Ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë Belinda Balluku doli sot në një deklaratë për mediat për t’i dhënë përgjigje negative propozimit të Presidentit Ilir Meta, që tre dite më parë kërkoi anulimin e projektit të Unazës së re. Por nga deklarata që znj. Balluku lexoi përpara mediave u kuptua që ministrja nuk e njeh projektin e unazës së re, ndonëse ky i fundit është më i përfoluri dhe sikurse dhe ajo vet deklaroi më i “përbalturi”. Ajo lajmëroi një rivlerësim në aspektet teknike te Lotit 3 të projektit ndërkohë që fliste për Lotin e parë, atë nga pallati me shigjeta tek rrethrrotullimi i sheshit shqiponja.
“Ndërkohë, kam vendosur organizimin e një tryeze me Bashkinë e Tiranës dhe specialistë që të vlerësojmë në çdo aspekt teknik projektin e lotit 3 – duke mos përjashtuar edhe rishikimin e tij nëse ka vend për një rishikim që e përmirëson projektin – gjë që do ta bëjmë në çdo hap me çdo projekt e në çdo kantier, ku dalin probleme apo lindin ide fituese në të mirë të projektit. Fokusi i këtij vlerësimi do të jetë tek nyja strategjike e quajtur e Shqiponjës, ku çdo marzh sado i vogël përmirësimi do të konsiderohet me shumë seriozitet.” – u shpreh Balluku.
Por nëse do ta kishte lexuar deklaratën me po kaq seriozitet, përpara se të dilte publikisht ministrja Balluku do e kuptonte që vlerësimi teknik që fliste ishte për Lotin e parë të Unazës, ndërkohë që e ngatërronte me atë më me pak rëndësi në projekt, LOTIN e tretë. Paragrafi i parë i deklaratës:
“Informoj për të përhapur çdo mjegull mediatike, se loti dytë dhe i tretë do të vazhdojnë sipas procedurave të kryera.”
Në fakt, në vend që të largonte mjegullën, Balluku e shtoi atë. Nëse loti i dytë dhe i tretë do vazhdojë sipas procedurave të kryera, i bie që vlerësimi teknik ti takonte Lotit të parë… Kaq gjë ministrja mund ta kishte kapur vet, pa qenë nevoja e këtij lëmshi që thuri ndërsa lëshoi akuza për lajme të rreme, aludime…
Projekti i unazës është i ndarë në tre lote, por Loti i parë ishte zanafilla e gjithë dritëhijeve që veshën këtë projekt.
v.l/ Dita
