Rënia e importimit të mallrave tregues i frenimit të investimeve në Shqipëri. Konsumatori shpenzon për produktet jetike. Në gusht importet ranë me 12.3 për qind në raport me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar
Shifrat janë kokëforta dhe sado të reduktohen ato, konsumatori i reflekton në blerjet e tij. Këtë kanë treguar dhe shifrat e djeshme të publikuara nga INSTAT, në raport me eksportin, importin dhe si është reflektuar tek blerësi dhe tek investimet në muajin gusht. Kështu tendencat frenetike të konsumatorit edhe pse muaj gusht dhe periudhë pushimesh kanë qenë të mëdha, duke dëshmuar edhe një herë krizën ekonomike që ka përfshirë vendin. Sipas të dhënave zyrtare importet po vijojnë për të dytin vit radhazi tendencën negative, një tregues i qartë i rënies së investimeve në ekonomi, me blerjet e makinerive, pajisjeve e materialeve të ndërtimit, që po vazhdojnë të tkurren. Sipas INSTAT, importet janë tkurrur me 5.3 për qind me bazë vjetore për periudhën janar-gusht në 324 miliardë lekë, duke përshpejtuar sërish ritmet e rënies, pas një sinjali disi më pozitiv në korrik, ku importet u rritën me 1.2 për qind në muajin në fjalë, në raport me të njëjtin muaj të vitit të kaluar. Në gusht importet ranë sërish me 12.3 për qind në raport me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar. Ndikimin kryesor në tendencën negative tetë mujore e ka dhënë ulja e ndjeshme e zërit minerale lëndë djegëse dhe energji, që është tkurrur me 21.5 për qind me bazë vjetore, në gati 57 miliardë lekë, duke zbritur në grup-mallin e tretë më të madh të importuar, nga vendi i parë që zinte në të njëjtën periudhë të vitit të kaluar. Në një tregues se sektori i ndërtimin vijon tkurrjen e tij, edhe importet e materialeve të ndërtimit e metaleve ranë me 7.7 për qind në 40 mld lekë për periudhën janar-gusht. Në rënie të thellë janë dhe importet e makinerive pajisjeve dhe pjesëve të këmbimit, një tregues i investimeve direkte në ekonomi, të cilat u tkurrën me 11.7 për qind me bazë vjetore për 8 mujorin në 57 miliardë lekë. Edhe importet e ushqimeve, pijeve e duhanit, një tregues i konsumit të individëve janë tkurrur me 1.3 për qind në 61 miliardë lekë për 8 mujorin, në raport me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.
Frenohet rritja e eksporteve
Tregues negativ në ekonominë shqiptare është dhe frenimi i rritjes së eksporteve. Edhe pse krahasuar me importet kanë nje tregues pozitiv, duhet të kujtojmë se eksportimi i mallrave shqiptare konsiston kryesisht në materialet që punohen me porosi (fasonet) dhe materialet “lëndë djegëse”, sërish mbeten në nivele negative, krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë. Të dhënat e publikuara nga INSTAT tregojnë se për periudhën janar-gusht 2013, kompanitë shqiptare kanë shitur jashtë vendit rreth 160 miliardë lekë, me një rritje prej 16.6 për qind në krahasim me të njëjtën periudhë, nga 18.4 për qind që ishin ritmet vjetore të rritjes për 7 mujorin. Eksportet e “minerale, lëndë djegëse e energji” u rritën me 39 për qind për janar-gusht 2013, duke arritur në 67 miliardë lekë dhe duke përbërë zërin kryesor të eksporteve vendase, me rreth 40 për qind të totalit. Prej dy vitesh ky grup-mall po rritet me shpejtësi, si rrjedhojë e eksporteve të larta të naftës nga kompania Bankers Petroleum. Megjithatë, ritmet e rritjes së këtij grupmalli u ngadalësuar për tetëmujorin, si rrjedhojë e energjisë, që nuk u eksportua më për shkak të kushteve të pafavorshme të motit. Për herë të parë në gusht, eksportet e këtij grupi nuk shënuan rritje në raport me muajin përkatës të një viti më parë. Eksportet e tekstileve e këpucëve kanë vijuar me tendencën pozitive të këtij viti, pas rënies prej rreth 4 për qind me bazë vjetore vitin e kaluar. Për periudhën janar-gusht 2013, ato u rritën me 10.8 për qind në 47 miliardë lekë, duke përbërë 29 për qind të totalit të eksporteve. Shtimi i porosive nga partnerët italianë, që po largohen nga Kina dhe Lindja e Mesme, në përpjekje për të qenë më eficientë, ka ndikuar në përmirësimin e sektorit të fasonit, ku rritjen më të madhe po e shënojnë eksportuesit e këpucëve. Megjithatë, në raport me korrikun 2013, eksporti i “Tekstile dhe këpucë” u ul 41 për qind, një tendencë sezonale e përvitshme kjo, për shkak të pushimeve të partnerëve italianë. Në raport me gushtin 2012, eksportet e këtij grupmalli u rritën me 19 për qind. Eksportet e materialeve të ndërtimit e metaleve thelluan ritmet e rënies, duke u tkurrur me 17 për qind me bazë vjetore në 21.7 miliardë lekë për periudhën janar-gusht, pasi ishin gjallëruar me 12 për qind për 4 mujorin.
