Për të shmangur mbingarkesën e rrjetit, edhe për 2019-n, plotësimi i formularit A1 dhe A1Z do të zhvillohet sipas një kalendari të përcaktuar datash për secilin qark. Pas publikimit të dy formularëve dhe udhëzuesve të plotësimit të tyre, Qendra e Shërbimeve të Arsimit ka shpallur gjatë ditës së djeshme edhe kalendarin me datat në të cilat maturantët e secilit rreth duhet të aplikojnë online për plotësimin e formularit A1 dhe A1Z, ku dhe do të përcaktojnë lëndën që do të japin si provim me zgjedhje në maturën e këtij viti. Sikundër ka ndodhur edhe në vitet e shkuara, aplikimi online për Maturën
Shtetërore 2019 nis me plotësimin e formularit A1, fillimisht nga maturantët e Tiranës, për të vijuar me kandidatët e rretheve të tjera. “Maturanti bën aplikimin online fillimisht në portalin qeveritar “e-albania” në periudhën 7-15 janar dhe më pas në portalin “Matura Shtetërore 2019” në periudhën 16 janar deri në 4 shkurt sipas një plani të përcaktuar nga Qendra e Shërbimeve të Arsimit për të gjitha njësitë arsimore në vend”, saktësohet në rregulloren e miratuar në mbyllje të vitit të shkuar.
Aplikimet online sipas rretheve
Kështu, duke iu referuar datave të përcaktuara nga Qendra e Shërbimeve të Arsimit, pas plotësimit të të dhënave të kërkuara në portalin qeveritar, maturantët e Tiranës do të hyjnë të parët në portalin e maturës për të plotësuar formularin A1 në datat 16, 17 dhe 18 janar. Më tej aplikimi do të nisë me maturantët e Elbasanit, Peqinit, Gramshit, Librazhdit, Korçës, si dhe të rretheve të tjera, sipas kalendarit të përcaktuar që e gjeni të detajuar në vijim të shkrimit. Plotësimi i formularit A1 do të mbyllet në datën 29 janar me maturantët e Vlorës, Përmetit, Sarandës, Gjirokastrës, Tepelenës. Pas maturantëve të këtij viti, aplikimi online do të vijojë me maturantët e viteve të shkuara. Për këtë kategori Qendra e Shërbimeve të Arsimit ka vënë në dispozicion katër data për të bërë plotësimin online të formularit A1Z, edhe në këtë rast të specifikuara sipas rretheve. Kjo kategori maturantësh duhet të bëjë kujdes në fazat e aplikimit, pasi duhet të shikojnë më parë lëndët që do të mbartin në maturën e këtij viti. Çka do të thotë se në rastet kur kanë marrë vlerësime pozitive në provimet e detyruara dhe me zgjedhje të viteve të shkuara nuk janë më të detyruar të japin provime gjatë këtij vit. Përjashtim në këtë rast bëjnë vetëm kandidatët e maturës 2012 që kanë dhënë tre provime me zgjedhje dhe kanë rezultuar mbetës në dy prej tyre. Këta kandidatë duhet që për garën e këtij viti të japin sërish një provim me zgjedhje sipas listës së miratuar për këtë vit.
Qendrat e aplikimit
Maturantët e këtij viti shkollor do të plotësojnë online formularin në ambientet e shkollës ku janë duke përfunduar studimet e mesme. Ndërsa plotësimi i formularit A1Z nga maturantët e viteve të mëparshme do të bëhet në shkollat ku këta kandidatët kanë kryer studimet e shkollës së mesme. Për të bërë plotësimin e këtij formulari, ata kandidatë duhet që të paraqesin një kopje të noterizuar të Dëftesës së pjekurisë dhe vërtetimin me notat e të gjitha viteve të shkollës së mesme me fotografi, certifikatë të maturës me notat gjitha viteve të lëshuar nga drejtori i shkollës sipas regjistrit të amzës, apo dokumentin të lëshuar nga Arkivi i Shtetit. Në secilin rast plotësimi i formularit do të ndihmohet edhe nga një mësues mbikëqyrës, për të shmangur kështu çdo parregullsi me hedhjen e të dhënave në sistem.
Provimet e 2019-s
Sipas kushteve të përcaktuara më herët në rregulloren e miratuara nga MASR, lëndët e provimeve të Maturës Shtetërore 2019 për shkollat e arsimit të mesëm të lartë janë: 3 provime të detyruara, përkatësisht në lëndët gjuhë shqipe dhe letërsi, matematikë, dhe gjuhë e huaj e parë, si dhe një lëndë që do të jepet si provim me zgjedhje nga lista e 11 lëndëve të miratuara për shkollat e mesme të përgjithshme dhe ato artistike, teksa është detajuar edhe lista e lëndëve të provimit me zgjedhje për shkollat e mesme profesionale. Autoritetet e dikasterit të arsimit bëjnë me dije se provimet e maturës i jep çdo kandidat që përfundon gjatë 2019-s vitin e fundit të shkollës së mesme dhe që plotëson në kohën e duhur formularin A1 dhe A1Z. Po ashtu,në këto provime kanë të drejtë që të hyjnë edhe të gjithë kandidatët që në maturat e viteve 2012-2018 rezultojnë kalues në një prej provimeve me zgjedhje dhe që gjatë vitit që vjen do të pajisen me diplomën e maturës. Ndërsa kandidatët që kanë marrë Dëftesë Pjekurie përpara vitit 2011 dhe që dëshirojnë të aplikojnë për vijimin e studimeve të larta gjatë vitit që vjen, bëhet e ditur se do t’u njihen provimet e detyruara dhe me zgjedhje, ose provimet e njëvlershme me to të njehsuara nga Institucioni Arsimor Vendor. Këta kandidatë në rastet kur nuk kanë dhënë provime me zgjedhje, ose i kanë dhënë dhe nuk kanë rezultuar kalues kanë të drejtë që të japin vetëm një provim me zgjedhje kur e kanë të nevojshme për plotësimin e kritereve të pranimit të përcaktuara nga vetë institucionet e arsimit të lartë në vend. Për kandidatët që kanë përfunduar shkollën e mesme para 2014-s, por që nuk janë pajisur me dëftesë pjekurie, apo diplomë mature bëhet e ditur se nuk janë të detyruar që të japin gjuhën e huaj si provim të detyruar. Këta kandidatë pasi të kenë fituar provimet e maturës do të marrin diplomë dhe certifikatën për të vijuar më tej konkurimin për shkollat e larta. Po sipas rregullores, çdo maturant që nuk rezulton kalues në provimet e maturës në sezonin e muajit qershor, ka të drejtë që t’i japë sërish përgjatë sezonit të vjeshtës që do të zhvillohen në periudhën gusht-shtator të vitit që vjen. Sipas kushteve të përcaktuara, provimet e detyruara dhe provimi me zgjedhje do të fillojnë në orën 10:00. Për plotësimin e testeve maturantët do të kenë në dispozicion 2 orë e 30 minuta. Testet e provimeve të detyruara dhe atij me zgjedhje do të administrohen dhe vlerësohen nga Qendra e Shërbimeve të Arsimit.
Kushtet për provimin e gjuhës së huaj
Ekspertët e MASR bëjnë me dije se për maturën e këtij viti, testi i gjuhës së huaj që do të jepet si provim i detyruar (D3) do të hartohet në përputhje me gjuhën, e cila në planin mësimor të arsimit të mesëm të lartë (gjimnazit) trajtohet si gjuhë e huaj e parë. Testi i provimit do të jetë në nivelin gjuhësor që përcaktohet në kurrikul në përfundim të studimeve të shkollës së mesme që maturanti kryen.
Lënda që do të jepet si provim i detyruar i gjuhës së huaj, do të përzgjidhet gjatë plotësimit të formularit A1 dhe A1Z. Për maturantët e viteve 2014-2018, që kanë rezultuar jokalues në provimin e detyruar të gjuhës së huaj, saktësohet se duhet që ta rijapin sërish këtë provim në maturën e vitit që vjen. Ndërsa për kandidatët e maturave të para vitit 2014, bëhet me dije se në rastin kur do të aplikojnë për plotësimin e formularit A1Z, nuk do të japin më provim të detyruar të gjuhës së huaj.

