Deputeti i Fierit zbulon Myzeqenë!…

redaktor

Gjatë një prononcimi publik deputeti socialist i qarkut të Fierit, Erjon Braçe është shprehur para zgjedhjeve të 23 qershorit të këtij viti se: “…Kam zbuluar njërën nga krahinat më të bukura të Shqipërisë, buzë autostradës deri në det, një ekosistem si në përrallë. Përulem para njerëzve që e kanë ruajtur. Është  krahina më punëtore e  Shqipërisë…Kush dyshon, të vijë ta shohi…!”

Temperaturat e larta  të “verës politike”  të këtij viti shkarkuan “të korrat” edhe për myzeqarët. Zgjedhjet sollën qeverinë dhe parlamentin e ri nga foltorja e të cilit, shpresojmë të dëgjojmë se si të  “thënat” e shumta ndër mitingje dhe kuvendimet elektorale, do të kthehen në të “bëra”.

Duke bashkuar urimin tonë për gjithë deputetët e votuar nga zgjedhësit myzeqarë, shprehim  dëshirën se ata do të shndërrohen në promotorë të zhvillimeve të pritshme ekonomike dhe social-kulturore të Myzeqesë dhe gjithë Shqipërisë, për ta kthyer sloganin politik “Myzeqeja meriton më shumë” në një realitet tashmë të njohur dhe të përsëritur nga të gjithë shtetarët  dhe deputetët, sidomos gjatë fushatave elektorale. Themi kështu pasi duam të besojmë se  votuesit myzeqarë kanë bërë  zgjedhjet e duhura duke na siguruar kësisoj se në parlamentin e ri të Shqipërisë, emri i Myzeqesë dhe problematika me të cilën banorët e saj përcjellin jetën e përditshme do ta zënë vendin e merituar. Sigurisht, Shoqata  kombëtare “Myzeqeja” nuk  ka për qëllim dhe as merr përsipër t’u bëjë  “iso politike” partive që mbështetën deputetët tanë cilatdo qofshin ato. Por ne bashkohemi me mijëra myzeqarë të cilët, për vite me radhë duartrokasin qeveritë që shkojnë e vijnë, duke kërkuar prej tyre, mjetet themelore të jetesës, shpesh të reduktuara në trinomin e njohur; drita-ujë-rrugë. Dhe jo rrallë janë zhgënjyer nga premtimet tërkuzë, të përsëritura në çdo fushatë elektorale, mosmbajtja e të cilave thumbohet këtej me  thënien  e njohur “Qëllo dhe njëherë pa të shohësh…”

Është i përfolur dhe i hidhur fakti që rëndom ndodh si atëherë kur partia e punës mburrte myzeqarët sa herë u vilte prodhimet  bujqësore, ndërsa disa nga partiakët e sotëm, kujtohen t’i mburrin sa herë shkojnë për t’ju vjelur votat…

Gjithsesi, është për tu lëvduar entuziazmi i deputetit të ri (për Fierin), zotit E.Braçe të cilin, e befason realiteti myzeqar i njerëzve dhe i punës aty,  mjediset e kultivuara dhe banorët e tyre, të cilët doemos, të motivojnë e nxisin për realizime dhe projekte progresive.

Dhe ku janë këto realitete njerëzish dhe mjedisesh që meritojnë plotësisht vlerësime të tilla? Janë aty, në Myzeqe, në Lushnjë dhe Divjakë, në Remas  dhe Tërbuf, në Grabian e gjithkund kësaj fushe të bekuar, me tokë pjellore dhe njerëz punëtorë, këtij hambari historik  të Shqipërisë, njëra nga trevat më të populluara dhe më të kultivuara të vendit. (1350 km2, rreth 350.000 banorë,mbi 70 km bregdet). Deputeti ynë i ka prekur me dorë dhe i ka shkelur me këmbë këto realitete, ndaj edhe i ka njohur në fjalë e në punë, në hallet që kanë dhe  rrugët nga mund të ecet.

Duke e falënderuar deputetin Braçe posaçërisht për sinqeritetin dhe saktësinë e vlerësimit, është rasti të heqim  edhe ndonjë paralele me kolegë deputetë të cilët, ndonëse nuk janë rioshë në qarkun e Fierit, gjenden ndër këto fshatra si “të zbresin nga  hëna” duke përsëritur në çdo fushatë të njëjtat premtime dhe duke abuzuar me virtutet, tolerancën dhe fisnikërinë e këtyre banorëve. Slogani “Myzeqeja meriton më shumë” është shkruar ndër këto vite në mijëra kapele dhe bluza të mitingashëve që përdorin deputetët për “mjediset festive” ndër fushatat elektorale, por thuajse asgjë nuk bënë për të realizuar qoftë edhe një nga qindra merita  të banorëve  të saj.

Në mandatin e shkuar (2009-2013), myzeqarët kishin arsye të shpresonin më shumë.  Disa nga deputetët e tyre u bënë edhe ministra. Madje, ministra të ekonomisë, të  naftës  dhe energjisë,  të ndërtimit dhe të rrugëve. Mirëpo pikërisht këta deputetë-ministra nuk u kujtuan më për premtimet që bënë…

Banorët ë 11 fshatrave të komunës së Libofshës,  ende sot e “kapin veshin e majtë me dorën e djathtë” duke u rrotulluar nga Mbrostari për të shkuar në Lushnjë e më tej, vetëm për 4-5 km rrugë nga Ardenica  deri në Libofshë. “Rrugët drejt detit janë prioritet i qeverisë tonë…!?” Shumë e saktë dhe po kaq e pritur. Të gjitha rrugët e Myzeqesë çojnë drejt detit, por dhe si janë?  Rruga  Fiershegan-Gradishtë-Divjakë, është arter shumë i rëndësishëm për gjithë Myzeqenë dhe fshatrat poshtë Beratit. Po kështu rruga Ardenicë-Libofshë- Ndërnënas (bregdet dhe plazh komunar). “Do ndërtojmë autostradën e Myzeqesë Golem-Vlorë gjatë bregdetit” guxoi të premtonte njëri nga ish-deputetët. Edhe rrugët për në plazhet zonale të Semanit, Povelçës etj,  pas këtyre premtimeve veresie, “ngrenë veshët” e presin…

Veç  këtyre,  për ata që  duan ta dinë, Myzeqeja ka edhe  një histori të vlerësuar kombëtarisht. Nëse ndonjëri, qoftë edhe deputet, nuk e njeh historinë e Shqipërisë apo më keq akoma, nuk do ta njohi këtë tablo heroizmi të myzeqarëve, aq më keq për atë. Mund të kujtojmë se Lushnja dhe gjithë treva e Myzeqesë mbartin mbi supe historinë e dy kongreseve kombëtare të cilët, vunë themelet e shtetit  shqiptar. Se Fieri me banorët dhe fshatrat e tij ishin qëndra e shpërthimit luftarak kundër diktaturës anadollake të qeverisjes zogiste dhe jo vetëm, në vitet 1924, 1935, 1943, etj. Shikoni simbolet historike  në trevën e Myzeqesë, lapidarët, bazat e  Luftës dhe pllakat përkujtimore të cilat, dëshmojnë për mbi njëzetë dëshmorë  në secilën  komunë.  Vetëm një miop apo keqdashës që s’do ta shoh këtë realitet, ndërmerr veprime nepotike në shërbim të tarafllëqeve për heroizma folklorike dhe butafori krahinore, duke mbartur në qendrat qytetare të Myzeqesë buste nga krahina të tjera, siç ka ndodhur në qytetin e Fierit.

Gjithashtu,  janë të dukshme dhe të vlerësuara botërisht, pasuria dhe  bollëku kulturor e artistik ndër  banorët e  Myzeqesë. Emrat e artistëve dhe shkencëtarëve si Jakov Xoxa, Vaçe e Hysni Zela, Miço, Vlash dhe Marika Kallamata, Albert  Verria, Vilson Kilica, Loni Papa, Vath Koreshi, Nasho Jorgaqi, Kristaq Dhamo, Naun Doko Prifti, Petro Janura, Koli Xoxi, Jani Minga, etj, janë vetëm disa nga dhjetra të tillë.

Ne vlerësojmë se deputetët, aq sa janë përfaqësues të një force politike janë edhe produkt i i besimit reciprok mes veprës së tyre në dobi të zgjedhësve dhe elektoratit që voton. Pikërisht në këtë këndvështrim, do të prisnim nga deputetët tanë të nderuar që, sa herë  veprimtaria e tyre legjislative, bashkëpunimi me ekzekutivin dhe pushtetin vendor, do shtrojnë për zgjidhje probleme të Myzeqesë dhe banorëve  të saj, në vend të kundërshtarit politik, (siç edhe ka ndodhur fatkeqësisht), të jenë partnerë dhe bashkëpunëtorë me njeri tjetrin.

Myzeqeja jonë, trevë e shtrirë  gjatë dhe bukur pranë detit, kodrës dhe pyllit, me kaq shumë rezerva dhe potenciale të pashfrytëzuara bujqësore dhe turistike, intelektuale dhe kulturore, e kërkon dhe e meriton plotësisht një lobing të tillë parlamentar, ku deputetët e ardhur në parlament si të përzgjedhurit e këtyre njerëzve, të bashkojnë zërin dhe votën për t’u shërbyer me gjithë mundësitë dhe mjetet ligjore. Rruga dhe dritat, moçalet dhe djerrinat (që po duken sërish në Myzeqe), nuk duan t’ia dinë se cilës parti i përket  deputeti. Myzeqari do shtetin “tek porta” t’ia qajë hallin dhe t’ia zgjidh ligjërisht. Nëse gjithë deputetët e krahinës sonë do ta bashkojnë zërin dhe votën, mund të shpresojmë se Myzeqeja e cila, sigurisht, meriton  më shumë, do  zbukurohet  dhe pasurohet vazhdimisht. Rezervat e pafundme  dhe reliket e mrekullueshme të saj  si bregdeti i virgjër,Apolonia, Ardenica, Divjaka, Semani, Laguna e Karavastasë, Darësia e valëzuar në kodra, etj, do të shndërrohen vërtetë në “Zonja Divjakë”.  Rrugët dhe qendrat komunare dhe administrative si Roskoveci, Divjaka, Bubullima, Libofsha, Levani, Mbrostari, Patosi, Krutja, etj, do të shndërrohen në mjedise të kulturuara, larg pluhurave e plehrishteve të sotme.

Duke qenë se këto probleme janë edhe pjesë e premtimeve elektorale, besojmë se  deputetët e Myzeqesë, do bashkojnë votat dhe përpjekjet e tyre për ta kryer detyrimin e madh që kanë marrë përsipër ndaj votuesve myzeqarë.

Punë të mbarë të nderuar deputetë!

*Kryetar i Shoqatës ‘Myzeqeja”

Share This Article
6 Comments
  • te lumte ajo pene z.Naun dhe ju uroj shendet

    shkrim shume i bukur dhe analize e goditur
    “Myzeqari do shtetin tek porta”
    shpresojme qe Rilindja do beje shume per Myzeqene

  • lobing o kule !. Është i përfolur dhe i hidhur fakti që rëndom ndodh si atëherë kur partia e punës mburrte myzeqarët sa herë u vilte prodhimet bujqësore, ndërsa disa nga partiakët e sotëm, kujtohen t’i mburrin sa herë shkojnë për t’ju vjelur votat…lobing!????????????????? “Myzeqari do shtetin tek porta??. lobing o kule!
    I DI hapgjati tropojes dhe nano xhini dhe allstar game dhe i biri i xhepes keto??????????????.RROFTE PARTIA E RINDERTUAR E PUNES SE SHQIPERISE

  • Zoti kryetar i Shoqatës, do të bëje mirë të ngrije zerin për shkatërrimin e pyllit të Semanit nga të korrupturit, hajdutët e politikës dhe ordinerë.
    Po shkatërrohet ekosistemi nga grykëderdhja e Semanit deri në grykëderdhja e Vjosës duke prerë pyllin e pishave të mbjella gjatë viteve 1960-’70.

  • Une profesor do uroj qe mos ndodhe si ajo barsaleta qe trgohesh ne kohen e merhumit qe: ja Loni prej betoni ja dhe Loni prej verteti. Eshte e vertete qe myzeqeja meriton me shume por uroj qe ata deputetet tuaj mos jene si lenka ose themija.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *