Ministrja e Jashtme e Italisë, në Tiranë në tetor

anazapta

Ministrja e Jashtme italiane, Emma Bonino do të vizitojë zyrtarisht Tiranën në muajin tetor. Vizita e kryediplomates italiane është konfirmuar nga Ministria e Jashtme shqiptare, e cila njofton lidhur me takimin e shefit të diplomacisë shqiptare, Ditmir Bushati dhe ambasadorit të Italisë në Tiranë, Massimo Gaiani.

Në njoftimin e MPJ-së theksohet se “ministri Bushati dhe ambasadori Gaiani diskutuan mbi vizitën në tetor të ministres së Jashtme italiane, znj. Emma Bonino, si homologia e parë që do të vizitojë Tiranën pas zgjedhjeve të 23 qershorit. Dy bashkëbiseduesit theksuan dhe nevojën e intensifikimit të bashkëpunimit ekonomik në rang kombëtar dhe lokal mes dy vendeve”.

Gjatë vizitës që Rama bëri në Romë në korrik të këtij viti, ai takoi edhe Emma Boninon, e cila i shprehu gatishmërinë për të vazhduar në ndihmën e Shqipërisë drejt BE-së.

“Jam shumë e kënaqur që pata mundësinë të shoh mikun tim Edi Rama në këtë detyrë të re, – tha në korrik, pas takimit me kryeministrin Rama, ministrja Bonino. – Njihemi prej shumë vitesh dhe besoj që së bashku mund të vendosim themelet e një fillimi të ri, një fillimi të ri jo të miqësisë mes vendeve tona, por një fillim të ri për Shqipërinë, në rrugën e saj drejt Europës. E besoj se ndihma e Italisë mund të jetë vërtetë frytdhënëse, si për ne ashtu edhe për shqiptarët. Një rinisje e vërtetë për ne në një rrugë të vështirë, po me shumë shpresa”.

Share This Article
1 Comment
  • Zonja e Nderuar , Ministre Emma Bonino, eshte Mike Shqiperise ,por edhe e Shqiptareve te Çamerise. Si antare e Partise Radikale Italiane, bashke me Kryetarin dhe deputete te asaj partie ne Parlamentin Europian, kane ngritur dhe mbrotur Çeshtjen e Çamerise Shqiptare atje!Prandaj Shqiptaret e Çamerise qe ende pikon gjak, duhet ta presin me shume dashuri dhe mirenjohje kete Demokrate te Denje Nderkombetare

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *