Moikom Zeqo
Në Bazilikën e Shën Nikollës në Voskopojë është pikturuar në vitin 1726 nga një gjeni i ikonografisë shqiptare David Selenica, një numër i madh afreskesh me një forcë arti të jashtëzakonshme.
Në një farë mënyre Bazilika e Shën Nikollës mund të quhet një Kapelë Sikstinë e shqiptarit David, për një anologji dhe përafërsi, që evokon kryeveprën pikturike të Mikelanxhelos.
Bazilika e Shën Nikollës ka filluar të ndërtohet në vitin 1721, në muajin qershor.
Në 19 shtator të vitit 1722 kjo Bazilikë u përfundua. Pastaj ka filluar pikturimi afreskor.
Kunga u pikturua në mënyrë shembullore, si dhe madhështore , duke përfshirë edhe Naosin nga dora e të shumëditurit dhe nga furça e hollë e gjithë oshënarit, David Selenicasit, i ndihmuar edhe nga Konstandini dhe Kristo, që të dy piktorë.
Ktitor i bazilikës (dmth ai qe ka dhënë paratë dhe të gjitha shpenzimet ka qenë tregtari i pasur i Voskopojës Haxhi Jorgji.
Bazilika u ngrit kur ish kryepeshkop në Ohër dhe në Selasfor i shumëlumturi Jaosaf.
Mbishkrimi që flet për këtë ngjarje me bazilikë mban datën 18 tetor të vitit 1726.
Procesi i pikturimit ka, zgjatur 4 vjet.
***
David Selenica është mbas Onufrit të shek.XVI piktori më i madh i Ballkanit në artin kishtar në fillimin e shek.XVIII. dhe është bashkëkohës me një tjetër ikonograf shqiptar i jashtëzakonshëm, të quajtur Konstandin Shpataraku.
David Selenica është me origjinë nga fshati Selenica i Vlorës.
Ky artist i madh ka pikturuar Kapelen Kukuzelika në Athos të Greqisë.
Në mbishkrimin e lënë aty e quan veten me origjinë “Nga Vlora”.
***
Ciklet pikturike të realizuara nga Davidi në këtë bazilikë janë sipas programeve ikonografike të njohura.
Asnjëherë më parë afresku shqiptar nuk ka arritur një përsosmëri dhe madhështi të tillë.
Skenat e pikturuara nga Davidi janë me një logjikë të brendshme simetrike dhe të konceptuara me një madhështi njerëzore.
Aty janë temat e Testamentit të Ri dhe motivet simbolike të Librit të Apokalipsit.
Davidi shkëlqen në portretizimin e shenjtorëve luftarakë, të shenjtorëve kalorës si fjala vjen Shën Gjergji, Shën Teodor Stratilati, Shën Dhimitri, etj.
Ky piktor i madh njihet ende pak.
Nga pikëpamja artistike ai mund të quhet Kënga e Fundit e Mjellmës e artit kishtar në Shqipëri, por edhe në Ballkan.
***
Ajo që të tërheq vemendjen në mënyrë të çuditëshme në afreskat e Davidit është piktura e një shenjtori me kokë qeni.
Ky shenjtor është pikturuar në këmbë, është i veshur me një veshje kishtare të bardhë, me dorën e majtë të vendosur në gjoks, kokën e ka në profil të drejtuar nga ana e djathtë, është një kokë tipike dhe e zgjatur qeni.
Spikat syri njerëzor dhe veshi njerëzor, si dhe flokët e gjatë që i bien mbi shpatulla.
Koka është futur në një aurolë të portokalltë.
***
Një shenjtor me kokë qeni?
Ç’është ky shenjtor me trup dhe gjymtyrë njeriu por me koke prej qeni?
Mos kemi te bejme me traditën pagane të centaurëve, gjysëm kuaj dhe gjysëm njerëz?
Apo me hibridet e sirenave dhe të grifonëve?
Si mudnet qe estetika e teologjisë së krishterë të pranojë një rafigurim të një shenjtori me kokë qeni?
Ç’lidhje ka koka e qenit me krishterimin?
Ç’përfaqëson ky shenjtor përbindësh?
Pyetjet janë bëfasuese dhe duket sikur nuk mund të kenë përgjigje mbushamendëse.
***
Në të vërtetë motivi i shenjtorit me kokë qeni nuk buron nga tekstet biblike, por buron nga tesktet gnostike dhe apokrife, që janë skualifikuar nga kisha.
Duke e studjuar këtë subjekt si dhe mbishkrimin e shkurtuar pranë afreskut të shenjtorit me koke qeni, mund të identifikojmë faktin se ky shenjtor quhet Shen Kristofori.
Shën Kristofori sipas legjendave dhe gojëdhënave apokrife, ka qenë një njeri me shtat të madh, gjigand, i cili kinse e ka mbajtur Krishtin fëmijë për ta kapërcyer nga njeri breg i lumit në bregun tjetër.
Prandaj u mbiquajt Kristofor, emër i përbërë nga dy fjalë, Krist, Krisht dhe For që do të thotë mbajtës.
Emri i përbërë Kristofor do të thotë Krishtmbajtës.
Kulti i Kristoforit ka lindur në shek. V dhe VI pas Krishtit dhe mbijeton deri në shek.XVIII në pikturën e David Selenicës.
Ka patur dhe kisha kushtuar Shën Kristoforit në Shqipëri, por afresku i Shën Kristoforit me kokë qeni është dicka e pazakontë dhe një portret i vetëm në llojin e vet ne krejt Shqipërinë.
***
Ç’përfaqëson koka e qenit?
Mitologët, që janë marrë me subjektet hibride të mitologjisë shpjegojnë se koka e qenit lidhet me një perëndi egjiptiane të lartë, të quajtur Anibus, ose Anubis.
Kjo perëndi egjiptiane qe e Vdekjes, përfytyrojeni në formën e një qeni, ose një çakalli, ose në trajtën e një njeriu me kokë Çakalli dhe qeni. Kjo Perëndi egjiptiane qe Biri i Kryeperëndisë egjiptiane Osirisit.
Në periudhën e dinastive të para të Egjiptit, ai adhuroj si hyjni që kujdesej për varrimin dhe ballsamimin.
Më vonë në periudhën helenistike ai bënte pjesë në kultin e Serapisit dhe të Isidës dhe u identifikua me Hermesin, Përcjellësin e Shpirtrave të të Vdekurve në Had.
Në shekujt e parë të Krishtërimit, figura e Anibisit, ose Anubisit u përvetësua nga ikonografia e hershme e krishterë, në funksionin e përcjellësit të të vdekurve në botën e përtejme.
Kështu një perëndi egjiptiane u përvetësua duke u krishtëruar.
Kaq e vertete është kjo sa që në një kishë, të tipit basilica, të shekullit VI, të zbuluar në Antigonea, pranë Gjirokastrës është zbuluar një mozaik, që paraqet figurën e një burri me veshje etnografike shqiptare, me opinga, që ka një kokë qeni.
Mozaiku i Antigonesë ruan kështu dëshminë më të vjetër të Shën Kristoforit të konvertuar që nga kulti egjiptian i perëndisë së Vdekjes. Shën Kristofori me koke qeni i Antigonesë ka përpara tij figurën e një gjarpëri dhe nga pas figurën e pemës së jetës të skematizuar.
Në gjoks ka tri sumbulla, që përfaqësojnë Trinitet.
Qyteti i lashtë i Antigonesë është ndërtuar nga Pirro i Mah i Epirit në shekulin e IV para Krishtit, për nder të gruas të tij te vdekur Antigonea. Antigonea qe vajza ilegale e mbretit Ptolemeu të Egjyptit, ku Pirroja në rininë e vet kishte jetuar në oborrine tij për disa vjet.
Ishte thjeshtra e Beronikës, gruas së Ptolemeut, Mbretëreshë e Egjiptit.
Është e kuptueshme që kulti i Perëndisë egjiptiane të vdekjes do të mbartej edhe në qytetin Antigonea.
Ky kult ka mbijetuar për 10 shekuj, per t’u paraqitur i krishtëruar mozaikun e Antigonese në formën e Shën Kristoforit.
***
Kjo quhet një mitologji e sinkretizuar, ose simbiozë e mitologjisë egjiptiane dhe asaj të krishterë.
Është e habitshme se si figura e Shën Kristoforit me kokë qeni u pikturua nga David Selenicasi në shekullin e XVIII.
Pra në Shqipëri kemi dy Shën Kristoforë, atë të Antigonesë dhe atë të Voskopojës.
Ky është një motiv jashtëzakonisht interesant për studjuesit e dyfishtë të mitologjisë dhe të ikonografisë.
Të dyja rastet lidhen me evoluimin e figurës së Shën Kristoforit brenda per brenda shtratit të Krishtërimit Lindor.
Në pikturat dhe ikonografinë e Kishës Perendimore Evropiane Shën Kristofori nuk paraqitet me kokë qeni por me fytyrë njeriu dhe trup vigan.
Prandaj Erzami i Roterdamit e quan Shën Kristoforin “Polifemi i krishterë”.
***
Kështu Shqipëria në veprat e saj të artit ruan dicka tepër të lashtë dhe origjinale, një dimension të mitologjisë egjyptiane të konvertuar çuditërisht në krishtërim.
Shën Kristofori i David Selenicës është kështu një dëshmi e mitologjisë së përzier, e paganizmit dhe e krishtërimit.
Për fat të keq ky fakt nuk është bërë i njohur për studjuesit shqiptarë dhe të huaj.
Ky është kumtimi i parë i bërë nga ne për këtë subjekt tronditës.

Fjala e vjeter “oshanar” qe ka perdorur Moikomi me kujton librin Ivanhoe. Por nuk e di mire se çfare perfaqeson oshanari ne rangun e murgjeve!