Një shoqëri tolerante është një pasuri për të gjithë

editor

Jam i nderuar që këto ditë po marr pjesë në një konferencë të lartë në Bon të Gjermanisë që ka vendosur edhe një herë në fokusin e saj problemin e romëve dhe në këtë kuadër aspektin më të ndjeshëm dhe esencial: atë të arsimimit të tyre.

Ky është një rast më shumë për të sjellë në vëmendje dhe reflektuar mbi sfidat me të cilat përballet ky komunitet në secilin prej vendeve tona. Është pikërisht momenti të reflektojmë se vetëm 2 vjet nga përfundimi i Dekadës së Romëve e cila u shpall në vitin 2005 me shumë shpresë se do të hidhte bazat e integrimit të romëve në shoqëritë tona, me keqardhje shohim se ata vazhdojnë të jetojnë të zhytur në varfëri, diskriminim dhe përjashtim.

Pavarësisht parashikimeve ligjore kombëtare dhe ndërkombëtare që janë në fuqi, dhe shumave të konsiderueshme që u hodhën nga komuniteti ndërkombëtar për përmirësimin e kushteve të jetesës së komunitetit rom, si dhe masave të marra ndër vite, të gjithë jemi të vetëdijshëm, që ka ende shumë për të bërë, për të garantuar në praktikë respektimin e të drejtave, integrimin dhe përfshirjen sociale të minoritetit rom në vendin tonë.

Ne nuk duhet të lejojmë dhe të pajtohemi me faktin se edhe një tjetër brez tjetër vajzash dhe  djemsh rom të rrezikojnë të mbeten analfabetë për shkak të kushteve në të cilat jetojnë dhe mundësive që u ofrohen. Në një botë që po bëhet gjithnjë e më globale dhe e orientuar drejt shoqërisë së dijes, kapitali më i cmuar për t’u integruar e kontribuar në shoqëri gjendet në kokat tona, në dijet, njohuritë, aftësitë dhe kompetencat e gjithësecilit prej nesh. Prandaj, arsimimi është kyci i luftës kundër varfërisë dhe në të njëjtën kohë edhe i pjesëmarrjes  në pasuritë dhe shanset që ofron një vend dhe një shoqëri e caktuar.

Dhe nga këtu vijmë në lidhjen e ngushtë që ekziston midis strategjive të integrimit dhe bashkëpunimit midis institucioneve shtetëore dhe OJF-ve që është edhe tematika e këtij paneli.

Si institucion, Avokati i Popullit e ka theksuar që në fillimet e veta se në mënyrë që Romët të integrohen në shoqëri, nuk mjafton vetëm barazia përpara ligjit sic është sanksionuar legjislacionet e të gjitha vendeve tona. Për cfarë barazie mund të flitet nëse stadi nga ku startojnë Romët është tejet më poshtë nga ai i qytetarëve të tjerë? Në këto rrethana, ligji jo vetëm thellon pabarazinë duke i lënë ata jashtë cdo përfitimi e mundësie për shkak të pamundësisë reale për të përfituar, por edhe mund të tingëllojë cinik e të përjetësojë paragjykime të tilla si “varfëria është gjenetike” e “nëse nuk ndihmon veten, si mund të të ndihmojnë të tjerët?”

Avokati i Popullit në Shqipëri u ka kërkuar institucioneve ligjvënëse e ligjzbatuese që të ulin pragun e kritereve që Romët duhet të kapërcejnë për të qenë përfitues të atyre përfitimeve modeste që ofron sistemi shqiptar i asistencës sociale. Pra, kemi kërkuar që për një periudhë kohe të caktuar romët të jenë objekt i një diskriminimi pozitiv që do t’i lejonte ata të arrinin të njëtin nivel me qytetarët mesatarë. E kemi kërkuar këtë për shërbimet bazë si ato që kanë të bëjnë  me regjistrimin në zyrat e gjendjes civile, në shkolla e në sistemin parashkollor, në programet e strehimit social, në programet e trajnimit dhe punësimit, etj.

Dhe kjo është para së gjithash e mbi gjithshka punë e institucioneve, të cilat duhet të punojnë që Romët të bëhen pjesë e sistemit të shoqërive tona, si në raport me detyrimet ashtu edhe me përfitimet, që ofrojnë institucionet e vendit për qytetarët e vet. Vetëm kështu ata do të mund të bëhen pjesëmarrës në jetën politike, ekonomike dhe sociale.

Është bindja ime personale që kur politikanët dhe qeveritarët e duan popullin dhe punojnë për të, ata i duan dhe punojnë edhe për romët si pjesë e popullit duke bërë më të mirën e mundshme për ta. Nga kjo nuk përjashtoj edhe politikëbërësit dhe vendim-marrësit e organizmave supranacionale, qofshin botërore a rajonale. E meqenese jemi në momentin kur edhe Dekada e Romëve po i afrohet fundit dhe mund të themi se rezultatet janë ende larg objektivave, do të desha t’u bëja thirrje si qeverive, organizatave joqeveritare, transnacionale e nderkombëtare, donatorëve dhe zbatuesve të projekteve, të reflektojmë e rimendojnë ndihmën për integrimin e komunitetit rom, e mbi të gjitha ta bëjmë komunitetin rom pjesëmarrës në politikat që hartohen për ta. Ata dhe vetëm ata e dinë se cfarë funksionon për ta. Ka ikur koha kur planet dhe programet për romët bëheshin nga anëtarët e shumicës pa inputin e tyre me justifikimin se romët nuk kanë aftësi konceptuale e planifikuese.  Një brez i ri rom që po shkollohet e ecën përpara do të duhet të bëhet zëdhënës e kampion i interesave të prindërve, motrave e vëllezërve të tyre. Orgnizatat rome, vecanërisht ato me bazë komunitare, janë gjithashtu faktorë të rëndësishëm me të cilët duhet të bashkëpunojnë institucionet dhe agjencitë shtetërore.

Sa i takon Shqipërisë, mbrojtja dhe promovimi i të drejtave të minoriteteve, përfshirë këtu romët, është një nga prioritetet e vendosura në procesin e integrimit të vendit në BE. Kjo nuk është një rastësi, pasi intoleranca, racizmi dhe diskriminimi i çdo lloji janë jo vetëm shoqërisht dhe moralisht të papranueshme, por gjithashtu përbëjnë një pengesë të madhe në arritjen e një zhvillimi të qëndrueshëm të vendit, si dhe ndikojë negativisht në stabilitetin dhe integrimin e vendit në Bashkimin Europian.

Gjatë muajit gusht e në vijim një pjesë e komunitetit rom që ishte stabilizuar prej kohësh në një nga zonat më të populluara të qytetit të Tiranës, u dëbua prej andej për shkak të një leje ndërtimi me qëllime private. Ndër opsionet e parashtruara në takime me përfaqësues të komunitetit ndërkombëtar dhe shoqërisë civile, AP parashtroi opsionet e veta për një zgjidhje emergjente te situatës dhe një zgjidhje afatgjatë të saj. Zgjidhja emergjente përfshinte strehimin e tyre me përparësi në objekte të përshtatshme për jetesë, ofrimin e ndihmës mjekësore për të gjithë anëtarët e komunitetit të kërcënuar nga i nxehti dhe marrjen e masave për të mundësuar regjistrimin e fëmijëve  të komunitetit  në shkollat pranë vendbanimit aktual të tyre; ndërsa zgjidhja afatgjatë ka të bëjë me regjistrimin e tyre në sistemin e shërbimit social shtetëror për të përfituar ndihmë ekonomike, banesa sociale, kredi me terma të buta si të pastrehë, formim profesional, punësim, etj.

Ndërkohë, në bashkëpunim me organizatat e shoqërisë civile, Avokati i Popullit ka përgatitur një rekomandim për qeverinë e re dhe në mënyrë specifike për  Ministren e Arsimit ku ndër të tjera kërkohet: sigurimi i aksesit të fëmijëve Romë në sistemin parashkollor nëpërmjet lehtësimit të proçedurave standarte të regjistrimit për këtë kategori; Regjistrimin në shkollë dhe pajisjen me tekste falas të fëmijëve romë në arsimin para-universitar; Realizimin e një studimi kombëtar nga ana e Ministrise, mbi koston financiare të sigurimit falas të ushqimit në shkolla për fëmijët; Mundësimin e dhënies së teksteve falas dhe lehtësimine proçedurave edhe për fëmijët Egjiptianë dhe ata jetimë (të papajisur me kartën e jetimit),  duke qenë se ndodhen në kushte të ngjashme socio-ekonomike.

Vlerësojmë se një nga treguesit më pozitivë të arritur në punën e institucionit tonë gjatë këtyre ndërhyrjeve institucionale është padyshim, sensibilizimi mbarëshoqëror dhe i medias, në lidhje me problematikat që sot shqetësojnë minoritetin Rom në Shqipëri.

Në mbyllje dëshiroj të theksoj dhe njëherë faktin se një shoqëri tolerante dhe gjithëpërfshirëse është një pasuri për të gjithë anëtarët e saj. Ne të gjithë kemi diçka të veçantë për të kontribuar për shoqërinë tonë pavarësisht përkatësisë sonë.

*Avokat i Popullit

Share This Article
3 Comments
  • mire beni qe interesoheni per romet sepse jane pjese e shoqerise . POR a keni menduar per ate pjese te shoqerise qe punuan e saliu I nxori ne pension para kohe duke shkateruar ushtrine qe vendet fqinje e kane te forte . sot keta ushtarake te nderuar e shume te tjere jane pa shtepi . sistemoni e strehoni fillimisht keta qe I kane dhene ketij vendi e pastaj pa tjeter duhet te mendojme per kete pjese .

  • Per nje njoftim punesimi, per mardhenie me jashte ne institucionin e Avokatit te Popullit,pasi ju kekova qe pse me kishin skualifikuar,me dhane pergjigje nga personeli, dhe aty kuptova se kishin skualifikuar nje te diplomuar me medalje ari,vetem se nuk kishte 3 vjet pune,,por kishte 2 vjet e gjysem.
    Nuk e di se sa i informuar eshte ky avokati i popullit, per miratimin e kanditatures E.kacaj,e shpallur ne faqen zyrtare te institucionit,e sa lart eshte me shume se une.,

  • Nesa jam e informuar,jeni avokati i katert ne kete post per te pare te drejtat e popullit sipas ligjeve, dhe jeni i propzuar kandidature nga e majta.
    Ne detyre afro dy vjet,avokat i popullit ju kemi pare
    gjate kesaj periudhe se jeni mare me shtresen e romeve ,kushtet e te ndaluarve ne instituconet e riedukimit, ndersa per te drejtat e mohuara nga ish qeveria Berisha,per ne ushtarket,me VKM 24.09 2010,ku u shkel ligji per statusin e ushtarakut, dhe pesioni i parakohshem u ul sa nje asistence qesharake, e ju(institucioni) nuk e kini ngritur zerin fare.
    tolerance.? Po ne shtetin Gjermani keshtu u njihen te drejtat i sh ushtarakeve,

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *