Nëpërmjet skemës së sigurimeve vullnetare mund të plotësohet vjetërsia e duhur e punës që kërkohet për efekt të daljes në pension. blerja e viteve mund të bëhet për vitin korent, për periudhat e shkuara, si dhe për më shumë të ardhura.
Sipas ligjit të sigurimeve shoqërore katër janë kategoritë që mund të blejnë periudhat e kaluara.
Konkretisht bëhet fjalë për shtetasit shqiptarë që kanë mbushur moshën 18 vjeç dhe që nuk iu ka lindur e drejta për ndonjë përfitim nga skema e sistemit të detyruar, shtetasit shqiptarë meshkuj për periudhën e studimeve universitare, pasi periudha pas universitare është me pagesë, shtetasit shqiptarë që kanë periudha të pambuluara nga sistemi i sigurimit të detyrueshëm dhe dëshirojnë t’i plotësojnë ato nëpërmjet sigurimit vullnetar, si dhe të gjithë personat që kanë lënë shtetësinë shqiptare mund të bëjnë sigurim vullnetar për mbulimin e periudhave të kaluara nga data 01.01.1994, deri në datën që kanë lënë shtetësinë.
Masa e kontributit që duhet të paguhet për sigurim vullnetar nga personi i interesuar për mbulimin e periudhave të kaluara përcaktohet nga koha kur bëhet pagesa (aplikohet masa që është në fuqi në momentin e kryerjes së pagesës, masë e cila miratohet me VKM, për degën e pensioneve dhe që për llogaritjen e përfitimeve do t’i korrespondojë pagës minimale të vitit që po mbulohet me sigurim vullnetar).
Në rastin kur qytetari nuk e ka mbushur moshën , ai mund të blejë periudhë kontributive sa të dëshirojë. Ndërsa në rastet kur blihen periudha te kaluara nuk aplikohet zbritje. Përfitimet nga sigurimi vullnetar për periudhat e kaluara përfshijnë vjetërsi pune, e cila influencon në plotësimin e kushteve për të përfituar një pension, si dhe pensione pleqërie, invaliditeti dhe familjar.
Kështu, nëse një person që është në prag të mbushjes së moshës, ose e ka mbushur moshën që të jetë në kushte përfitimi, minimalisht duhet të ketë 15 vjet periudhë kontributive të siguruar. Në rast se personi ka 12 vjet periudhë kontributive, ka të drejtë të plotësojë 15 vitet e nevojshme duke blerë 3 vjet sigurim nëpërmjet skemës vullnetare.
p.k/dita
