Të ardhurat bien 4 për qind, TVSH performancë negative

anazapta

Ministria e Financave ka bërë zyartare shifrat e të ardhurave në buxhetin e shtetit, duke konfirmuar në këtë mënyrë atë që në mënyrë të vazhdueshme janë thënë nga media nga të burime të pakonfirmuara deri tani. Nga këto të dhëna të gjitha zërat e të ardhurave në buxhet kanë shënuar rënie në raport me të njëjtën periudhë të një viti më parë, me përjashtim të tatimit mbi të ardhurat. Të ardhurat nga TVSH arritën në 70 miliardë lekë, me një rënie prej 6.2 miliardë lekësh, apo 8.2 për qind në raport me tetë mujorin 2012. TVSH ka ndikuar në 70 për qind  të rënies së të ardhurave nga tatimet e doganave. TVSH është zëri kryesor i të ardhurave në buxhet, me 33 për qind të totalit të të ardhurave buxhetore. Arsyeja kryesore e kësaj performance negative lidhet me heqjen e TVSH-së për makineri e pajisje në fillim të këtij viti nga qeveria e atëhershme demokrate. Të ardhurat nga tatimi mbi fitimin zbritën me 1.4 miliardë lekë, apo 11.7 për qind  në 10.2 miliardë lekë, duke reflektuar situatën e vështirë që po kalojnë bizneset vendase, që po vuajnë pasojat e rënies së fuqisë blerëse, teksa problemet me likuiditetin sa vijnë e po thellohen, në mungesë edhe të kredisë së bankave. Të ardhurat nga akciza ranë me 1.1 miliardë lekë ose 4.5 për qind, edhe ky një tregues i rënies së qarkullimit të mallrave në vend. Tatimi mbi të ardhurat është zëri i vetëm më rritje, duke arritur në 19.4 miliardë lekë, apo 1.5 miliardë lekë më shumë se e njëjta periudhë e vitit të kaluar. Të ardhurat nga pushteti vendor vijuan me tendencën rënëse prej 12 për qind në 7 miliardë lekë; të ardhurat nga sigurimet u rritën lehtë, ndërsa të ardhurat jo tatimore ranë me 1.1 për qind në 16.1 miliardë lekë. Totali i të ardhurave në buxhet në fund të gushtit arriti në 210 miliardë lekë, duke rënë 8.3 miliardë lekë, apo 3.8 për qind  në raport me tetë mujorin e 2012-s.

 

Share This Article
Leave a Comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *