KUR DO SILLEMI TË GJITHË SI EUROPIANË?

anazapta

Të gjithë atyre që i përjetuan ngjarjet e vrullshme të dekadës së fundit të shekullit që kaloi, u kujtohet dhe thirrja aq entuziaste e studenteve tanë: “E duam Shqipërinë si gjithë Europa!” Se ato ditë të largëta dhjetori thirrja “E duam Shqipërinë si gjithë Europa!” ishte e vetvetishme si të gjitha gjërat e ndiera e të shumëdëshiruara të kësaj bote.

Kanë kaluar më tepër se dy dekada qysh atëherë dhe përsëri Shqipëria është vendi i fundit në rajon që ka mbetur më larg Europës. Nuk kemi marrë ende as statusin e vendit kandidat për në Bashkimin Europian. Kemi shpresuar me vite të tërë për ta marrë atë të shkretë status dhe prapë nuk e kemi marrë dot. Dhe pse?

Sepse politika jonë e tranzicionit të gjatë nuk ka mësuar asgjë nga sjellja evropiane. Sepse politika jonë e tranzicionit të tejzgjatur nuk dëgjon ende të shkëputet nga qëndrimet e saj tradicionale të “Fanarit e të Buharasë” – do të thoshte peshkopi i madh i shqipes dhe i shqiptarizmit bashkë. Sepse çdo shqiptar, që nuk e do vendin e vet të mbetet përjetësisht i fundit në rajon në të gjitha fushat e dijes e të përparimit, nuk rri dot pa pyetur me vete dhe sot e këtë ditë: “Kur do sillemi dhe ne si europianë? Kur do sillemi të gjithë si europianë?”Apo ca më saktë: “Kur do sillen të gjithë politikanët tanë si europianë?”…

Nëse jemi ende larg asaj kulture politike, me të cilën humbësi i zgjedhjeve i uron publikisht fitoren kundërshtarit politik, nuk ka vend fare përkthimi i shtrembëruar që vijon t’u behet mesazheve të urta të Bashkimit Europian, edhe pas zgjedhjeve të 23 qershorit. Nuk besoj se një shtrembërim i tillë bëhet kaq haptazi as në ish-republikat sovjetike, ku ish-sekretarët e parë të Partisë Komuniste janë kthyer në ca sulltanë njëherësh tragjikë dhe qesharakë, kur përpiqen të shiten edhe si “baballarë të demokracisë e të përparimit kombëtar” të vendit të tyre fatkeq(!)

Nëse nuk bëri aq shumë përshtypje mungesa e dinjitetit të humbësit në pranimin e humbjes dhe në urimin e kundërshtarit politik për fitoren më 23 qershor, me duket se nuk ka vend ku të rrijë ai lloj shtrembërimi i shëmtuar, që i bën udhëheqja e opozitës aktuale mesazheve të urta që dhanë për të gjithë politikën shqiptare drejtuesit kryesorë të Bashkimit Europian gjatë vizitës së kryeministrit të ri në Bruksel.

Se të gjithë i dëgjuam me veshë ato mesazhe në të gjithë takimet e kryeministrit Rama në kryeqendrën e BE-së dhe ai përkthim gagaç, ku dhe mikpritja u kthye në “kërcënim” për kryeministrin e ri të Shqipërisë, vetëm nga shqiptarë të kohës sonë nuk pritej të bëhej. U përgëzua kryeministri Rama për fitoren dhe për programin e qeverisë së re, por nuk merret vesh se ku e gjeti atë përkthyes dhe atë përkthim opozita aktuale, kur e dha në mediat e veta me aq mjakje goje: “Ramës i vënë kushte në Bruksel”. Të paktën të kishin përkthyer saktë tifozin e flaktë të pushtetit të tyre, zonjën e nderuar Pack, kur dhe ajo u detyrua të fliste për herë të parë mirë për kryeministrin e ri dhe për angazhimet programore të qeverisë së re të Shqipërisë.

Se nuk më duket që fitojnë ndonjë gjë me këtë lloj përkthimi të shtrembëruar të mesazheve zyrtare të Europës ku duam të vemi. Nuk më duket se kjo është punë e paqme e një opozite të çatrafilosur nga pesha e rëndë e humbjes. As me duket se e bën më të lehtë mëkëmbjen e domosdoshme të një opozite, që deri tani nuk merret vesh mirë se kush e drejton. Nuk m ë duket se kësaj opozite me aq shumë halle e aq shumë kusure, do t’i hyjnë në punë ca shtrembërime të natyrës së propagandës së vjetër e të harruar të sistemeve totalitare me moton: “Gënje sa më shumë, se më në fund diçka mund të besohet”.

Një opozitë që drejtohet realisht nga garnizoni i vjetër dhe flet nga SHQUP-i, duket që është aq e çorientuar sa mund të përshkruhej vetëm me atë shprehjen e njohur popullore: “As te hapi e as te hupi”…

Vërtet që është e drejta e shenjtëruar e opozitës që ta zgjedhë vetë taktikën dhe strategjinë e saj të mëkëmbjes për t’u kthyer sa më shpejt që të mundet në pushtet. Por ngutja për t’u kthyer në pushtet, duhet mbështetur dhe me një alternativë të qëndrueshme e të besueshme. Alternativa që pushteti i saj i djeshëm na bëri “ekonominë e dytë pas Gjermanisë”, apo “vendin e katërt më të zhvilluar të botës”, ose “një Zvicër pa det” e një “Norvegji të vogël”, doli sheshit një gënjeshtër e madhe dhe prandaj ai lloj pushteti dhe propaganda e tij u shembën aq keq më 23 qershor. Të ngulmohet në atë rrugë pa kryr, me duket se nuk i shërben as mëkëmbjes së opozitës e ca më pak kthimit të saj të shpejtë në pushtet. Mbase mund t’u shërbejë ndoca interesave të veckël vetjakë të atyre që tremben nga zullumet dhe duan të përdorin opozitën si mburojë politike ndaj ligjit, po kurrsesi nuk besoj se i bën mirë opozitës së mirëfilltë politike një qëndrim i vjetruar e i provuar si i dështuar.

Se qëndrime të tilla, që e kanë mbajtur Shqipërinë vendin e fundit të rajonit në të gjitha fushat, nuk janë as në mbështetje të interesave të opozitës së mirëfilltë politike dhe as në dobi të interesave kombëtarë. Sepse, sa kohë që edhe mesazhet e urta e dashamirëse të Europës së lirive do të mundohemi t’i përkthejmë të shtrembëruara në shërbim të interesave politikë të ditës, e ca më keq në shërbim të ndoca palo interesave vetjakë, dera e madhe e integrimit në Europën e Bashkuar nuk do të na hapet dot.

Sa kohë që në derën e madhe të Bashkimit Europian do të trokasim të ngarkuar me thesin e zi të ankesave për njëri-tjetrin, ajo derë nuk besoj se do të na hapet dot. Sa kohë që në derën e madhe të Europës së Bashkuar do të trokasim duke u dredhur nga frika e zullumeve tona e nga frika e përballjes me ligjin, ajo derë nuk besoj se do të na hapet dot.

Sa kohë që do na duket vetja aq të zgjuar, sa të përpiqemi të gënjejmë dhe Europën sikundër kemi gënjyer në mirëbesim popullin tonë të varfër, dera e madhe e BE-së nuk besoj se mund të na hapet. Sa kohë që e bukura mendje do na gënjejë aq sa të kujtojmë se mund të integrohemi në BE, pa integruar më parë përpjekjet tona për të nisur ndërtimin e Europës në truallin tonë, nuk është aq e marrë BE-ja që të shtojë telashet e veta me sëmundjen e politikës sonë të mykur. Dhe këtë besoj që e di mirë opozita aktuale, sado që bën sikur nuk e di. Pasi bën sikur nuk e di, e detyruar nga synimi i drejtuesit të garnizonit për ta përdorur edhe tek SHQUP-i si mburojë ndaj zullumeve të veta të shumta. Detyra jonë qytetare është t’ia themi shkoqur e hapët. Detyra e atyre që bëjnë sikur e drejtojnë opozitën në emër të drejtuesit të saj të përhershëm, është të nisin të mendojnë si europianë. Për të mirën e tyre dhe për të mirën e vendit. Besoj se dhe udhëheqja e opozitës aktuale është e lodhur tashmë me atë shkëputje nga populli dhe nga hallet e tij të shumta. Është e lodhur besoj edhe kjo opozitë nga shkëputja e udhëheqjes së saj edhe prej masës së radhëve të veta, që besonin e besojnë prapë tek drita e demokracisë funksionale dhe e ligjit të barabartë për të gjithë. Mbase do ta niste mëkëmbja e kësaj opozite, po qe se udhëheqja e saj e sheh sa e shkëputur ka qenë në pushtet nga idealet e Qendrës së Djathtë evropiane. Do të niste mëkëmbja e kësaj opozite, duke pranuar që udhëheqja e saj ka qenë e shkëputur fare nga demokratët e vërtetë dhe nga vetë idealet demokrate. Mbase do të niste mëkëmbja e vërtetë edhe e kësaj opozite të çorientuar nga humbja, duke pranuar humbjen dhe shkaqet e humbjes së thellë. Nuk besoj se mund të mëkëmbet opozita e sotme duke pasur përsëri në udhëheqje po ata që e shpunë në humbje. Po nuk pati aq fuqi sa të ripërtërihet me fuqitë e veta, as hedhja e fajit tek kundërshtari politik për humbjen e saj, nuk besoj se e ndihmon të ngrihet më këmbët e veta. Ca më pak për t’u kthyer shpejt në pushtet.

Le të zgjedhin vetë. E kam fjalën për udhëheqjen e opozitës. Për demokratët e thjeshtë, që besojnë në idealet e ndritura të demokracisë funksionale, po nuk gjetën liri brenda asaj opozite, Fryma e Re Demokratike i ka dyert ta hapura kanat më kanat. Demokracia është e të gjithëve dhe jetësohet nga pjesëmarrja e të gjithëve. Edhe përgjegjësia për dështimin e mëkëmbjes së opozitës, më duket se është e të gjithë demokratëve. Sepse demokraci do të thotë opozitë e shëndetshme dhe jo një opozitë si mbrojtje nga ligji i barabartë për të gjithë.

 

Daut Gumeni – 18.09.2013

 

 

Share This Article
4 Comments
  • Mire e ke o daut sikur ta kishit themeluar kete parti me 1991,sapo sala perjashtoi nga parti e tyre studentet themelues,megjithate nuk eshte kurre vone per te kryer pune te mira.Je fisnik i provuar ne zjarr e ne kudher,por ai kryetari yt duket ca i bute,se duhet ti kishte thene ca fjale te renda komunistit malesor,kur e quajti horr bulevardi;edhe asaj bushtres nga shkodra sduhej tja linte thate fyerjet e perditeshme.Topi eshte dere e pare ne Tirane,eshte zot shtepie dhe duhet te sillet si zot shtepie,kur shpellaret i kane uzurpuar shtepine,kur ish komunistet terroriste dhe klyshet e tyre kane uzurpuar te djathten te mos flase si ambasadori i OSBE se

  • Z.Daut mire i thua ti po kush te degjon,opozirta eshte pjerdhur nga veshet,sepse nuk i le shpellari te degjojne zerat e vertete

  • Shkrim nga me te goditurit qe mua me ngroh ne cdo fraze. E quaj te drejte finalizimin e gjithe luftes se opozites me kthimin sa me shpejt ne pushtet, por me ngaterron menyra qe kane zgjedhur per ta bere kete. Duke qene se ata synojne nje pushtet te pamerituar me te cilin abuzuan fantastikisht, opozita le te kuptohet se besimi i popullit, s’ka asnje rendesi per te. Pra do e beje me rrugen tjeter te Saliut. Me trazira dhe destabilizime. Asnje mesazh tjeter nuk i ka dhene popullit kjo opozite e cila e ka problemin me te madh me veten dhe jo me popullin qe e mashtroi rende. Kam frike se tani ajo eshte duke bere gabimin fatal i cili do ta nxirrte edhe jashte ligjit, si parti e tipit fashisto-aventuror . Ajo qe duhej bere qysh me 1998.

  • Per mua dhe familjen time, ju zoti Gumeni jeni personi i duhur per te qene president i Shqiperise, ky mendim nuk eshte i prodhuar mbi bazen e artikullit qe po lexoj sot, por eshte i menduar prej kohesh.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *