Të ardhurat shtesë që përfitoni nëse shtyni datën e daljes në pension

Leda Hysa

Skema e sigurimeve shoqërore lejon përfitimin e të ardhurave shtesë për rastet rastet kur vendosni që të shtyni datën e daljes në pension. Sipas kushteve të përcaktuara në ligjin përkatës të sigurimeve shoqërore, shtesa llogaritet për aq muaj sa është shtyrë edhe data e daljes në pension.  “I siguruari, i cili ka plotësuar kushtet për pension pleqërie, mund të përfitojë një shtesë në masën 0,5 për qind të pensionit për çdo muaj që shtyn datën e daljes në pension dhe vazhdon të paguajë kontribute”, detajohet në ligjin e sigurimeve shoqërore. Kjo shtesë  jepet edhe në rastet kur përfituesi i pensionit të pleqërisë e ndërpret atë dhe vazhdon të punojë duke derdhur kontributet përkatëse. “Përfituesi i pensionit të pleqërisë, që ndërpret pensionin, vazhdon të punojë dhe paguan kontribute, merr shtesë mbi pension në masën 0,5 për qind për çdo muaj ndërprerjeje. Kjo shtesë llogaritet mbi atë masë pensioni që rezulton pas rritjeve dhe indeksimit që ka pësuar pensioni gjatë kohës së ndërprerjes”, vënë në dukje ekspertët e sigurimeve shoqërore në lidhje me llogaritjen e të ardhurës shtesë që jepet në rastet e ndërprerjes së pensionit të pleqërisë.

Pensioni i pleqërisë  

Pensioni mujor i pleqërisë përbëhet nga një shumë bazë dhe nga një shtesë. Shuma bazë llogaritet si raport i periudhës së sigurimit, që ka realizuar personi, me periudhën e sigurimit të kërkuar,  shumëzuar me pensionin social. Ligji I sigurimeve shoqërore përcakton më tej se shtesa do të jetë 1 për qind për vit sigurimi shumëzuar me bazën mesatare të vlerësuar që personat e siguruar kanë arritur nëpërmjet kontributeve ndërkohë që në asnjë rast . shuma e përgjithshme e pensionit nuk mund të jetë më e vogël se pensioni social.

Përfitimet e reduktuara të pleqërisë

Personat që kanë periudha sigurimi kanë të drejtë për pension pleqërie të reduktuar, deri tre vjet para mbushjes së moshës së daljes në pension, si dhe nuk kryejnë veprimtari ekonomike si të punësuar, punëdhënës, ose të vetëpunësuar. Masa e pensionit të reduktuar të pleqërisë është pjesë e pensionit të pleqërisë dhe mbetet i reduktuar gjatë gjithë kohës së përfitimit. Ky pension llogaritet duke zbritur nga pensioni i pleqërisë shumën që del nga shumëzimi i numrit të muajve të përfitimit të pensionit para mbushjes së moshës, me koeficientin mujor të reduktimit. Koeficienti i reduktimit është 0.6 për qind në muaj. Nëse një përfitues kërkon pension të reduktuar 20 muaj para mbushjes së moshës për pension të plotë pleqërie, nga pensioni i plotë mujor i llogaritur, që mund t’i caktohet 24 mijë lekë, do t’i zbritet 12 për qind (që del nga prodhimi i 20 muajve që e ka përfituar më shpejt pensionin e pleqërisë me 06 për qind, që është koeficienti i miratuar).

Dorëzimi i kërkesës

Personi i siguruar ka të drejtë të kërkojë përfitime sa herë që mendon se i plotëson kushtet për përfitimin e tyre. Kërkesat, së bashku me dokumentet e përcaktuara në rregulloren e Institutit të Sigurimeve Shoqërore, paraqiten dhe administrohen në sportelet e shërbimit, në ato bashki ku ndodhet vendbanimi i përhershëm i personit, sipas procedurave të parashikuara në legjislacionin që rregullon mënyrën e ofrimit të shërbimeve publike në sportel. Ndërsa në rastet kur aplikohet për pagesat e papunësisë bëhet e ditur se: “Kërkesat për përfitimin e papunësisë bëhen në zyrat e punës me procedurë, sipas qendrës së punës ose vendbanimit”.

Përllogaritja e përfitimeve

Pensionet  caktohen nga zyrat rajonale të Institutit të Sigurimeve Shoqërore, brenda ditës së fundit të muajit të ardhshëm nga data e pranimit të kërkesës dhe dokumenteve të plota e të sakta për pension. Përfitimet afatshkurtra për degët e sëmundjes, barrëlindjes dhe aksidenteve në punë për personat e punësuar, do të llogariten nga qendrat e punës, kurse për personat e tjerë ekonomikisht aktivë, nga zyrat lokale të sigurimeve shoqërore. Përfitimet afatshkurtra për papunësinë caktohen nga zyrat e punësimit. Dokumentacioni, kriteret dhe procedurat e caktimit të tyre përcaktohen me vendim të Këshillit të Ministrave.

Të drejtat përfituese

  • Personat që kanë të drejtë për më shumë se 1 lloj pensioni, mund të zgjedhin vetëm një prej tyre, kjo e drejtë mund të ushtrohet jo më shumë se tre here.
  • E drejta e pensionit nuk parashkruhet. Personi, i cili kërkon pensionin jo më vonë se 1 vit nga data që i lind kjo e drejtë, ky pension i paguhet që nga kjo ditë. Në raste të tjera pensioni do të paguhet nga data e paraqitjes së kërkesës për pension. E drejta për të ardhurat e tjera parashkruhet me kalimin e një viti nga data e fillimit të së drejtës për përfitimin e tyre.
  • Pensionet e njohura, por të patërhequra do të paguhen në çdo kohë, por jo më shumë se për 3 vjet.
  • Pensionet e caktuara, por të paguara më pak, jepen në çdo kohë, por jo më shumë se për 3 vjet.
  • E drejta për të kërkuar shumat e marra tepër gjatë një viti, ushtrohet jo më vonë se 3 vjet nga marrja e tyre, por jo më vonë se 6 muaj nga data e konstatimit dhe masa e ndalesës për çdo muaj është 20 për qind e këstit mujor të pensionit.
  • Personi, që ka përfituar pension ose të ardhura të tjera nga sigurimet shoqërore, në mënyra e mjete në kundërshtim me ligjin, detyrohet të kthejë të gjithë shumën e marrë tepër, të cilën e shlyen duke iu mbajtur çdo muaj 50 për qind  e këstit mujor të përfitimit. Gjithashtu, personi dënohet me gjobë në masën katërfish të dëmit të shkaktuar, pavarësisht nga dënimi i parashikuar në dispozitën përkatëse të Kodit Penal.
  • Pensioni i invaliditetit do të ndërpritet për periudhat që pensionisti refuzon të vizitohet te komisioni i mjekëve ekspertë kompetent.
  • Gjithashtu pensioni i invaliditetit ndërpritet edhe për periudhat kur ai refuzon të marrë pjesë në kurset e kualifikimit e të rikualifikimit, në ripërtëritjen mjekësore dhe në trajtimin kundër alkoolit e drogës, që synojnë të reduktojnë aftësinë tij për punë.

KUSHTET E PENSIONIT PËR 2019

Kushtet e daljes në pension për burrat

Kategoria I                 Kategoria II               Kategoria III

Mosha për pension                  63 vite                         65 vite                         65 vite

Vjetërsia e punës                     36  vite e 8 muaj          36  vite e 8 muaj          36  vite e 8 muaj

Kushtet e daljes në pension për gratë

Kategoria I                 Kategoria II               Kategoria III

Mosha për pension                  58 vite                         60 vite e 10 muaj         60 vite e 10 muaj

Vjetërsia e punës                     35  vite                                    36  vite e 8 muaj          36  vite e 8 muaj

 

p.k/ dita

Share This Article
1 Comment
  • Pse talleni prap ,me pensionistet e mjere ,qe nuk i del pensioni as per te pire uje ,e letra higjenike .
    Apo e keni arken bosh ,nga zullumet e vjedhjeve ,.???
    mjaft me me dredha rigoshete !!!

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *