Prof. Fatos Tarifa
Një dëshirë e viteve të rinisë
Hyrja ime në shërbimin diplomatik shqiptar në vitin 1998, një dëshirë dhe ëndërr e viteve të rinisë, nuk mundi të realizohej dot sa kohë që unë jetova në Shqipëri. Në shtatorin e vitit 1998, kur një qeveri socialiste, e drejtuar nga Fatos Nano, më ftoi të bëhesha pjesë e shërbimit diplomatik shqiptar, duke më emëruar ambasador pranë Oborrit të Mbretëreshës Betrix në Hollandë, unë sapo kisha fituar gradën PhD në Sociologji në Universitetin e Karolinës së Veriut, në Chapel Hill, dhe vazhdoja të jetoja e të punoja në Shtetet e Bashkuara. Ftesa e qeverisë Nano, e cila më erdhi në ditët më të vështira të qeverisjes së tij, pas përpjekjes për një grusht shteti në shtatorin e atij viti, më ktheu sërish në atdhe, duke mundësuar realizimin e një ëndrre të vjetër.
Në fillimin e viteve 1980, kur sapo isha emëruar pedagog i filozofisë paramarksiste në Fakultetin e Shkencave Politike e Juridike të Universitetit të Tiranës, u duk se dikush që më njihte e më vlerësonte ishte i interesuar që unë të merrja një emërim në Ministrinë e Punëve të Jashtme. Më kujtohet, madje, se atëherë u fol se mund të filloja punë si Sekretar i Parë në ambasadën shqiptare në Athinë. Kjo nuk ndodhi.
Nga fundi i viteve 1980, me interesimin e drejtpërdrejtë të z. Nazim Skuqi, në atë kohë zëvendësministër i Arsimit, u duk se do të isha kandidati kryesor që do të zgjidhej për t’u dërguar në Romë, si përfaqësues i Ministrisë së Punëve të Jashtme dhe i Ministrisë së Arsimit njëkohësisht, pranë ambasadës shqiptare atje, për të mbikqyrur mbarëvajtjen dhe mirëqënien e studentëve shqiptarë që kryenin studime universitare në Itali. Kjo, gjithashtu, nuk ndodhi. Një tjetër individ u emërua në atë detyrë.
Nga Tropoja në…Brazil!
Edhe pse në gjysmën e dytë të viteve 1980 mund të thuhet se isha afirmuar si një studiues dhe autor i disa librave në fushën e shkencave shoqërore dhe si një njohës i mirë i gjuhës angleze në radhët e intelektualëve të rinj shqiptarë, deri në vitin 1989, çdo përvojë intelektuale e imja ishte e kufizuar brenda kufijve shtetërorë të Shqipërisë. Rasti për të udhëtuar jashtë vendit m’u dha për herë të parë në vitin 1989. Një rast i papritur, madje, nga shumë pikëpamje, i çuditshëm për mua vetë dhe për shumë të tjerë.
Ishte pasditja e 31 dhjetorit 1988, kur Mehmet Elezi, në atë kohë Sekretar i Parë i Komitetit Qendror të Rinisë (BRPSH-së), kërkoi të më takonte në zyrën e tij për një çështje “të rëndësishme e të ngutshme”.
Njohja ime me Mehmet Elezin deri në atë kohë kishte qenë shumë e kufizuar. Për më tepër, mua më dukej se atëherë nuk gëzoja ndonjë simpati të veçantë tek ai. Nuk e fsheh se as unë nuk kisha pasur deri në atë kohë ndonjë konsideratë të veçantë për të. Mehmet Elezin e kisha njohur përmes miqve tanë të përbashkët në ato vite, Remzi Lani, që ishte kryeredaktori i Zërit të Rinisë, dhe Besnik Mustafaj, i cili kishte qenë fillimisht gazetar i Zërit të Popullit dhe, më vonë, redaktor në Institutin e Studimeve Marksiste-Leniniste, pranë Komitetit Qendror të Partisë së Punës.
Në vjeshtën e vitit 1988, së bashku me një grup studentësh të degës së filozofisë, të cilëve në atë kohë u jepja mësim metodat e hulumtimit sociologjik, si dhe me një grup studentësh të Institutit të Lartë të Arteve, vullnetarisht vendosa që të drejtoja një ekspeditë kulturore në rrethin e Tropojës. Objekti dhe qëllimi i asaj ekspedite ishte të ndihmonte në afirmimin e normave të reja të jetesës në radhët e popullsisë fshatare të kësaj zone të thellë verilindore të vendit, e cila kishte mbetur për shumë kohë mjaft e izoluar dhe larg zhvillimeve ekonomike, shoqërore e kulturore të pjesës tjetër të Shqipërisë.
Mbresat e fituara nga vizitat e asaj kohe në shumë fshatra të Tropojës, përfshirë edhe ata më të largëtit, si Lekbibaj dhe Curraj i Epërm, kanë mbetur e do të mbeten të pashlyera tek unë. Mehmet Elezi ishte vetë nga fshati Markgegaj i Tropojës, fshat që, gjithashtu, bënte pjesë në itinerarin e ekspeditës sonë. Duket se ka qenë pikërisht kjo ngjarje, vajtja ime me atë ekspeditë kulturore në rrethin e tij të largët, ajo që i ndryshoi këtij njeriu përshtypjen që kish pasur për mua si një “intelektualist”, si një njeri librash dhe i shkëputur nga jeta, siç më pohoi më vonë ai vetë.
Më 31 dhjetor 1988, në zyrën e tij, të cilën unë e vizitoja për herë të parë, Mehmet Elezi më priti shumë miqësisht. Biseduam shkurt, kryesisht për çështje shoqërore, duke përmendur shkarazi edhe përvojën time në Tropojë. Kurioziteti im për atë çështje “të rëndësishme e të ngutshme”, për të cilën z. Elezi më kishte ftuar në zyrë atë ditë, nuk zgjati shumë. Në mënyrën më të natyrshme, sikur të ishim njohur prej kohësh, ai më tha:
“Fatos, kam menduar që t’i të shkosh në Brazil”.
Boom! Një surprise e vërtetë për mua.
“Mimoza Jaze”, vijoi më tej ai, “do të kryesojë një delegacion të rinisë shqiptare në kongresin botëror të organizatave të majta rinore, që do të mbahet në Rio de Janerio, në mes të janarit”.
Njoftimi i tij më la pa gojë. Ajo ka qenë ndoshta surpriza më e madhe që më ishte bërë deri në atë kohë. Do të dilja për herë të parë jashtë vendit tim për të vizituar, oh, Brazilin, Rion, për më tepër në sezonin e karnavaleve.
Nuk i përmbajta dot as gëzimin për lajmin që sapo kisha marrë, as kureshtjen për të mësuar pse ai njeri, Mehmet Elezi, më kishte zgjedhur pikërisht mua për këtë udhëtim, të cilin çdokush do ta kishte ëndërruar. Pse këtë nder ma bënte mua, kur mund t’ia kish bërë një tjetri, ndonjërit prej shokëve ose miqve të tij!
Në fund të viteve 1980, kur Shqipëria ishte ende një vend tërësisht i mbyllur dhe i vetizoluar, të dalët jashtë shtetit ishte një privilegj vetëm për shumë pak njerëz. Kurse Brazili…!! Sa shqiptarë e kishin vizituar këtë vend magjepës deri në atë kohë?! Ndoshta dy apo tre funksionarë të lartë të Partisë së Punës, ose, ndoshta, edhe një apo dy zyrtarë të lartë të Bashkimeve Profesionale. Për shqiptarët e tjerë, Brazili ishte vetëm vendi i futbollit, i Peles, i karnavaleve dhe i dy amazonave, lumit të madh dhe Zhoao Amazonës, liderit të Partisë Komuniste të atij vendi, të cilin Enver Hoxha e konsideronte mikun e tij të ngushtë.
Nuk më kujtohet se si e formulova pyetjen për z. Elezi mbi arsyen pse më kishte zgjedhur pikërisht mua, por mbaj mend që i thashë se ky lajm më gjente tërësisht të papërgatitur për t’i përmbajtur si habinë, ashtu dhe gëzimin tim. E falënderova për konsideratën dhe për nderin që po më bënte duke më dhënë mundësinë të dilja për të parën herë jashtë vendit.
Atëherë unë isha 34 vjeç.
Shpjegimi i tij nuk më kujtohet, por mbaj mend se, në bisedë e sipër, z. Elezi u tregua shumë miqësor dhe, ndër të tjera, përmendi se i kishte bërë përshtypje ekspedita ime në Tropojë.
Mundësia braziliane
Me interesimin e drejtpërdrejtë të tij dhe të Agim Popës, i cili në atë kohë ishte Drejtor i Drejtorisë për Marrëdhëniet me Jashtë në aparatin e Komiteti Qendror të PPSH-së, u bë e mundur që të merrja, brenda dy ditëve, një pasaportë shërbimi, edhe pse procedurat burokratike për marrjen e një dokumenti të tillë ishin të gjata e shumë të komplikuara. Kjo ishte e para herë që unë merrja në dorë një pasaportë, me të cilën mund të udhëtoja jashtë vendit. Vetëm dy-tre ditë më vonë, me një notë zyrtare të Ministrisë së Punëve të Jashtme, m’u dha një vizë italiane tranzit për të shkuar në Romë, ku ishte parashikuar të merrej viza braziliane. Edhe pse me Brazilin Shqipëria kishte marrëdhënie diplomatike, as ne, as ata nuk kishim ambasadorë rezidentë në kryeqytetet tona. Në atë kohë, marrëdhëniet diplomatike me Brazilin Shqipëria i mbulonte përmes ambasadës shqiptare në Buenos Aires, ndërsa Brazili përmes ambasadës së vet në Romë.
Për shkak të kohës së shkurtër deri në fillim të kongresit, unë dhe dy koleget e mia, me të cilat do të udhëtoja për në Rio, Mimoza Jaze dhe Liri Mane, u nisëm me urgjencë për në Romë, ku na ishte premtuar se do të merrnim vizat braziliane. Ambasador i Shqipërisë në Romë në atë kohë ishte i ndjeri Bashkim Dino. Edhe pse nuk kishte marrë asnjë garanci nga konsullata braziliane për dhënien e vizave tona, ambasadori Dino e kishte siguruar Ministrinë e Jashtme në Tiranë se Konsulli i Përgjithshëm i Brazilit në Romë, të cilin e kishte mik, do të na ndihmonte të kryenim punë në kohë.
Përgatitjet për udhëtimin tim të parë jashtë shtetit ishin të shumta. Në familje flitej për të çdo ditë. Mes shokëve të mi udhëtimi im në Brazil u bë temë qendrore e bisedave tona të përditshme. Ç’fat i madh, thonin të gjithë. Si i rënë nga qielli. Shumë pak prej shokëve të mi kishin udhëtuar deri atëherë jashtë shtetit. Ksenofon Krisafi kishte qenë dy-tri herë në Paris dhe një herë në Nju York. Paskal Milo kishte qenë në Paris, në Athinë dhe në Romë. Neshat Tozaj kishte qenë gjithashtu në Paris. Artan Fuga kishte qenë një herë në Rumani për arsye shëndetsore. Remzi Lani kishte vizituar Sirinë në përbërje të një delegacioni rinor. Kush tjetër? Spartak [Tak] Gjini dhe Eduard [Edi] Kurtezi nuk kishin pasur deri atëherë asnjë mundësi të udhëtonin jashtë vendit. Edi do të udhëtonte për herë të parë një vit më vonë, më 1990, në Kanada, ndërsa për Takun mundësitë u krijuan po atë vit kur ai filloi punë në një nga ndërnarrjet e tregëtisë së jashtme.
Ditët shkonin pa u vënë re. U blenë dhurata për miqtë që mund të zija në Rio ose në Brazilia, një kostum i ri, një palë këpucë të reja, një aparat fotografik. Fillova të lexoj mbi historinë e Brazilit, mbi formën e qeverisjes, mbi kulturën e atij vendit dhe mbi karnavalet në çdo enciklopedi që munda të gjej në Bibliotekën Kombëtare. Një çift i ri nga Brazili, që në atë kohë punonin si përkthyes për Radio Tiranën, bashkë me Liri Manen, na ftuan në rezidencën e tyre për të na mësuar samba.
“Meqenëse shkoni në Rio në periudhën e karnavaleve”, na thanë ata, “do j’u duhet të kërceni samba”.
Çifti brazilian banonte në një prej “vilave gjermane”, siç quheshin në atë kohë shtëpitë në të cilat strehoheshin familjet e huaja që u përkisnin grupeve politike të majta që sponsorizonte Partia e Punës. Më kujtohet se, në të kohë, Lambada ishte muzika e ditës, veçse, sado e bukur për veshin tim, kjo muzikë ritmike—dhe çdo muzikë tjetër braziliane që luajtën atë mbrëmje çifti i ri i përkthyesve të Radio Tiranës—nuk ishte diçka që mund të kërcehej lehtë.
Një skenar gati holivudian
Shumë hollësira nga ajo kohë ndoshta nuk kanë mbetur në kujtesën time, por një ndodhi e mbaj mend mirë. Ndërsa përgatitesha për udhëtimin kaq të dëshiruar në Rio, Bardhyl Minxhozi, një shoku im, i cili në atë kohë ishte pedagog i ekonomisë politike në Universitetin e Tiranës, më takoi në një nga sallat e Bibliotekës Kombëtare, ku si unë dhe ai kalonim atëherë pjesën më të madhe të kohës, dhe më ftoi për kafe. Ajo që do më thoshte ai ishte një histori, të cilën nuk kam mundur ta harroj kurrë.
Gjatë Luftës së Dytë Botërore, një çift hebrejsh, që jetonin në Shqipëri, lindën këtu një djalë. Kur, pas kapitullimit të Musolinit, Shqipëria u pushtua nga nazistët, çifti hebre vendosi të largohej nga vendi ynë për t’i shpëtuar rrezikut nazist. Të pasigurt për fatin që i priste, ata vendosën ta linin fëmijën e tyre të porsalindur në Tiranë, nën kujdesin e një familjeje shqiptare, me të cilën ishin miq të vjetër.
Përpara largimit nga Shqipëria, i ati i foshnjës i dha të zotit të shtëpisë gjysmën e unazës së tij; gjysmën tjetër e mbajti vetë. Marrëveshja mes tyre ishte që, pas mbarimit të luftës, nëse prindërit e fëmijës do të mbeteshin gjallë, ata ose do të ktheheshin në Shqipëri për ta marrë fëmijën e tyre, ose do u kërkonin miqve të tyre në Tiranë që t’ua dërgonin fëmijën kudo që të ndodheshin.
Por si e qysh? Nëse nuk do të kishin mundësi të ktheheshin vetë në Shqipëri, dikush që do të paraqitej në emër të tyre tek ajo familje shqiptare, e cila do të kujdesej për djalin e tyre gjatë dhe pas luftës, do ta merrte me vete atë fëmijë për t’ua kthyer prindërve të vet. Kjo do të ndodhte veçse në një rrethanë të caktuar: ky njeri do të duhej t’i tregonte të zotit të shtëpisë një gjysmë unaze dhe vetëm nëse të dyja gjysmat do të përputheshin, si pjesë të së njëjtës unazë, fëmija do t’i dorëzohej mikut të ardhur nga larg.
Ky fëmijë ishte afro dhjetë vjeç në vitin 1952, kur historia e mësipërme ndodhi ashtu siç qe parashikuar. Më 1943, prindërit e tij u larguan përmes Italisë së jugut në Francë dhe, prej andej, në Brazil, ku edhe jetonin akoma më 1989. Bardhyl Minxhozi, i cili ma tregoi këtë histori, më dha edhe një letër për çiftin tashmë të moshuar në Rio, të shkruar nga familja tiranase që e kish strehuar dhe rritur fëmijën e tyre gjatë luftës. Pas 40 vitesh, periudhë gjatë së cilës komunikimi mes familjes shqiptare dhe asaj hebreje kish qenë shumë i kufizuar për shkak të rrethanave politike në Shqipëri, kjo familje e thjeshtë tiranase, përmes Bardhylit, më kërkonte t’i bëja një “nder”, duke u çuar dorazi një letër miqve të tyre hebrej në Rio. Mbi zarf, përveç adresës, ishte shkruar edhe numri i telefonit të tyre. E mora përsipër pa asnjë hezitim t’ua plotësoja këtë dëshirë miqve të Bardhylit, ndër të tjera edhe sepse historia e tyre më intrigoi pa masë.
Udhëtimi im i parë jashtë vendit
Më 7 janar të vitit 1989, në një mëngjes të ftohtë me mjergull dhe shi, lamë aeroportin e vogël të Rinasit me një avion të shoqërisë jugosllave JAT drejt Beogradit. Në Beograd, në sallën tranzit të aeroportit, na priti i ndjeri Kujtim Hysenaj, atëherë ambasador i Shqipërisë në Jugosllavi, i cili na ndihmoi të merrnim avionin që shkonte në Romë. Kujtim Hysenaj ka qenë i pari ambasador shqiptar që unë kam njohur jashtë vendit dhe, për shkak të natyrës së tij fisnike dhe përkujdesjes së veçantë që tregoi ndaj nesh atë mëngjes në aeroport—dhe një javë më vonë pas kthimit tonë në Beograd—ai krijoi tek unë përshtypjen e parë për ambasadorët që i shërbenin Shqipërisë në kryeqytete të huaj. Kujtim Hysenaj ishte një xhentëllmen në kuptimin e vërtetë të fjalës.
Sot që i shkruaj këto radhë, udhëtimet me avion, edhe ato përtej Atlantikut e në distanca më të largëta, janë bërë për mua një rutinë: qindra udhëtime, rreth një milion milje, të përshkuara në distanca të afërta në Europë, por kryesisht në distanca shumë të largëta—dhjetëra herë në Shtetet e Bashkuara (dhe brenda hapësirës së pamatë të atij vendi, shumë udhëtime në pothuajse në të pesëdhjetë shtetet e tij), shumë udhëtime në Kanada, në disa prej vende të Amerikës Qendrore, në Japoni, në Hong Kong, në Singapor e në Malajzi, në ishujt Hawaii e deri në arqipelagun e ishujve të Marianave Veriore dhe në Guam në Oqeanin Paqësor.
Sidoqoftë, udhëtimi i parë me avion nga Tirana në Beogradin fqinj por “armiqësor” dhe më tej, me një ndalesë të shkurtër në Dubrovnik, në Romë dhe një tjetër ndalesë në Split, gjatë kthimit nga Roma në Beograd, është ndër ata episode të jetës sime, të cilin, edhe sot, pas 30 vitesh, e mbaj mend në detajet më të hollësishme.
Distanca e shkurtër mes Tiranës dhe Beogradit më është dukur atëherë pafundësisht e gjatë. Avioni me të cilin udhëtoja për herë të parë më është dukur mjeti më i pasigurt. Misioni për të cilën isha nisur të udhëtoja për në Brazil më është dukur më i rëndësishmi nga çdo detyrë që më ishte ngarkuar të kryeja deri atëherë. Ai më dukej, madje, si një mision i vërtetë diplomatik. Krahas ëndrrës së hershme për të udhëtuar jashtë vëndit, një ëndërr kjo e të gjithë shqiptarëve, dukej se me këtë udhëtim të parë jashtë kufijve të Shqipërisë kisha nisur të realizoja dëshirën time të vjetër për t’i shërbyer vendit tim në fushën e diplomacisë.
Kur nuk kam qenë një herë në Brazil…
Në Romë, për arësye që nuk na u shpjeguan kurrë, viza braziliane nuk na u dha as mua, as Mimozës dhe Lirisë, që udhëtonin me mua. Në fakt, askush në Konsullatën e Përgjithshme të Brazilit në Romë nuk na tha se vizat tona ishin refuzuar. Gjatë një jave të plotë që qëndruam në Romë, të shoqëruar nga njëri prej diplomatëve tanë në ambasadën e atjeshme, u paraqitëm thuajse çdo ditë në konsullatën braziliane, në Piazza Navona, për t’u interesuar për vizat, por pa anjë sukses. Fjalët me të cilat na prisnin dhe na përcillnin çdo ditë në atë konsullatë ishin gjithnjë të njëjtat: “Nuk kemi ende përgjigje nga Brazilia”.
Më në fund, duke mos pasur asnjë shpresë se vizat do të jepeshin dhe duke qenë se ndërkohë kongresi në Rio kishte filluar, u detyruam të ktheheshim në Tiranë. Letrën që kisha marrë me vete për çiftin hebre në Rio ua postova nga Roma.
Ky ka qenë udhëtimi im i parë jashtë vendit. Një udhëtim, që as mund të thuhet se u krye, as se nuk ndodhi. Ai kishte një nisje dhe një kthim, por ishte një udhëtim pa vajtje. Sa herë ua tregoj këtë histori miqve të mi, e nis rrëfimin tim me këto fjalë: “Kur nuk kam qenë një herë në Brazil…”
Klasa akademike e Shqipërisë në vitet 1980
Rasti që të udhëtoja përsëri jashtë vendit m’u dha po atë vit. Në bazë të një marrëveshjeje për shkëmbime kulturore e shkencore, të nënshkruar mes qeverisë shqiptare dhe qeverive të vendeve skandinave, në pranverën e vitit 1989, Prof. Zija Xholi dhe unë u zgjodhëm nga Rektorati i Universitetit të Tiranës për të bërë një tur leksionesh në disa universitete në Finlandë dhe në Suedi.
Mbajtja e leksioneve në universitete të huaj ose pjesëmarrja në konferenca shkencore ndërkombëtare kishte qenë deri atëherë një privilegj i një grupi shumë të kufizuar profesorësh shqiptarë, të cilët, falë studimeve të larta që kishin kryer në Paris, në Romë apo Vienë para dhe pas çlirimit të vendit, por kryesisht në Bashkimin Sovjetik ose në vënde të tjerë ish-socialistë gjatë periudhës së marrëdhënieve të mira me Moskën dhe me vendet satelite të saj, kishin zënë dhe mbanin për vite e dekada me radhë postet drejtuese pothuajse në të gjitha fakultetet dhe katedrat e Universitetit të Tiranës dhe në institutet e Akademisë së Shkencave. Me njohjet dhe lidhjet e ngushta që kishin krijuar me zyrtarë të lartë të Partisë e të shtetit, si dhe me njëri-tjetrin, kjo kastë akademikësh, përgjithësisht të moshuar, ishte bërë pengesë për brezat më të rinj të studiuesve shqiptarë, veçanërisht për ne të shkencave shoqërore, që të udhëtonin e të mund të afirmoheshin jashtë vendit.
Deri aty nga mesi i viteve 1980 ishte bërë zyrtar opinioni i krijuar nga profesorati i vjetër se, Shqipëria dhe shkenca shqiptare mund të përfaqësoheshin denjësisht në arenën ndërkombëtare vetëm nga profesorë dhe intelektualë të vjetër, ata që kishin kryer shkolla jashtë vendit. Më të rinjtë konsideroheshin pa eksperiencë dhe pa gjuhë të huaja. Kur, pas vdekjes së Enver Hoxhës, Shqipëria filloi të liberalizohej e të hapej ndaj Perëndimit, u kuptua se shumë nga të vjetrit ishin thjesht ikona thuajse religjioze të së shkuarës, tabu që u shembën me ndryshimin e rrethanave, “shkencëtarë” me tituj që ua kish dhënë partia-shtet, por jo njerëz fort të ditur, shumica e të cilëve nuk dinte tjetër gjuhë të huaj veç rusishtes, gjuhës së shkollës që kishin bërë. Ata që dinin frëngjisht, gjermanisht, ose italisht ishin elita e profesoratit të vjetër.
Ndërkohë, një realitet i ri po e thyente dita-ditës mitin e vjetër mbi mungesën e eksperiencës dhe mosnjohjen e gjuhëve të huaja nga më të rinjtë. Anglishtja, e cila, me ndonjë përjashtim shumë të rrallë, kishte mbetur një gjuhë krejt e panjohur për brezin e vjetër të akademikëve e të intelektualëve shqiptarë, po bëhej gradualisht gjuha e huaj numër një në radhët e studiuesve dhe intelektualëve të rinj, të cilët, përmes saj, po sillnin një frymë të re, perëndimore, në universitetin shqiptar dhe në institucionet kërkimore të Akademisë së Shkencave. Disertacionet që filluan të mbrohen në gjysmën e dytë të viteve 1980, larmia e subjekteve të tyre, literatura perëndimore e shkruar në anglisht që filloi të hyjë e të qarkullojë, veçanërisht në Tiranë, aplikimi i metodave dhe i teknikave të kërkimit, të huazuara nga shkollat perëndimore—të gjitha këto—nxorrën në dritë të vërtetën që me aq kujdes ishte mbajtur e fshehtë deri atëherë: faktin që dija shkencore dhe eksperienca akademike nuk ishin monopol vetëm i një rrethi të kufizuar akademikësh të moshuar, por ishin bërë tashmë pronë e një mase të gjerë studiuesish të rinj, me orientim perëndimor.
Me Zija Xholin në Skandinavi
Udhëtimi im në Finlandë dhe në Suedi me Prof. Zija Xholin, në prillin e vitin 1989, ishte ndër rastet e parë kur një akademik i moshuar në shkencat sociale shoqërohej nga një më i ri në moshë. Mosnjohja e anglishtes nga Prof. Xholi, mentori im i admiruar, bëri që ai, në atë tur leksionesh që do të mbaheshin në disa universitete skandinavë, ku anglishtja flitet gjërësisht, të më zgjidhte mua, ish studentin dhe atëherë kolegun e tij më të ri, si bashkudhëtar.
Udhëtimi ynë në Helsinki, në Stokholm, në Uppsala dhe në Örebro atë pranverë ishte, në një kuptim real të fjalës, i pari udhëtim jashtë vendit për mua. Në vajtje dhe në ardhje na u desh të qëndronim për pak ditë në Berlinin Lindor. Në atë kohë, Interflug fluturonte rregullisht në Tiranë, me sa më kujtohet dy apo tri herë në javë. Në Berlin u njoha me ambasadorin tonë të fundit në Gjermaninë Lindore, z. Ilir Boçka, i cili na priti shumë miqësisht dhe na shoqëroi gjatë tërë kohës.
Në Helsinki, shteti shqiptar nuk kishte një përfaqësi diplomatike të vetën dhe askush nga ambasada shqiptare në Stokholm, e cila mbulonte edhe Finlandën, nuk erdhi të na takonte ose të na shoqëronte gjatë ditëve të qëndrimit tonë në kryeqytetin finladez. Kjo na dha mundësi mua dhe Prof. Xholit që të ndiheshim krejtësisht të lirë në leksionet që mbajtëm në Universitetin e Helsinkit, si dhe në takimet që bëmë me akademikë dhe miq finlandezë, duke mos qenë të survejuar prej oficerëve të sigurimit shqiptar, të maskuar si diplomatë në ambasadën tonë në Stockholm. Kjo ndjenjë lirie, e panjohur deri atëherë, të paktën për mua, ishte e jashtëzakonshme, një zbulim i vërtetë ngazëllyes.
Roma, disa muaj më parë, kishte qenë një ecejake e përditshme nga hoteli Helios, ku na kishin vënë “shokët” e ambasadës shqiptare, deri në ambasadë, e cila ndodhej dy blloqe larg atij hoteli dhe, prej andej, gjithnjë të shoqëruar, në Konsullatën e Përgjithshme të Brazilit. Ankthi i pritjes së një përgjigjeje për vizat tona dhe, sidomos, fakti që, përveç ambasadorit tonë, të ndjerit Bashkim Dino, nuk mësuam kurrë se cili prej punonjësve të ambasadës ishte kush, me se merrej dhe ç’detyrë kryente në ambasadë, e bënë qëndrimin tonë në Romë mjaft të pakëndshëm.
Në Stokholm, ku shkuam me një anije të linjës Silnia Lines, që e morëm në Turku, fill pas vizitës në Helsinki, eksperienca jonë ishte një kombinim i dy të parave. I ndjeri Petrit Bushati, në atë kohë ambasador i Shqipërisë në Suedi (dhe të cilin unë e zëvëndësova si ambasador në Uashington në vitin 2001), na priti ngrohtësisht dhe na shoqëroi pothuajse në të gjitha vizitat që bëmë. Por, po aq i pranishëm sa ambasadori Bushati, në të gjitha takimet tona dhe në çdo leksion që mbajtëm në Swenska Institut, në Universitetin e Upsalës dhe në atë të Orebrosë, i pranishëm ishte gjithnjë edhe dikush tjetër: the “Big Brother”, syri dhe veshi i një shteti komunist në grahmat e fundit të tij. Madje, edhe kur me miqtë e mi të vjetër suedezë, Marcel d’Avignon dhe Claes Daghed, që kishin vizituar Tiranën në mesin e viteve 1980, unë dhe Prof. Xholi do të vizitonim Pallatin Mbretëror, dhe Bibliotekën Kombëtare, “sekretari i parë” i ambasadës do të ishte gjithmonë pas nesh në cilësinë e “shoqëruesit”…
Mure të shembur që s’duhen ngritur më
Udhëtimi me Prof. Xholin në Finlandë dhe në Suedi u hapi rrugë dhjetëra e qindra udhëtimeveve të tjera anembanë globit. Ai u pasua nga një udhëtim në Vienë një vit, më vonë, më 1990, për të folur në një konferencë ndërkombëtare dhe, po atë vit, nga një tur njëmujor i paharruar, me të ndjerin dhe shumë të respektuarin, Prof. Hamit Beqja, në disa universitete kanadeze.
Nga udhëtimi me të ndjerin Prof. Xholi në Skandinavi u kthyem në Shqipëri më 1 maj 1989, pasi qendruam përsëri një natë në Berlinin Lindor. Më 1 maj, u nisëm për në aeroport më herët se ç’duhej, për shkak të trafikut që do të bllokohej. Atë ditë, në Berlinin Lindor mbahej parada e fundit e 1 Majit, festës ndërkombëtare të punëtorëve. E fundit paradë popullore në Europën Qendrore e Lindore. Ndërsa në nëntor të atij viti Muri i Berlinit u hap për qytetarët e të dy Gjermanive, një vit pas asaj parade, në qershor të vitit 1990, ai mur u shemb. Me të bashkë u shembën edhe muret që, për afro gjysmë shekulli, na kishin mbajtur ne, shqiptarëve, të ngujuar në vendlindjen tonë e të izoluar totalisht nga bota.
Fatmirësisht, mure të tillë kanë rënë dhe s’duhet t’i lëmë të ngrihen më.

dhe na beso ,
vallahi bilahi e qan fare Bel Danc-in
Gjynaf qe ne Tv Shqipcare nuk ka nji iniciative te tille
qe tipa me Tarife – ditore & Politikanet muzlluma
te zhvillojne nji Kasting e kercejne Bel Danc-in tradicional
kush te fitoje ,te shkoj e konkuroj ne Turqi .
Nuk kuptova qellimin e ketij shkrimi…pervec se mendjemadhesin e nje pensionisti
Nuk e di pse me krijohet pershtypja,qe ata qe qahen me shume per SYRVEJIM,PERSEKUTIM,MOSVLERESIM,ISHIN KLYSHTE E SIGURIMSAVE,
Kush i ka persekutuar keta mor aman?
Kush i ka mosvleresuar keta mor aman?
I bie qe Fatos Tarifen ta kete persekutuar Sevo Tarifa.
Pyeste Sevo Tarifa per Mehmet Elezin!!!!!
Po ligjin ne Ministri te Jashtme nuk e bente Mehmet Elezi,por shoku i brigades VI te Sevo Tarifes Sofo Lazri.
Sofo Lazri e tmerronte Mehmet Elezin perdite kur pinin kafene ne Komitetin Qendror,me pyetjen rutine:-Ne c`brigade ka luftuar yt ate se nuk me kujtohet?
Keta maloket ne Komitetin Qendror i solli Liljana,se keta intrigantet,Mehmet Elezi,Sali Berisha,Fahri Balliu,i ushqenin PARANOJAT,per Nexhmijen,per Teuten,per Ramizin,.Asaj i dukej sikur ato ore qe rrinte me keta maloket,clirohej nga kthetrat e Nexhmijes,urrejtja e Teutes,percmimi i Pranveres.
Po shko o Fatos,pyet tet ate perse nuk te dergoi ne Diplomaci,se po na dhimbsesh?
PO çfare mesuam nga ky shkrim o Gazeta Dita! Mesuam qe Fatosi, Besniku, Remziu e pidhi semes, sot demokrate borgjeze , dje na kane çare menderen. Je kthyer ne gazete banale, megjithe ate simpati qe kisha.
A e vute re?! Mehmet Elezi, demokrati i flakte ka lindur ne katundin Markgegaj te Tropojes. E solli Partia e Punes ne Tirane si malok shume i mençur qe ishte. E beri Njeri nga Neandertal den baba den qe ishte! Pastaj sekretar te pare te rinise komuniste shqiptare (ishte ky Mehmeti qe i lidhte shallin e pionerit Enver Hoxhes ne festat e 1 Majit). Po ky maloku nga Markgegaj ka qene edhe kryeredaktor i “Zerit te Popullit”! Dhe keta si maloke te “beses” qe qene, ishin te paret qe e kafshuan te zotin e tyre. Sa i urrej keta komunistet antikomuniste te pafytyre, pa din e iman. Njelloj si Mehmet Elezi, Sali Berisha, Ismail Kadareja etj etj. Per sa i takon ketij tjetrit, autorit te shkrimit, ka harruar te shkruaje se eshte i biri i babait, Sevo Tarifes, qe ishte njeri nga zyrtaret me kryesore dhe te besuar ne hartimin dhe botimin e “veprave” te shokut Enver! Kishte gjithmone ne dispozicion nje veture te bardhe me shofer! Nje njeri me pushtet edhe me shume se Sofo Lazri dhe Agim Popa. Baballaret dje komuniste qe te merrnin ne qafe me fanatizmin e tyre te shpifur, sot bijte e tyre demokrate te kulluar! Ku jane ata qe u perndoqen nga baballaret e ketyre Tarifave dhe Fugave me shoke?! Apo i pat i çfarosur te gjithe Enver Hoxha!
Me kete shkrim te ketij megallomani te fryre u binda operfundimisht se ky mbi te gjitha nuk ka vlera morale per te qene politikan,dip[lomat apo ne cdo detyre tjeter shteterore!
Shkrimi i tij ishte nje riprodhim i sakte i skecit “A DONBI ME PER BELUL GJERAQINEN”!
Eshte turp qe gazeta e botoi kete mburrje te tij pa dhene asgje nga ato qe kishim nevoje te mesonim!
E cfare na duhet neve se kur iku e kur doli ky njeri?
Ky paska dale per here te pare jashte vendit 34 vjec dhe ne vitin 1989,ndersa une kam dale jashte shtetit ne moshen 24 vjec ne vitin 1970 ne Hungari,BRSS dhe ne Kine!
E kujt i duhen tani keto mufka,aq me teper qe kurioziteti per keto udhetime ishin atehere e jo tani qe nuk ka mbetur njeri pa dale?
Turi te mbulofte o Tarifa dhe kurre nuk do te lexoj ndonje shkrim tendin ne gazeta!
E ule veten deri ne fund!
Doni me per belling! Jepi drejtim Fatosssssss
Shenim: per kujtese:Z. Tosi ! Kur e pyeten Mozartin se sa
kompozitori i madh ishte,Ai u pergjigj: Sa kompozitor te medhenj do te kishin dale,nese fati do t’i kishte ndihur.Por
ata nuk e paten fatin tim dhe e ngryshen jeten ne bjesh-
ket dhe pyjet e Gjermanise,Austrise,Zvicres…..etj.etj.
Edhe ju zoti, Tosi iu ka ndihur “fati” i “Lala Gjonit” ,sic
thote ajo kenga labe: “hani pini dhe kendoni,sa te rroje
Lala Gjoni……..”!!!
Sa per Mehmet Elezin,”mjeshteria” e tij ishte “gjuajtja” me
“dogra” e te gjuthe atyreve qe kishin poste te larta ne ate
regjim,me te vetmin qellim e mision makiavelist “postin”,
dhe Ai,sic e kemi ditur ne te gjithe,babai yt,Sevo,punonte
atje ku “buronin” postet,lart e me lart…! Ji i sinqerte te
pakten nje here ne jete.Ishte rrjeti i “Kasheit te pavdek-
shem” qe i manipulonte te gjithe kuadrin deri ne skuten
me te larget te shoqerise tone, te asaj kohe. Prandaj,zoti
Tarifa, bej dua atij babait tend qe sot gezon po ato “peku-
le” qe gezove dje. Na fole per shume ambasadore qe ju
kane pritur e percjellur ne vendet. Me perjashtim te B. Di-
nos qe priste kedo dhe Kujtimit, te tjeret ishin te gatuar me nje servilizem te papare,sic ishte nje fare Ilir Bocka,
qe me vone,fale servilizmit,ndaj nipit te Ramiz Alise qe u
operue ne Berlin arriti me paaftesine e tij shembullore
deri ne Minister i Puneve te Jashteme per disa “dite” te
gremisjes se sistemit. Keshtu ka qene e mbetet historia
e njerezve te asaj kohe, ku nga fundi rrjeti nepotist u be
nje semundje kanceroze e gjithe shoqerise shqiptare
Nje kenge labe thote: “Nga Selaniku tatepjete,sic ka qene
do te jete…..”
Teaska “masakruar” regjimi!
Idiot komplet! Te rrofte anglishtja se truri te ka mbaruar me kohe! Lum vendi per ambasadore qe ka!