Nuk është shkelur asnjë procedurë për zgjedhjet në Universitetin e Elbasanit

anazapta

I nderuar zoti Kryredaktor,

Në këtë rubrikë është botuar një letër në të cilën thuhet se “Rektori emëron dekane, mbesën e gruas”. Shkrimi është nënshkruar me një pseudonim, sepse një person i tillë nuk ekziston në strukturat e Universitetit të Elbasanit.

Më lejoni t’ju paraqit edhe të vërtetën e këtij lajmi sipas institucionit që unë përfaqësoj.

Pas zgjedhjes së dekanes së mëparshme, zj. Evis Kushi, si deputete në Kuvendin e Shqipërisë, vendi i dekanit mbeti bosh. Këtu ka një pasaktësi që autori i shkrimit e përdor në mënyrë të qëllimshme. Vendi bosh i dekanes u shpall ditën kur ish-dekania bëri betimin si deputete, pra pas datës 9 shtator, në kohën që Universiteti ishte në sezon provimesh. Unë nuk mund të shpallja zgjedhjet më parë, sepse ligjërisht nuk mund ta zvëndësoja dekanen derisa ajo të bënte betimin dhe të merrte ligjerisht mandatin. Sipas ligjit për Arsimin e Lartë dhe rregullores për zgjedhjet, titullari i institucionit komandon zv/dekanin deri në momentin që do të shpallen zgjedhjet. Në këto kushte unë komandova, e përsërit komandova, jo emërova zv/dekanen e cila ka qenë në atë pozicion përpara se unë të bëhesha Rektor i Universitetit dhe nuk besoj se është sakrilegj që ajo ka qëlluar edhe mbesa e gruas sime. Ajo ka qenë pedagoge aty përpara se unë të bëhesha Rektor. Zgjedhjet nuk mund të shpalleshin pas datës 9 shtator sepse në to duhet të marrin pjesë edhe studentët. Meqenëse viti i ri kademik do të fillojë më 7 tetor, Rektorati ka planifikuar që t’i shpallë zgjedhjet brenda muajit nëntor. Me këtë rast ju ftoj edhe ju, i nderuar Kryredaktor, që me gazetarët tuaj ta monitoroni këtë proces.

Pjesa tjetër e shkrimit është e mbushur me akuza, fyerje e shpifje në adresën time. Mirëpo, për të gjitha këto, autori i shkrimit do të duhej të përgjigjej para ligjit

Ju faleminderit për mirëkuptimin

 

Prof. Dr. Liman Varoshi

Rektor i Universitetit “A.Xhuvani”, Elbasan

 

Shënim i Kryeredaktorit: Falënderojmë rektorin e UE për përgjigjen e cila dëshmon vëmendje dhe përgjegjësi ndaj lexuesit të Ditës dhe ndjeshmëri ndaj informimit publik. Dëshirojmë të theksojmë se rubrika e letrave nga lexuesit dhe e ajo e reagimeve në Dita Online, për shkak të fluksit të lartë është vështirësisht e menaxhueshme dhe verifikimi i plotë i informacionit që përmbajnë dërgesat, është sinqerisht, i pamundur në të gjitha rastet. Me këtë nuk u ikim përgjegjësive tona editoriale, por duhet të jetë e qartë që përmbajtja e opinioneve apo letrave-informuese nuk përfaqëson domosdoshmërisht qëndrimin redaksional të gazetës.

Kryeredaktori

Share This Article
3 Comments
  • Liman, çoji te fala lal hekrit atje ne boten e pertejme se pa ate ti do te ishe nje hiç. Pune te mbare si partiak i thekur i pedese.Kaq

  • Prof. Limani eshte nje nder drejtuesit me te nderuar qe ka patur ndonjehere UE, kurr nuk ka rene pre e ryshfeteve apo pazarave sic i quani ju. Dekania Nada Krypa eshte tanime ne pozicionin ku e meriton, turp per spiunat qe jane mesuar gjithe jeten me te tilla gjera.

  • Prof. Limani eshte nje nder drejtuesit me te nderuar qe ka patur ndonjehere UE, kurr nuk ka rene pre e ryshfeteve apo pazarave sic i quani ju. Dekania Nada Krypa eshte tanime ne pozicionin ku e meriton, turp per spiunat qe jane mesuar gjithe jeten me te tilla gjera.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *