Një mëngjes në kafe “Le Rostand”

Ornela

Nga Shyqyri Dade

I ndodhur në “Kuartierin Latin”, në Paris dhe i nxitur nga afërsia relative me “Kopshtet e Luksemburgut”, vendosa të gjeja dhe të shkoja për një kafe, në tashmë të famshmen “Cafee Le Rostand”, emër i marrë nga shkrimtari Edmond Rostand, por që për mua u bë e njohur nga libri  “Mëngjeset në Kafe Rostand”, të Ismail Kadaresë, i cili e kishte kthyer këtë kafe, në një vend çlodhjeje e meditimi dhe njëkohësisht edhe në një “studio” origjinale, ku morën frymë për herë të parë një sërë veprash të shkruara nga ai.

Që të isha konform me titullin e librit, zgjodha një mëngjes pak të ftohtë, por me dritë e diell, që i kishte dhënë kopshtit përballë një pamje të gëzueshme dhe pasi parkova me vështirësi makinën, u drejtova për tek kafeneja, të cilën e kisha pikasur më parë, duke u rrotulluar në sheshin me të njëjtin emër, “Place Rostand”. E dija që shkrimtari ndoshta kishte vite që nuk e frekuentonte më këtë kafe, ndoshta për shkak të jetës së tij midis të dy kryeqyteteve, mundet që një kafe tjetër më e qetë dhe me më pak fluks, të jetë streha e tij e mëpasme dhe ndoshta edhe se për shkak të një vetëdekonspirimi nëpërmjet shkrimeve, kafeneja “Le Rostand” u kthye në një vend vizitash shpesh-herë të panjoftuara të shqiptarëve të shumtë të cilët gjenin edhe një arsye më shumë për të njohur e shtrënguar dorën me shkrimtarin e madh, por që njëkohësisht e shkëpusnin atë nga shkrimi, nga frazat që mundohej të lidhte dhe nga logjika, mendimi i thellë, rigoroz e preciz, të cilin e gjejmë në të gjithë veprën e tij.

Iu afrova kafesë dhe i emocionuar hyra brenda, duke menduar se në këtë kafene ka edhe një copëz histori të brezit tim, paçka se në krijimtarinë e Kadaresë qëndrimi dhe shkrimet e nisura këtu i takojnë një periudhe tjetër. Po përpiqesha të qartësoja në mendje se cili qe shkaku për të cilin erdha deri këtu dhe lashë një sërë punësh që kur je jashtë, të mblidhen dhe koha asnjëherë nuk premton në ditët e ngjeshura e të pamjaftueshme. Nuk erdha deri këtu për patriotizëm dhe u mundova ta heq menjëherë këtë mendim, duke shtuar se në një qytet si Parisi, ku e reja, liria, mendimi i lirë, shprehja etj., patriotizmi është gjithnjë një shprehje anakronike dhe aspak e kohës, aq më tepër kur jetojmë në një botë të hapur dhe përzgjedhja e vendit për të krijuar është e kujtdo dhe nuk kondicionon krijimtarinë. Janë të shumtë krijuesit që janë kthyer në mbajtës të shumë kombësive, jo thjesht për shkak të dëshirës apo të qenit të detyruar për të jetuar në vende të tjera, por sidomos për shkak të veprës së tyre që nuk njeh më kufij. Dhe më pas shtova se krijimtaria është tërësisht personale dhe duhet parë si e tillë, por nga ana tjetër, edhe leximi dhe konsumi, apo shija e atij që lexon, është një përzgjedhje tërësisht personale dhe që nuk ka lidhje me kufijtë, e as me kombësitë, por ka lidhje me nivelin e krijimit dhe mundësinë përtypëse të atij që e konsumon. Pra krijohet një dualitet që në mënyrë të brendshme dhe pothuaj tërësisht personale, përpiqet të zbulojë mendimet e tjetrit, por edhe të tijat, vetëm me një diferencë në kohë, shkrimtari është munduar të të lexojë kur e krijoi veprën e tij, ndërsa ti përpiqesh ta lexosh atë më pas.

Hodha një sy të shpejtë përreth, duke u përpjekur të mos bija në sy tek klientët e pakët që konsumonin mëngjesin dhe kafenë, dhe imagjinova se cila do të ishte qoshja më e përshtatshme, jo vetëm për të pirë kafenë, por edhe për të shkruar, të cilën do ta kishte përzgjedhur Kadareja. Përveç tavolinave përballë me rrugën afër banakut, në forme L-je ishte një sallë pak më e madhe, që me gjithë dritën që hynte nga jashtë, duhej të ndihmohej edhe me pak ndriçim nga brenda, pothuaj i pamjaftueshëm për dikë që shkruan për një kohë të gjatë. U rrotullova edhe njëherë dhe duke mos qenë në gjendje të përcaktoj vendin, u ula në një tavolinë ku mund të shikoja rrugën dhe parkun, por edhe sallën përpara meje dhe lëvizjet e kamerierëve. U mundova të portretizoja klientët, nëse në pamje të parë kishin diçka të përbashkët me historikun dhe emrin e kafenesë, por edhe me trendin për të cilin kafeneja thuhet se është frekuentuar, pra nga studentë, artistë, shkrimtarë etj. Ky mëngjes nuk po ma krijonte aspak këtë përshtypje. Kamerieri me një lëvizje të sforcuar më pyeti se çfarë do të merrja dhe, unë në mënyrë rutinë, iu përgjigja, një kafe ekspres, thjesht për t’i qëndruar përmbajtjes së vizitës, vendit që ishte një kafene, mëngjeseve që për shumicën e njerëzve shoqërohen me kafe, edhe pse unë vetë nuk e pi kafenë.

Kamerieri u largua duke u lëkundur, edhe pas pak, po duke u lëkundur, më solli kafenë në një filxhan të thjeshtë, nga ato që rëndom përdoren kudo nëpër kafene. E pyes menjëherë pa u larguar, se ku është tavolina e preferuar e zotit Kadare. Ai më pa i habitur dhe pikasa se nuk më kishte kuptuar. Fillova edhe njëherë, më qetë, me frëngjishten time të sakatuar, duke i vënë nga një patericë në italisht. Megjithë përpjekjen time dhe pozitivitetin e kamerierit, i cili tashmë kishte kuptuar mirë që unë isha një i huaj, nuk arrita të shpjegoja si duhet dhe përpjekja ime u transferua tek një kameriere vajzë, e cila u thërrit në ndihmë dhe që dinte pak anglisht. Ja përsërita kërkesën time dhe qëllimin pse kisha ardhur deri aty. Ajo me aq sa dëgjoi më la të kuptoja se e dinte dhe se do të vinte më vonë që të më tregonte. Prita. E pashë që as djali dhe as vajza nuk kishin asnjë dijeni se ku ishte tavolina e Ismail Kadaresë.

Nuk është se humba durimin, por më duhej të çohesha dhe të gjeja dikë që kishte dijeni për historikun e kafesë dhe sidomos për shkrimtarin që kishte ndenjur në këtë kafe ditë e vite të tëra. Njëkohësisht po mendoja se si ka mundësi që punonjësit të mos dinin një informacion kaq të rëndësishëm për kafenenë. Vetë pronari i kafenesë duhet ta transmetonte këtë informacion. Fakti që Kadareja ka ndenjur dhe shkruar në këtë kafene duhej të shitej si një vlerë e shtuar në historikun e pasur të kafenesë. Diku mbi tavolinë duhet të ishte shkruar:

“Në këtë tavolinë ka ndenjur e shkruar shkrimtari i madh me famë botërore Ismail Kadare”. Një portret i tij duhet të ishte varur në mur pranë tavolinës dhe në një kënd, si në një muzeum duhet të ishin vendosur libra të tij, foto etj., asgjë nga këto e tepërt.

U ngrita dhe shkova tek banaku prapa të cilit qëndronte një burrë që të tjerët i referoheshin si drejtues a menaxher, e pyeta edhe atë nëse kishte dëgjuar për Ismail Kadarenë dhe se kisha ardhur për të parë vendin ku ai kishte ndenjur e punuar.

E di më tha, kam dëgjuar për të, por stafi është tërësisht i ri, këtu stafi ndërron çdo muaj, një kamerier qëndron e shumta tre-katër muaj.

Nuk doja të ngulmoja. Pagova dhe dola. Mesa duket mendimet jo vetëm nuk u shuan për shkak të zhgënjimit, por nuk m’u ndanë për një kohë të gjatë, duke u rrotulluar nëpër rrugë, pa asnjë qellim, megjithëse për çudi u ndjeva i kënaqur me veten që shkova.

Mungesa e një shënje sado të vogël në kafe “Le Rostand” tanimë nuk kishte të bënte me relacionin që krijohet në përgjithësi shkrimtar–lexues. Ai është një relacion që nuk ka të bëjë me vendin. Ai mund të krijohet në ajër, në det dhe në tokë, kudo ku njeriu merr një libër me vete dhe e lexon atë. Askush, përveçse kur ia tregojnë më përpara, nuk e di se çfarë do të gjejë brenda në kafe. Ai shkon atje i nxitur nga relacioni, si dhe nga vepra e fama e shkrimtarit dhe nuk është kafeneja që i jep famën shkrimtarit, por është shkrimtari që i ka dhënë emrin dhe famën e tij kafesë.

M’u rrotullua edhe njëherë në kokë tema e nostalgjisë dhe e patriotizmit. Ne u rritëm me veprat e Kadaresë. Rrallë lexonim shkrimtarë të tjerë të vendit, ose kur ishim të detyruar në shkolla. Romanët e Kadaresë ishin një qoshe moderne dhe mondane, që nuk e gjeje askund tjetër, ato të kujtonin mbrëmjet, xhiron, takimet, por edhe realitetin e brishtë, shoqëruar me thashethemnajën kurioze që rrethonte çdo botim të tij të ri, nëse filani apo filania janë ky dhe ajo, dhe se prit kur të dëgjojmë që ky libër u hoq nga qarkullimi sepse Ismaili e tejkaloi edhe këtë herë.

Ndërkohë ne jemi një vend i vogël dhe nuk kemi shumë figura të mëdha historike apo moderne, të cilat të kenë ndikuar në përparimin dhe zhvillimin e vendit. Me një histori të hershme, por me një shtet relativisht të ri, Shqipëria, nuk mund të mos vlerësojë dhe ngrejë lart sidomos ato figura historike dhe figura të kohës moderne, të cilat sado që janë globalizuar në njohjen që bota ka për ta, kurrë nuk është mjaft për t’i sjellë në qendër të vëmendjes. Asnjë shqiptar kudo që është nëpër botë, nuk mund të mos marrë me vete emrin e Shqipërisë. Dashur padashur sado ndërkombëtarë të jemi, menjëherë dikush do të të pyesë: “Nga jeni ju zotëri?”

Në vitin 1994, në San Francisko, në një dyqan, një shitëse më pyeti: “Nga jeni ju zotëri?” Unë i thashë: “Nga Shqipëria”. “Mmm, bëri ajo, Shqipëria, Shqipëria dhe menjëherë, ouuu, janë ca të uritur nëpër anije!!”. Nuk më erdhi mirë.

Por kur më kanë pyetur në ndonjë rast tjetër dhe i kam thënë se jam nga Shqipëria, ka pasur edhe nga ata që më kanë thënë: “Ahh…, Ismail Kadare!”.

Duket se ishin dy arsyet që shkova në kafe “La Rostand”, dhe unë nuk do të jem as i pari, e as i fundit që do të shkoj atje të pi një kafe dhe të kërkojë tavolinën e shkrimtarit.

Kadareja është gjallë dhe njerëzit kanë mundësi ta shohin në rrugë, në intervista, të bëjnë foto me të, madje të shkruajnë poshtë fotos “miku im i afërt, i madh, apo i shtrenjtë, apo i çmuar, etj.”, duke menduar se po marrin disa kredite. Një gjë e tillë u pa edhe këto ditë, kur u mor vendimi që apartamenti i Kadaresë në Tiranë do të kthehej në një muze, menjëherë në media u dërguan foto ku pozohej brenda shtëpisë së shkrimtarit të madh, përpara zbrazëtisë dhe dërrasave të korridorit të trashëguara nga stili i një kohe të kaluar. Por do ketë dikur një ditë që njerëzit, lexuesit nuk do të kenë mundësi më ta takojnë jashtë librave dhe romaneve dhe atëherë do të kërkojnë të vizitojnë vendet ku ai ka jetuar, punuar e krijuar, edhe më shumë se sot.

 

Share This Article
10 Comments
  • “E dija që shkrimtari ndoshta kishte vite që nuk e frekuentonte më këtë kafe, ndoshta për shkak të jetës së tij midis të dy kryeqyteteve, mundet që një kafe tjetër më e qetë dhe me më pak fluks, të jetë streha e tij e mëpasme dhe ndoshta edhe se për shkak të një vetëdekonspirimi nëpërmjet shkrimeve, kafeneja “Le Rostand” u kthye në një vend vizitash shpesh-herë të panjoftuara të shqiptarëve të shumtë të cilët gjenin edhe një arsye më shumë për të njohur e shtrënguar dorën me shkrimtarin e madh, por që njëkohësisht e shkëpusnin atë nga shkrimi, nga frazat që mundohej të lidhte dhe nga logjika, mendimi i thellë, rigoroz e preciz, të cilin e gjejmë në të gjithë veprën e tij.”

    BESOJ QE KJO ESHTE FJALIA ME E GJATE SHKRUAR NE GJUHEN TONE.

    Si mendoni ju?

  • Himn kafenese… Ne nje rrefim autobiografik Heminguej tregon qe u rikthye pas vitesh ne kafenese pariziene dhe banakieri I vjeter iu afrua ta pershendese. Ne bisede e siper banakieri rikujtoi perfekt vitet e shkuara por per dreq nuk kujtonte Francis Scott Fitzgerald, qe thone se kish pire alkool lume ketu, por banakieri s’e mbante mend. Heminguej I thote se Francis kish qene plot here ketu, por si tip jo I afrueshem me kamarieret nuk paskesh lene shenje.

  • Ndersa ne na thanese Z.Kadare nuk vjen me ketu se njerezit nuk e lene te qete.Epreferonte kete kafene se e kishte dhe prane shtepise.

  • Ndersa ne na thanese Z.Kadare nuk vjen me ketu se njerezit nuk e lene te qete.Epreferonte kete kafene se e kishte dhe prane shtepise.

  • Nostalgji KURUESE si POET i madh
    Dhimbie, rruget tej atdheut Ai marre !
    Marre kur i duhej me shume se kurre
    Ngushellohemi;-nderuar bota mbare.
    Mbare shqiptaret 83 vjetorin i urojne
    Monument i gjalle Ai,mes Gjirokastres,
    Krah heronjve;kapedane e te penes
    Nje amanet atij duam tia lejme:
    Bjeri BOTES ane e MBANE…
    Po; MOS e HARRO -V a t a n e !

    Bashkemoshatri”Pasues veterani”

    Toronto30-01-2019 Guri Naimit D.(Dh Xh)

  • Edhe 100 vjet me nje AMANET:
    I madhi Yne POET!
    “Bjeri Botes Ane e mbane Po mos e harro Vatane”

    Nostalgji KURUESE si POET i madh
    Dhimbie, rruget tej atdheut Ai marre !
    Marre kur i duhej me shume se kurre
    Ngushellohemi;-nderuar bota mbare.
    Mbare shqiptaret 83 vjetorin i urojne
    Monument i gjalle Ai,mes Gjirokastres,
    Krah heronjve;kapedane e te penes
    Nje amanet atij duam tia lejme:
    Bjeri BOTES ane e MBANE…
    Po; MOS e HARRO -V a t a n e !

    Bashkemoshatri”Pasues veterani”

    Toronto30-01-2019 Guri Naimit D.(Dh Xh)

  • Opozitare po vellezer-“demo”komentuesi.!
    centroje veten….
    O i miri “demo”me ber te kendo kengen:

    – Demua thosh..kam kale me shalle mor me shalle..
    O … DEMUA rinte KAPARISUR…
    Ai kal’ me shale s’kishte,/ nje gomar te cale kishte..
    Qu……etje e tj…o Demua rinte kapardisure.e..e.e!
    Me konsiderate: “Opozitre po VELLEZER”
    Fiksoje ne mendie.”demo”(1)
    1 Mikun me te mire te familes, babai kishte nje DEMO atje ne Zavalanin tone,atdhetar i atdhetarve,sa bijte e tij.
    shoket te velezerve tane partizane,sa shoke klase sa nisur shkollat pas clirimit atje ne Zavalanin tone te Dangellise Naimjane,Nje nga keta djemte e Demos u be dhe DEPUTET zgjrdhur populli, jo pake po tre legjislatur 1964 -76 me perafersi.Ndiese Paste 5 vjet ndare nga jeta me Konsiderate; Fadil Hamit quhet…
    Pasues Veteran”( gjyshi 1913 Kapedan cete rene)
    Guri Naimit D.(Dh Xh.)

  • Shyqëri.Shkrimi në përgjithsi është i pranueshëm dhe mirë bën që shkruan për ‘K[shtjellarin e Shqipes’,tani sa është në jetë ,se nesër do të turren të gjithë për të se e njoin,e kanë mik etj,siç bëjmë rëndom ne.Një vërejtje të vogël e kam kur thua se ne jemi vend i vogël dhe s’kemi figura historike: ne tani jemi bërë sa një sanduiç,por historia është tepër e gjatë dhe përsa i përket figurave historike ne i kemi me bollëk,më shumë se sa hapsira tokësore…

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *