NËNTOR

redaktor

Nga Jetë Zhitia

Hapet dera, buzë të kuqe na mirëpresin, një kuti me çokollata të ndryshme dhe një kartolinë me flamurin më të bukur në botë e vendos mbi komodë, më pret kolltuku i butë, dhoma është e ngrohtë.

Drita thyhet në kristalët e abazhurave dhe bie poshtë, bëhet një me çdo sipërfaqe, çdo gjë ndriçohet nga brënda, çdo gjë është e pastër, dhëmbët e bardhë nër buzët e kuqe. S’janë një palë buzë, nuk janë dy – janë tri, janë katër, janë bijat dhe nuset e Prekazit.

Duke lënë Prishtinën për Tiranë tha Sadetja: – “A shkojmë n’Prekaz. Qe sa je tu duashtë me shku dhe ende s’ke” – “Shkojmë”, i thashë.

Dhe shkuam. Binte borë e lehtë që ikte pa prek tokën. Në Drenas para Dadës Xhevë dhe Axhit Feh era frynte dhe ma shtyjti lotin nga faqja. Iku loti me krahë. Shtëpia e Natë së Zjarreve e ndriçuar nga poshtë, një monument madhështor për shkak të shkatërrimit të pakuptueshëm. Shtëpia rrin e shkatërruar, edhe mirë, ashtu duhet të jetë. Se nuk u krye, Bac.

Arbërorja ma mbush çajin, Marigona tund djepin, Shqipja është ulur afër meje, shikimin e ka solemn. Buzëqeshja kurrë nuk ju ndahet buzëve të kuqe. Djali i Shqipes më thotë me shkrim të bardhë mbi bluzen e tij të kuqe “You look great today” dhe unë buzëqesh. Çaji është i lehtë, ngjyrë karamel.

Gjurmët në shtepinë e Natës së Zjarreve janë të zeza për gjithë jetën. Doja t’i thoja dikujt që ndjehesha e nderuar që isha aq afër gjakut të Ademit. Dhe që nuk isha ndjerë kështu asnjëherë më parë. Por a mjaftojnë fjalët kur ke përpara gjakun që rrjedh brenda një trupi të gjallë? Befas doja të qaja – unë s’kisha humbur as babë, as nanë, as vëlla, as motër. Perkundrazi, unë i kisha t’gjitha, gati për t’i përqafuar kur doja.

Errësira e natës ndërpritej vetëm nga dritat që humbnin në fjollat e borës që vdisnin kur zgjasja dorën. Ditëlindjen gjithmonë e festoja me borë. Këtë vit bora priti dhe ca ditë, sa ka gishta një dorë, deri sa erdhi ditëlindja e Ademit.

Varret janë blloqe guri me një lumë gjaku në mes. Dy anët nuk bashkohen. “Gëzuar Festat!”, i them një familjeje afër nesh kur mbarojmë viziten të varret. Burrat më shikojnë heshtur. E bardha e syve ju shkelqen e çuditur. Kur kthej kurrizin dëgjoj zërin e një fënije. “Gëzuar festat edhe juve!”. Një vogëlush të cilit koka i arrinte deri tek gjuri i nënës pranë tij më shikon drejt në sy. “Faleminderit!”, thërras.

-“A ikim?” – “Ikim, se shumë ftoftë v’allah.”

Për Tiranë.

Ato buzët e kuqe nuk i harroja, këpucët, pantallonat, trëndafilin mbi këmishen e bardhë të Shqipes. Nata e zezë, si rruga për Tiranë aq keq e ndriçuar. Dy lotë i pastrojnë sytë e mi dhe prapë nuk shoh. Shoh kur i afrohemi kufirit, zgjas dorën për të mbytur zërin e Ilirit që i këndon pavarësisë së Kosovës. Zgjas dorën me pasaportën. E lëshoj zërin më të lartë se më parë. “Gëzuar Festat!” – “Gëzuar Festat!”, – më vjen një tjetër përgjigje e çuditur. Lexuesi që ka udhëtuar ngapak e merr me mend se ku ndodhem.

Rruga e Kombit.

Nata e zezë, zemra ime zjarr. E humbas sërish fillin e kohës, përmendem disi kur i jemi afruar Durrësit.

Kush po flet?

Në market punonësja te arka nuk e shikon Sadeten në sy, mezi i thotë: 1800 Lekë. As mua kurrë nuk më shikon në sy por Sadetes i drejtohet më një zë akuzues. Kush ose çka i zotëron zërat tonë? Edhe zëri i Sadetes merr ngjyrën e asaj nervozes që mbulon dhimbjen. Kur dalim: “Mam, çfarë ndodhi? E di qe ajo nuk sillet mirë po ti çfarë pate se?” -“Ajo u sjell qysh janë sjell‘ gjermanët kur kemi shku si të huaj!”. “Po t’kuptoj, po kështu s’bashkohet populli”.

Nëna, e cila të vetmën pronë që e ka në troje shqiptare e ka të Shkëmbi i Kavajës më thotë diçka për kosovarët që shkojnë në Ulqin, sepse këtu “të japin përshtypjen që nuk na duan”.

Mua m‘u kujtua dikush që më tha një ditë: “ju kemi mbajtur gjatë luftës dhe tani asnjë kosovar nuk e vlerëson këtë”.

Kosovar… Shqiptar… M‘ej gjujt n’borrlog du këta emra.

Me mall për Tiranën hap faqen e gazetës Dita dhe e gjej një artikull për ditëlindjen e Ademit. Më qetësohet zemra pak. Nata është e errët, hëna mbi det. Një erë e lehtë e lëkundë varkën tonë mbi atë masë uji të pafund. Ai hesht…

****

Jetë Zhitia është një shkrimtare e re gjermano-shqiptare 

Share This Article
1 Comment
  • Keq me vjen per kete shkrimtare;Gjermano shqiptare Jeta Zhiti,per sa na ka shkruar.ka dash te pjelli po ka deshtuar.
    Me vjen keq per autoren-“NENDORIT-shiptar sa Adem Jasharit Hero,nuk i shkruhet keshtu-.
    Nuk i mjaftojne ato fjale,kur flitet per Adem Jashair; aqe me teper per rrespektin per kosovaret e vertet- “Herroin e Herronjve” jo vetem te Kosoves.
    Lavdi Nendoreve Shqiptare…
    I perjetshem-vepra dhe kujtimi Adem Jasharit-familiarisht.
    Dashamiresi D.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *