Në fabrikën e kukullave të Anjeza Tufinës

anazapta

Anjeza Tufina është “tironse” dhe prej disa vitesh jeton në Milano. Një vajzë që ka tërheqje ndaj modës, të shkojë në këtë qytet të Italisë, nuk mund të qëndrojë kurrsesi indiferente. Por, Anjeza, i ka hyrë thellë këtij pasioni, aq sa sot gjendet brenda industrisë së modës italiane dhe për më tepër është pronarja e një blogu që po ashtu ka të bëjë me modën. “Fabrika e kukullave”, quhet qoshja virtuale ku Anjeza hedh të gjitha të rejat më të fundit dhe stileve në veshje. Nuk quhet rastësisht kështu, pasi në pallatin ku ajo banoi deri në vitet ‘80 janë prodhuar kukullat Barbi. Sot, ajo është e ftuara e “Ditës” për të na treguar më shumë, për jetën e saj si konsulente luksi në Milano, por edhe për të na dhënë disa këshilla për këtë vjeshtë-dimër që kemi përpara.

Tufina, ka studiuar Menaxhim Biznesi në Itali. Në fillim nuk ia kishte marrë mendja që këto dy pasione do i zhvillonte në të njëjtën kohë, por ja që ëndrrat dalin, kur ke vullnet dhe këmbëngul për atë që do. Kjo vajzë është njëra prej tyre që sot shëtit në korridoret e modës në Itali. Nga brenda fabrikës së kukullave të Anjezës ju sjellim këtë intervistë.

 

2Anjeza, na trego diçka për vete, me çfarë merresh, ku jeton, kur je larguar nga Shqipëria?

Jetoj në Milano ku jam transferuar fillimisht për të studiuar për Menaxhim Biznesi në universitetin Boçoni. Tani punoj si konsulente biznesi në industrinë e modës.

 

Ç’është ky pasion për modën, kur iu ka lindur?

Të jetosh në Milano është e pamundur të mos zhvillosh një pasion për modën. Moda është nëpër vitrina, festa, evenimente, por edhe muze…

 

Po si jeni futur në këtë botë dhe cilat kanë qenë hapat tuaj të parë?

Hapat e parë kanë qenë nga ana profesionale edhe pse unë specifikisht merrem me anën ekonomike dhe strategjike të biznesit që qëndron pas industrisë së modës. Ana kreative gjendet vetëm në blogun tim “The Dolls Factory” nga i cili më janë hapur akoma më shumë dyer.

 

Cilin konsideroni ju si suksesin tuaj më të madhe deri më tani dhe pse?

Në jetë akoma jam duke punuar për të arritur një target që i kam vendosur vetes që është ai i të pasurit një firme time konsulence. Çdo sukses tjetër më duket thjeshtë një hap më shumë drejt asaj që unë quaj suksesi i vërtetë. Ndërsa me blogun çdo projekt që ndërmarr është një sukses më i madh se ai i mëparshmi. Më i fundit është zhvillimi i fushatës reklamuese online të firmës amerikane GAP me 3 looks të krijuara nga unë.

 

Pikërisht, ajo që na bëri përshtypje dhe që më pas u lidhëm me ju ishte ky blog, na tregoni pak çfarë mund të gjejmë aty?

“The Dolls Factory” është një ditar stili, bukurie dhe udhëtimesh të cilin e kam hapur prej gati 3 vjetësh. Në 2 vitet e fundit është kthyer në një punë të dytë sepse falë tij më është dhënë mundësia të bashkëpunoj me shumë firma mode dhe bukurie për të krijuar projekte të ndryshme komunikimi në ueb.

 

Sa kohë ju ha blogu në të përditshmen tuaj, përpos angazhimeve të tjera?

Blogu është kthyer në një punë të dytë sepse gjithmonë e më shumë kërkon kohë. Unë i dedikoj tërë kohën jashtë impenjimeve të punës, gjë që do të thotë që shpesh gjendem deri në mesnatë duke përgatitur artikujt për ditën e nesërme në blog. Por jo gjithçka është punë, blogu sjell dhe ftesa për në shumë evenimente si mbrëmje gala në Vjenë, ekspozita në Paris, fashion shows në Berlin, etj.3

Çfarë mendoni të bëni në të ardhmen?

Me blogun do të vazhdoj gjithmonë edhe sikur të ndryshoj industrinë ku punoj, ose shtetin ku jetoj. Është një ditar personal dhe nuk ka kufij. Për më shumë ndoshta një ditë do të bëj një mini koleksion timin, por është një plan afatgjate sepse duke punuar me designer të rinj e di shumë mire se çfarë impenjimi i madh është sipërmarrja e një aktiviteti të tillë.

 

Na thatë më parë se keni qenë e angazhuar me javën e modës në Itali, më konkretisht me çfarë?

Angazhimet gjatë javës së modës përfshijnë një punë që unë bëj çdo “Fashion Week” ku shkruaj artikuj të ndryshëm në blogun tim mbi trendet dhe stilet që shoh gjatë këtyre 6 ditëve plot me sfilata dhe prezantime koleksionesh. Gjatë kësaj jave ku u prezantuan koleksionet e “Pranverë Verës 2014” pata dhe 2 bashkëpunime të rëndësishme me kompaninë e telefonave HTC dhe raportova live nga Milano për “Lifestyle Blog” të firmës së modës angleze “REISS”.

 

Si u bëtë ju pjesë e kësaj industrie?

Pas një eksperience 2-vjeçare në botën e financës, shumë rastësisht bëra një aplikim në një firmë konsulence amerikane në industrinë e modës të cilët kërkonin një person me përvojë ekonomike. Dhe prej 3 vitesh tashmë merrem me konsulencë menaxheriale për firmat të cilat prodhojnë “Made in Italy” për produktet e luksit. Në fjalë të pakta unë zhvilloj dhe ndjek zbatimin e planit të biznesit për firmat e luksit, gjithmonë nga ana ekonomike dhe jo nga ana kreative.

 

 

Vjeshtë–dimër? Fjala kyçe është: Minimalizëm

E kush më mirë se ju mund të na tregonte tendencat e kësaj vjeshte dhe dimri, çfarë u tha në javën e modës për këtë periudhë kohë?

Për këtë vjeshtë tendenca që më pëlqen më shumë është veshja e kostumeve në stil mashkullor, por me detaje femërore. Një tjetër trend janë stampat katrore bardhë e zi. Dhe si blerje e re e domosdoshme për këtë dimër do jetë një pallto rozë e lehtë me prerje të gjerë. Çantat janë më të vogla dhe minimale. Fjala kyçe është: Minimalizëm

 

Ju çfarë sugjeroni, ku duhet të përqendrohemi dhe ku duhet të bëjmë kujdes?

Unë këshilloj gjithmonë që të eksperimentojmë me trendet, por duke pasur përherë në mendje krijimin e një stili tonë personal.

 

Ju vetë çfarë stili veshjesh pëlqeni?

Me kohën kam mësuar të njoh më mirë veten dhe veshjet që më rrinë më mirë. Duket e çuditshme, por qëkur jam e angazhuar në industrinë e modës blej me pak se më përpara. Kjo ndoshta për faktin se kam më shumë informacion dhe bëj vetëm investime të menduara për veshje që i shtohen garderobës time dhe të cilat nuk kanë “datë skadence” në modë. Për trendet kalimtare preferoj të blej në dyqane si Zara, Stefanel, por edhe H&M dhe t’i përfshij për sa kohë që janë në modë në veshjet që kam. Kurse për ato që quhen në modë “key pieces” shpenzoj më shumë, por i jap më shumë rëndësi materialeve dhe qepjeve. I vetmi fiksim që kam janë palltot. E di që shumë femra koleksionojnë këpucë, por unë koleksionoj pallto. Ndoshta vjen nga fakti që duke jetuar në Milano kemi më shumë muaj të ftohtë.

 

Na këshilloni një veshje të përditshme për femrat dhe një për meshkujt?

Një veshje “easy” e përditshme për femrat janë “skinny jeans” në ngjyrë blu të errët me një t-shirt të bardhë dhe me një xhaketë të gjatë poshtë vitheve me prerje të gjerë dhe me mëngët e kthyera.  Për meshkujt vlen i njëjti kombinim jeans dhe t-shirt pa shkrime me një palë këpucë “Converse”. Edhe pse është e vështirë të japësh një këshillë për veshjet e përditshme sepse varet gjithmonë nga mosha dhe stili i jetës që një person bën. Mjafton të mendosh që stili minimal është stili që të tregon më me klas se çdo gjë tjetër.

 

Nga familja e Sahatçinjve

Edhe pse nuk i pëlqen aksesorët, ora nuk i mungon asnjëherë në dorë dhe kjo është e kuptueshme. Anjeza Tufina rrjedh nga familja e Sahatçinjve të Tiranës. Ata janë autorë të vendosjes së orës në Kullën e Sahatit në kryeqytet. Kjo Tufinëse e re ka diçka për të na thënë edhe për këtë pjesë.

 

Cila është familja juaj, mbiemri Tufina na kujton Kullën e Sahatit. Keni ju lidhje me të?

(qesh) Është e vërtetë. Mbiemri Tufina lë pak dyshime për prejardhjen time. Unë jam e lindur dhe rritur në Tiranë në një familje “tironse” të famshëm për zanatin e Sahatçinjve. Në fakt familja Tufina është e njohur për vendosjen e kullës së sahatit në qendër të Tiranës. Ndërsa babai im është piktor dhe ai më ka transmetuar dashurinë për të bukurën.

 

Ju keni ndonjë tërheqje me orët, çfarë ore mbani në dorë?

Unë përdor shumë pak aksesorë në përditshmërinë time, por orëve u jap një rëndësi të veçantë për shkak të background-it familjar. Më pëlqejnë më shumë orët në stil mashkullor, për të mos thënë që kam blerë edhe orë meshkujsh. Por ora që përdor më tepër sepse përshtatet shumë me stilin tim që konsiston në veshje fustanesh në shumicën e kohës është “Omega Ladymatic”.

 

 

 

Share This Article
5 Comments

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *