Për një ushtarak nga Spathara

Leda Hysa

 

Nga  Bashkim Koçi

Njeriu asnjëherë nuk mund të presë që jeta e tij të arrijë përsosmërinë, por që të luftojë e të përpiqet për më të mirën, që të jetë në kërkim të së drejtës për të qenë i lirë dhe i vlerësuar  për atë çka është i aftë të bëjë, është gjëja më elementare e që duhet të mësohet gjatë udhëtimit  të tij. Ramiz Bakiut, ushtaraku  nga fshati Spatharë i Skraparit, u lind më 5 shtator të vitit 1923. Ai kishte patur fat jo të mirë që të rridhte nga një familje e varfër. Iu desh që qyshkur ishte fare i vogël të bëhej pjesë për të siguruar të ardhurat e familjes, të ndihmonte  sadopak në buxhetin e saj të mjerë, duke bërë punë të lodhshme, duke shërbyer si hyzmeqar dyerve të botës. Nëse i hedhim një shikim të shpejtë punëve që ai ka kryer në moshën 12-13 vjeç dikujt do t’i vinte keq, jo për opingat e bëra copë e për vuajtjet që ishin ngarkesë e rëndë për një të vogël si ai, por për zgjuarsinë, për intuitën që ai kish për mësuar e për të realizuar ëndrra më të mëdha, por që i kish të gjitha rrugët e zëna për shkak të gjendjes së rëndë ekonomike të familjes së tij të madhe. Por, edhe pse në këto kushte mjerimi, ai nuk harroi kurrë përkujdesjen e njerëzve të dyerve ku  shërbente në fshatrat aty rrotull, të cilët e trajtonin jo më pak se fëmijën e tyre. Madje qëndrimin  jashtë shtëpisë, larg prindërve  dhe pjesëtarëve të tjerë të familjes, do ta trimëronte që më pas të merrte rrugë më të gjata në kërkim të punës dhe parasë. Ishin vitet 1941-1942,  kur Ramizi ishte vetëm 18 vjeç, në moshën që ai do të guxonte për të vajtur në Tiranë nga ku filloi edhe punë si punëtor i klasit të ulët në një shoqëri italiane. Më pas, me njohje e miqësi, punoi disa muaj në rrugën Shënavlash-Shkozet, e cila i shërbeu më shumë jo për të bërë ndonjë prokopi për rritjen e të ardhurave, por për t’u njohur me “ca zëra” të cilët do ta thërrisnin për ta drejtuar në një rrugë goxha të vështirë, atë të pjesëmarrjes në luftën e madhe, në luftën Nacionalçlirimtare.

Ramiz Bakiu nuk ishte nga ai soj të rinjsh shqiptarë që të qëndronte gjatë duke i bërë pyetje vetes “çfarë duhet të bëj” e më pas të gjykonte po veten përse nuk e kishte bërë. Jo. Ai mençurisht mori drejtimin për në Skrapar, aty ku lufta kishte bërë emër dhe  çdo ditë e më shumë bënte popullin  për vete. Në gusht-shtator të vitit 1942 u bë pjesë e Çetës partizane e cila udhëhiqej nga trimi i asaj zone, Zylyftar Veleshnja. Jo pjesëtar listash, por drejt e në përballjen me armikun pushtues.

Aksionin e parë kjo çetë, ku mori pjesë edhe Ramiz Bakiu 19 vjeçar, e zhvilloi kundër  një autokolone italiane tek Ura e Vokopolës, në kufi me fshatin Therepel. Për t’u ndeshur me një armik të armatosur mosha 19 vjeç është e vogël, apo jo?! Por partizani i vogël Ramiz, i marrë nën kujdesin e dy partizanëve të tjerë të sprovuar në luftë, Asllan Sevdari dhe TefikBakiu, krijoi shumë shpejt opinionin se kishte aftësi të ishte jo vetëm luftëtar i zoti, por edhe një organizator e drejtues kompetent. Dhe këto aftësi ai i tregoi në luftimet e radhës, në goditjet që iu dhanë pushtuesit në fshatin Velabisht dhe në qytetin e Beratit, por edhe atë të Qafës së Shkozës dhe të famshmes betejë të Tendës së Qypit  të muajit janar të vitit 1944.

Nëse RamizBakiu paskësh nisur rrugën që kërkonte jo pak sakrifica, ndoshta edhe jetën, ai e kishte bërë mendjen top për të vazhduar  dhe për t’i çuar punët deri në fund. Ishte 17 Marsi i vitit 1944 kur do ta gjente veten në radhët e Brigadës së 7-të Sulmuese, i inkuadruar në Kompaninë e parë të Batalionit të parë. Nuk se është fjalë për të thënë gjëra pompoze e vlerësime jashtë atij realiteti siç ka ndodhur në të vërtetë, porse luftëtari RamizBakiu i qëndroi marshimit luftarak të Brigadës së 7-të nga fillimi deri në fund. Brenda dhe jashtë kufijve të atdheut, deri në Kosovë, Mal të Zi e deri në Jugosllavi. Vite më pas, kur Shqipëria u çlirua, luftimet në Dobronik, ato për çlirimin e Lezhës dhe të Shkodrës, të Dukagjinit, të Shalës e Shoshit  në Mirditës, në çlirimin e Koplikut etj., ai i konsideronte si të kishte qenë me fat, fat sepse ishte takuar me të vërtetën e jetës, sepse jeta na qenkësh vërtet luftë.

Menjëherë pas çlirimit të atdheut nga pushtuesit nazifashistë jeta dhe veprimtaria e përditshme e RamizBakiut nuk pati ndonjë ndryshim të madh në kuptimin e mënyrës së jetesës, të qëndrimit larg familjes dhe më kryesorja, të mos heqjes së armës nga krahu. Nuk ndryshonte ndonjë gjë e madhe nga ajo e frontit të luftës me armikun pushtues. Me detyrat që iu ngarkuan i binte që ai të thoshte “ nga lufta erdha në luftë po shkoj”. Kjo ndodhi sepse partizani Ramiz u bë menjëherë pjesë e divizionit të Mbrojtjes, efektiv i Brigadës së Dytë me qendër në qytetin e Shkodrës. Sipas kujtimeve të tij, lufta kundër bandave, kriminelëve dhe diversionistëve, paskësh qenë më e vështirë, shumë më e komplikuar  se ajo me pushtuesit. Sidoqoftë, duke qenë se u përkiste atij kontigjenti ushtarakësh që nuk kishte frikë nga e panjohura, sepse e ndjente  veten të aftë për të arritur atë që i nevojitej dhe i duhej, ai qëndroi  sypatrembur, u vuri datën të gjitha bandave që synonin të nxisnin hakmarrje e diversion në popull. Këtë këmbëngulje e këtë vendosmëri  prej një njeriu ‘kokëshkëmb” ai e bënte  sepse vet ishte shumë i pastër, nuk kishte shkelur asnjëherë në dërrasë të kalbur. Parë më këtë këndvështrim ishte e vështirë të trembje një zemër si e këtij ushtaraku të ushqyer me ndjenjën e njeriut të drejtë,  të panjollosur  me gjëra të padrejta e ligësira.

Për RamizBakiun asgjë nuk mund ta zëvendësonte  përvojën. Sidomos në fushën e shërbimit që përfshinte mbrojtjen e kufirit dhe bllokimin e bandave keqbërëse, të cilat në ata vite kërkonin destabilizim. Shërbeu në këtë detyrë të vështirë, në  pozicione  që i shërbyen si mësim i madh që të dinte si të ecte, si të hidhte  hapin rreshtor pa gabuar në kryerjen e detyrës si atdhetar më shumë se 22 vjet. Rrethet Librazhd, Pogradec, Tropojë, Shkodër, Lezhë e Tiranë janë vendet  ku RamizBakiu iu dha rasti “të rrëfehej” sesi e konceptonte ai termin dhe emrin e madh atdhetar, atë të ushtarit të përhershëm në shërbim të vendit të tij.  Ky qëndrim i tij pa lëkundur,  për shkak të karakterit të tij të fortë, mori vlera më të mëdha e më të dukshme  kur u gjend në detyrën e shefit të sigurimit të Garnizonit të Durrësit. Aty punoi e drejtoi për një kohë relativisht të gjatë, por do të ishte po ky qytet  bregdetar dhe njerëzit e thjeshtë  të tij  për t’ja shpalosur  vlerat e tij të vërteta, pa asnjë firo.

RamizBakiu, ky luftëtar dhe kuadër me vlera të spikatura prej ushtaraku, i fitoi dhe i mbajti fort cilësitë si njeri i atdhetar dhe i virtytshëm, duke qëndruar i tillë çdo ditë, absolutisht të gjitha ditët e vitit, në luftë dhe këmbëngulës për ta shikuar jetën atje në majë si fitimtar. Ai e mbylli shërbimin me gradën e majorit, por po të kapërcejmë ndonjë shkallë, shkallët e devotshmërisë së tij si pjesëmarrës në formacionet partizane, si famëmadh në shpartallimin e bandave  dhe si mbrojtës nga të ligjtë të shkeljes  së  kufirit tanë shtetëror, ai është një gjeneral e shkuar gjeneralit. Le të shprehet dikush për vlerat e tij (sigurisht ata që e njohën dhe punuan me të), dhe kemi për të dëgjuar se flitet për një person shumë njerëzor, të urtë e të qeshur, por edhe të sertë e të pakompromentuar për t’i qëndruar deri në fund të vërtetës. Ai u nda nga jeta relativisht i ri, më 16 dhjetor të vitit 1983, sapo kishte mbushur të 60-tat. Sigurisht që ai u përcoll me shumë nderime nga përfaqësuesit e lartë të institucioneve të kohës, duke marrë edhe vlerësimet që meritonte. Për atë çka ai arriti të bënte për vendin dhe për njerëzit është dekoruar me medaljen e Trimërisë, të Çlirimit  dhe të mbrojtjes së Atdheut.

 

Share This Article
1 Comment
  • Ndjehemi mire kur flitet per ushtarake me kontribuite te medha ne kohen e luftes poe edhe pas clirimit te vendit. Gazeta DITA meriton nje bravo te madhe. Urime autorit.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *