Gjermania: Shqipëria nuk do ta merrte statusin as me miratimin e 3 ligjeve

redaktor

Shqipëria nuk do ta kishte marrë statusin e vendit kandidat për në Bashkimin Europian, edhe sikur të ishin miratuar të shumëdebatuarat tre ligjet që kërkojnë shumicë të cilësuar në parlament, reforma parlamentare, ligji për Gjykatën e Lartë dhe ai për nëpunësin civil.

INTERVISTA E PLOTE
Zonja Ambasadore. Faleminderit në radhë të parë për këtë intervistë.
Faleminderit shumë, jam e kënaqur që më keni ftuar
Le ta nisim pak me një atmosferë të gëzueshme nëse mund ta quaj kështu dhe e kam fjalën për aktivitetet e tetorit gjerman të cilat u mbyllën rreth një muaj më parë. A jeni e kënaqur me rezultatet dhe pjesëmarrjen në këto aktivitete dhe cilat janë planet për vitin e ardhshëm, keni në plan ndonjë gjë të veçantë?
Ky vit ishte edicioni i gjashtë i tetorit gjerman dhe ne e festuam nën moton e 25 viteve krijimtari për të kujtuar 25 vjet që nga fillimi i marrëdhënieve diplomatike mes dy vendeve. Por krijimtaria në këtë kuptim nuk ka të bëjë vetëm me krijimin e marrëdhënieve diplomatike, por edhe se si të ecim përpara në mënyrë më të drejtpërdrejtë dhe konstruktive në marrëdhëniet tona. Sepse ne duam të japim kontribut në planifikimin urban dhe arkitekturë. Ndërsa vitin e ardhshëm, do të shohim sërish tek 25 vitet e bashkëpunimin ekonomik. 25 vjet më pare ne nisëm me programin tonë që deri tani ka shpenzuar rreth 1 miliard euro në Shqipëri dhe një çerek shekulli është një moment i mirë kohor për të ndaluar dhe për të parë atë çka kemi arritur deri tani por edhe sfidat që kemi përpara.
Pra vitin e ardhshëm do të shihet se çfarë është bërë dhe çfarë mund të bëhet më shumë?
Saktësisht. Dua të them të analizojmë dhe të shohim se si këto programe bashkëpunimi zhvillohen me kalimin e kohës. Sepse e nisëm me nevojat më themelore në atë kohë si bujqësi dhe kujdesin ndaj kafshëve për ti dhënë mundësi punësimi në fshat dhe për të rritur ofertën ushqimore, ndërsa sot ne jemi më të fokusuar në infrastrukturë por edhe qeverisje të mirë, diçka për të cilën nuk mund të flitej 25 vjet më parë.
Dhe mbase vitin e ardhshëm do të ketë projekte të reja për të diskutuar?
Ne kemi një cikël 2 vjeçar. Në 25 shtator zhvilluam negociatat e fundit ndërqeveritare në Tiranë ku ramë dakord bashkë më qeverinë shqiptare për të zgjatur programin aktual. Sepse kemi tre fokuse që kanë të bëjnë nga një anë me sigurimin e ujit të pijshëm, menaxhimin e ujërave të zeza dhe mbetjeve inerte. Është gjithashtu sektori energjetik si dhe përmirësimi i mundësive ekonomike, tregu i punës dhe zhvillimi në zonat rurale, pra gjithçka që ka të bëjë me zhvillimin ekonomik.
Meqë folët për 25 vite marrëdhënie diplomatike, do të doja t’ju pyesja a është Berlini i kënaqur me këto 25 vjet marrëdhënie me Shqipërinë, domethënë cila është ndjesia pas një çerek shekulli bashkëpunim dua të them?
Marrëdhëniet tona bilaterale janë të shkëlqyera dhe do të thosha në të gjitha nivelet, politikisht janë mjaft të ngushta. Aksesi është I lehtë dhe besoj e njëjta gjë vlen edhe për homologun tim shqiptar në Berlin. Nga ana kulturore kemi shkëmbim mjaft aktiv me studentët, programet kulturore dhe me një prani shumë të mirë këtu. Ka gjithnjë e më shumë të rinj shqiptar që duan të mësojnë gjermanisht. Pra në përgjithësi jemi të kënaqur edhe sa i përket bashkëpunimit ekonomik. Por sa më shumë afrohesh sa i përket marrëdhënieve ekonomike, aq më shumë kontakte ke dhe mund të ketë edhe fërkime, çka është normale. Ajo çka është esenciale është se ka vullnet për të zgjidhur problemet kur ato dalin përpara.
Le të fokusohemi pak tek situata në Tiranë dhe tek çështja më e nxehtë për të cilën të gjithë flasin, për statusin kandidat të cilin fatkeqësisht Shqipëria nuk mundi ta marre për të tretën herë radhazi. A është Berlini i zhgënjyer që politika shqiptare nuk gjeti dot një konsensus për të kapërcyer mosmarrëveshjet në interes të qytetarëve dhe vendit?
Në këndvështrimin tonë kjo është një mundësi për të parë përpara. Duhet të merrnin në konsideratë konkluzionet e fundit të këshillit të ministrave në mënyrë të plotë. Dhe në tekst thuhet specifikisht se Komisioni do të hartojë një raport të ri sapo të jetë e nevojshme. Çka do të thotë që sapo klasa politike shqiptare të përmbushë detyrat e saj të cilat I janë bërë të qarta, do të ketë një raport të ri. Pra është e hapur mundësia për një raport të ri nga Komisioni Europian për statusin kandidat apo për cilindo që do të jetë hapi i radhës. Mendoj se gjatë fushatës elektorale ky shans të mos humbasë, pra që klasa politike të reflektojë me të vërtetë dhe të bëjë progres sa i përket kritereve të Kopenhagenit në të mirë të qytetarëve shqiptarë.
Ju përmendët kriteret që klasa politike duhet të përmbushë, në një vizitë që kam bërë së fundi në Berlin dhe nga takimet me disa zyrtare të Ministrisë së Jashtme gjermane, kuptova që ndjesia e përgjithshme ishte se Shqipëria nuk ka bërë mjaftueshëm dhe nuk do ta kishte marrë statusin edhe sikur këto tre ligje të ishin miratuar në parlament? Bini dakord me këtë?
Edhe rekomandimi i KE i tetorit, nuk kufizohej në tre pjesë legjislativi që padyshim janë të rëndësishme. Por statusi do të vijë kur forcat politike të gjejnë një terren të përbashkët. Sepse projektligjet aty janë. Nuk ka ndonjë pikëpyetje mbi këto ligje. Por këto dhe reforma të tjera duhen implementuar dhe në të njëjtën kohë kërkohet progres ashtu siç thuhet edhe në raport, përsa i përket luftës kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar. Dhe kur sheh konkluzionet e këshillit të ministrave te BE-se, të gjitha këto çështje janë sërish aty, bashkë me reformën ne gjyqësor dhe atë që njihet si track record, pra të tregohet zbatimi i këtyre ligjeve. Pra janë këto pikat që politika duhet të përmbushë jo për ne dhe jo për Bashkimin Europian por për shqiptarët. Përgjatë historisë së BE-se, plot standarde dhe vlera të përbashkëta dhe për të gjithë ata që duan të anëtarësohen në BE, duhet të nderojnë këto vlera të përbashkëta.
Me falni por duhet të insistoj pak në këtë pikë, sepse për fat të keq opinioni publik orientohet nga ajo çka thonë politikanët dhe ka pasur shumë polemika kohët e fundit lidhur me miratimin e këtyre tre ligjeve. Nuk dua të merrem me fajësimin e asnjë prej palëve, por thjesht për të qenë të qartë sepse qytetarët shqiptarë duhet ta dinë ashtu siç është, marrja e statusit nuk ka te beje vetem me miratimin e ketyre tre ligjeve apo jo?
Saktë dhe gjithashtu mendoj se duhet të largohemi nga ky rreth klasik i lojës së fajësimit dhe në vend të kësaj të fokusohemi në mënyrë konstruktive tek çështjet e rëndësishme siç është përmirësimi i klimës së biznesit duke arritur atë që përshkruhet si sundimi i ligjit. Momentalisht Shqipëria ka ende një rritje ekonomike pozitive dhe relativisht të qëndrueshme duke pasur parasysh kushtet ekonomike përreth këtij vendi. Por në këndvështrimin tim kjo shkallë rritje është më e ulët se potencialet që ka Shqipëria. Dhe gjendja e zhvillimit e tregon këtë. Ka shumë punë për të bërë në infrastrukturë dhe në fusha të tjera kryesore. Shqipëria do të mundej me një klimë më miqësore investimi dhe këtu e kam fjalën së pari për sundimin e ligjit, të tërhiqte investime të drejtpërdrejta të huaja për të krijuar vende pune, për të sjellë teknologji të reja për të bërë një kontribut real për rritjen. Sepse mbi të gjitha masa e forcës punëtore është e limituar, kështu që me pak më shumë projekte investimi të huaja mund të bësh me të vërtet ndryshime.
Pra të menaxhojmë më mirë potencialet tona. Por edhe një gjë që besoj duhet të jetë e qartë, ju thatë që Shqipëria duhet të tregojë atë që quhet track record, pra të tregojë se po i zbaton këto ligje dhe të gjitha ligjet në ato fusha që ju përmendët, saktë?
Padyshim dhe do të përmirësonte siç e thashë klimën e biznesit jo vetëm për investitorët e huaj por edhe për shqiptarët vetë, veçanërisht për biznesin e vogël dhe të mesëm, sepse pronarët e kompanive të tilla nuk kanë ndikimin apo mundësinë që zëri i tyre të dëgjohet.
Ju permendet pak lojën e fajësimit që duhet të ndalojë, pse mendoni që është kaq e vështirë për politikanët shqiptarë të kapërcejnë mosmarrëveshjet mes tyre dhe të veprojnë në interes të qytetarëve? Eshtë mbase sepse ne nuk kemi një shoqëri civile aktive sa çduhet për t’i bërë politikanët më të përgjegjshëm ndaj votuesve?
Sa i përket qëndrimit dhe motivimit, do të duhet të pyesni vetë politikanët shqiptarë. Por definitivisht një shoqëri civile aktive duhet ti bëjë politikanët të përgjegjshëm. Sepse mbi të gjitha është vota juaj. Sepse vota është verdikti i qytetarëve mbi performancën e qeverisë.
Ju e përmendet pak më parë por ju pyes zyrtarisht tani që nuk e morëm dot statusin dhe nuk përmbushëm dot kriteret e Komisionit Europian, cili është qëndrimi i Gjermanisë?
Qëndrimi ynë është se janë të gjitha shanset që klasa politike të përmbushë kriteret politike të Kopenhagenit të cilat nuk do ti rendis këtu. Mendoj se kushtet janë mëse të qarta. Sapo këto kushte të plotësohen një tjetër raport do të mund të hartohet dhe në një prej takimeve të ardhshme të këshillit mund të ketë një rezultat pozitiv. Ndaj mendoj që pesimistët të mos hidhen menjëherë në konkluzione se gjithçka është e humbur, përkundrazi, gjithçka është e hapur. Është një proces me merita.
Meqë përmendet takimet e këshillit, është një i radhës në pranverë, a kemi ndonjë shans në pranverë nëse përmbushim gjithë ato që na kërkohen?
Vetëm përpiquni.
Por ndërkohë mendoni se zgjedhjet e vitit të ardhshëm duhet të jenë kriter për statusin kandidat mbase edhe për të stimuluar politikanët tanë për të organizuar zgjedhje plotësisht të lira e të ndershme?
Ato janë përfundimisht dhe përfshihen edhe në konkluzionet e këshillit ku thuhet se mbajtja e zgjedhjeve në përputhje me standardet europiane dhe ndërkombëtare bashkë me kritere të tjera si forcimi i pavarësisë së gjyqësorit. A nuk është normale që një vend që dëshiron të integrohet të ndajë vlera eruopiane duke mbajtur zgjedhje sipas standardeve europiane. Duhet të jetë një konkluzion mëse i ditur. Është më e pakta që presim të bëjë Shqipëria.
Le te fokusohemi pak tek situata energjitike në vend, që fatkeqësisht vazhdon të jetë shqetësuese për qytetarët shqiptarë. A jeni e zhgënjyer me problemet që ka hasur banka gjermane KFË në Shqipëri veçanërisht sa i përket linjës së interkonjeksionit me Kosovën?
KFW që do të thotë bankë për rindërtim është krijuar sipas modelit të Bankës Botërore dhe punon si banka botërore me hua konçesionare dhe grante. Janë para të qeverisë, pra është një bankë pronë e qeverisë. Siç e kemi thënë edhe kohët e fundit, nuk ka ende një zhvillim por do të ketë së shpejti zgjidhje. Ashtu si në çdo negociatë mund të arrish një pikë kur ke mospërputhje opinionesh por ekziston një zgjidhje që po merr formë. Ndaj mendoj se me një qasje konstruktive dhe vullnet për ta zgjidhur këtë çështje, mund t’ia dalim. Kjo është përshtypja jonë, që ekziston vullneti për ta zgjidhur këtë çështje.
Ju i referoheni linjës së interkonjeksionit me Kosovën dhe linjës së jugut?
Për të dyja linjat. Kemi indikacione pozitive për zgjidhje në të dyja çështjet.
Por ju lutem nuk mund ta thoni pse ministria e financave refuzon të nënshkruaje këtë marrëveshje sipas mendimit tuaj?
Pala gjermane propozoi një zgjidhje në bazë të disa kushteve, të cilat duket se do të plotësohen. Por kushtet janë si teknike dhe financiare ndaj duhen disa opinione për të pasur një panoramë të plotë, sepse nuk është aq e drejtpërdrejtë. Por nevojitet ekspertizë në shumë fusha, pra shumë shpejt do të marrë formë. Ndaj dhe jam pozitive.
E di që thatë për të dyja linjat, por do të doja t’iu pyesja është e vërtetë që OST-ja ka shkaktuar probleme apo pengesa edhe me linjën e jugut dhe pse?
Po ka pasur probleme me tenderin edhe për linjën e jugut por siç e thashë sinjalet që kemi marrë tregojnë që gjërat po zgjidhen.
Meqë po flasim për bashkëpunimin mes dy vendeve tona, ka ndonjë projekt të rëndësishëm për të ardhmen e afërt që do të donit ta ndanit me ne?
Ende kemi disa projekte tepër të rëndësishme infrastrukturore si linja e interkonjeksionit me Kosovën dhe linja e jugut. Gjatë negociatave të fundit ndërqeveritare ne folëm më shumë për projekte të reja në fushën e menaxhimit të mbetjeve ujore, uji dhe natyrisht mbetjet inerte. Kur udhëton përreth Shqipërisë, panorama e bukur natyrore në shumë vende është dëmtuar nga ekspozimi I mbetjeve.
Zonja ambasadore nëse jeni dakord do të doja t’iu pyesja për një çështje shumë delikate, gjykatësi Fejzo Hysi, i cili është një dëshmitar në çështjen kundër gjykatësit Neritan Tabaku, ka deklaruar se Ilir Xhakja, personi i akuzuar për vrasjen e kryekomisarit të Shijakut Adem Tahiraj, u lirua nga burgu pas një letre të dërguar nga Ambasada Gjermane dhe se kjo letër ndodhet në dosjen e Gjykatës së Lartë. Eshtë e vërtetë kjo dhe nëse po çfarë shkruhet në atë letër?
Ne nuk kemi asnjë informacion lidhur me këtë letër. Ne si ambasadë nuk kemi asnjë informacion mbi një letër të tillë.
Flasim pak për korrupsionin. Në indeksin e fundit të korrupsionit të Transparency International, Shqipëria u rendit 18 vende më poshtë në krahasim me vitin e kaluar. Cili është komenti juaj dhe a është ky një hap prapa në luftën kundër korrupsionit?
Indeksi ndërkombëtar I transparencës është një tregues perceptimi I korrupsionit që do të thotë se njerëzit e biznesit dhe të tjerët në këtë fushë pyeten, intervistohen dhe ky është një proces që bëhet në të gjithë botën. Për fat të keq Shqipëria ka zbritur në renditje për të katërtin vit radhazi në këtë indeks, çka nuk do të thotë domosdoshmërisht se në terma absolut gjërat janë përkeqësuar. Mundet të jetë që vende të tjera kanë ndërmarrë hapa me të vendosur drejt transparencës. Por edhe një herë Shqipëria ka një numër ligjesh që janë të domosdoshëm dhe kusht për të luftuar korrupsionin dhe krimin e organizuar. Çështja është që ato të implementohen. Gjithashtu institucionalisht, institucionet janë ndërtuar por ato duhet të përdoren në mënyrë adekuate dhe në mënyrë eficente dhe në këtë drejtim deklarata e dhënë nga prokurori i ri i përgjithshëm është mjaft inkurajuese. Ai tha që do ta bëjë luftën kundër korrupsionit prioritet të tij.
Ju e përmendet Prokurorin e Përgjithshëm dhe kështu dolët padashje tek pyetja ime e radhës. Cili është komenti juaj për procesin e emërimit të kryeprokurorit të ri që ka thelluar edhe më shumë retorikat mes mazhorancës dhe opozitës për shkak të mënyrës se si u zhvilluan procedurat?
Pavarësisht procesit duke parë CV-në e tij, ai duket se është i kualifikuar për detyrën që ka marrë. Me eksperiencën që ka dhe në detyrën e mëparshme ai është zgjedhur nga një shumicë e gjerë, çka është mjaft inkurajuese ashtu si dhe deklaratat e tij të para. Ndaj dhe unë shpresoj që ai do të mund të vazhdojë me qëllimet e tij të mira.
Le te fokusohemi në një tjetër çështje të nxehtë të ditëve të fundit që ka të bëjë me retorikat nacionaliste të ditëve të fundit. Kemi dëgjuar shumë të tilla nga politikanët shqiptarë, madje edhe nga vetë kryeministri Berisha. Cfarë mendon Gjermania për këto deklarata dhe një bashkim në të ardhmen mes Shqipërisë dhe Kosovës?
Disa vende fqinje kanë reaguar tashmë dhe jo shumë kohë më parë, rreth 20 vjet më parë ka pasur luftë në Ballkanin perëndimor. Ju ende mund ti shihni shenjat e kësaj lufte në vendet fqinje, në Kroaci, Bosnje Hercegovine, Kosovë dhe kjo ju tregon se një retorikë kaq nacionaliste mund të çojë në shkatërrim. Është tepër e rrezikshme dhe një ndryshim i kufijve është i padëshiruar. Politikanët shqiptarët na kanë garantuar dhe risiguruar që nuk kanë asnjë qëllim për të ndryshuar kufijtë.
Pra keni marre garanci nga politikanet tanë?
Nuk është një garanci zyrtare por një garanci verbale që Shqipëria nuk ka për qëllim ndryshimin e kufijve me këto retorika. Edhe në konkluzionet e këshillit të ministrave ka një pjesë ku thotë se Shqipëria duhet të evitojë deklarata që shkojnë kundër marrëdhënieve të mira fqinjësore.
Zonja ambasadore faleminderit për këtë interviste dhe faleminderit që ndamë bashkë këto çështje kaq të rëndësishme për Shqipërinë dhe veçanërisht sa i përket integrimit europian të vendit.
Faleminderit juve!

Share This Article
Leave a Comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *