Fatos Tarifa
E nderuar Redaksi e gazetës Dita.
Dje, kjo gazetë botoi një “replikë të imponuar” nga një pedagog i Fakultetit të Shkencave Shoqërore në Universitetin e Tiranës, i quajtur F. Baça. “Replika” e tij ishte një reagim nervoz dhe aluçinant ndaj shkrimit tim “Pse fajësojmë Ligjin dhe harrojmë pedagogët e paaftë?”, botuar po në këtë gazetë dy ditë më parë.
Në shkrimin tim, F. B. përmendej si një shembull tipik i mediokritetit të frikshëm që vëmë re në radhët e një pjese të madhe të pedagogëve në universitetet tona publike e, deri diku, edhe në ato private, mediokritet i cili nuk mund të fshihet me shoshë dhe të cilin, më mirë se kushdo, e denoncojnë vetë studentët.
Në rastin në fjalë, janë studentët e shkencave shoqërore, të cilëve ky pedagog u jep mësim, ata që me të drejtë e kanë përdhosur figurën e tij dhe tallen me të në një mënyrë që i bën një shërbim të madh publik kauzës për çrrënjosjen e mediokritetit nga universitetet tona dhe për krijimin e një sistemi universitar cilësor, të denjë për kohën që jetojmë dhe për dekadat që vijnë, çka është detyra dhe përgjegjësia e të gjithëve ne, që japim mësim në institucionet e arsimit të lartë në këtë vend.
Duke e çmuar faktin që Dita është një gazetë e hapur ndaj çdo mendimi dhe ndaj kujtdo, bëj habi se si kjo gazetë e respektuar bie në atë nivel sa t’i bëjë vend në faqet e saj një sharlatani e një plagjiatori, të provuar si i tillë, që përdor një gjuhe të padenjë për një gazetë si juaja.
Mua vetë, fjalët dhe sharjet e F. B-së më bëjnë të qesh, për të mos thënë se edhe më argëtojnë. Palaçot e bufonët historikisht këtë rol kanë luajtur e lozin—t’i bëjnë njerëzit të qeshin e të argëtohen. Nëse sot marr mundimin të shkruaj këto pak radhë, këtë nuk e bëj për t’i dhënë rëndësi apo për t’i kushtuar sado pak vëmendje F. B-së apo të ngjashmëve të tij, pasi kjo do të ishte nën dinjitetin tim. Me këto radhë shpreh keqardhjen time që kjo gazetë, edhe pse e përkushtuar mendimit të lirë, nuk merr mundimin të verifikojë atë çfarë i serviret, pra të zbulojë të vërtetën, çka është misioni i vërtetë i një shtypi të lirë.
Unë nuk jam i sigurt nëse botimi i një paçavureje si kjo që i serviri Redaksisë suaj “pedagogu” F. B. mund të ketë shitur ndonjë kopje më shumë të kësaj gazete dje, pasi një individ mjerisht të paaftë e plagjiator si ai nuk e lexojnë as studentët e vet. Sidoqoftë, me botimin e saj, Dita i ka dhënë një farë mbështetjeje bufonërisë, llojit të atyre pedagogëve si F.B., të cilët këtë gjuhë dhe këtë arsyetim shterp pëlqejnë. Fatkeqësisht, ata nuk janë të paktë.
Me këtë rast, i lutem Redaksisë së gazetës suaj të respektuar të më ndihmoni të kuptoj se çfarë tjetër, veç sharjeve idiote e të përsëritura, tha në atë replikë ky pedagog sharlatan dhe çfarë solli të re “replika” e tij në debatin mbi Ligjin për Arsimin e Lartë dhe nevojën për ngritjen cilësore të stafeve pedagogjikë në universitetet tona, çka përbëjnë subjektin i shkrimit tim “Pse fajësojmë Ligjin dhe harrojmë pedagogët e paaftë?”, me të cilin F. B. “replikoi”.
Ju mundet të mos e pranoni këtë gjykim timin, por mendoj se, këtë herë, Dita ka bërë pikërisht atë së cilës unë i trembem—ka harruar dëmin e madh që i vjen arsimit tonë universitar nga një mori pedagogësh të paaftë, që taksapaguesit shqiptarë i paguajnë për arsimimin e brezit të ri të të këtij vendi, që është shpresa e një të ardhmeje më të mirë për shoqërinë tonë.
Me respekt,
Fatos Tarifa

Sidoqofte, edhe ketu Ka sharlatanizem dhe cinizem. Kush kerkon te mbaje nje emergenza te nderuar, duhet te jete me i permbajtur ne etiketimet, se, fundit, cilin te besosh?