Ngjela: Rama-Berisha, luftë mes dy të korruptuarve. Pyetja është, socialistët çfarë do bëjnë?

b.m.

Pasojat e protestës së opozitës janë komentuar sot edhe nga Spartak Ngjela.

Ai ka hequr paralelizma mes dy kampeve dhe mes dy liderëve, Edi Ramës kryeministër dhe Sali Berishës i PD -së.

“Çfarë do të ndodhë më tej me të korruptuarit e revoltuar të Shqipërisë? Do të vazhdojnë të ushqejnë shpresën e destabilizimit të Shqipërisë? Dje hordhitë Berisha dështuan. Kurse kryeministri la kryeqytetin dhe shkoi në Vlorë. Turp për të. E gjithë shfaqja e djeshme ishte ky gjykim: korrupsioni kundër korrupsionit”, shkruan Ngjela.

Ai shkon edhe më tej, duke thënë se të revoltuarit që thyen xhamat e ndërtesës së kryeministrisë, ishin injorantë të paguar. Por edhe pse të tillë, sipas tij  nuk arritën të krijonin revoltë popullore.

“Ky ishte diskreditimi i marrëzisë Berisha, që nga halli i frikës antikorrupsion kërkoi të digjte Tiranën e mandej Shqipërinë. Asgjë”, shkruan Ngjela.

“Po Rama, kryeministri pa zyrë i Shqipërisë, ku ishte? Asgjëkundi. Ishte i fshehur në Vlorë, sepse kryeqytetin ia kishte lënë në dorë hordhive të Saliut. Turp. Këta vjedhës duhet të mos i shohë më shoqëria shqiptare. Po socialistët? Ata janë mazhorancë. Nëse ende nuk binden që Rama do destabilizimin e Shqipërisë, nuk janë fare këtu. Ndërrimi i këtij kryeministri në fakt i heq korrupsionit bilateral çdo kartë. Por a do ta bëjnë dot socialistët duke vendosur një kryeministër të pakorruptuar? Të shohim. Duhet të shohim edhe një gjë: a do t’i arrestojnë dhe dënojnë keqbërësit e paguar të Saliut?”, përfundon avokati.

Share This Article