Kushtet për licencimin e mësuesve të rinj

Leda Hysa

 

Mësuesit e rinj të diplomuar pas datës 12 janar 2011, të cilët pas diplomimit kanë punuar në një institucion publik, apo privat të arsimit parauniversitar, do të pranohen në provimin e shtetit për të siguruar licencën profesionale vetëm nëse kanë të dokumentuar 12 muaj pune në librezën e punës. Dokument të cilin duhet ta dorëzojnë në fazën e regjistrimit. Nëpërmjet kësaj periudhe do të vlerësohet se mësuesi që kërkon të fitojë lejen e ushtrimit të profesionit ka kryer detyrimet e ndjekjes së praktikës njëvjeçare, që është edhe kushti bazë për të hyrë në provimin e shtetit. Drejtoria Arsimore e Tiranës bën me dije se janë hapur procedurat e regjistrimit të gjithë kandidatëve që duan të konkurrojnë për licencën përgjatë sezonit të dytë të testimeve që do të zhvillohet disa javë më vonë. “Dorëzimi i dokumentacionit për provimet e shtetit për profesionin e rregulluar të mësuesit sezoni i dytë do të vijojnë deri në datën 11 shkurt. Për të orientuar mësuesit rreth përgatitjeve për këtë provim, bëhet e ditur se programet e provimit të shtetit dhe fondi i pyetjeve sipas profileve përkatëse gjenden të detajuara në faqen zyrtare të Qendrës së Shërbimeve të Arsimit, në rubrikën përkatëse”, bëjnë me dije autoritetet e Drejtorisë Arsimore të Tiranës.

Dosja e regjistrimit

Dokumentet që do të kërkohen për regjistrimin për hyrjen në provimin e shtetit duhet të përfshijë: CV, librezë pune (e noterizuar), diplomë e nivelit të parë, listë notash të noterizuar, “Master i shkencave”, ose “Master profesional”, (listë notash) vetëm ata që kanë profilin mësuesi. Gjithashtu duhet të paraqisni edhe vërtetim të gjendjes gjyqësore, vërtetim vendbanimi, kartë identiteti, vlerësim pune nga punëdhënësi i fundit. Ndërsa kandidatët të cilët janë quajtur mbetës në sezonet e shkuara të provimit të shtetit dhe do të regjistrohen përsëri, duhet  të dorëzojnë brenda datës së përcaktuar dokumentet si në vijim: “Fotokopje të diplomave “Bachelor” dhe “Master”, si dhe fotokopje  të kartës se identitetit, fotokopje e certifikatës së praktikës profesionale”.

Rregullat për ditën e provimit

Sipas rregullores së përcaktuar, kandidatët për provimin e shtetit duhet të paraqiten në godinën e Qendrës së Shërbimeve të Arsimit në datën e caktuar për secilin specialitet të paktën 30 minuta para zhvillimit të provimit. Kandidatët duhet të kenë detyrimisht me vete: “Fotokopje të diplomave “Bachelor” dhe “Master”, Kartën e identitetit, Mandatin e pagesës së tarifës së provimit të shtetit të specifikuar sipas herës së pjesëmarrjes në këtë testim. Në sezonin e radhës të provimit të shtetit do të marrin pjesë mësuesit e arsimit fillor, arteve figurative, biologjisë, biologji-kimisë, edukimit fizik, fizikës, gjeografisë, gjuhës angleze, gjuhës frënge, greke, gjermane, italiane, gjuhës shqipe dhe letërsisë, historisë, histori-gjeografisë, histori-gjeografisë dhe edukatës, informatikës, mësuesit e instrumenteve muzikore, kimisë, matematikës, matematikë-fizikës, matematikës informatike, si dhe mësuesit e shkencave sociale.

Provimi i informatizuar

Testimi do të jetë i informatizuar dhe çdo kandidat duhet të paraqitet në ambientet e kësaj qendre, në ditën e përcaktuar për profilin e tij lëndor, për të plotësuar testin me alternativa online. Autoritetet e Qendrës së Shërbimeve të Arsimit bëjnë me dije se provimi do të jetë i strukturuar në tre pjesë, të cilat përfshijnë pyetjet rreth njohjes së rregullave të drejtshkrimit të gjuhës shqipe, pyetjet rreth pedagogjisë, metodave të mësimdhënies dhe menaxhimit të klasës, si dhe pyetjet specifike për profilin lëndor në të cilin mësuesi kërkon të fitojë licencën. Në faqen online zyrtare të kësaj qendre, do të gjeni të detajuara edhe fondin total të pyetjeve për secilën nga këto tematika, të cilat do të jenë pjesë e testimit final të licencës. Pajisja më lejen e ushtrimit të profesionit, e lejon çdo mësues të ri që të nisë procedurat e mëtejshme të konkurimit për vendet e lira të punës në shkollat e arsimit parauniversitar, si dhe gjimnazeve publike dhe private të vendit për vitin shkollor 2018-2019. Kandidatët që do të vlerësohen në testimin me alternativa me më pak se 50 pikë, nuk do të pajisen me licencën profilit në të cilën aplikojnë, pasi rezultojnë mbetës. Tarifa e dhënies së provimit të shtetit pëson rritje sa herë që ju rezultoni mbetës. Në vijim të shkrimit gjeni të detajuar si ndryshon kostoja e provimit të licencës sa herë që ju merrni pjesë në provimin e shtetit. Për kandidatët pjesëmarrës në provimin e shtetit në të gjitha profesionet e rregulluara, për çdo herë pjesëmarrje mbi herën e pestë, tarifa e shërbimit në favor të Qendrës së Shërbimeve Arsimore, do të jetë 25,000 lekë”, saktësohet në vendimin e miratuar nga qeveria, i cili i lejon këta kandidatë që të hyjnë në provimet e shtetit edhe më shumë se pesë herë. Ndërkohë që më parë, kush nuk arrinte të merrte pikët kaluese deri në herën e pestë të pjesëmarrjes në provimin e shtetit, nuk mund të ushtronte më profesionin për të cilin ishte diplomuar.

Dokumentet që duhen për regjistrim në provimin e shtetit:

  • CV
  • Librezë pune (e noterizuar).
  • Diplomë e nivelit të parë, listë notash të noterizuar.
  • Master i Shkencave / ose Master Profesional, listë notash vetëm ata që kanë profilin mësuesi (e noterizuar).
  • Vërtetim të gjendjes gjyqësore.
  • Vërtetim vendbanimi.
  • Kartë identiteti.
  • Vlerësim pune nga punëdhënësi i fundit.
  • Përsëritësit duhet të dorëzojnë fotokopje të diplomave, të certifikatës profesionale dhe kartës së identitetit.

Tarifat që duhet të paguani për të dhënë provimin e licencës

  • Tarifa për kandidatët që e japin për herë të parë provimin e shtetit është 10,000 lekë.
  • Tarifa për kandidatët që e japin për herë të dytë provimin e shtetit është 12,500 lekë.
  • Tarifa për kandidatët që e japin për herë të tretë provimin e shtetit është 15,000 lekë.
  • Tarifa për kandidatët që e japin për herë të katërt provimin e shtetit është 17,500 lekë.
  • Tarifa për kandidatët që e japin për herë të pestë provimin e shtetit është 20,000 lekë.
  • Tarifa për ata që e japin për herë të gjashtë, e më shumë, provimin e shtetit është 25,000 lekë.
  • Tarifa për kandidatët që e japin provimin e digjitalizuar të specializimeve, apo provime të tjera do jetë 5000 lek

 

p.k/ dita

Share This Article
2 Comments
  • E per ato qe nuk kane punuar ma para si behet? Eshte fantastike imagjinata e administrates shqiptare per te shpikur kushte idiote per te ´seleksionuar’ vetem ato qe Njeshi do….Apo mos mendojne ma larg se une,edhe apostafat i bejne keto kushte se per sicilin do fitojne neser mije euro ryshfet?
    Cka i duhet CVja per te vendos? Vendosin mbi Cv ne apo mbi diplomat e kerkuara…Cvja nuk eshte nje kriter kur per provim,ose atehere duhet te na tregoni metodologjine per vleresimin e CVse…e vleresoni me pika per vjet pune, me pika per sherbim ne vendet e braktisura,apo me pika per dashnore te x pushtetare? Cka ju duhet CVja per nje ´provim’ ku te gjithe duhet te jene te barabaret? Pikerisht qe mos te jene se ne shqiperi dihet si fitohen vendet e punes,pra kerkohet vetem me dite cilin’te fort’ e ke mbas teje????
    Pffff nje provim per mesues nuk jeni te afte si shtet me e ba si ka dhane Zoti,gje qe cdo vend i botes e ka arritur qe moti,e lere me per ma shume!

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *