Çfarë duhet të dini rreth efekteve të vaksinës së gripit!

Leda Hysa

Si shkak i të ftohtit që ka mbërthyer vendin prej disa ditësh qindra pacientë të moshave të ndryshme u drejtohen çdo ditë urgjencave spitalore dhe poliklinikave me ndërlikime të shkaktuara kryesisht nga gjendjet gripale. Situata paraqitet më shqetësuese tek moshat pediatrike, si dhe të moshuarit, të cilët përbëjnë edhe fluksin më të lartë të pacientëve që kërkojnë ndihmë të specializuar mjekësore për shkak të ndërlikimeve nga i ftohti. Sipas ekspertëve të shëndetit publik, gripi është një sëmundje virale që mund të shkaktojë komplikacione të rënda dhe vdekje sidomos tek personat me sëmundje kronike, gratë shtatzëna, fëmijët dhe të moshuarit, megjithëse për shumicën e njerëzve është sëmundje kalimtare. Sëmundja e gripit shkaktohet nga viruse të gripit, të cilat mund të përhapen shumë shpejt në ambientet e mbyllura. Ndaj sipas tyre mënyra më e mirë për të parandaluar gripin është vaksinimi ndaj tij. “Vaksinimi i përvitshëm është shumë i rëndësishëm dhe ndihmon në mbrojtjen e shëndetit individual dhe atë të komunitetit që na rrethon. Vaksinimi kryhet në çdo kohë, gjatë periudhës që viruset e gripit qarkullojnë. Pavarësisht se mund të mos jeni sëmurur më parë nga gripi, viruset e gripit pësojnë mutacione, prandaj duhet të vaksinohemi çdo vit për të pasur mbrojtje. Gjithashtu duhet të dini se vaksinimi ndaj gripit mund të reduktojë rrezikun për gjendjet e rënda shëndetësore që lidhen me gripin, si: shtrimet në spital dhe deri vdekjet”, bëjnë me dije ekspertët e Institutit të Shëndetit Publik. Sipas tyre, janë shumë të rralla rastet në të cilat vaksina e gripit mund të shkaktojë probleme serioze. Efektet anësore më të zakonshme nga vaksina e gripit janë pak dhimbje dhe skuqje në vendin e injeksionit e cila kalon pas 1 ose 2 ditësh, temperaturë të lehtë dhe kruarje.

Rreziku nga gripi

Një individ i infektuar mund të infektojë të tjerët, një ditë përpara se simptomat të shfaqen. Ai vazhdon të jetë infektues për 5-7 ditë pasi është sëmurur me grip. Simptomat shfaqen 1-4 ditë, pasi virusi është futur në organizëm. Kjo do të thotë që mund t’ia transmetoni virusin dikujt tjetër, përpara se ta kuptoni që jeni sëmurë, si dhe e transmetoni atë edhe kur jeni të sëmurë. Shumë individë të tjerë mund të jenë të infektuar me virusin e gripit, por nuk kanë simptoma. Gjatë kësaj periudhe këta individë mund të transmetojnë virusin e gripit tek të tjerët. Çdokush mund të sëmuret nga gripi dhe mund t’ia transmetojë kujtdo edhe pa pasur ndonjë simptomë. Veçanërisht nëse keni vështirësi me frymëmarrjen, drejtohuni menjëherë tek mjeku. Sikundër u theksua më lart forma më e mirë e reduktimit të pasojave të gripit është vaksinimi.

Pse duhet të vaksinohemi?

Lidhur me pyetjen se pse duhet të vaksinohemi,  ekspertët e shëndetit thonë se gripi sezonal është një problem serioz i shëndetit publik, i cili shkakton gjendje të rëndë shëndetësore, shtrime në spital dhe deri në vdekje tek grupet me risk të lartë. Çdo njeri mund të sëmuret shumë rëndë me grip, duke përfshirë edhe njerëzit të cilët janë të shëndetshëm. Nëse ju sëmureni me grip ju mund t’ia transmetoni edhe të tjerëve edhe pse ju mund të mos ndiheni të sëmurë. Ndërkohë që duke u vaksinuar ju ndihmoni të mbroni vetveten, familjen tuaj dhe njerëzit rreth jush. Përballë zërave nëse duhet të bëhet kjo vaksinë, autoritetet e dikasterit të shëndetësisë detajojnë në vijim të shkrimit udhëzuesin me gjithçka duhet të dini rreth vaksinës së gripit, efekteve të saj në shëndet, kohës kur duhet të bëhet, si dhe mbrojtjen që siguron, kjo veçanërisht për kategoritë më të rriskuara.

Përmbajtja e vaksinës ndaj gripit

Sipas specialistëve të shëndetit, vaksina ndaj gripit përmban pjesë inaktive (virus të copëzuar jo të gjallë) të viruseve që mendohet se do qarkullojnë gjatë sezonit të gripit. Vaksina është mënyra më e mirë parandaluese ndaj gripit.

Kur duhet të vaksinohemi?

Vaksinimi kryhet në çdo kohë, gjatë periudhës që viruset e  gripit qarkullojnë. Vaksina ndaj gripit duhet të kryhet çdo vit, kryesisht me fillimin e stinës së vjeshtës, e deri në muajin mars.

Pse duhet të vaksinohemi çdo vit ndaj gripit?

Vaksinimi i përvitshëm ndaj gripit është i rëndësishëm pasi viruset e gripit janë të paparashikueshëm. Viruset e gripit janë në ndryshim të vazhdueshëm dhe imuniteti i përftuar nga vaksina e kryer më parë, bie me kalimin e kohës.

Cilat grupe duhet të vaksinohen?

Në përgjithësi rekomandohet që vaksina ndaj gripit të kryhet nga çdo individ mbi 6 muaj. Rekomandim i veçantë për kryerjen e kësaj vaksine përfshin këto grupe risku: Punonjësit shëndetësorë, gratë shtatzëna, të gjithë të moshuarit mbi 60 vjeç, personat me sëmundje kronike dhe imunodeficience (si: sëmundje kardiovaskulare, obstruktive të mushkërive, kronike të veshkave, kronike të heparit, diabet, astma bronkiale, tumore/kancer), personat obezë. Gjithashtu vaksina ofrohet për kategori të caktuara, siç janë forcat ushtarake.

Përse rekomandohet më shumë tek disa grupe?

Disa individë, si: të moshuarit, gratë shtatzëna, fëmijët e vegjël, si dhe individë të sëmurë për një kohë të gjatë me sëmundje kronike ose imunodeficencë, kanë një risk të lartë, për të zhvilluar komplikacione nga gripi, prandaj vaksinimi ndaj gripit rekomandohet më shumë tek këto kategori. Gjithashtu, punonjësit e kujdesit shëndetësor, të cilët nga profesioni kujdesen për individë të sëmurë, të cilët kanë një risk të lartë për të zhvilluar komplikacione nga gripi, mund të bëhen shkak për transmetimin dhe infektimin e të tjerëve. Punonjësit e kujdesit shëndetësor kanë  përgjegjësi për të mbrojtur pacientët e tyre, prandaj është shumë e rëndësishme që ata të vaksinohen çdo vit, ndaj gripit. Vaksinimi ndaj gripit i punonjësve të kujdesit shëndetësorë, mbron pacientët, kolegët, familjet e tyre dhe vetë ata. Po ashtu, edhe vaksinimi ndaj gripit gjatë shtatzënisë (pavarësisht tremestrit të shtatzënisë) ndihmon në mbrojtjen e gruas dhe fetusit. Kundërtrupat e krijuara tek nëna kalojnë tek fëmija dhe e mbrojnë foshnjën në muajt e parë të jetës.

Si vepron vaksina dhe sa efektive është?

Vaksina e gripit sezonal mbron ndaj viruseve të gripit të cilët mendohet se do të qarkullojnë këtë sezon. Kundërtrupat krijohen në organizëm dy javë pas kryerjes së vaksinës. Kundërtrupat mbrojnë ndaj infeksioneve të shkaktuara nga viruset të ngjashme, ose të njëjtë me ato me të cilat është prodhuar vaksina. Vaksina është mënyra më e mirë parandaluese ndaj gripit. Lidhur me faktin se sa mirë vepron vaksina ndaj gripit, apo aftësia e saj për të parandaluar sëmundjen e gripit, varion nga një sezon në tjetrin. Efektiviteti i vaksinës mund të ndryshojë edhe në varësi të individit që është vaksinuar. Të paktën dy faktorë luajnë një rol të rëndësishëm në përcaktimin e efektivitetit të vaksinës ndaj gripit. Ato janë:Karakteristikat e individit që është vaksinuar si; mosha, shëndeti,etj, si dhe ngjashmëria apo përputhshmëria midis viruseve të gripit me të cilat vaksina ndaj gripit është prodhuar dhe viruseve të gripit që janë përhapur (apo qarkullojnë) në komunitet.

A do të ketë vaksina ndaj gripit të këtij sezoni një përputhje të mirë me viruset që do të jenë në qarkullim?

Nuk është e mundur të parashikohet me siguri se cili nga viruset e gripit do të qarkullojë gjatë një sezoni. Viruset e gripit janë vazhdimisht në ndryshim, ato mund të ndryshojnë nga një sezon tek tjetri, ose ato madje mund të ndryshojnë edhe gjatë një sezoni gripi. Ekspertët përcaktojnë muaj më parë dhe zgjedhin se cilët virus të gripit do përfshihen në  përbërjen e vaksinës, në mënyrë që vaksina të prodhohet dhe shpërndahet në kohë. Për shkak të këtyre faktorëve ekziston gjithmonë mundësia për një përputhje më pak se optimalja midis viruseve të gripit që janë në qarkullim dhe atyre në vaksinë.

A mund të japë vaksina mbrojtje edhe nëse nuk ka një përputhje të mirë?

Po, kundërtrupat e zhvilluar nga vaksina për një virus ndonjëherë mund të sigurojë mbrojtje kundër viruseve të tjerë të ndryshëm, por që lidhen me njëri-tjetrin. Për këtë arsye edhe në sezonet kur ka një mospërputhje optimale, rekomandohet kryerja e vaksinës ndaj gripit. Kjo është veçanërisht e rëndësishme për individët me risk të lartë për  të zhvilluar komplikacione të rënda nga gripi, si dhe për njerëzit që i ndihmojnë apo jetojnë me ta.

Gripi gjithmonë karakterizohet nga këto shenja:

  • Temperaturë e lartë
  • Kollë
  • Dhimbje fyti

Por shfaq edhe shenja të përgjithshme si:

  • Lodhje fizike
  • Dhimbje koke
  • Të përziera
  • Diarre
  • Të vjella
  • Dhimbje barku
  • Rrjedhje të hundëve
  • Dhimbje muskujsh.

 

 

 

Share This Article
6 Comments
  • Te gjitha metaanalizat kane treguar nje efektivitet prej 10% te pakten qe nga 2015!
    Pra 10%! Kete e quani mbrojte?
    Po efektet kolaterale qe nuk raportohen gjeresisht.
    Vaksina me pak e vlefshme nga te gjitha te tjerat!

    • A mund të na i tregoni këto meta-analizat, sepse CDC-ja shkruan ndryshe?
      Se pastaj ankoheni se nuk ka më shtretër në spital për të moshuarit me shumë sëmundje që ligështohen edhe më shumë nga gripi. Fare mirë kjo vaksinë shpëton dhjetëra e qindra jetë njerëzish, por edhe mijëra para të sistemit shëndetësor. Kam frikë se u zgjata shumë, duke parë se çfarë keni shkruar, por kam besim se të tjerët nuk mendojnë si ju dhe do të kujdesën të vaksinohen që në vjeshtë kundër gripit.
      https://www.cdc.gov/flu/about/qa/vaccineeffect.htm

  • Keshillimin e kam per ju.Pa vete e ka zgjidhe luften kunder gripit me sukses.

    Vaksina ma e mire dhe ambsolute asht mbajtja e hundve paster pa sekrecione,deri dhe korickat apo flegrat e hundes te jashtqiten me cfrim me uje te ngrohte sa here qe iu krijohet ngacmim i hundes.Nese arrini te kryeni kete praktike teper te sukseseshme do i bani shpiksit shkencetar te vaksines ne mbrotje te gripit arritje te demodume dhe qesharake.Dhe kjo qe ju tregoj do ju duket qesharake por provojeni dhe do befasoheni.
    Para 10 – 11 vitesh perdora vaksinen antigrip dhe gripi mu versul rendshem njisoj si te mos isha vaksinue.
    Qe nga ajo kohe nga ai vite e sot nuk njoh kurrfare gripit.Nuk mbaj shami hundesh.Veshmbathja e ime asht kembet me dy pale corape nji leshi dhe nji pambuku per te mbrojtur mos grisjen e corapit te leshit dhe ne trup nji fanel dhe nji bluze sportive te dyja ma se te zakonshme.Ketu ku banoj temperaturat e larta jane me diference ku e ku me ato temperaturat e mesdheut,pothuej si klime kontinentale.E ndjej veten komod megjithese shume vetve iu ban pershtypje me dhembshuri.Nuk ke rroba te vishesh.

    • Ka mbetur te na keshillojne qe te perdorim “nuskat” edhe kunder gripit….dhe me siguri do kete ndonje qe do thote qe piva nafte dhe nuk me zuri gripi………

  • Doktori popullor
    Ku i shikon nuskat.Aty vetem praktika konkrete dhe thjesht te zgjidhshme.
    Por idiotlleku nuk ka brire dhe rrin ne gadishmeri te hedhin sa ma par idiotllekun e fjalve me vetkenaqesine mendje diturie vecmas tjerve.

  • Edhe si pergjigje per Argjon.
    CDC eshte nje nga burimet por eshtre i pamjaftueshem. Kush ka interes mund te beje kerkime ne google, pubmed, greenmedinfo, chonchrane etj. Zyrtaret e larte te CDC jane te korrupturar sepse marrin fonde nga firmat farmaceutike. Disa prej tyre jane trasferuar nga bordet farmaceutike te CDC. Une kam shume informacione per kete. Natyrisht ata do ti rekomandojne ato edhe me 10% efektivitet.

    Thjesht fakti qe viruset ndryshojne cdo vit ( antigenic drift and shift) eshte e pamundur te parashikosh cilet viruse do jene kete vit.
    Kjo e kompromenton konceptin. Te thuash qe shpeton jete eshte nje gabim ( fryrje) shume e madhe. Amerikanet kane nje shprehje: you can be sincere and you can be sincerely wrong. Pra ti mund te jesh i sinqerte por sinqerisht gabim ( sepse beson ne dicka qe mendon si te vertete por qe nuk eshte).
    Per mendimin tim eshte vaksina me pak efektive qe ekziston dhe shpleraje truri dhe propagande.
    Kush do mund te informohet me tej dhe do arrije ne te njetin konkluzion.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *