Gjykata e Apelit pritet të japë të mërkurën vendimin për kërkesën e prokurorisë lidhur me fajësinë e dy gardistëve në ngjarjet e 21 janarit. Edhe pse shumë njerëz janë skeptikë lidhur me vendimin, duke pasur parasysh lidhjet politike të trupit gjykues me Sali Berishën, vendimi duhet injoruar edhe sikur të kërkojë burg për dy gardistët.
Ajo që duhet të bëjë qeveria e re është që të bashkëpunojë me prokurorinë për rihapjen e çështjes nga themeli, lidhur me përgjegjësinë e ish- kryeministrit Sali Berisha dhe ish- ministrit të Brendshëm, Lulëzim Basha, në vrasjen e qytetarëve dhe fshehjen me qëllim të provave të krimit.
Gjyqi i 21 Janarit do të hyjë në analet e historisë botërore si një gjyq, ku personi që është lavdëruar se ka vrarë katër qytetarë, nuk është guxuar as të thirret për t’u pyetur. Ndërkohë i njëjti person, ka refuzuar të dorëzojë provat dhe të akuzuarit para drejtësisë dhe ka bërë veprime të qëllimshme për fshehjen e gjurmëve të krimit, siç është fshirja e serverit të kryeministrisë dhe prishja e provave në vendngjarje.
Kryeministri i ri, Edi Rama, dhe ekipi i tij, duhet të rindërtojnë tashmë në pozitat e qeverisë dosjen e 21 Janarit, duke çuar para prokurorisë gjurmët e prishjes së provave nga kryeministri i mëparshëm dhe ish- ministri i Brendshëm, që gjenden në kryeministri, për t’u rihapur çështja në themel.
Ekzistojnë shumë dyshime se prokuroria nuk ka vullnet politik të thërrasë të pandehur Sali Berishën dhe Lulëzim Bashën, por kjo nuk duhet të pengojë kryeministrin Rama t’ia dorëzojë ata drejtësisë. Secili duhet të bëjë punën e vet. Në rastin konkret, Edi Rama nuk mund të bëhet njëkohësisht prokuror dhe gjykatës, por një bashkëpunëtor korrekt i drejtësisë duke dorëzuar çdo provë të prishur para drejtësisë. Një ekip juristësh duhet të rindërtojnë veprimet antiligjore të kryeministrisë më 21, 22, 23, 24 deri 28 janar 2011, ku përfshihen prishja e provave, mosdorëzimi i gardistëve, fshirja e serverit, akuzat institucionale ndaj Presidentit, ish- kryeprokurorit, kryetarit të SHISH dhe gazetarëve, si dhe dhunën verbale të ushtruar ndaj kujtdo që kërkonte drejtësi për 21 Janarin. Po ashtu duhet të hetohet bashkëpunimi i policisë private Breçani me forcat e rendit dhe ekzistenca e trupave paramilitare me banditë në mjediset e brendshme të kryeministrisë përmes një hetimi të hollësishëm të bazuar mbi fakte dhe dëshmi.
Sali Berisha ka shkelur në mënyrë flagrante Kushtetutën, duke refuzuar urdhrin e Prokurorit të Përgjithshëm për të dorëzuar të akuzuarit për vrasje, si dhe ka intimiduar prokurorët e çështjes duke i akuzuar ata si të manipuluar politikisht. Nën urdhrat e tij është zhdukur serveri i kryeministrisë dhe është ndërruar tyta e armës e ish- komandantit të Gardës.
Që gjyqi i 21 Janarit të rivendosë drejtësinë, hetimi duhet të rifillojë duke marrë në pyetje të parin Sali Berishën dhe pas tij Lulëzim Bashën. Edhe pse ata të dy po përpiqen të rezistojnë si bashkëkryetarë të Partisë Demokratike, askush nuk duhet të kompleksohet nga pozita e tyre politike e sajuar dhe e paligjshme. Ata vranë pikërisht për arsye politike, dhe kjo e bën të domosdoshme hetimin e tyre duke mbajtur me thonj përsëri ato pozita politike.
Nga ana tjetër gjyqi i Aleks Nikës, i cili është vrarë me një plumb të ngjashëm me atë qe ka përdorur komandanti i Gardës, sipas ekspertizës së FBI, duhet të përfshijë dhe elementë të vrasjes së qëllimshme për disa rrethana specifike që lidhen me njohjen e tij nga persona të armatosur në oborrin e kryeministrisë më 21 janar.
Pra, cilido që të jetë vendimi i së mërkurës, përfshi dhe mundësinë e një ndëshkimi për të akuzuarit për vrasje, gjyqi i 21 Janarit duhet të rifillojë me hetimin e Sali Berishës dhe Lulëzim Bashës. Për fat të mirë ata të dy kanë marrë përsipër vrasjet, janë lavdëruar me to dhe kanë kërcënuar liderin e opozitës në atë kohë se do t’ia numëronin plumbat në ballë nëse ai dilte sërish në protestë.
Tashmë në zyrat e qeverisë ka hyrë një kryeministër i ri. Ai prishi në mënyrë simbolike gardhin, në emër të të cilit Sali Berisha vrau katër qytetarë të pafajshëm, të parrezikshëm, të paarmatosur dhe paqësorë. Ai i vrau ata në emër të “rregullores” së bulevardit dhe “rregullores” së gardhit. Tani këto shpikje nuk ekzistojnë më. Qytetarët janë të lirë të shëtisin pranë godinës pa gardh, pasi në demokraci godinat nga populli nuk i ruajnë rojet, por ligjshmëria dhe mungesa e padrejtësive. Qytetarët janë të lirë të përmbysin qeveri kur nuk u pëlqen, por qeveritë nuk janë të lira të përmbysin jetë njerëzish kur u rrezikohet pushteti.
Edi Rama ka hequr arsyen për të vrarë njerëz para kryeministrisë. Ka hequr gardhin dhe arsyen përse Sali Berisha vrau. Tani duhet ta çojë atë para drejtësisë, për të ngulur thellë në mendjen e këtij vendi se kush vret për të mbajtur pushtetin, e ka vendin në qeli. Gardhi i 21 Janarit është hequr formalisht nga qeveria, por përgjakja e shqiptarëve në emër të tij nuk është hequr ende nga historia. Edi Rama është i dënuar ta heqë atë!

Nuk fillohet nga bishti,por koka populli ju dha voten vini drejtesine ne vend,sepse keni dhe gurin,por edhe aren.
Te fillojne hetimin nga fundi .
Te pyetet shoku Sali perse tha ne nje seance parlamentare
“Dilni prape se jua bej si ne 21 Janar ??? Cfare beri ne 21 janar ?! “