Xhon Velaskues, kreu i vrasësve nën urdhrat e Pablo Eskobar dhe i fundit i mbetur në jetë nga karteli kolumbian Medelin, del nga burgu pas 22 vitesh, por mendon se ka vetëm 20% mundësi që të vazhdojë të mbetet gjallë. Në një rrëfim të gjatë për “Semana”, ai evokon “kohët e arta” të kartelit dhe komenton mbi mafien në Amerikën Latine sot
“Kam bashkëpunuar në vrasjet e 3 mijë njerëzve. Personalisht kam marrë pjesë në ekzekutimin e 200 personave” kështu prezantohet pa asnjë fije ndrojtjeje Xhon Velaskues Vaskues, i njohur me pseudonimin “Popai” në një intervistë për të përjavshmen kolumbiane “Semana”. Ai thotë se është “i mbijetuari i vetëm midis vrasësve me pagesë” të liderit të kartelit të drogës Medelin, Pablo Eskobar, i cili u vra nga forcat speciale kolumbiane në vitin 1993. “Eskobari ishte një gjeni, ndoshta i së keqes, por prapë një gjeni. Arrinte të zbulonte gënjeshtrat në trurin tënd. Nëse e kuptonte se nuk tregoje të vërtetën, mund ta paguaje me jetë… Nuk ishte një vrasës, besoj se nuk ka vrarë më shumë se 20 persona në të gjithë jetën e tij”, këmbëngul Velaskues, natyrisht sipas interpretimit personal të termit “vrasës”.
“Ishte një lider, një organizator i banditëve dhe një sekuestrues i madh”, shton më tej duke treguar se si ai e urdhëroi të vriste të dashurën e tij, e cila më parë kishte qenë femra e vetë Eskobarit: “Ishte një nga episodet më të dhimbshme të jetës sime. Ajo ishte shtatëzënë me Pablon dhe ai e kishte të shenjtë familjen. E detyroi të abortonte. Vajza vendosi të hakmerrej dhe lidhi kontakte me DEA-n amerikane. Eskobari më thirri dhe më urdhëroi: Shko e vrite”. Gjë të cilën Popai e bëri pa hezituar. “Ju nuk e dini se çfarë do të thotë të vrasësh një njeri që adhuron”, thotë para gazetares, por duke u mburrur, nga ana tjetër, se kishte vrarë edhe një mik: “Kishte shumë guxim, më kërkoi një Bibël. Ia dhashë, pastaj i qëllova”.
Duke kujtuar kohët e vjetra, Velaskues kujton se pjesa më e madhe e bizneseve të drogës në Amerikën Latine menaxhohej nga kolumbianët. Por sot, dy dekada më vonë, gjërat funksionojnë ndryshe. Sipas tij, mafia meksikane kontrollon industrinë e drogës, duke u vënë kushte vetë kolumbianëve. Popai thotë se në ditët e sotme më të pasurit janë meksikanët. Organizatat kriminale të krijuara prej tyre janë shumë më të dhunshme, por më pak efektive se karteli Medelin në vitet ‘80-’90. “Ata vrasin shumë njerëz, por nuk janë aq efektivë sa ne kur godisnim strukturat e shtetit. Los Zetas (kartel meksikan) kanë vrarë shumë dhe kjo është një çmenduri, për hiç mos gjë”, thotë ai.
Tashmë 50 vjeç, ai mendon se supermacia e karteleve meksikanë mbi kolumbianët, nisi kur Eskobar vendosi të bashkëpunonte me Amado Carrillon, alias “Zotin e qiejve” ( njeriu më i fuqishëm i karteleve kolumbiane) në vitin 1988. Në atë kohë karteli Medelin ishte përgjegjës për 80% të dërgesave të kokainës në Shetet e Bashkuara.
Eskobar, të cilin Popai e quan ende “El Patron”, po përshakllëzonte një luftë kundër shtetit kolumbian dhe kartelit rival Cali, nga ana tjetër ishte keq financiarisht dhe gjërat për të po ndërlikoheshin. Me ekzekutimin e tij në vitin 1993, dërgesat e drogës në Meksikë filluan të industrializoheshin dhe mafia meksikane mori një rëndësi të madhe në biznes: nga karteli Carrillo te Sinaloa, e deri te Beltran Leyva’s .
Por duke u rikthyer në të tashmen, ai thotë se Zhoakin Guzman Loera alias “El Chapo” (kreu i kartelit Sinaloa) është tregtari më i fuqishëm i drogës në botë e gjithashtu edhe më i pasuri. “El Chapo është 100 herë më i pasur se Pablo sepse përfiton rreth 40% nga çdo kilogram kokainë që partnerët e tij kolumbianë ia dërgojnë atij për ta shitur në SHBA. Fiton para me tonelata dhe gjithçka pa e prekur fare kokainën e pa djersitur”.
Popai thotë se kartelet kolumbiane iu kanë transmetuar një leksion meksikanëve: Dhunën. Por ata kanë ende nevojë të mësojnë për impaktin e saj. “Pasojat: bosët e karteleve meksikane janë të vdekur dhe të gjithë pjesëtarët e kartelit Medelin janë po ashtu të vdekur.
Disa mendojnë se Chapo Guzman është njësoj si Eskobar. Si mendoni?
“Chapo është i pasur dhe i dhunshëm, por ai nuk e ka mendjen kriminale të Pablos, ai nuk i arrin atij as te gjunjët. Eskobar kishte një vizion duke kërkuar ekstradimin, Guzmani nuk ka asgjë për të kërkuar, nuk ka një kauzë. Ne ishim 2 mijë burra nga lagjet e Medilinit dhe i dhamë fund Republikës së Kolumbisë, sepse goditëm katër pushtetet: kongresin, qeverinë, sistemin legjislativ dhe shtypin. Kjo u mori jetën 3 mijë njerëzve”.
Ndërmjet viktimave të kartelit Medelin janë ish-ministri i Drejtësisë, Rodrigo Lara Bonilla (1984), gazetari Guillermo Cano dhe koloneli Jaime Ramirez Gomez (1986), gjenerali Carlos Mauro Hoyos(1988) dhe kandidati për president Luis Carlos Galan(1989), gjithashtu edhe 540 policë dhe qindra qytetarë që humbën jetën nga sulme me eksploziv.
A ju ngjall e gjithë kjo reflektim apo keqardhje?
“Reflektim po, por kur iu futesh telasheve… Unë kam paguar më shumë se kushdo tjetër. Isha bandit, por bandite më e madhe se unë u tregua qeveria. Në burg duhet të kryeja 7 vjet dhe pagova 22”. Popai u burgos bashkë me Eskobarin në vitin 1991, por u arratisën bashkë në korrik të vitit 1992. Ndërsa Vaskues u dorëzua sërish dy muaj më vonë te autoritetet. Aty arriti t’i shpëtonte disa tentativave vrasjesh dhe mendoi: në qoftë se mafia e donte të vdekur dhe në të njëjtën kohë ishte armik i shtetit, nuk do të dilte i gjallë nga burgu. Në 2005-n filloi të bashkëpunonte me drejtësinë dhe akuzoi Alberto Santofirmion, një anëtar të Partisë Liberale si “mendjen” që fshihej mbas vrasjes së kandidatit presidencial, Luis Carlos Galan. Ekzekutimi i tij u përgatit nga njerëzit e Medelinit, në gusht të vitit 1989.
Në këmbim të bashkëpunimit me drejtësinë, shteti e mbrojti Popain. Në Kombita ai ndihet i sigurt. Është burgu me sigurinë më të lartë në Kolumb. “E gjithë mafia kolumbiane është sjellë këtej rrotull”, tregon ai duke cituar midis tyre Gilberto dhe Miguel Rodriguez Orejuela, bosët e hershëm të kartelit Cali, që u ekstraduan në SHBA midis viteve 2004-2005.
Kur autoritetet na vendosën te posterat “Wanted”(të kërkuar) në vitin 1989, Eskobar më tha: “Popai ne jemi të vdekur. Jemi njësoj si në Perëndimin e vjetër: wanted dhe të vdekur”. Ky lloj posteri është shumë i rrezikshëm për ne banditët. Shkon në një dyqan, blen diçka për të pirë dhe atje është fotoja jote, dikush të njeh dhe e di që mbi kokën tënde kanë vënë 10 milionë dollarë.
Popai e di që jeta e tij do të jetë e varur në fije të perit kur të dalë në liri pas pesë muajsh. Ai thotë se dëshiron sinqerisht që të jetojë një jetë prej katoliku të mirë, ashtu siç “Zoti ka urdhëruar”, por ka shumë armiq: pjesëtarët e familjeve, miqtë dhe partnerët e më shumë se 3 mijë viktimave të kartelit Medelin.
“80% e mundësive janë që unë të vritem dhe vetëm 20% që t’ia dal, – thotë duke buzëqeshur. – Nuk jam budalla. A mund të kem bërë 22 vjet burg, që pasi të dal nga këtu t’i kërkoj armiqtë e mi dhe t’iu them: “Ej më shihni, jam këtu, më qëlloni. Jo, unë kujdesem për veten dhe nëse dikush vjen për të eliminuar do të di të mbrohem”.
Popai do të dalë nga burgu në të cilin ka kaluar afro një çerek shekulli. Tani thotë se dëshiron “t’iu mësojë të rinjve kolumbianë se nuk ka asnjë arsye për të shitur jetën në këmbim të një ‘Mercedes’-i apo femrave”, siç ka bërë ai./D.Gjuzi
