E nderuar DITA. Në librin Edukata Shoqërore 2, lexoj në faqet e para: “Mami i Benit punon shumë tërë ditën, kurse babi i Benit gjen arsye dhe nuk e ndihmon, por del në kafe apo luan bilardo me shokët. Mami i Benit lodhet shumë dhe ndonjëherë i bërtet dhe Benit, megjithëse ai s’ka bërë ndonjë gabim.”
Kërkesa është që të diskutohet në klasë se si të veprojmë për këtë problem!
Unë si prind shqeva sytë. A ka ndonjë sistem filtrimi për atë që duhet t’i ofrojmë fëmijëve për t’u edukuar? Pasi një fëmijë 7-8 vjeçar nxjerr konkluzionin nëse është mashkull, do bëjë si babi i Benit kur të rritet, kurse vajza nesër nënë, do jetë një viktimë si mami i Benit, pasi kështu është shoqëria jonë.
Fëmija 7 vjeç kupton dhe merr si të vërteta fjalitë pohore dhe jo ato mohore. Në vend të kësaj historie do jepte efekt pozitiv fakti që babi ndihmon mamin në punët e shtëpisë dhe fëmijës i bën përshtypje. Kjo ka qenë edukata që bënim ne kur ishim në shkollë.
Psikologu i njohur australian, autor i librit “Si të rrisim fëmijë të lumtur”, ka kapur një moment të thjeshtë: fëmija i përgjigjet shpejt fjalëve “zbrit nga muri ku ke hipur” sesa “kujdes se do të biesh”, pasi truri memorizon fjalën “bie” dhe çuditërisht në shumicën e rasteve ky fëmije rrëzohet. A bëjnë psikologji autorët??? Kur do mësojmë dhe ne të rrisim fëmijë të lumtur???
