Me rënien e theksuar të temperaturave shtohet edhe rreziku për shfaqjen e ndërlikimeve të rënduara shëndetësore, veçanërisht tek disa grupe të përcaktuara të popullatës. Kjo pasi gjatë ditëve të ftohta organizmi dhe zemra duhet të punojnë më shumë për të përballuar efektet e të ftohtit. Autoritetet e Institutit të Shëndetit Publik (ISHP) bëjnë me dije se kjo periudhë mund të jetë veçanërisht e rrezikshme për të moshuarit dhe të sëmurët kronikë, si dhe fëmijët e vegjël. Sipas tyre, të qëndruarit gjatë në të ftohtë bën që temperatura trupore të bjerë nën 35° C, duke bërë që me kalimin e kohës organizmi të mos funksionojë më siç duhet. “Rënia e temperaturës trupore shkakton ngushtim të enëve të gjakut dhe përshpejtim të ritmit të zemrës. Gjatë qëndrimit jashtë, pjesët më të ekspozuara, si: koka, këmbët e duart mund të ngrijnë. Në fillim ato humbasin ndjeshmërinë, skuqen dhe dhembin, e më pas ngrijnë duke u bërë gri dhe të padhembshme. Duhet të dini se kur kryeni sforcime fizike në ambiente të jashtme, rrezikoni të përkeqësoni shumë edhe sëmundjet e zemrës”, vënë në dukje ekspertët e shëndetit në ISHP.
Ndërlikimet e shpeshta të shkaktuara nga i ftohti:
Si shkak i të ftohtit mund të shfaqen ose të përkeqësohen një sërë sëmundjesh. Konkretisht, mund të shfaqen sëmundje të rrugëve të sipërme të frymëmarrjes: skuqje apo dhimbje deri në infeksion të bajameve, veshëve, hundës dhe sinuseve (sinuzite). Po ashtu, rrezikoni edhe nga sëmundje të rrugëve të poshtme të frymëmarrjes, si: gripi dhe viroza të ndryshme, acarim i astmës deri në infeksione të mushkërisë. Të tjera shqetësime që shfaqen janë dhimbjet e kokës si pasojë e spazmave dhe ngushtimit të enëve të gjakut në kokë. Të sëmurët kronikë rrezikojnë nga rritja e tensionit arterial dhe përkeqësim të tij. Problematike në këtë periudhë janë edhe shtrëngimet në gjoks deri në infarkte të zemrës. Mund të kemi edhe probleme të qarkullimit të gjakut, si: morthi, sklerodermia,etj, fraktura, ndrydhje dhe dëmtime të tjera si pasojë e rrëshqitjeve në akull, si dhe ngrirjet e ekstremiteteve deri në amputime (prerje) të tyre.
Parandalimi
Sipas ekspertëve të ISHP-së, edhe pse dimri dhe temperaturat e ftohta mund ta dëmtojnë shëndetin tuaj, ju mund të jeni mirë nëse ndiqni këshillat në vijim. Në këto kushte, rekomandohet që të visheni ngrohtë dhe përdorni shall, doreza dhe kapuç kur jeni në ambiente të jashtme dhe të ftohta. Duhet të evitoni të qëndroni gjatë në ambiente të jashtme në ditët e ftohta, me erë, dhe sidomos kur jeni të lagur. Po ashtu evitoni të dilni jashtë në orët e para të mëngjesit dhe orët e vona të darkës, ecni me kujdes e me hapa të vegjël dhe duart jashtë xhepave. Ushqehuni me ushqime të ngrohta e të lëngshme të përbëra nga mishi, bishtajoret, perimet, drithërat, por edhe fruta që përmbajnë vitamina dhe minerale. “Pini sa më shumë ujë dhe lëngje, sidomos nëse jeni të sëmurë dhe qëndroni vazhdimisht në shtëpi. Qëndroni në ambiente të ngrohta dhe të ajrosura herë pas here. Temperatura ideale për ambientin e brendshëm është 20-23° C, dhe ajrosja duhet të bëhet disa herë për të siguruar lagështinë e duhur për rrugët e frymëmarrjes dhe për të ulur përqendrimin e mikrobeve në shtëpi. Mund të mbani një enë me ujë tek radiatori për të siguruar lagështinë e ajrit. Sigurohuni gjithashtu që dyert dhe dritaret të jenë të izoluara sa më mirë”, vënë në dukje specialistët e ISHP-së. Sipas tyre, duhet të bëni shumë kujdes, pasi edhe mbingrohjet e shtëpisë mund të jenë të dëmshme, ashtu si dhe ngrohjet me dru, apo gaz, që mund të çlirojnë gazra të dëmshme për organizmin. Ndaj duhet që ambientet e brendshme të ajrosen mirë disa herë gjatë ditës, dhe të siguroheni që nuk keni rrjedhje gazrash. Për t‘u mbrojtur nga virozat e ndryshme të stinës së ftohtë, të gjithë personat me faktorë risku (përveç foshnjave nën 6 muajsh) duhet të vaksinohen me vaksinën antigrip vit pas viti.
Kujdesi për foshnjat dhe fëmijët
Sa më të vegjël të jenë fëmijët, aq më shumë rrezikojnë nga uljet e temperaturës dhe sëmundjet, ndaj evitoni në maksimum daljet dhe siguroni një temperaturë konstante në shtëpi. Të porsalindurit deri në 6 muajsh rrezikojnë më shumë nga i ftohti, pasi përgjigjja e organizmit të tyre nëpërmjet termo- rregullimit, dhe aftësia e tyre për të komunikuar, ende nuk janë zhvilluar plotësisht. Për këtë arsye, prindërit duhet të kontrollojnë herë pas here këmbët, duart e veçanërisht fytyrën. Foshnjat rekomandohen të pinë rregullisht gji, sa herë të dëshirojnë, dhe nëse kanë filluar edhe ushqimet plotësuese, të mos harrohet dhënia e lëngjeve për të garantuar hidrim të mirë të tyre.
Kujdesi për të moshuarit
Për këtë kategori dieta ushqimore është shumë e rëndësishme. Duke ngrënë ushqime të shëndetshme dhe duke u ekspozuar në diell, kur është e mundur, ndihmojmë në shëndetin e kockave. Gjatë përgatitjeve për stinën e ftohtë, sigurohuni që të keni në shtëpi ushqimet e domosdoshme, si: qumësht i konservuar, patate, oriz dhe makarona, si dhe ushqime të konservuara, peshk ton e mish kutie. Jeni 80për qind më të rrezikuar nga gripi apo ftohja në dimër nëse nuk keni imunitet të fortë. Prodhimet si djathi, qumështi dhe kosi janë burime të shkëlqyera të proteinave dhe vitaminave A dhe B12. Ato gjithashtu përmbajnë sasi të lartë kalciumi, i cili është i domosdoshëm për shëndetin e kockave. Kini parasysh të kontrolloni medikamentet që ju merrni. Sigurohuni që t’i keni në shtëpi ilaçet që ju merrni. Kushtojini kujdes të veçantë kur ju merrni katër apo më shumë medikamente. Konsultohuni dhe rishikoni mjekimin me mjekun e familjes, si dhe sigurohuni të keni në shtëpi mjekime për probleme shëndetësore të zakonshme .
Disa nga sëmundjet që mund të shfaqen ose përkeqësohen nga i ftohti janë:
- Sëmundjet e rrugëve të sipërme të frymëmarrjes: skuqje apo dhimbje deri në infeksion të bajameve, veshëve, hundës dhe sinuseve (sinuzite).
- Sëmundje të rrugëve të poshtme të frymëmarrjes: gripi dhe viroza të ndryshme, acarim i astmës deri në infeksione të mushkërisë.
- Dhimbje koke si pasojë e spazmave/ngushtimit të enëve të gjakut në kokë.
- Rritje e tensionit arterial dhe përkeqësim të tij tek të sëmurët kronikë.
- Shtrëngime gjoksi deri në infarkte të zemrës.
- Probleme të qarkullimit të gjakut si: morthi, sklerodermia, etj.
- Fraktura, ndrydhje dhe dëmtime të tjera si pasojë e rrëshqitjeve në akull.
- Ngrirjet e ekstremiteteve deri në amputime (prerje) të tyre.

Nëse sëmureni me grip apo një nga virozat e stinës duhet të:
- Përdorni medikamente për të ulur temperaturën. Paracetamol kur ajo të rritet mbi 38-38,5° C. Nëse temperatura zgjat për më shumë se 3-5 ditë dhe është mjaft rebele, atëherë drejtohuni tek mjeku i familjes. Për të qetësuar kollën, përdorni qumësht me mjaltë, çaj me sherebelë, dafinë, bli, etj, dhe ajrosni herë pas here ambientet. Ushqehuni më mirë dhe me sa më shumë lëng mishi (sidomos lëng pule),fruta, perime, duke mos harruar edhe shtimin e lëngjeve. Disa ushqime me veti anti-inflamatore apo anti-mikrobiale, shumë të mira për mbrojtjen imunitare, janë: xhinxheri, mjalti, hudhra, qepa, agrumet, lakra, specat, mollët dhe dardhët e pjekura, ekinacea,etj. Futni këmbët në ujë të ngrohtë për 10 minuta në darkë. Mos përdorni antibiotikë, pa këshillën e mjekut.
- Në rastet kur temperatura e pacientit vazhdon të mos bjerë, fillon të shfaqet vështirësi në frymëmarrje, dhimbje veshi, fyti, koke, apo kraharori dhe gjendja e përgjithshme rëndohet, atëherë mund të keni një infeksion të rrugëve të sipërme, apo të poshtme të frymëmarrjes, për të cilin duhet të konsultoheni patjetër me mjekun tuaj.
- Nëse keni probleme të qarkullimit të gjakut, si: morthi, scleroderma, etj. Nuk duhet të dilni nga shtëpia pa përdorur kremrat e këshilluar nga mjeku dhe duhet të mbani sa më ngrohtë pjesët e ekspozuara duke përdorur dorashka leshi, shall, kapuç,etj.
- Nëse qëndroni gjatë në të ftohtë, organizmi juaj nuk arrin të prodhojë aq nxehtësi sa harxhon, dhe ju do të filloni të vuani nga ulja e temperaturës trupore e me kalimin e kohës do të ndiheni të lodhur, të mpirë dhe konfuzë. Kjo, pasi si pasojë e ngushtimit të enëve të gjakut në tru; ai fillon të mos mendojë qartë dhe pastaj lëvizjet fillojnë të ngadalësohen, deri kur temperatura e trupit të bjerë nën 35° C deri në ngrirje. Shenjat e para të ngrirjes janë mungesa e ndjeshmërisë, skuqja dhe dhimbjet në indet e lëkurës dhe nënlëkurës në ekstremitete (kokë, këmbë e duar) dhe zonat më të ekspozuara si fytyra, veshët, etj. Në raste të tilla nuk duhet të masazhohen pjesët e ngrira, por duhet të futeni menjëherë në një ambient të ngrohtë dhe të pini pije të ngrohta që të rrisin temperaturën e trupit, duke evituar përdorimin e alkoolit. Kujdes nëse lëkura merr ngjyrë të zbehtë deri në të verdhë-jeshile, pasi mund të shkojë deri në gangrenizim që kërkon dhe amputimin e tyre.
Disa rekomandime për foshnjat
- Nëse duhet ta nxirrni foshnjën jashtë, kini parasysh këto rregulla: mbulojeni mirë duke e veshur me disa shtresa rrobash, dhe vendosini gjithnjë një kapele në kokë, pasi rreth 30 për qind e humbjes së energjisë vjen nga koka, mbajeni larg vendeve të lagështa dhe me korente ajri, mos e mbani foshnjën në mbajtëse si të “kangurit”, pasi qarkullimi i gjakut ngadalësohet, dhe kjo favorizon ngrirjen e këmbëve.
- Rekomandohet që foshnja të transportohet në një karrocë apo mbajtëse si shtrat, në mënyrë që të mund të lëvizë lehtësisht, duke pasur një qarkullim të rregullt gjaku.
- Merrni gjithnjë me vete pije, apo ushqime të ngrohta (nëse ka filluar ushqimet shtesë), ndërresa dhe mbulesa rezervë. Nëse foshnjat nën 6 muajsh sëmuren, drejtohuni menjëherë tek mjeku.

Disa rekomandime shtesë për fëmijët më të rritur
- Ushqyerja duhet të jetë sa më e larmishme me ushqime nga të gjitha grupet ushqimore. Konsumoni 5 vakte ushqimore: një mëngjes i pasur (bukë, qumësht, mjaltë, vezë,etj), fruta apo perime (të freskëta, të pjekura apo lëng i shtrydhur). Dreka me ushqime proteinike (mish, peshk, shpendë, fasule,thjerrëza), karbohidrate (bukë, oriz, makarona, etj) e perime të ndryshme dhe fruta. Darka me ushqime të variueshme. Për shembull: supa e pulës është shumë e këshillueshme gjatë dimrit, pasi përmban proteina të tretshme dhe ka veti anti-inflamatore, rehidruese (sidomos për gjendjet gripale), ofron nxehtësi dhe fluidifikon mukozat (shkrin sekrecionet).
- Mbani gjithnjë të pastra duart e fëmijëve, duke i larë me ujë e sapun për rreth 20 sekonda, sa më shpesh, sidomos para ushqyerjes apo pas përdorimit të tualetit.
- Mbani të lira rrugët e frymëmarrjes, duke i mësuar të fryjnë mirë hundët dhe duke përdorur ujë fiziologjik për t’i liruar ato. Nëse hundët janë vazhdimisht të zëna, atëherë mund të nevojitet edhe terapia me aerosol, apo avuj të thjeshtë me solucion fiziologjik. Rekomandohet të përdoren facoleta me një përdorim, të cilat duhet të hidhen në kosh pas përdorimit, për të evituar kontaminimin e të tjerëve.
- Evitoni kontaktet me të sëmurët. Për këtë nuk rekomandohet të çohen fëmijët në vende ku ka shumë grumbullime si baret apo qendrat tregtare, pasi atje rrezikojnë të infektohen me viruse të ndryshme.
- Siguroni qëndrimin e tyre në ambiente me temperaturë 21-23° C dhe ajrosini të paktën2 herë në ditë.
- Fëmijët kanë gjithashtu nevojë të dalin të luajnë në ajër të pastër dhe të ekspozohen në diell. Zgjidhni orët më të ngrohta gjatë ditës dhe kujdesuni të mos djersitin, ndaj rekomandohet të vishen me disa shtresa, që të hiqen nëse duhet.
Kujdesi për ushqimin gjatë dimrit
Gjatë stinës së ftohtë të dimrit është e rëndësishme edhe një ushqyerje e mirë. Kështu duhet që t’i jepni përparësi edhe konsumit të ushqimeve të tilla, si: fasulet e bardha dhe të zeza, thjerrëzat të cilat janë të pasura me proteina dhe fira, peshk, mish i bardhë, mish i kuq. Supërat ose gjellët me perime apo lëng mishi dhe peshk janë shumë të rekomandueshme për këtë stinë. Frutat dhe perimet janë të pasura me vitamina dhe kripëra minerale, të domosdoshme për t’u mbrojtur nga i ftohti dhe sëmundjet që ai mbart. Në përgjithësi rekomandohen të gjitha ushqimet që përmbajnë vitaminë E, vitaminë C dhe betakaroten (paraardhës i vitaminës A), të afta për të stimuluar mbrojtjen imunitare. Ndër frutat më të rekomanduara gjatë ditëve të ftohta janë: portokallet, mandarinat, limonët, mollët, shegë, boronica,. Vetëm një kokërr portokall ofron më shumë se 100 për qind të nevojës tuaj ditore për vitaminë C. Gjithashtu duhet të dini se portokalli përmban edhe folate, fibra dhe kalium.
DITA
