Luhatjet e forta të tarifave për sigurimin e detyrueshëm të makinave, TPL vazhdon të jetë shkaku kryesor për rënien e ndjeshme që po pëson tregu i sigurimeve. Një fenomen që është përsëritur ndjeshëm të paktën dy vitet e fundit. Edhe për periudhën janar-gusht të këtij viti primet e tregut të sigurimeve ndoqën tendencën rënëse
Të ardhurat nga primet e shkruara bruto të sigurimit për periudhën janar-gusht 2013 arritën rreth 5,352 milionë lekë, ose 8.39% më pak se në të njëjtën periudhë të vitit 2012. Gjatë periudhës janar-gusht 2013, numri i kontratave të sigurimit të lidhura arriti në 666,819 me një ulje prej 4.20% krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë. Tregu vazhdoi të mbetet sërish i orientuar tek sigurimet e Jo-Jetës, të cilat sollën rreth 87.71% të vëllimit të përgjithshëm të primeve, duke i lënë sigurimet e Jetës me 11.79% dhe veprimtarinë e Risigurimit me 0.50%. Parë nga këndvështrimi i ndarjes së tregut sipas llojit të sigurimit, i detyrueshëm dhe vullnetar, primet e shkruara bruto të sigurimit vullnetar zënë 54.26% dhe primet e shkruara bruto të sigurimit të detyrueshëm zënë 45.74% të totalit të tregut.
Gjatë periudhës janar-gusht të vitit 2013, dëmet e paguara bruto në tregun e sigurimeve, arritën në rreth 1,855 milionë lekë, ose 4.50% më pak se e njëjta periudhë e vitit 2012.
Sigurimi i Detyrueshëm Motorik
Primet e sigurimit të detyrueshëm motorik, në periudhën janar-gusht 2013 arritën rreth 2,436 milionë lekë, ose rreth 15.20% më pak se e njëjta periudhë e vitit 2012.
Produkti MTPL e brendshme, në periudhën janar-gusht 2013, pati ulje prej 18.54% të volumit të primeve të shkruara bruto, ndërsa numri i kontratave pati një rritje prej 23.21% krahasuar me periudhën janar-gusht 2012.
Produkti Sigurim Kufitar, në periudhën janar-gusht 2013 pati një ulje prej 28.33% të volumit të primeve të shkruara bruto, e shoqëruar edhe me ulje të numrit të kontratave prej 13.34% krahasuar me periudhën janar-gusht 2012.
Produkti Karton Jeshil, në periudhën janar-gusht 2013 pati rritje me 13.27% të volumit të primeve të shkruara bruto, krahasuar me periudhën janar-gusht 2012. Gjithashtu edhe numri i kontratave u rrit me 7.98%.
Sigurimi Vullnetar
Primet e sigurimit vullnetar, në periudhën janar-gusht 2013 arritën rreth 2,889 milionë lekë, ose 2.56% më pak se në periudhën janar-gusht 2012. Gjithashtu, u ul dhe numri i kontratave të sigurimit vullnetar me 16.85% krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë .
Sigurimet vullnetare të Jo-Jetës, gjatë periudhës janar-gusht 2013, patën ulje me rreth 5.97% kundrejt të njëjtës periudhë të vitit 2012.
Në portofolet e pronës, përgjegjësive, garancive të cilat gjatë periudhës janar-gusht 2013, siguruan rreth 1,392 milionë lekë të ardhura në total, vendin e parë e zunë zjarri dhe dëmtime të tjera në pronë, me rreth 75.67% të pasuara nga sigurimi i përgjegjësive të përgjithshme civile me rreth 15.67% të totalit.
Në portofolin sigurimi nga zjarri dhe forcat e natyrës, gjatë periudhës janar-gusht 2013, ndihet një ulje prej 2.85% e volumit të primeve të shkruara bruto të këtij portofoli dhe një rritje me rreth 11.86% e numrit të kontratave të sigurimit, krahasuar me periudhën janar-gusht 2012.
Të ardhurat nga sigurimet e aksidenteve dhe shëndetit, gjatë periudhës janar-gusht 2013, arritën në mbi 462 milionë lekë, duke shënuar rritje prej 2.86% në krahasim me periudhën janar-gusht 2012. Peshën më të madhe të të ardhurave të këtij grupi e mbajtën Sigurimet e sëmundjeve me 50.75% të totalit.
Primet nga sigurimet e Jetës gjatë periudhës janar-gusht 2013, arritën rreth 631 milionë lekë, ose rreth 11.99% më shumë se në të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.
Dëmet e Paguara Bruto
Pagesat e dëmeve gjatë periudhës janar-gusht 2013 u ulën me rreth 4.50% krahasuar me periudhën janar-gusht 2012. Pjesa më e madhe e dëmeve të paguara bruto i përket sigurimit motorik me rreth 1,591 milionë lekë, apo 85.77% të totalit të dëmeve të paguara bruto.
