Formulari A1, nis sot aplikimi për maturantët e Tiranës. Gabimet që s’duhet të bëni

Ornela

Plotësimi i formularit A1 në afatet e përcaktuara është vendimtar për të gjithë maturantët që duan të vijojnë më tej procedurat e konkurimit për vijimin e studimeve universitare në një nga institucionet e arsimit të lartë përgjatë vitit të ardhshëm akademik, qofshin këto publike, apo private.

Matura 2019 nis zyrtarisht sot me hapjen e aplikimeve online për maturantët e këtij viti. Sikundër është bërë e ditur edhe më herët, të parët që do të aplikojnë në sistem duke nisur nga dita e sotme janë maturantët e kryeqytetit, të cilët gjatë plotësimit të formularit A1 do të zgjedhin edhe lëndën që do të japin si provim me zgjedhje, krahas tre provimeve të detyruara që janë tashmë të përcaktuara nga dikasteri i Arsimit.

Sipas afateve të aprovuara nga QSHA, maturantët e qarkut të Tiranës kanë tre ditë afat në dispozicion për të bërë plotësimin e këtij formulari. Konkretisht, në datën 16 janar kanë të drejtë të aplikojnë në sistem maturantët e Tiranës qytet, si dhe të Tiranës Qark.

Ndërsa përgjatë ditës së nesërme plotësimi do të vijojë edhe në shkollat e Kamzës, Kavajës, Krujës, si dhe Durrësit. Aplikimi për qarkun e Tiranës do të përfundojë në datën 18 janar, për të vijuar më tej me maturantët e rretheve të tjera të vendit sipas datave të detajuara në vijim të shkrimit.

Si duhen plotësuar tre pjesët e formularit A1

Plotësimi i këtij formulari do të zhvillohet në ambientet e shkollës së mesme që maturanti ndjek. Për të shmangur pasaktësitë në plotësim, çdo nxënës do të ndihmohet edhe nga një mësues mbikëqyrës i ngarkuar nga drejtoria e shkollës përkatëse ku bëhet aplikimi.

“Formulari i plotësuar duhet të printohet, nënshkruhet nga maturanti dhe mbikëqyrësi, si dhe të vuloset nga drejtori i shkollës ku plotësohen formularët A1. Shkolla ruan një kopje të formularëve të printuar deri në përfundim të Maturës Shtetërore 2019”, sqarojnë ekspertët e MASR.

Në pjesën e parë të formularit maturanti duhet të plotësojë të dhënat personale sa i takon identifikimit të tij përgjatë gjithë procesit të maturës. Këto të dhëna duhet të plotësohen në mënyrë sa më të saktë. Gjithashtu, një tjetër pikë e rëndësishme e kësaj pjese të formularit është edhe konfirmimi i adresës së emailit.

Çdo maturant duhet që të shënojë në fushat përkatëse  të formularit adresën e emailit dhe numrin e telefonit, të cilat duhet të ruhen të pandryshuara deri në fund të Maturës Shtetërore 2019, me qëllim që kandidati të marrë informacion në faza të ndryshme të procesit. Nëse maturanti nuk ka telefon, ose nuk dëshiron të shënojë numrin e telefonit, atëherë mbikëqyrësi shënon numrin e tij te telefonit”, saktësohet në udhëzimin e plotësimit të formularit A1. Pjesa e dytë e plotësimit të formularit vijon me hedhjen në sistem të të dhënave shkollore.

Te dhënat shkollore do të plotësohen në bashkëpunim me mbikëqyrësin e sallës ku bëhet aplikimi. Për plotësimin saktë të kërkesave të këtij grupimi, maturanti dhe mbikëqyrësi duhet të marrin informacion të saktë dhe të plotë për secilën nga rubrikat përkatëse.

Plotësimi i të dhënave lëndore

Ndërsa në pjesën e tretë të formularit duhet të plotësoni të dhënat lëndore që kanë të bëjnë me provimin me zgjedhje, si dhe tre provimet e detyruara.

“Zyrtarisht, lëndët e provimeve të Maturës Shtetërore 2019 për shkollat e arsimit të mesëm të lartë janë: 3 provime të detyruara, përkatësisht në lëndët gjuhë shqipe dhe letërsi, matematikë, dhe gjuhë e huaj e parë, si dhe një lëndë që do të jepet si provim me zgjedhje, e cila do të përzgjidhet sipas preferencave të maturantit nga listat e miratuara për secilin profil shkollor”, bëjnë me dije ekspertët e MASR.

Sa i takon provimit me zgjedhje, maturanti duhet të zgjedhë këtë lëndë nga lista e 11 lëndëve të miratuara për maturantët e shkollave të mesme të përgjithshme dhe atyre artistike.

Ndërkohë që për maturantët e shkollave profesionale janë përcaktuar lëndët përkatëse nga ku duhet të zgjedhin vetëm një për ta dhënë si provim me zgjedhje.

Përzgjedhja e gjuhës së huaj

Sipas kushteve të përcaktuara në rregulloren e provimeve të këtij viti, testi i gjuhës së huaj që do të jepet si provim i detyruar (D3) do të hartohet në përputhje me gjuhën, e cila në planin mësimor të arsimit të mesëm të lartë (gjimnazit) trajtohet si gjuhë e huaj e parë.

Testi i provimit do të jetë në nivelin gjuhësor që përcaktohet në kurrikul në përfundim të studimeve të shkollës së mesme që maturanti kryen. Lënda që do të jepet si provim i detyruar i gjuhës së huaj, do të përzgjidhet gjatë plotësimit të formularit A1.

Për të qenë kalues, si në tre provimet e detyruara, ashtu edhe në atë me zgjedhje, maturanti apo kandidati i maturave të shkuara, duhet të marrë detyrimisht 20 për qind të pikëve totale me të cilat vlerësohet testi.

Përzgjedhja e testeve përfundimtare të provimeve të maturës sërish do të bëhet përmes teknologjisë digjitale. Me ndryshimet e bëra në maturën e këtij viti, testi i secilës lëndë të detyruar apo me zgjedhje do të vlerësohet me 60 pikë në total.

Datat kur duhet të aplikoni:

  • Në 16 janar do të aplikojnë në sistem maturantët e Tiranës qytet dhe qark.
  • Në 17 janar aplikimi vijon me maturantët e Tiranës , Kamzës, Kavajës, Krujës, Durrësit.
  • Në 18 janar aplikimi vijon me maturantët në Durrës, Kamëz, Kavajë, Krujë, Elbasan, Peqin, Gramsh.
  • Në 21 janar aplikimi vijon me maturantët në Elbasan, Peqin, Gramsh, Librazhd, Korçë, Pogradec, Kolonjë dhe Devoll.
  • Në 22 janar aplikimi vijon me maturantët në Fier, Mallakastër, Lushnje, Librazhd, Korçë, Pogradec, Kolonjë, Devoll.
  • Në 23 janar aplikimi vijon për maturantët në Berat, Kuçovë, Skrapar, Fier, Mallakastër, Lushnje, Shkodër.
  • Në 24 janar aplikimi vijon me maturantët në Shkodër Malësi e Madhe, Pukë, Berat, Kuçovë, Skrapar, Kukës, si dhe Tropojë.
  • Në 25 janar aplikimi do të vijojë me maturantët në Shkodër Malësi  e Madhe, Pukë Berat, Kuçovë, Skrapar Kukës, si dhe Tropojë.
  • Në 28 janar aplikimi vijon me maturantët në Dibër, Mat, Bulqizë, Vlorë, Sarandë Gjirokastër, Tepelenë, si dhe Përmet.
  • Në 29 janar aplikimet do të përfundojnë me maturantët në Vlorë, Sarandë, Gjirokastër Tepelenë, Përmet, si dhe Delvinë.

 

Lista e 46 lëndëve për provimin me zgjedhje përfshin:

  1. Kimi
  2. Fizikë
  3. Biologji
  4. Histori
  5. Gjeografi
  6. Qytetari dhe Psikologji
  7. Filozofi dhe Sociologji
  8. Ekonomi
  • Për shkollat e profilit artistik
  1. Histori Baleti
  2. Histori Arti
  3. Histori Muzike
  • Për shkollat profesionale
  1. Hoteleri-turizëm
  2. Shërbime mjetesh transporti
  3. Mekanikë
  4. Elektroteknike
  5. Elektronikë
  6. Përpunim Druri
  7. Ndërtim
  8. Tekstil Konfeksione
  9. Tekstil Konfeksione (NABER-ADA)
  10. Teknologji Ushqimore
  11. Bujqësi
  12. Shërbime sociale dhe shëndetësore
  13. Instalues i sistemeve termohidraulike
  14. Teknologji Kimike
  15. Peshkim
  16. Detari
  17. Gjeologji-miniera
  18. Llogari
  19. Shërbime Bankare
  20. Sipërmarrje e agjencisë turistike
  21. Sigurime
  22. Tregti
  23. Administrim biznesi
  24. Rrjete të dhënash
  25. Mbështetje të përdoruesve të TIK
  26. Zhvillim Website
  27. Rrjete të dhënash (pilot-giz)
  28. Inxhinieri informatike softweresh
  29. Silvikulturë
  30. Agrobiznes
  31. Gjeodezi
  32. Veterinari
  33. Biznes Harry Fultz
  34. Elektronikë Harry Fultz
  35. Automekanik Harry Fultz

o.j/dita

Share This Article
Leave a Comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *