Champions, arritën titanët

anazapta

Gjigantët e Evropës do të dalin në fushë sot, duke i dhënë jetë kompeticionit më të madh të klubeve, Champions League. Faza e grupeve është etapa e parë e një gare të gjatë, e cila përfundon në majin e ardhshëm në “Stadio da Luz” në Lisbonë. Bayern i Munihut, kampioni në fuqi, dhe Real Madrid, skuadra e rekordeve të kompeticionit, janë vetëm dy nga peshat e rënda që luajnë sot në mbrëmje. Veç tyre janë edhe tri skuadra të tjera që e kanë fituar trofeun më parë, Manchester United, Juventus dhe Benfica, në shtëpinë e së cilës do të luhet finalja e madhe. Fituesit e treshes së trofeve, tani nën drejtimin e Pep Guardiolës, e nisin fushatën për mbrojtjen e titullit kundër CSKA-së së Moskës, një skuadër që ende nuk njeh humbje në vendin e saj këtë sezon, përveçse fituese e të dy trofeve në sezonin e kaluar. Manchester City, skuadra që ka zhgënjyer në dy pjesëmarrjet në Champions, kërkon të bëjë figurë më të mirë, duke e nisur nga Plzen i Çekisë. Që prej vitit 2002 Real Madrid është në kërkim të trofeut të dhjetë dhe tani ndihet më i fortë se kurrë, me blerjen e Gareth Bale dhe Kristiano Ronaldon që shpreh sigurinë se ky është viti i duhur. Por madrilenët e nisin në një fushë të nxehtë, në shtëpinë e Gallatasarajit, aty ku u mundën sezonin e kaluar në çerekfinale, edhe pse kaluan më tej. Turqit janë betuar se edhe takimi sotëm do të ketë të njëjtin fat. Juventusi i Antonio Kontes, pasi ndihet i plotfuqishëm në Itali, synon të vendosë diktatin edhe në Evropë. Luan në Kopenhagë, nga ku mund të marrë tri pikët e duhura për të qenë më i qetë në të ardhmen. Benfica dhe Paris SG duket se do të luftojnë mes tyre për kreun e Grupit C, pasi në letër janë favoritë karshi Anderlechtit dhe Olimpiakosit. Portugezët startojnë duke pritur belgët në Lisbonë, ndërsa parisienët kanë një detyrë më të vështirë, në stadiumin e zjarrtë “Karaiskaqis” në Piré. Manchester United do të ndeshet me një rival aspak të lehtë, Bayer Leverkusen, forca e tretë e futbollit gjerman, pas Bayern dhe Borusia Dortmund. Grupi A, edhe pse nuk ka çifte luksi si ato mes Realit e Juves apo Barcelonës e Milanit, sërish është i ekuilibruar, me Shahtjorin e fortë të përhershëm, i cili viziton Real Sociedad, një nga skuadrat që mund të shkaktojë surpriza, ashtu si në play-off, ku mundi dy herë Lionin.

 

 

Sot, 20:45

Grupi A

Man. United-Leverkusen

Sociedad-Shahtjor

 

Grupi B

Copenhagen-Juventus

Galatasaray-Real Madrid

 

Grupi C

Benfica-Anderlecht

Olimpiakos-Paris SG

 

Grupi D

Bayern-CSKA Moskë

Plzen-Man. City

 

 

Share This Article
Leave a Comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *