e hapjes së programit përkatës të studimit”.

Dosja e kërkuar për përfitimin e bursës duhet të përfshijë:

  • Vërtetim studenti.
  • Fotokopje e kartës së identitetit të studentit.
  • Certifikatë familjare.
  • Vërtetim i masës së ndihmës ekonomike që përfiton ose jo familja (seksioni i ndihmës ekonomike në Bashki). Vërtetimi i ndihmës ekonomike duhet të ketë të shënuar numrin e dosjes dhe të jetë shënuar qartë shuma e ndihmës ekonomike (me shifra dhe me fjalë), si dhe masa e ndihmës ekonomike (e plote ose e pjesshme). Vërtetimi duhet të jetë me numër protokolli, të jetë nënshkruar nga përgjegjësi i seksionit të ndihmës ekonomike dhe Kryetari i Njësisë së Vetëqeverisjes Vendore dhe të jetë i vulosur. Nuk pranohen vërtetime me korrigjime të pafirmosura nga personat përgjegjës dhe të pavulosura).
  • Për të gjithë pjesëtarët e familjes që janë në moshën 18 vjeç e lart duhen këto dokumente që vërtetojnë të ardhurat e tyre: Vërtetim nga qendra e punës në rastin kur janë në marrëdhënie pune (vërtetimi duhet të përmbajë pagën mujore të personit me gjithë shtesat mbi pagë).Vërtetim nga zyra e punës nëse është apo jo i papunë. Vërtetim nëse paguhet me pagesë papunësie (asistencë) apo jo në rastin kur është i papunë.
  • Vërtetim nga Instituti i Sigurimeve Shoqërore për të gjithë për të gjithë pjesëtarët e familjes për të vërtetuar nëse marrin pension të çfarëdo lloji.
  • Vërtetim nga Zyra e Tatim Taksave në Bashki nëse ndonjë pjesëtar i familjes ushtron aktivitet privat.
  • Vërtetim nga Drejtoria Rajonale e Tatimeve nëse familja e tij ka të regjistruar aktivitet privat.
  • Vërtetim nga Drejtoria Rajonale Zyra e Hipotekës për pronë ose truall për të gjithë anëtarët e familjes.
  • Vërtetim nga Hipoteka nëse ndonjë pjesëtar i familjes ka të regjistruar pasuri të paluajtshme fitimprurëse.
  • Vërtetim nga shkolla për motrat apo vëllezërit që janë në marrëdhënie shkollë (në vërtetim duhet të specifikohet nëse trajnohen me bursë shteti për vitin akademik 2018-2019).
  • Deklaratë mbi të ardhurat familjare që plotësohet nga kryefamiljari (do të merret pranë zyrës së Informacionit).
  • Afati i dorëzimit të dokumentacionit për studentët e viti të II dhe të III, cikli i parë, kohë e plotë, do të jetë data 21.11.2018-07.12.2018.

“Dita e Falenderimeve”

Bashkia e Tiranës dhe komuniteti amerikan shtrojnë drekë për njerëzit në nevojë

Për të dytin vit radhazi,  Bashkia e Tiranës dhe shtetasit amerikanë që shërbejnë dhe punojnë në Shqipëri, zgjodhën që festën tradicionale amerikane “Ditën e Falenderimeve”, ta kalojnë në qendrat sociale të Tiranës. Kësaj feste iu bashkua edhe nënkryetari i Bashkisë së Tiranës, Arbjan Mazniku, i cili i së bashku me drejtorin e Përgjithshëm të ABI Bank, Andi Ballta dhe kryetarin e Dhomës Amerikane të Tregtisë, Mark Crawford, i shërbyen një drekë festive njerëzve në nevojë që frekuentojnë qendrën sociale “Të qëndrojmë së bashku” në Kombinat. Nënkryetari Mazniku vuri në dukje se një qytet bëhet më i mirë kur në të kontribuojnë, jo vetëm institucionet shtetërore, por edhe çdo individ apo sipërmarrje. “Për ne si qytet është shumë e rëndësishme dhe është një moment kyç, kur institucione të rëndësishme, investitorë, shqiptarë e të huaj bëhen pjesë e sipërmarrjes së përbashkët për të pasur një qytet më të mirë. Të gjitha qendrat sociale të bashkisë kanë punuar gjatë gjithë këtyre viteve dhe janë duke funksionuar në mënyrë gjithnjë e më të strukturuar për të siguruar që çdo njeri, pavarësisht mundësive, të ketë të paktën një vakt të ngrohtë. Në këtë çështje pa dyshim nuk ia dalim dot vetëm, pa mbështetjen shumë bujare të institucioneve të rëndësishme, si Abi Bank, Dhoma Amerikane e Tregtisë apo çdokush tjetër, me qindra e mijëra njerëz që na janë bashkuar gjatë gjithë këtyre periudhave për t’iu gjendur pranë njerëzve”, u shpreh Mazniku. E enjtja e katërt e muajit nëntor në Shtetet e Bashkuara të Amerikës njihet zyrtarisht si “Dita e Falenderimeve”, dhe festohet nga qytetarët amerikanë me familjarët për të falenderuar Zotin, jetën, miqtë dhe të afërmit.

Share This Article
Leave a Comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *