Nobelisti dhe Senatori i përjetshëm italian, Eugenio Montale

Ornela

Nga  Sejdo  Harka

Eugenio Montale është një nga poetët dhe kritikët  letrarë e muzikorë italianë, që i dha  poezisë dhe kulturës moderne botërore të shekullit XX fizionominë dhe bukurinë e shpirtit të tij poetik. Duke ecur në rrugën e shkollës së klasicizmit modern ekspresionist të poetëve me famë botërore Eliot dhe Bodler, ai futi në poezinë e re italiane pathosin grotesk dantesk, në të gjithë veprimtarinë e tij krijuese, por veçanërisht në përmbledhjen poetike “Rastet”.

Aftësia e tij  e rrallë shfaqet më dukshëm në faktin se si ai, një copëz jete nga  realiteti i kohës, në dukje e parëndësishme, e paraqet si mundësi të jashtëzakonshme shpëtimi. E.Montale u lind ne Gjenevë, më 12 tetor  të vitit 1896, në një familje të madhe me 6 fëmijë, me një gjendje të mirë ekonomike. I ati i tij, Domeniko ishte drejtues i një firme të njohur private. Pasi mori mësimet e para në vendlindje, u regjistrua në një shkollë teknike.

Në vitin 1915 u diplomua ekonomist. Më pas filloi të studionte për kanto, ku mbaroi me rezultate të larta. Por, ngaqë nuk mundi të gjejë punë në profesionin e tij, u detyrua të punojë në firmën e të atit. Në vitin 1918 doli vullnetar në frontin çlirimtar, ku u gradua toger.

Ishte koha, kur Fashizmi po forconte pozitat e tij. Në vitin 1920 u njoh me 16-vjecaren Anna Degli, e cila do të bëhej muza e shumë poezive të tij erotike. Krijimtaria e tij zë fill me disa artikuj studimorë kritikë.

Por, ajo që e përcaktoi  rrugën e tij drejt krijimtarisë së mirëfilltë artistike, ishte fillimi i vitit 1925, kur Montale, ende tepër i ri, botoi përmbledhjen e parë poetike “Ossi  di seppia”.

Në vitet 1927 -1928 punoi  në një shtëpi botuese në Francë, ndërsa në vitin 1929 emërohet drejtor i  kabinetit të një institucioni të rëndësishëm historiko-kulturor fiorentin. Më 1933 njihet me vajzën amerikane Irma Brandeis, së cilës i përkushtoi vëllimin poetik “Rastet”. Edhe pse mes tyre ka pasur më shumë ndarje sesa bashkim,ai do ta cilësonte atë “gruaja engjëll”.

Në të njëjtën kohë Montale dashurohet edhe me Drosella  Tunzi-n. Në dhjetor të vitit 1938, ai u pushua papritur nga puna, prandaj filloi të merret me përkthime në gjuhën angleze. Në vitin 1942, shtëpia e tij në Gjenevë, rrafshohet bashkë me gjithë bibliotekën e tij shumë të pasur. Në vitin 1943 botohet përmbledhja e tij më cilësore me poezi “Bufera”, e cila fatkeqësisht u ndalua menjëherë, sepse binte ndesh me filozofinë fashiste. Për të luftuar kundër Fashizmit, për pakë kohë, ai bëhet anëtar i Partisë së Veprimit. Ndërsa në vitin 1948, filloi punë si redaktor në gazetën më të njohur italiane “Coriere della sera”.

Njohja me poetin e madh, Eliot-in dhe  poeteshën e re Maria Luisa Spozioni, me të cilën do të krijonte një lidhje dashurie, ndikoi  ndjeshëm për krijimin e poezive të tij më të bukura. Në vitin 1969 ai botoi librin publicistik me reportazhe “Në kohën tonë”. Montale me kohë do të bëhet i njohur edhe me ditaret e papërsëritshme, të cilët, për çdo vit do t’i botonte si libra më vete. Për veprimtarinë e tij të dendur shoqërore dhe për talentin e tij të rrallë e shumëplanësh në disa fusha të krijimtarisë artistike e letrare, ai do të nderohet me shumë stimuj e çmime të larta.

Por ato që  do ta bënin të pavdekshëm, janë titulli i lartë “Senator i përjetshëm” (1972), dhe çmimi i madh “Nobel” për letërsi (1975), i cili iu dha me nderim të madh në Stokholm. Edhe pas marrjes së këtij çmimi të rrallë, Montale, krahas krijimtarisë së dendur poetike, botoi dhe libra me studime kritike, si ai me titull “Vepra në vargje”.

Ai ndërron jetë më 12 shtator të vitit 1981 dhe varroset me nderime të mëdha, pranë bashkëshortes së tij, në rrethinat e Firences, në prani të Presidentit te Republikës Italiane të kohës, Petrini. Pyetjes së gazetares suedeze Marta Larson, drejtuar Montales një ditë para marrjes së çmimit  Nobel: “Çfarë mesazhi  i dërgoni ju botës me poezitë tuaja”, ai i përgjigjet thjesht dhe shkurt: “E mira është të mos japësh mesazhe. Poezia për mua, është ftesë për të shpëtuar”. E megjithatë, nga brendia e vargjeve të Montales burojnë mesazhe të fuqishme me vlera mëdha universale për shpresën dhe lirinë, për ëndrrat dhe shoqërinë.

Montale dhe bashkëkohësit e tij shqiptarë të viteve ‘30

Kur lexon poezitë e Montale-s, natyrshëm  të lind pyetja: ”Ç’i  bashkon dhe ç’i ndan poezitë e tij  nga ato të bashkëkohësve shqiptarë si Ernest Koliqi, Lazgush Poradeci, Migjeni, Gjergj Fishta …? Po t’i vështrosh nga brendia, ato i bashkon  problematika dhe fryma e kohës, por i ndan këndvështrimi që mbajnë poetët shqiptarë të atyre viteve ndaj realitetit, në raport me kohën.

Kështu, Koliqi, duke e konsideruar gjuhën si  tiparin kryesor, që e dallon një komb nga një tjetër i kushton rëndësi të veçantë përpunimit stilistik të gjuhës, nëpërmjet krijimit të modeleve të përsosura stilistike tingëllimash, elegjish dhe tercinash. Brenda krijimtarisë së Koliqit, duket qartë se sytë i ka në të shkuarën, ndërsa mendjen në të tashmen,me një të ardhshme të ndryshueshme.

Migjeni, si poet i këndvështrimit të ashpër kritik dhe adhurues i lirisë,lufton të çlirohet nga vargu i mbyllur,për të lëvruar vargun e lirë. Kurse për Poradecin, e shkuara, e tashmja dhe e ardhmja janë kohët ciklike që shkrihen në trillin e unit poetik. Tek bashkëkohësit shqiptarë, sendet dhe qeniet shpirtërore sa kanë filluar të personifikohen e metaforizohen, sepse qëllimi kryesor i poetëve ishte zbulimi lakuriq i realitetit të hidhur.

Montale, nga që në ato vite, kur Shqipëria  ishte zhytur në detin e mjerimit dhe paditurisë, nuk mundi të përhapej e kuptohej mirë, edhe për faktin se poezitë e tij,për  herë  të parë në Shqipëri  hyjë  në vitin 1939. Elementët e ndikimit të poezive të Montale-s  mbi letërsinë shqipe, për herë të parë do të shfaqen në poezitë e Z.Zorbës. Por ndikimi i tij i dukshëm,  u vu re vetëm në poezitë moderne të autorëve të viteve të fundit.

Poezia e Montale-s, poezi  e mundësisë së jashtëzakonshme të  shpëtimit dhe shpresës

Një nga kryeveprat e Montales është përmbledhja poetike “Rastet”, përkthyer dhe hedhur në qarkullim kohët e fundit nga shtëpia botuese “Pegas”. Ky cikël poetik shfaqet para lexuesve, si një fanitje e “engjëllit shpirtëror”. Sipas kritikës italiane të kohës, ky vëllim paraqitet si një korpus këngësh dashurie, ku mes imazhit të  tri femrave lartësohet ajo, që poeti e quan “gruaja engjëll”.

Brendia e këtyre poezive është quajtur “rrëfim i zaptimit të pamundur dhe i vrapit të kohës së ndaluar”. Narracioni poetik i poezive të Montale-s, herë merr rrjedhën e një ditari udhëtimesh, e herë natyrën e një blloku shënimesh, ku përshkrimi i një takimi të befasishëm, përfundon papritur në një ndarje të dhimbshme. Gratë paraqiten si dredharake dhe në çdo çast, me mendje të ngritur.

Por, nga që s’ndahen dot nga çastet e bukura të dashurisë e ngacmojnë poetin me kujtimet e tyre plot mbresa. Është kjo arsyeja kryesore, që i bën poezitë e nobelistit të kthehen në një ngërç mes emocionit dhe arsyes,mes reales dhe shpirtërores së mjegullt. E vërteta për poetin nuk është kurrë absolute,por vetëm një e vërtetë e përpiktë.

Gatishmëria për të përshkruar copëza realiteti, i jep atij mundësi për të gjetur shtegun e së vërtetës. Në poezinë e tij me tipare elotiane “Në shi”, ku jeta zgjohet, narracioni jep idenë, se mes njeriut dhe botës nuk ka harmoni të plotë.

E pazakonshmja i fal “unit”një vetëdije të kthjellët mbi, “zbrazdësinë që e pushton”. Sipas kritikut Ponelo, poezitë e Montale-s, janë një peizazh i bukur sendesh konkrete,ku gjejnë shprehje ndjenjat e poetit për të fluturuar drejt shtegut shpëtimtar. Në poezitë e Montale-s, lexuesi gjen shpëtimin e vetes. Ndërsa përkthyesja Mimoza Hysi, poezitë e këtij autori,i konsideron si një ftesë të sinqertë, drejtuar njerëzimit për të shpresuar. Cikli i parë i poezive të Montale-s, që përbën bërthamën tematike, është shkruar në formën e një ditari udhëtimesh, mbushur me ndjesi peisazhike.

Poezia “Ballkoni”, me të cilën nis përmbledhja e dytë e krijimtarisë së tij, ngjan shumë me poezitë e Botler-it. Në brendinë e tyre, të bie në sy shkëputja prej palëvizshmërisë së natyrës. Montale, edhe kur shkruan poezi si ajo me titullin “Vargje të vjetra”, me të cilën ai nis ciklin e parë të krijimtarisë, shkruan me stilin e poezive moderne të kohës.

Me fantazinë e tij, ai tregon se si një flutur nate, me një pamje tepër turbulluese futet papritur në shtëpinë e tij. Lëvizja çoroditëse e kësaj fluture, metaforizon etropinë e pakuptueshme të njeriut, që nënkupton palëvizshmërinë dhe vdekjen, gjë që e gjen shprehjen në vargjet: “Pastaj flutura u kthye brenda zhgullit/nën dhe së bashku/me fytyrat familjare…(28) . Në poezinë “Keepsake”, lexuesi njihet me një paradë personazhesh,që tërhiqen zvarrë si zvarranikë pas përmbytjes. Ata luftojnë, që botën ta ndërtojnë për një çast të vetëm. Në poezi të tilla pasqyrohet njëtrajtshmëria e jetës që ngjyroset vazhdimisht prej vdekjes, sepse pulson prej njëkohësisë së zbrazët.

Në poezinë “Karnavalet e Gertit”, autori nxjerr në pah natyrën e dyfishtë të kontraditave të kohës. E vetmja rrugë shpëtimi nga ky burg, janë ngjarjet e paparashikueshme të jetës, që brenda ruajnë forca shpëtimtare. Prandaj Montale i bën këtë thirrje njëriut: “Kthehu tek udha, ku bashkë me ty trishtohem/kthehu tek pranverat, që nuk lulëzojnë”!(45) Një poezi tjetër e bukur e Montale-s, përmes së cilës ai përçon filozofinë e tij antirraciste, është ajo me titull “Dora Markos”.

Në qendër të brendisë së saj qëndron figura e një gruaje austriake, që ka ekzistuar vërtet, por vetë nuk e ka takuar kurrë. Për shkak të origjinës rracore të saj, hebraikja Dora, përfshihet në një tragjedi. Ajo është e dyzuar, mes nevojës për të mbrojtur identitetin e saj të nëpërkëmbur dhe ndjesisë së shtypjes, që i vjen prej historisë kontradiktore familjare. Për të shprehur dhimbjet për fatin e keq të kësaj gruaje, autori shkruan: “Nuk di si mund të mbahesh ende, kaq e dërrmuar/me këtë liqen shpërfilljeje në zemrën tënde/ndoshta shpëton nga ndonjë hajmali”(58).

Në poezitë erotike të këtij autori, figura e femrës vishet me tiparet kalorsiake. Të dashurës, që e ka humbur, ai i drejtohet me vargjet: “Ti e di, duhet të të humbas, por nuk mundem”. Në një nga poezitë më të bukura të tij “Eklips”, ndryshimi dhe përsëritja, edhe pse duket sikur kundërshtojnë njëra-tjetrën, shkrihen me njëra-tjetrën në një proces të pakthyeshëm. Për poetin, çastet kuptimplote të jetës, nuk mund të përsëriten,e megjithatë jeta vazhdon brejtjen me përsëritjen e të njëjtës gjëje.

Gruaja engjëllore, që dashuron poeti, edhe pse ai shijon imazhin e saj engjëllor, mbetet tokësore, edhe pse për një çast frymëzimi, ai nuk e kupton se ç’është ajo në të vërtetë: “Grua, apo re, engjëll apo Zgalem”. Në këtë poezi përplasen dy kohë të kundërta : “drita e parë e agimit dhe hija e parë e mbrëmjes”. Një nga poezitë me brendi të thellë surealiste, është ajo me titull: “Mos e prit, o gërshërë atë fytyrë”, ku shkrihen lutja me urdhrin, që i drejtohet kohës, që kërkon të fshijë nga mendja edhe kujtimin më të rëndësishëm,atë të “gruas engjëll” që dashuron marrëzisht.

Në poezi të tilla,t epër metaforike “Një tingull bliri/bisedon me zulmet e lisit të ri”.Kujtimi në poezitë e Montales kthehet në humbje dhe rënie,që lufton të brejë tërësinë e realitetit. Poeti e quan të ikur atë kohë. Tashmë edhe shkëmbi ka humbur pas bregut të thiktë. Poezia “Në shi”, një nga më të bukurat e ciklit të katërt,bën objekt përshkrimin e personazheve surealistë. Në të ai tregon se si e zuri një rrebesh shiu,i cili vërshon drejt shtëpisë,ku dikur ka jetuar gruaja që ka dashur.

Furia e rrebeshit duket sikur burgos brenda serash, jo vetëm bimët, por edhe kujtimin e gjallë të dashurisë për të. E tashmja paraqitet si pengesë, që e largon prej emocionit, ndërsa prania fizike i rikthen rrahjet e zemrës. Në poezitë erotike të Montale-s,shpesh fantazma femërore, herë shfaqet, herë zhduket papritur,ndërsa terri i mbrëmjes, mistikisht vesh grahmat e fundit të perëndimit.

Në poezinë “Përkime” në çastin kur mjegulla shpërndahet, dëgjohet kënga e qukapikut që paralajmëron një ngjarje të jashtëzakonshme, e cila sjell trishtimin dërrmues të vjeshtës së thatë në shpirtin njerëzor. Në çast i shfaqet misteri i një femre,që s’arrin dot të shpjegojë profetësinë e shfaqjes së saj magjike.”Elegjia e Piko Farnezos” është një gërshetim bodlerian i imitimit të një besimi primitiv me gjykimin laik dhe racional të unit poetik. Edhe pamja e qytezës Piko, është arkaike. Rreth kësaj qyteze shfaqen njerëzit “dhi” të kohërave të thella diktatoriale. Në poezinë “Kthim” rrëfehet për një kthim të dyfishtë, atë të unit poetik dhe të figurës femërore.

Kjo qytezë e vogël kthehet në ferr, ndërsa femra në fantazmë me kafshimin e zi prej tarantele.(154) Cikli i poezive “Lajme nga Amiata”, është shkruar në formën e një letre. Brendia e saj e shndërron këtë hapësirë fshatareske në “hoje blete” të gdhendur nga zgafellat ujore, ndërsa më poshtë zënë vend skenat e errëta të fshatrave të kohës, ku përpara të shfaqen”gomarë të zinj” dhe kolibe të errëta. Në këto çaste poeti lutet mistikisht të fryjë veriu, që të pastrojë qiellin,për të çliruar “unin” e tij nga skllavëria. Por çuditërisht, pas kësaj lutjeje të çiltër,i afrohej njëkohësisht edhe jeta,edhe vdekja. Për nobelistin Montale “Jeta/që të kthen në përrallë, është ende veç një grimë”. Prandaj ciklin e poezive të tij e përfundon me vargjet groteske: “Oh pikëllim, që zbret mundimshëm/nga kolibet e errta/koha e bërë ujë/me të vdekurit e ngratë/hiri/era/era që vonon,vdekja/vdekja që jeton”!(165). Për vetë natyrën e thellë ekspresioniste dhe tepër magjike, krijimtaria poetike e nobelistit Eugenio Montale, i ngjan një ajsbergu, që drejtpërdrejt shfaq vetëm majën, e cila  të vë në lëvizje trurin e fantazinë për të zbuluar madhështinë e nënujshme të “ajsbergut” poetik.

 

Share This Article
Leave a Comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *