Atentati ndaj dy automjeteve të EULEX-it në Veri të Kosovës, me pasojë vdekjen e një zyrtari të tij dhe plagosjen e një tjetri, ka krijuar shqetësim të madh jo vetëm në instancat e larta të shtetit kosovar, por edhe midis përfaqësuesve diplomatikë të BE-së, të angazhuar në normalizimin e raporteve Kosovë-Serbi, mision për të cilin punon edhe EULEX-i
Mëngjesin e së enjtes, dy automjete mbi të cilat udhëtonin gjashtë pjesëtarë të EULEX-it, u qëlluan me armë në afërsi të Komunës së Zveçanit. Për pasojë humbi jetën një pjesëtar i misionit, ndërsa u plagos një tjetër.
Komandanti i policisë në jug të Mitrovicës, Ergin Mediç, konfirmoi për “Radion Evropa e Lirë”, se autorët e sulmit me armë zjarri nuk janë identifikuar ende dhe se nuk dihet nga ka ardhur sulmi. “Rreth orës 7:30 të mëngjesit, dy makina të EULEX-it, të cilat po udhëtonin në rrugën Prishtinë-Leposaviç, komuna e Zveçanit, u sulmuan nga persona të armatosur. Me këtë rast u plagos rëndë doganieri A.S. nga Lituania, i cili u dërgua menjëherë në spital në veri të Mitrovicës, ku ndërroi jetë”, u shpreh Mediç.
Berndt Brochardt
Është rasti i parë që nga koha kur misioni i BE-së filloi të ushtrojë funksionin e tij në Kosovë pas shpalljes së pavarësisë, në të cilin një pjesëtar i tij humb jetën. Shefi i EULEX-it, Berndt Brochardt, së bashku me përfaqësuesin e posaçëm të Bashkimit Evropian, Samuel Zbogar, e dënoi ashpër aktin e dhunës kundër përfaqësuesve të misionit. “E dënoj fuqimisht këtë akt të dhunshëm kundër personelit tonë. Nëpunësi i EULEX-it ishte polic i doganave me prejardhje nga Lituania, i përkushtuar për të siguruar stabilitetin në Kosovë dhe kontribuonte në normalizimin e raporteve ndërmjet Serbisë dhe Kosovës”, tha Borchardt gjatë një konference për shtyp duke shtuar se ky rast bie nën kompetencën ekskluzive të prokurorisë speciale të Kosovës, e cila vijon hetimet rreth sulmit me pasojë vdekjen e një zyrtari.
Jahjaga dhe Thaçi
Krerët e shtetit të Kosovës: presidentja Atifete Jahjaga, kryeministri Hashim Thaçi dhe ministrja e Integrimeve, Vlora Çitaku, po ashtu e dënuan ashpër atentatin ndaj misionit ndërkombëtar. “Sulmi ndaj EULEX-it, i cili bën përpjekje të pareshtura krahas institucioneve të tjera të sigurisë për të vendosur rendin dhe ligjin në tërë territorin e Republikës së Kosovës, është një akt plotësisht i patolerueshëm i forcave që kanë për qëllim destabilizimin e vendit tonë dhe prishjen e rendit kushtetues në kohën kur institucionet e Republikës së Kosovës po tregojnë pjekuri politike, duke u angazhuar të krijojnë një shtet gjithëpërfshirës”, shkruhej dje në komunikatën e presidencës.
Vetë presidentja Jahjaga e shoqëruar nga Bernd Borchardt vizituan në spital pjesëtarin tjetër të këtij misioni, i cili mori plagë të rënda. Jahjaga i uroi shërim të shpejtë atij dhe kërkoi vetëpërmbajtje dhe qetësi nga qytetarët, me qëllim krijimin e një klime të qetë në prag të zgjedhjeve, që do të mundësojnë një votim të lirë dhe me dinjitet për secilin qytetar në çdo pjesë të Kosovës. “Do të qëndrojmë bashkë, pranë njëri-tjetrit, që ta kalojmë këtë moment të rëndë”, shtoi ajo.
Edhe kryeministri Hashim Thaçi, e dënoi sulmin e armatosur kundër pjesëtarëve të misionit ndërkombëtar. “Ky sulm kundër pjesëtarëve të EULEX-it është një akt i shëmtuar dhe qyqar kundër sundimit të rendit dhe ligjit edhe në atë pjesë të territorit të Republikës së Kosovës dhe si i tillë është i dënueshëm nga qytetarët dhe institucionet e Kosovës”, shkruhej në komunikatën e kryeministrisë.
Catherine Ashton
Përfaqësuesja e politikës së jashtme të BE-së, Catherine Ashton, u shpreh thellësisht e trishtuar për vdekjen e pjesëtarit lituanez të EULEX-it në veri të Kosovës. “Ngushëllimet e mia më të thella shkojnë për familjen dhe miqtë e viktimës. E dënoj me forcë sulmin që ka çuar në vdekjen e një pjesëtari të stafit. Autorët duhet të sillen para drejtësisë”, tha Ashton në një deklaratë për media.
Ajo shtoi se Bashkimi Evropian është i vendosur që të vazhdojë angazhimin në Kosovë: “U bëj thirrje të gjitha palëve që të dyfishojnë përpjekjet për të zbatuar marrëveshjet e arritura, për të normalizuar marrëdhëniet (midis Serbisë dhe Kosovës) dhe për të pëmirësuar jetët e njerëzve në veri të Kosovës”.
Linas Linkevicius
Ministri i Jashtëm lituanez, Linas Linkevicius, shprehu keqardhjen për vrasjen e shtetasit të Lituanisë, A.S. “Lajm i trishtuar që ka goditur Lituaninë këtë mëngjes është vdekja e shtetasit tonë, i cili ka shërbyer në misionin e EULEX-it në Kosovë”, shkroi Linkevicius në Twitter.

Vrasja e punonjësit të EULEX-it në Kosovën Veriore, pikërisht në Zvecan, është akt tragjik dhe ekstremisht kriminal i mafies serbe, të cilës, sic duket, i janë cënuar dhe rrezikuar planet dhe profitet!
Duke i dërguar ngushëllimet familjes dhe shtetit lituanez, shpreh indinjatën se bashkësia ndërkombëtare ende nuk ka nxjerrë mësime nga bëmat kriminale të sebomëdhenjve, në Kosovë, në Bosnjë e gjetiu! U harruan poshtërimet që u bënë falangat serbe në Bosnjë ushtarëve hollandezë rreth dy dekada më parë?
Si cdo shqiptar, do të kërkoja nga shteti dhe pushteti kosovrr: 1) Dekorimin e ushtarit lituanez. Dekoratën t`ia dorëzojë zyrtarisht familjes së tij, ambasadori apo një përfaqësues i dërguar enkas nga Prishtina. 2) Të largojë urgjentisht UNMIK-un, të paralajmërojë EULEX-in për kryerjen e detyrave pa lëshime. 3) Të rrisë bashkëpunimin me NATO-n, me cdo kusht e cmim, deri në vendosjen së bashku të kontrollit në Veri, domethënë në krejt territorin e Kosovës..
Shënum: Dërguar edhe gazetës së Prishtinës, “Bota sot”.