Pengu 300 milionësh, zbulohen dy gjobëvënësit

anazapta

Ekspertë të Krimeve të Rënda janë hedhur në operacion për të zbuluar dy persona të cilët dyshohet se janë pjesë e grupit kriminal që u zbuluan në gjobëvënien prej 300 milion lekësh. I arrestuari i dy ditëve më parë, ndërsa ishte në ambientet e policisë i shoqëruar ka marrë telefonata kërcënuese nga bashkëpunëtorët e tij brenda dhe jashtë vendi. Të gjitha telefonatat janë regjistruar ndërsa po kërkohet edhe vendndodhja nga kanë ardhur telefonatat. Referuar të dhënave të besueshme fiksohet fakti se nga telefonatat kërcënuese ka patur persona që kanë telefonuar edhe nga Shqipëria. Nga telefonatat e personave kërcënues saktësohet se i arrestuari, Aleks Lala, personi që pretendohet se është kapur në kushtet e flagrancës, nuk ka bërë me dije asnjë lloj emri për hetimin, pasi nuk ka mundur të identifikojë asnjë prej telefonuesve. Grupi i hetimit me anë të pajisjeve ka nisur punën për zbulimin e pozicionit nga ku kryhen telefonatat brenda vendit ndërsa në lojë kanë hyrë të gjitha kompanitë celulare në vend.

 

Hetimi  

Një grup i rrezikshëm kriminal ka aktivizuar policinë e shtetit dhe Prokurorinë e Krimeve të Rënda. Në lojë, jo vetëm për momentet e operacionit kanë hyrë edhe drejtues të lartë të policisë së Fierit, të cilët kanë dhënë edhe ndihmesën e tyre në lidhje me mbajtjen nën kontroll dhe nën mbikëqyrje për rreth dy javë biznesmenin e gjobitur. I riu, nga Mnela, zonë e Vaut të Dejës, nuk ka pranuar të japë emra ndërsa policia mban sekret thuajse gjithçka tjetër përveç faktit të arrestimit të tij. Ngjarja e publikuar një ditë më parë nga Policia e Shtetit me një komunikim zyrtar në të cilën thuhej vetëm se u arrestua 27-vjeçari i quajtur Aleks Ndue Lala. Sipas policisë, ky person ka kërcënuar një person në qytetin e Fierit duke i kërkuar një shumë të madhe parash. Personi i kërcënuar, identiteti i të cilit nuk bëhet i ditur për arsye hetimi, e ka denoncuar 27- vjeçarin duke bërë që policia ta arrestojë atë. Policia tha se arrestimi i 27-vjeçarit u bë për veprën penale ”shtrëngim me anë të kanosjes ose dhunës për dhënie pasurie”, pasi ka kërcënuar një shtetas në qytetin e Fierit për dhënie pasurie të një shume prej 300 milion lekë të vjetra.

 

Telefonatat

Burime jo zyrtare të policisë thanë se menjëherë pas arrestimit 27-vjeçari ka marrë telefonata anonime në celularin e tij në të cilat kërcënohej se nuk duhet të tregojë emrat e bashkëpunëtorëve në të kundërt do të përballet me pasoja të rënda. Po të njëjtat burime sqaruan se e kanë lejuar qëllimisht të arrestuarin Lala të mbajë celularin e tij të hapur për të gjurmuar ndonjë telefonatë që mund të vinte nga bashkëpunëtorët e tij gjë që edhe ka ndodhur. Tashmë policia po punon për të gjetur vendndodhjen e bashkëpunëtoreve të Lalës të cilët dyshohet se janë më shumë se dy persona të cilët veprojnë në Shqipëri. Mbeten të paqarta shkaqet dhe motivet e ngjarjes, ashtu sikurse edhe fakti se në këmbim të çfarë  shtrëngimi i kërkohej shuma e parave qytetarit fierak. Ky i fundit mësohet se banon në periferi të Fierit në afërsi të fshatit Zhupan dhe se kërcënimi i bëhej për vëllain e tij që jeton në Londër. Burimet nga policia janë kontradiktore në lidhje me vëllain e personit të kërcënuar. Njëri variant flet për marrjen peng të vëllait që jeton në kryeqendrën britanike në këmbim të 300 milionë lekëve dhe varianti tjetër flet për një gjobëvenie ndaj dy vëllezërve nëpërmjet shantazhit dhe kërcënimeve. Sipas Policisë së Fierit vëllai që jeton në Londër ka një shtëpi në Tiranë dhe dyshohet se kanë qenë vizitat e shpeshta në këtë banesë që e kanë bërë shënjestër qytetarin nga Fieri. Ky i fundit pas denoncimit u bë objekt mbikëqyrjeje nga ana e policisë për 2 javë rresht dhe mesnatën e se dielës u arrit kapja e 27 vjeçarit. Aleks  Lala është nga Shkodra por banon në Tiranë të cilin policia e konsideron edhe si negociator për të zbatuar urdhrat e të tjerëve. Dyshohet se Lala dhe bashkëpunëtorët e tij të jenë pjesë e një grupi të strukturuar kriminal që veprojnë prej kohësh në vendin tonë në fushën e gjobëvënieve.

 

 

Share This Article
2 Comments
  • “zbulohen dy gjobvenesit”…………..!!!!!!!!!!!!!!!! – ne artikull thuhet qe eshte arrestuar nje person, jo me shume,,,,,,,,,,?????????? (te pakten vini titujt e sakte ),,,,,,, tung !!!!!!!!

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *