Miti i tryezës së rrumbullakët

Leda Hysa

MOIKOM ZEQO

Vijon nga numri i kaluar

Në një demokraci mitike çdo gjë merr përmasat e mitit, dmth mitizohet në pambarim.

Nga një demokraci mitike secili nga ne mbijeton si miti i personalizuar, mitologjia e politikës është vetëm politikë e mitologjisë.

Në një demokraci mitike kemi mitin e pluripartizmit, mitin e Parlamentit dhe mitin e Presidentit.

Në një demokraci mitike kemi madje edhe mitin e atdheut dhe mitin e kombit.

Kurse liria e miteve është vetë miti i lirisë.

Një tautologji e pafund fjalësh, sloganesh, kuptimesh nënkuptimesh, mbikuptimesh etj., është substanca alkimike e miteve.

Miti i masmedias është vetëm mit i mono medias, liria e shtypit të lirë është vetëm liria e miteve të lira!

Miti i deputetit të mençur, altruist, popullor është miti humoristik i arlekinit partiak, të rëndomtë, belbëzak.

Miti i heronjve vagnerian, populistë është miti i analfabetëve, kurse miti i oratorëve cicëronianë e eruditë është miti i memecëve dhe i shurdhëve! Bota e tërë instrumentalizohet nga mekanizmi i mitit, lumturia euforike, sukseset e padëgjuara diplomatike, kodet mësimdhënëse për artistët, rrogat e polarizuara llahtarisht, progresioni gjeometrik i ankimeve, rrëfimet e baronëve shqiptarë të tipit të Mynhauzenit, ferexhetë islamike, udhëtimet dhe dietat me valutë jashtë shtetit, deklaratat ekzotike dhe propaganda vulgare, valiumet e skaduara, kaloriferët dhe aspiratorët modernë për burgjet e paboshatisura dot, nenet juridike ndërkombëtare krejt të pafuqishëm, karat e Helsinkit dhe të Parisit që evokojnë emra të thjeshta gjeografike dhe jo simbole universale e planetare etj. etj.

Miti i korrupsionit s’është veçse korrupsion i mitizuar.

Marrim frymë, ushqehemi dhe kemi uri për mite! Në udhëkryqet e qyteteve vemë semaforë mitesh për qarkullimin dhe trafikun e miteve. Njerëzit shpellorë me vetëdije halucinante shëtisin me veturat më luksoze të ditës, shitësit e bananeve shpërndajnë mitet afrikane, kurse miti i miteve – Dollari është feja monoteiste mbi tërë pluralizmin fetar të Shqipërisë, mbi gjithçka, mbi jetën dhe vdekjen e secilit, mbi trupin dhe shpirtin, mbi alfën dhe omegën e politikës dhe moralit, mbi kamorran dhe mafien princërore të lumpenit të lumturuar.

Dhe ja në këtë nebulozë mitesh rri e mbështjellë nga enigma një tryezë mitike: tryeza e rrumbullakët, e dialogut, e mirëkuptimit, e njeriut për njeriun, e vetëdijes qytetare, e domosdoshmërisë e kulturës, realizimit, forcës morale, vitalitetit kombëtar, shqetësimeve, kapërdimit të marrëzive e kthjellësisë mendore e afirmimit.

Tryeza e rrumbullakët (Raund table) e mbretit legjendar Artur ka qenë më shumë e famshme se shpata dhe kali i tij i luftës.

Tryeza e rrumbullakët është emblema e partive e parlamentarizmit serioz, është vëllazëria njerëzore mbi konfliktet politike, mençuria mbi idiotizmin, frymëmarrja mbi asfiksinë, forca e mendimit mbi vdekjen e krimit etj.

Tryeze e rrumbullakët është sofra popullore për njerëzit e familjes është simboli solemn i dasmave dhe kasolleve, është kuvendi i burrave dhe aula e diskutimeve shkencore, është thelbi i mikpritjes dhe i njerëzillëkut shqiptar në të gjitha kohërat, është i njëjti gjak që na rrjedh në deje, është i njëjti identitet kombëtar dhe njerëzor.

Tryeza e rrumbullakët për partitë dhe Presidentin është politika e mirëkuptuar në të kundërt është moskuptimi i politizuar.

Tryeza e rrumbullakët e të tërë forcave intelektuale dhe morale për Shqipërinë, për kombin tonë është një apel i pakundërshtueshëm. Po këmbanat kanë kuptim për ata që i dëgjojnë, ose më saktë që dinë t’i dëgjojnë.

Tryeza e rrumbullakët i pakëson arkivolet dhe vdekjet, shton sigurinë dhe çmimin e shqiptarëve përpara botës.

Tryeza e rrumbullakët është e traditës dhe e deshifrueshme si në Gjirokastër ashtu dhe në Shkodër, si në Tiranë ashtu dhe në Prishtinë dhe Shkup, kudo që ka shqiptarë, që bukës i thonë bukë dhe ujit ujë.

Tryeza e rrumbullakët është bashkimi dhe dihet se vetëm bashkimi i bën të mundshme gjërat e pamundshme, kurse përçarja i bën të pamundshme dhe gjërat e mundshme.

Tryeza e rrumbullakët zhduk mitin e egokratit dhe secilin e bën të barabartë në dialog, kurse kryeshtetarin e radhës e çmon vetëm si “primus inter parës” (“i pari mes të barabartëve”).

Tryeza e rrumbullakët nuk është një mit Ata që duan ta mitizojnë për ta bërë sa më të pakapshme, më të paafrueshme nuk bëjnë gjë tjetër veçse e shkallmojnë me sëpatat e moskuptimit e me drasat e saj bëjnë arkivolin e vetvetes, ose ndezin me to zjarre për autodafetë kundër “heretikëve” të politikës së ditës, kundër atyre që duan të mblidhen rreth kësaj tryeze të njeriut për njeriun, të vëllait për vëllain.

Tryeza e rrumbullakët është kombi i bashkuar, duke rrëzuar mitin e kombit policentrik, të fragmentuar nën shtete etnikisht të ndryshëm, të mallkimit biblik e euroballkanik të kombit fatkeq etj. dëshmi e një historie bizare e nga më të pabesueshmet të shekullit XX. Tryeza e rrumbullakët është gjendja më e natyrshme kundër shtazërimit artificial të politikanëve mediokër.

Tryeza e rrumbullakët është dilema jonë e sfinksit historik. (Durrës 30 janar 1994)

KUKUZELI I MADH

Tingujt nuk mund t’i prangosh – kjo sentencë bethoviane ka kuptim mbijetesë, triumfi, mbi të tëra sistemet e prangave të farkëtuara nga anonimati, injoranca, antikultura.

Tingujt mund ta rikrijojnë një njeri të vdekur para 900 e ca viteve – bile mund të bëjnë shumë më tepër: ta ribëjnë universin e zemrës së tij.

Zakonisht ne themi: Arti! Nënkuptojmë një emblemë të pavdekshme, esencën e paasgjësueshme të gjërave të vdekura. Arti është emri sinonimik, gati i pazëvendësueshëm i pavdekësisë së popullit. Kukuzeli është pikërisht brenda semantikës shqiptare të pavdekësisë.

Të bësh zbulime të vazhdueshme në kulturë, të bën arkeologjinë e kujtesës është diçka sa emocionante, aq dhe faustiane. Jan Kukuzeli është një emër i shekujve, i cili midis Skillës së Harresës dhe Karidbës së Vdekjes, ka kapërcyer cakun e rrezikshëm, për të realizuar ringjalljen e vet të patjetërsueshme.

Kukuzeli lindi në Durrës.

Gjurmët e tij prej fëmije në rërën e Currilave, në bregdet, nuk kanë mundur të ruhen dot veçse si imazhe të metaforta kujtese. Këto imazhe dritësojnë drejt nesh që nga shek. XI. Guaskat detare kanë qenë instrumentet e kahershme të tingujve të të madhit Kukuzel. Vendlindja është e pamundur të shpiket, të përsëdytet. Ajo është djepi i parë dhe i vetmi, kurse djepi i dytë nuk ekziston.

Djaloshi i vogël, me emrin e çuditshëm Kukuzel, i mbetur jetim, shkoi në Konstandinopojë, për të bërë të mundur njohjen e tij botërore.

Si arriti dhe u bë ky djalë arbër kryemjeshtri i këngës, magister primus i muzikës?

Nuk kanë rëndësi hollësitë. Nuk na tremb hiatusi i pamëshirshëm i kronikave.

Rëndësi ka që ai u bë.

Po nuk u bë aspak rastësisht!

Kur krijoi Kukuzeli një poet europian Aimon de Varanez shkroi romanin me mijëra vargje: “Florimont”, me temë Durrësin e Arbërisë. Europa po krijonte, ose më saktë, po perfeksiononte eposet e saj të mëdhenj mesjetarë: “Nibelungët”, “Chanson de Roland” etj., Eposin Shqiptar të Veriut, Kryekëngën – ndoshta edhe më të hershme, të Gjergj Elez Alisë etj. Kultura mesjetare po luante rolin e vet magjik, për të pavdekësuar identitetin e popullit tonë.

Kukuzeli ka dalë dhe është brenda konstelacionit të jashtëzakonshëm të kulturës të shekujve XI-XII.

Ai triumfoi mbi absurdet shpirtërore të kulteve e ndonëse shkroi muzikë fetare ai ruajti të paprekur esencën primordiale të jetës. Kukuzeli, i çveshur nga guacka mistike, na rikthehet përherë ne shqiptarëve, i padyshimtë, i qartë, i dhimbshëm, befasues, me një trishtim të rëndë, që është e pamundur ta peshosh veçse me zemër.

Një nga legjendat e themelimit të Epidamnit është legjendë orfeike, muzikore, e tregon Ana Komnena, kjo princeshë bizantine, kronikane e çuditshme, bashkëkohëse e Kukuzelit. Ana thotë, se dy heronjtë mitologjikë tebeanë Amfioni e Zeti erdhën në Durrës e me tingujt e harpës ngritën muret e kështjellës epidamnase.

Një qytet me një mit të tillë muzikor në themele, padyshim, që do të lindëte muzikantë të mëdhenj.

Demosteni përmendi muzikantin Karion nga Epidamni në shek. IV p.e.s. Një shekull më pas fiton një garë muzikore dhe poetike në Greqinë e lashtë në një konkurs ndërkombëtar e mesdhetar një banor i quajtur Grabion, po nga Epidamni.

Në shekullin III të erës sonë, një mozaik i mrekullueshëm na prezanton në qytetin e Durrësit subjektin e Orfeut paleokristian, që reflekton figurën e Davidit biblik, që me tingujt e harpës urtëson kafshët e egra në pyll. Ky Orfe është nga më të bukurit, që janë zbuluar deri më sot në antikitetin e vonë në tërë Europën.

Shekulli XII është reflektuar dhe në një qeramikë të glazuruar me figurën e një muzikanti, që ka një instrument të ngjashëm me violën. Është një muzikant laik, çka përbën një motiv krejt të ndryshëm nga ai i botës së kultit.

Në shekullin XV përmendet muzikanti Xanet Agustini i Durrësit. Në këtë yllësi emri, që ndrit më shumë është padyshim i Kukuzelit.

Kukuzeli është këngëtar kolos, kompozitor i temave të shumëfishta, të çuditshme, poet (i ka shkruar vetë disa tekste të muzikës), shpikës i një sistemi të veçantë notacioni, i quajtur sistemi kukuzelik.

Ky sistem muzikor origjinal, me një bashkësi neumash, me notat muzikore, që imitojnë lëvizjen e planetëve ptolemetikë, apo të harmonisë qiellore të Pitagorës, është një krijim madhështor, i rrallë, i intelektit njerëzor, një etalon i gjenisë së popullit shqiptar.

Traktatet e shkruara nga Kukuzeli, që ruhen në pergamenë në disa biblioteka të botës janë një dituri e paasgjësueshme. Vetvetiu, duke i menduar këto traktate ne, me dëshirën e thukët të personazhit të librit “Emri i trëndafilit” të Umberto Ekos, jemi gati të sakrifikojmë gjithçka, për t’u njohur me to, për t’u takuar, me atë pjesë të shpirtit të bashkëkombësit tonë, që është konvertuar në simbole grafike.

Kukuzeli është një nga reformatorët më kolosë të muzikës bizantine, ai shpreh universalitetin e shumëfishtë të saj. Rëndësi kombëtare për ne shqiptarët kanë të ashtuquajturat “barbarizma” ose “sekonda e zmadhuar”, siç i quajnë muzikologët, që e lidhin muzikën kukuzelike me jonet e muzikës popullore të Shqipërisë së Mesme. Çuditërisht, kjo mbijetesë e genit etnik na transmetohet ndërmjet muzikës në harkun kohor të gati 9 shekujve. Me sinfonizmin e tij, me koret e pashembullta polifonike të zërave të burrave, Kukuzeli që nga monumenti vigan i Shën Sofisë në Konstandinopojë dhe nga mjedisi malor i manastirit të Laurës së Madhe në Athos realizon ringjalljen e tij dhe metapsikozën e vet origjinale deri tek pasardhësit.

E meriton Kukuzeli i madh një monument në bregdetin e përralltë të Durrësit.

Përballë detit dhe përballë kujtesës së shekujve. (Durrës, prill 1999)

“U BASHË MBË SHEMBËLLTYRË

 POSI PELIKANI NDË SHKRETËTI”

– Gjon buzuku – poeti i parë i gjuhës shqipe –

Njihet një kufi kronologjik i poetikës në gjuhën shqipe: viti 1592, kur botohet poezia e vetme e Lekë Matrëngës (1563-1619).

Në fakt ne mund të vërtetojmë se poeti i parë shqiptar, që bëri përpjekjet e hershme ishte Gjon Buzuku.

Midis viteve 1554-1555 Buzuku bëri kryeveprën e tij në shqip dhe veç të tjerave, ai jo vetëm shqipëroi disa krijime poetike të Biblës, por edhe thuri vetë katër psallme origjinale, sipas stilit solomonik.

Këto psallme, sipas logjikës ritmike, të paracaktuara për recitim publik, janë njëkohësisht edhe një nismë e shkrimtarit të motshëm për të bërë një lloj rrëfimi agostinian [nga teksti i psalmeve mësojmë që qe i pamartuar, se e tundonte epshi për femrën, se të dy prindërit (para vitit 1554), i kishin vdekur, se ai lutej për faljen e mëkateve të veta, të miqve, por edhe të armiqve etj. etj.]

Për ta bërë më të plotë e të prekshme dijen tonë rreth prirjeve të Gjon Buzukut e të lidhjeve të tij me rrafshin e poetikës shqipe, do të përmendim, veç prozave poetike të “Mesharit” edhe shqipërimet e mrekullueshme të poezive nga Canta Cantincum (Kënga e Këngëve), që përbëjnë një nga krijimet më lirike e gjeniale të njerëzimit.

Buzuku spikat si një kryemjeshtër, si paraardhës i denjë i kolosëve të tillë si Pjetër Bogdani, Konstandin Kristoforidhi, Fan Noli, etj., që dhanë në kulturën tonë shqipërime madhështore të nivelit botëror.

Buzuku është i pari që jep shembullin e shtjellimit me dashuri e pasion të gjuhës shqipe, duke e parë me përparësi nga pikëpamja estetike.

Kështu Buzuku është një nga subjektet më autentike kulturore të qëndrimit krijues, anticipues ndaj gjuhës amtare.

Më poshtë po japim disa fragmente nga poetika biblike e shqipëruar mrekullisht prej tij:

Hinje se ky vjen tue shkuon përmbi malt e tue këcyem përmbi sukat,

mbë këtë mënyrë anshtë i dashuri em porsi kaprolli o mangu (i vogli) i sutesë.

E hinje se luletë zunë me u dukunë përmbi dhet tanë e zan i turtullit u gjegj ndë dhet tanë,

fiku zu me lëshuom të tij e hardhitë zunë me bam grestënë e lëshuonë erënë e endet e tyne.

Ngreu e dashuna e eme, e e Bukura e eme.

Të gëzohetë shkretëtitë e pyllja të lëshojë erë porsi drandofilja

Ma shkou dimni e shiu shkou, ngreu e dashuna e eme, eja e bukurë je ban

e u u bashë mbë shëmbëlltyrë porsi pelikani ndë shkretëti…

Vargu i fundit është sa metaforik aq edhe simbol universal i dhimbjes dhe i sakrificës.

Figura e pelikanit ka personifikuar Krishtin, kurse në epokën e politeiste pagane paraqiste mitin e sakrificës, sepse pelikani është shpendi metaforik, që kur nuk gjen ushqim për zogjtë çan gjoksin dhe i ushqen me mishin e vet.

Kjo gjë ka frymëzuar Alfred De Mysenë, si dhe Lasgush Poradecin që të shkruajnë lirikat e tyre baladike të papërsëritshme.

Magjia e tyre parajeton shekuj më parë te Gjon Buzuku. (Durrës, dhjetor 1992)

 

Share This Article
1 Comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *