Rusia dhe ndarja e Kosovës

Ornela

Shaqir Vukaj

Në fund të muajit maj  të vitit të kaluar, pa filluar zhurma për mundësinë e ndarjes së Kosovës, Ambasadori i  Federatës Ruse në Beograd, A.Cepurin, duke ju përgjigjur pyetjes së një gazetari lidhur me  deklaratën e ministrit të Jashtëm serb, I. Dacic për ndarjen e Kosovës, si kalimthi, midis rreshtash i “shpëtoi” e tha se “Rusia nuk do të ishte kundër ndarjes së Kosovës, në qoftë se kjo do të kënaqte Serbinë”.

Kjo thënie, ato ditë kaloi pa ndonjë jehonë, pavarësisht se nuk dilte qartë në se kjo ishte pikëpamja e tij, apo e Kremlinit, por sidoqoftë këtë deklaratë e bënte përfaqësuesi i Rusisë…

Mbas pak kohësh, kur presidentët e Serbisë dhe Kosovës filluan të flasin për mundësinë e nënshkrimit të marrëveshjes pajtuese midis dy vendeve dhe, si nën zë shpreheshin për mundësinë e ndarjes së Kosovës, pavarësisht se jo qartë, e secili sipas mënyrës së vet, herë “shkëmbim territoresh”, herë “korrigjim kufijsh”, herë “kufizim midis serbëve dhe shqiptarëve”, herë “vetëm  marrje territoresh nga pala tjetër” etj. disa analistë në Serbi dhe Rusi (edhe më gjerë) ju kthyen dhe e morën seriozisht deklaratën e majit të ambasadorit rus në Beograd.

Problemi i ndarjes së Kosovës është i vjetër, madje tepër i vjetër. Kosovën e kanë ndarë e copëtuar shumë herë, pavarësisht se disa analistë e historianë thonë e shkruajnë se autori i ndarjes së Kosovës është “babai i kombit”, akademiku serb, Dobrica Cosic, president i Jugosllavisë në vitet 1992-1993.

Kosovën e kanë ndarë që në kohën e Perandorisë Osmane, në fund të shekullit XIX, kur një pjesë  të saj e pushtoi Serbia. Kujtoni krimet, masakrat e shpërnguljen me dhunë të shqiptarëve nga tokat e tyre nga Nishi, Kurshumlija, Piroti etj. E copëtoi Rusia me traktatin e Shën Stefanit e më vonë bashkë me Europën në Kongresin e Berlinit e ndanë Kosovën dhe që atëherë vendosën që një pjesë të saj të ja japin Serbisë dhe Malit të Zi, për të vazhduar me Konferencën  e Londrës kur ja dhanë pothuajse krejt Kosovën (vetëm Malësia e Gjakovës, Tropoja u përfshi brenda kufijve të Shqipërisë).

Gjatë pushtimit jugosllav, midis Luftërave Botërore, Beogradi e ka shkapërdarë Kosovën, si ka dashur, e sa herë ja ka lypë interesi, sa në një banovinë në tjetrën. Gjatë Luftës dytë Botërore, mbas pushtimit të Jugosllavisë,  Kosovën e ndanë si deshën pushtuesit, një pjesë e bashkuan me Shqipërinë, në kuadrin e Shqipërisë etnike. një pjesë ja dhanë Bullgarisë etj. Por Mitrovicën me gjithë  zonën përreth, me pasuritë e mëdha nëntokësore, nazistët e mbajtën për vete…..megjithëse e konsideronin tokë shqiptare.

Mbas Luftës dytë Botërore, Beogradi  i ndau tokat shqiptare dhe shqiptarët si deshi, ndërmjet tri republikave, Serbisë, Maqedonisë dhe Malit të Zi, pavarësisht  vazhdimësisë gjeografiko- etnike. Më vonë e ndau përsëri Kosovën, duke i hequr rreth 1100 km katrorë dhe duke ja kaluar Serbisë (Preshevën, Medvegjën, Bujanovcin) e për” “kompensim” duke i bashkuar tri komuna me shumicë popullsi serbe (Zubin Patokun, Zvecanin dhe Leposaviqin, me sipërfaqe pak më shumë se 1000 km. katrorë), që në fakt kishte si qëllim të ndryshonte përbërjen etnike të Kosovës. Por po të gërmosh thellë në histori edhe këto toka dikur kanë qenë të banuara në shumicë nga shqiptarë….

Kur u pa se Jugosllavisë po i vinte fundi, në kuadrin e shpërbërjes  së saj, serbët ju vunë me zell punës për ndarjen e Kosovës. Në Beograd e në disa qendra politikbërse ndërkombëtare bëheshin lloj lloj projektesh e variantesh për mënyrat e ndarjes së saj. Për këtë u angazhuan, krahas tjerëve shumë politikanë të lartë serbë (ish presidenti i Jugosllavisë Cosic, ish kryeministri i Serbisë, Koshtunica, akademiku A.Despic, ish presidenti Tadic, ish zv/kryeministri i LLabus, ish kryeministri Xhinxhic etj. etj.)  kisha Ortodokse Serbe, të huaj (italianët propozuan disa herë mënyrën e ndarjes), personalitete të larta të politikës europiane e botërore etj. ministra e kryeministra,  ndër të cilët Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së Pan Gi Mun, Lordi Ouen (përfaqësuesi i BE për Ballkanin në vitet 1992-1995, ish kryeministri i Rusisë Primakov, ambasadori amerikan në Beograd U.Cimerman etj.

Ndaj këtyre propozimeve reaguan edhe shqiptarë të Kosovës, ndërmjet të cilëve lideri i atëhershëm i shqiptarëve të Kosovës, Ibrahim Rugova. Ai u deklarua mbi mundësinë ndarjes së Kosovës, por hodhi poshtë variantet e propozuara nga serbët, mbasi siç shprehej ai, “jashtë Kosove mbeten 1 milion shqiptarë”. Rugova insistonte që, në rast ndarje, serbët mund të llogarisin të marrin komunën e krijuar rishtazi  të Zubin Potokut si dhe disa zona të tjera në veri të Kosovës, të përfshira brenda Kosovës, mbas Luftës Dytë Botërore dhe konkretisht Leposaviqin, Lesakun, Banskan, por me kusht që brenda Kosovës të përfshihen krahinat me shumicë shqiptare që ndodhen brenda Serbisë e konkretisht Presheva, Bujanovci e Medvegja. Por Rugova insistonte fort që brenda Kosovës të mbetej pa tjetër pjesa veriore  e Mitrovicës.

Sigurisht që Moska do të jepte “kontributin” e vet, madje politikanët rusë do të angazhoheshin fort e do të hidhnin edhe ata idetë e projektet e tyre për ndarjen e Kosovës.

Shaqir Vukaj

Në prag të konfliktit të viteve 1998-1999 në Kosovë dhe  gjatë kohës së sulmeve ajrore të NATO-s në Jugosllavi, Moska zyrtare i qëndronte fort idesë se “Kosova është pjesë e Jugosllavisë ose më saktë e Serbisë’, sepse, siç shpreheshin shumë politikanë, historianë, ushtarakë rusë etj. ajo “historikisht ka qenë serbe”, madje “tokë e shenjtë serbe”, “djepi i serbizimit”, “si Jerusalemi për hebrenjtë”, se “shqiptarët janë të ardhur vonë në Kosovë” etj. Në shumë shkrime e analiza, deklarata, botime e libra të asaj kohe arrihej  në absurditete të tilla, madje edhe nga njerëz me shumë peshë në politikën, kulturën  e shkencën ruse, që shkruanin “se shqiptarët janë të ardhur vonë në Kosovë, të sjellë aty nga Turqia” madje “të ardhur gjatë Luftës Dytë Botërore ose të sjellë aty nga Tito, mbas Luftës Dytë Botërore”. Ish kryeministri i Bashkimit Sovjetik, Rizhkov, shkruante: “Shpërngulja e madhe e shqiptarëve në Kosovën fqinje ka filluar në vitet 40-të dhe është intensifikuar shumë në vitet 60-70-të”, ndërsa  kryetari i Bashkisë së Moskës, kandidat për president i Rusisë, Lluzhkov shkruante: “Krahina e Kosovës nuk i ka takuar asnjëherë shqiptarëve. Ata i solli aty Tito në kuadrin e planit të tij për krijimin e Federatës Ballkanike”. Shkrimtari i njohur Sollzhenjicin shkruante “Banda titiste krijoi kufij fals, duke shpërngulur serbët nga Fushë Kosova, vendi historik i banimit të serbëve dhe duke e populluar me shqiptarë”, ndërsa  Profesorët V.A. Lisickin e L.A.Shelepin, arrinin deri aty sa shkruanin “Në vitet 90-të në Kosovë u vendosën 300 mijë ilegalë nga Shqipëria”.

Udhëheqësit e Rusisë së asaj kohe deklaronin në mënyrë kategorike se, sido që të vijë puna, ajo kurrë nuk do ta njihte Kosovën si shtet i pavarur. Por pavarësisht nga çfarë thuhej, edhe në Moskë, herë pas here hidhej ideja e ndarjes së Kosovës. Për këtë filluan të flisnin edhe zyrtarë të lartë rusë, pa fol për analistë, gazetarë e njerëz të shkencës.  Kështu, bashkëpunëtori i Akademisë së Shërbimeve Shtetërore pranë presidentit Jelcin, I. Moskovski, doli haptazi (në dukje në kundërshtim me politikën zyrtare ruse) në mbështetje të pavarësisë së Kosovës, por me kusht “që një pjesë e territorit të Kosovës ti jepet Serbisë”. Gjatë një bisede që kam pasur në shtatorin e v.1998 me N/kryetarin e Dumës Shtetërore Baburin  (ndër politikanët dhe specialistët më aktiv në atë kohë për çështjet e Ballkanit) insistonte se “herët a vonë, Kosova do të shkëputet nga Serbia, por një pjesë e saj do ti mbetet Serbisë”.

Më vonë, në prag të shpalljes së pavarësisë së Kosovës, në Moskë hidheshin lloj lloj idesh, projektesh e variantesh për të ardhmen e Kosovës, ku binin në sy ato mbi “Federalizimin”,“Palestinizimin”, “Tajvanizimin”, “Qiproizimin” etj, që në fund të fundit, të gjitha ishin variante e rrugë që çonin në ndarjen e Kosovës. Madje “Palestinizimi” i Kosovës u bë temë e preferuar edhe për udhëheqësit kryesorë të Rusisë, përfshij presidentin Putin, të cilët kërcënonin se “në rast pavarësie të Kosovës, jo vetëm do të kemi ndarje të saj, por konflikti do të jetë i gjatë”…

Duke kujtuar ngjarjet e atyre viteve, bazuar dhe në materialet e asaj kohe, në qarqet zyrtare dhe në trupin diplomatik të Moskës ishte përhapur mendimi se, sido që të vinte puna, sado vonë, varianti i fundit ishte ndarja e Kosovës dhe për këtë do të binin dakord Moska dhe Perëndimi. Atëherë thuhej se ky variant ishte diskutuar në qarqet e larta politike europiane e amerikane. Thuhej se ky problem ishte diskutuar edhe midis ministrit të Jashtëm të Rusisë, Ivanov dhe Milloshevicit. Madje variantet ishin hedhur edhe në hartat përkatëse. Por thuhej se e gjitha kjo do të bëhej mbas shumë vitesh…

Materiale e kujtime të botuara vitet e fundit nga aktorë të rëndësishëm të politikës ruse të asaj kohe hedhin dritë për të kuptuar më mirë zhvillimet dhe qëndrimet e sotme të Rusisë dhe jo vetëm  ndaj problemit të ndarjes së Kosovës. Madje lënë të kuptohet se shumë plane e skema, janë lënë të hapura për tu zbatuar qoftë edhe mbas disa dekadash…

Mbas përfundimit të bombardimeve, kur  ushtria serbe  po tërhiqej nga Kosova, dhe kur bisedohej për nënshkrimin e marrëveshjes midis NATO-s – ShBA e Rusisë, midis palëve nuk gjendej gjuha e përbashkët. Rusia kërkonte me insistim dhe vinte si kusht  pjesëmarrjen me trupa paqeruajtëse vetëm me dhënien rusëve të një zonë apo sektori të veçantë në veri të Kosovës, “ku serbët janë në shumicë”. Presidenti i ardhshëm i Rusisë, Vladimir Putin,  në atë kohë shprehej se “Ne duhet të kemi zonën tonë. Aty do të jenë të pranishëm rusët, sepse serbët kanë besim vetëm tek rusët”.

Vetëm insistimi i Rusisë për zonë apo sektor të veçantë shtyu për disa ditë nënshkrimin e marrëveshjes ushtarake. Por pavarësisht nga insistimi i Moskës, sipas marrëveshjes, Rusisë nuk iu dha zonë apo sektor i veçantë (paqeruajtësit rusë u dislokuan brenda sektorëve të ShBA, Gjermanisë dhe Francës) si dhe iu kufizua numri i trupave paqeruajtëse në 3600 vetë nga 10000 vetë që kërkonte ajo.

Aksioni i ndërmarrë nga rusët dhe pushtimi i aeroportit të Prishtinës, ende pa u futur trupat ndërkombëtare në Kosovë, edhe sot mbas 20 vitesh, nga disa politikanë e analistë  shihet si përpjekje e Moskës pikërisht për të bërë të mundur ndarjen e Kosovës.

Por ajo që thuhej midis rreshtave apo nuk thuhej e ruhej fort kasafortave të përfaqësuesve të Fuqive të Mëdha për ndarjen e Kosovës, u vu në jetë menjëherë sapo trupat ndërkombëtare u futën në Kosovë e konkretisht në pjesën veriore të Mitrovicës. Me vendosjen e trupave paqeruajtëse ndërkombëtare (franceze) në urën e Ibrit, duke mos lejuar UCK-në të kalonte matanë urës, faktikisht ata ndanë jo vetëm qytetin e Mitrovicës që historikisht, që kur ishte krijuar ka qenë një qytet unik, por ata ndanë edhe Kosovën. Veriu i Kosovës de facto mbeti jashtë Kosovës, situatë që vazhdon edhe sot e kësaj dite… megjithëse de jure është brenda kufijve të saj.

Pikërisht në këtë kohë lindi dhe filloi të përdorej një term i ri administrativo-politik,Veriu i Kosovës, term që nuk ishte përdorur kurrë më përpara. Por duhet vënë në dukje se pikërisht në këto rajone, ndodhen pasuritë më të mëdha të Kosovës, një pjesë e mirë e Trepçës (që kanë filluar ta quajnë “Trepça e pjesës serbe”…) si dhe një  pjesë e  liqenit të Ujmanit.

Dua të përmend një fakt interesant. Sipas ndonjë burimi nga Moska, sikur Perëndimi të ishte dakord  që Veriu i Kosovës ti mbetej Serbisë, lufta mund të shmangej, sepse Milloshevici nuk do të kundërshtonte dhe mund të gjendej një zgjidhje paqësore…

Moska nuk e mbështeti zyrtarisht ndarjen e Kosovës tek ura e Ibrit, por as nuk u shpreh kundër, siç bënte në atë kohë për çdo veprim që bënin ndërkombëtarët në favor të shqiptarëve apo vetë shqiptarët, e që për Moskën ishte në “dëm” të Serbisë. Me një fjalë, për Moskën ky ishte një variant rezervë për të ardhmen, sepse, sido që të vinte puna, kjo do të ishte në favor të Serbisë. (Në ndonjë rast është hedhur ideja se për këtë ka pasur një marrëveshje të heshtur midis Moskës dhe Perëndimit). Tërheqë vëmendjen fakti se në disa medie ruse filluan ta quanin Mitrovicën kryeqendra e Veriut të Kosovës.

Pikërisht në këtë kohë, kur Prishtina nuk mund të ushtronte asnjë lloj pushteti në Veriun e Kosovës, njëlloj si në kohët më të egra të pushtimit serb, aty vazhdonte ndjekja e persekutimi i shqiptarëve, me qëllim zhbimjen e tyre nga këto rajone. Duket e pa besueshme sot që, në shkurt të vitit 2000, në prani të forcave të KFOR-it, vetëm nga Mitrovica e Veriut janë dëbuar 1564 familje shqiptare me11364 anëtarë…

Me kalimin e viteve, duke parë se Kosova po shkonte drejt pavarësisë, politikanë serbë, gjithnjë e më shumë flisnin për ndarjen e Kosovës. Madje në shumë raste ata i diskutonin këto variante me politikanë të lartë rusë. Në këtë kuadër do të përmendë takimin e presidentit serb Tadic në Moskë me presidentin rus, Putin, në vitin 2006 ku ai i parashtroi atij ndarjen e Kosovës si një ndër rrugët më të mundshme për zgjidhjen e problemit nëpërmjet “formimit të dy etniteteve”.

Në periudhën kur Kosova ecte drejt shpalljes së pavarësisë, e veçanërisht mbas shpalljes së pavarësisë, në Moskë filluan të shtohen zërat në mbështetje të propozimeve që vinin nga Beogradi e ndonjëherë  edhe nga ndonjë kryeqytet europian  për ndarjen e Kosovës, si e vetmja rrugë për  “të shpëtuar çfarë mund të shpëtohet”. Madje edhe personalitete të fushave të ndryshme, politikanë, historianë, ushtarakë etj. që kishin qenë kundërshtarë të ashpër dhe ishin shprehur publikisht kundër ndarjes, filluan ti qasen kësaj teme dhe të ndryshojnë qëndrim. Pa u zgjatur me shumë shembuj do të përmend qëndrimin e ish kryeministrit të Rusisë, Evgeni Primakov (një ndër personalitetet më të fuqishme dhe autoritare të Rusisë të periudhës post sovjetike: Kryetar i Akademisë së Shkencave, shef i Zbulimit të Jashtëm, ministër i Jashtëm,  Kryeministër) i njohur për qëndrimet e tij proserbe. Ai, nga një kundërshtar i ashpër i ndarjes së Kosovës, gradualisht filloi të ndryshonte qëndrim dhe në vitin 2011 të deklaronte se “rruga e vetme” për zgjidhjen e problemit të Kosovës është ndarja e saj, madje disa herë, nëpërmjet intervistave e shkrimeve ai përpiqej të bindte opinionin rus e më gjerë  “për domosdoshmërinë e ndarjes së Kosovës”.

Nuk duket rastësi që pikërisht në këtë periudhë Ivica Dacic deklaronte se e vetmja rrugë për zgjidhjen e problemit të Kosovës është ndarja e Kosovës në pjesën serbe dhe shqiptare.

Në raste të veçanta, për ndarjen e Kosovës  shpreheshin edhe përfaqësues zyrtarë  të Moskës, siç ishte rasti i Aleksandër Borcan-Harcenko, funksionar i lartë i MP Jashtme ruse, një kohë përfaqësues i Rusisë për problemin e Kosovës….

Megjithëse Moska zyrtare vazhdonte të mbante qëndrim mohues ndaj pavarësisë së Kosovës si dhe për çdo problem që lidhej me të, me kalimin viteve ajo filloi të shprehej publikisht se do të ishte dakord me çdo variant apo qëndrim që do të ishte i pranueshëm për Beogradin. Me këtë gjuhë flisnin të gjithë deri tek Presidenti Putin që ka folur për Kosovën me dhjetëra e dhjetëra herë.

Më 18 gusht 2017, ministri i Jashtëm i Serbisë I.Dacic, duke folur për vendosjen e kufijve midis serbëve dhe shqiptarëve ka thënë “Për sa i takon mbështetjes së propozimit tim nga ana e fuqive të mëdha, për të gjithë është e qartë se situata është e rëndë, por unë do ju shpjegoj Ju fjalët e Presidentit të Rusisë, V. Putin, se për Moskën është e pranueshme gjithçka që është e pranueshme për Serbinë. Prandaj kur ne deklarojmë se fjala është për qëndrimin zyrtar të Serbisë, Rusia na mbështet ne, ashtu si dhe shumë shtete të tjera”.

Megjithëse ai foli për një problem madhor si ishte ndarja e Kosovës, Moska nuk u ndje ndaj kësaj deklarate, nuk e mbështeti, por as nuk e kundërshtoi…

Vijon… 

Share This Article
12 Comments
  • Shaqiri ia bere nje pershkrim historic te tragjedise shqiptare nen thundren serbe.
    Ka vene ne tablo te gjithe aktoret, politikanet, ideatoret dhe lojtaret e copetimit te Kosoves. Gjithcka e ka prezantuar me fakte te pakundershtueshme, por vetem nje gje nuk ka arritur te kristalizoje: Faktorin shqiptar.
    Populli ka forcen te thote fjalen e tij dhe te luftoje qe te mos e trajtojne si Palestine. Sa me shume i jemi larguar ne distance kohore ndarjes se Mitrovices, aq me shume jemi thelluar ne ndarjen dhe copetimin faktik.
    Mundet ta imagjinonte dikush cfare do te ndodhte nese forcat e UCKse perqendroheshin te gjitha ne Uren e Ibrit per te hyre ne Mitrovice?
    Kush mund ta zhbente luften ne ato momente?
    Bile dhe sot, pavaresisht perpjekjeve per ta zhbere Luften, aakush nuk mund ta zhbeje. Ketu qendron llogjika e forte e Merkel.
    Kostoja e Luftes se Nato kunder Serbise eshte kosto historike dhe politike.
    Gjithe arti i marrhes se Veriut eshte martja me tradheti. Perdorimi i forces eshte varianti qe dhe ruset nuk e duan, sado qe tju dhembi zemra per Serbine.
    Pika tjeter eshte sa te forte apo te dobet do tregohen shqiptaret.
    Si gjithmone, duke i njohur ata presin qe frika te beje punen e vet dhe shqiptaret ta japin Veriun me deshire.
    Ketu luhet loja. Per shqiptaret eshte momenti i duhur te thone Jo.
    Perndryshe kufijte e Shqiperise do te jene gjithnje te diskutueshem.
    Asnhe shtet tjeter ne Balljan nuk ka humbur territor ne gjithe keto bisedime dypaleshe pervec shqiptareve.
    Eshte koga qe populli ta ndali doren e tradhetise me ne krye tradhetarin Ramut

  • SH.V vertet ben nje pershkrim te ngjarjeve ne Kosove por gabon kur ndarjen e Kosoves ja atribon Rusise. Titulli origjinal duhet te ishte –
    Perendimi e ndau Kosoven qe me 1999!
    Vete SH.V shkruan : “…por ajo qe thuhej apo nuk thuhej e ruhej fort pas kasafortave te Fuqive te Medha per ndarjen e Kosoves, u vu ne jete sapo trupat nderkombetare u futen ne veriun e Mirtovices. Me vendosjen e trupave FRANCEZE ne uren e Ibrit duke mos lejuar UCK te kalonte matane ures, faktikisht ato ndane jo vetem Mitrovicen nga pjesa tjeter e Kosoves, por dhe vete Kosoven. Veriu i Kosoves mbeti de facto jashte Kosoves dhe ashtu vazhdon e sot e kesaj dite …megjithese de jure eshte brenda saj ”
    Ja pra, fjale qe nuk i mohon dot askush. Kjo eshte krejt e verteta. Kosova u nda qe ne 1999 nga ato qe u shpallen si “Clirimtaret”, trupat franceze te vendosura ne uren e Ibrit. Vazhdimi i kesaj historie akoma duke fajesuar Rusine per nje ndarje te Kosoves te kryer qe ne 1999, merr trajten e perralles me a pa mbret s’ka rendesi.

  • Komenti juaj është për tu lavdëruar sepse qëllon në shënjë, kur flet për përgjegjënësinë e vet shqiptarëve ( unë kam parasysh shqiptarët e kosovës), në trajtimin e këtij problemi jetik., kombëtar dhe ekonomik.
    Më vjen keq që këtë koment, për tu lavdëruar, e mbyll me polemikën bastarde të ditës në Shqipëri; ku dihet mirëfilli qëndrimi yt?!
    Vë në pah “ramushin” për qëndrime të supozuara, ndërsa “harron” faktet e S. Berishës, me lidhje familjare me qarqet e errëta sërbe, apo furnizimet me naftë, kur kosovarët masakroheshin nga tanket.
    Unë desha të shtoj përgjegjësinë, e pa falëshme, të qeverive Kosovare, që i kanë braktisur banorët autoktonë të atyre trevave.
    10 000 veta. Më rrënqethet mishtë kur më kujtohet poezija TRENAT E GJATE, TRENAT E ZINJ, për eksodin drejt Turqisë. Kjo ndodhte nën Titon; por mbas “pamvarësisë”, ka absurditet tragjik. Ndërsa Sërbija investon rëndshëm për të vetët, tanët marrin arratinë sepse ndihen të vetmuar e kërcënuar në truallin e shtetin e tyre.
    Respekt!

      • Faleminderit Shefqet. Per sa i perket verejtjes ne llogjiken time mundohem te jem koherent. Fjale shqipe 10% tend me kohen.
        Berisha i takon opozites se permbysur qe nuk ka fuqi ligjore. Dhe duhet te ishte fuqia e ligjit te shtetit qe ta denonte.
        Kjo nuk ndodh. Fajin nuk e ka Saliu per kete, por Ramiu.

  • Hekuri gjithmon duhet te rrafet sa eshte i nxehet se kure te ftohet ai nuk pranon cekan.

    Ketu kemi te bejem me tradhetin e Ibrahim Rugoves i cili nuk lejoi ngritjen e UCK-se ne zonen e Prishtines dhe afer Mitrovices me genjeshtat e tije se Lirija do te na vij nga qielli.
    Po te lejohej edhe atje UCK-ja ajo do ti zgjidhte problemet sic i zgjidhei ne zonat e tjera te Kosoves, pore Prishtin nuk e luajti veshin fare dhe luftetare i ndoci nga dritarje e Tlevizionit, pa u merakosur fare.!
    Sote jan krijuar rrethan te veshtira , rrethana keto qe pa tjeter do te cojne ne nje lufte te re.Lufte e cile nuk dihet se ne favor te kujte do te perfundoje..
    Ne jemi te Carmatosure se keshtu faktori nderkombetar prishi armatimin ne menyre te organizuar ne te gjith trevat shqiptare duke filluar nga shqiperia mem dhe ne te gjitha vatrat e luftes dhe sote jemi me duar ne xhapa.
    Pra Berisha i dha Nafte serbise ndersa Rugova u be gardiani i serbeve per ta mbajtur gjyeme e me shume te kosoves pa u ngritur ne lufte.!
    Keshtu, kush mbjell eren do ta korre furtunen, pore ne fakte ketu furtunen do ta korrin vegjelia shqiptare.!

    • Jo v. tëm kaq,por Serbija investoi shumë dhe ndërkombëtarët, por dhe qeverija e Kosovës u kujdes shumë për kthimin e serbëve nga lufta, duke qënë moskokëçarëse për shqiptarë e larguar nga “paqja”.

    • O like nga Selenica ti prodhon me shume politike se sa objektivitet .Sot nuk e rrezikon Kosoven as Rugova i vdekur(qe sjam fare dakort me argumentin tend) as Berisha pa pushtet!!!!!!!! Me degjo nje fjale , kur populli rri ne gjume pushtetaret horra te bejne gjemen, bej te fala Thaçit e Ram timonit!!!!!!!!!!!!!!!!!!!!!!!!!!!!!!!!!!!!!!!!!!

  • Duket qe zoti Vukaj e njeh mire historine e Kosoves por termi ndarje e kosoves eshte term Serb qe synon marjen e veriut te kosoves pa dhene gje. Ndersa bisedimet synojne shkembim teritoresh permes ndryshimit te kufinjve. Cka do te thote se kosova nuk ndahet por jep e mer duke levizur kufinjte ekzistues. Kufinjte e sotem te kosoves Jane vendosur ne vitet 1956 me qellimin e keq qe Serbia te merte me shume teritor kosovar duke synuar me pas largimin e shqiptarve qe banonin jashte kosoves. Me pas pati zhvillime ne jugosllavi e per pasoje shqiptaret fituan autonomine, te drejten e flamurit dhe universitetin. Kjo percaktoi kufinjt e krahines se kosoves, cka uli fuqine dhe agresivitetin Serb. Serbet ishin kunder autonomise dhe pergatiten edhe nje plan I quajtur projekti jeshil, per anullimin e autonomise. Tito e Kardeli e kundershtuan dhe kosova ruajti autonomine dhe kufijte aktual. Kur kosova fitoi pavarsine, serbet kuptuan se me marifetet e tyre ja kishin futur vetes pasi pjese me popullsi serbe, sic eshte veriu, mbeti jashte serbise e brenda kosoves. Kete makutllik te tyre ata duan ta korrektojne. Pavaresisht se permendet termi, ndarje kosoves, tani synohet shkembim teritoresh permes ndryshimit te kufinjve. Ka shume mundesi qe zgjidhja te jete: 1- Serbet te marin pjesen veriore banuar nga serbet. 2- Kosova te mari Luginen e Presheves banuar nga shqiptaret.

  • Njerez ..keto shtrohet pyetja po hajduti qe ma vodhi nuk kishte faj ……..Politika shqiptare ka ardhur ne nje pike qe nuk i mban me uje pilafi ..cdo dite po i cirret maska …po i del ne drite fytyra e vertete alabake dhe anti shqiptare ….prandaj po pqerpiqen ti zgjasin frymen vetes me gjasme bisedimet per veriun e kosoves ….nga e gjithe kjo duket qarte se ruset e serbet po perpiqen te mbrojne agjentet e vet …qe jane si ne ps e lsi e pd e ne cdo vrime te administratave shqiptare……

    ajo kosove qe eshte aty u be me luften e amerikes dhe ka merre nje here e pergjithmone fund nuk ka Vucic e Putin e Torollak alabanezi qe ta cperbeje ate Politik …..

    Edhe Taksa 100% eshte vendesur me pelqimin e Amerikes !

    Nuk duhet te ngatarrojme lojen e sllavo bolshevikve per te shpetuar halet e vet qe jane bile der ne Amerike.

    Per 30 vjet nuk ka me as Serbi e as Gerrrrqi …gjera te vulusura tashme ….to be continued

  • Nuk mund te aludoj dot ne tym se se si do vazhdoje me tej shkrimi dinjitoz i z.Vukaj, por me aq sa une arrij te kuptoj, them se ai do perqendrohet ke analiza e faktoreve dhe personazheve kryesore qe kane bere te mundur kete gjendje aspak stabile per rajonin.

    Pavaresisht lobit te fuqishem ruso-serb sidomos ne france dhe amerike, politika pro-evropiane dhe interesat gjeostrategjike te shteteve te bashkuara te amerikes e kane shnderruar tashme ballkanin perendimor ne nje arene ku po perplasen dukshem interesat te forta “gladiatoresh”. Pranimet e fundit simbolike ne paktin ushtarak NATO i disa vendeve ballkanike deshmon se serbeve po i ngushtohet gjithnje e me shume terreni dhe dora e lire ne veprime.

    Tani qe shpresat e tyre per nje serbi te madhe tashme jane reduktuar ne maksimum, e vetmja gje qe u ka mbetur eshte aktivizimi sa me masiv i lidhjeve te fshehta me politikane bytheshitur, dhe ky eshte kyci i problematikave qe po hasin dhe do vazhdojne te hasin vende ende te pastabilizuara politikisht. Duke marre shkas nga ngjarjet e fundit, pyetja qe lind eshte se perse duhen bere nga njera ane polemika te tilla per te ashtuquajturin “shkembim territori”, nderkohe qe nga ana tjeter ballkani juglindor aspiron te integrohet se shpejti ne strukturat e bashkimit evropian?

    Cili eshte “dobiclliku” ne kete mes, dhe cilet jane perfituesit kryesore te nje dallaveri te mundshem?

    Jo per gje, por pervec paleve direkt kontraktuese, projektuesit dhe promovuesit e te cileve merret kollaj me mend se cilet jane, askush prej qytetareve te thjeshte s’ka per te perfituar as nje file floku.

    Jo per gje, po nderkohe qe nje popull i lene qellimtasi ne skamje dhe erresire po shkon drejt tkurrjes per shkak te emigrimit ne menyre masive, eshte tmerresisht e pa pranueshme per ate pak inteligjence te mbetur, te gjunjezohet, te pajtohet, dhe te behet deri dhe bashkeautore ne maskarada te mbuluara prej tymit aspak transparent qe leshon politika dhe veglave te tyre qorre, te pozicionuara me qesendi ne funksione drejtuese mediatike.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *