Edhe po të merrej seriozisht kërcënimi i parlamentarëve të Pdl-së, do të duhej një kohë shumë e gjatë që të përmbushej. Në Dhomën e Deputetëve dhe në Senat, Pdl-ja ka gjithsej 196 parlamentarë e senatorë, nëse vendosin në grup të linin detyrën do të duheshin vite në të dyja dhomat e parlamentit për të plotësuar kërkesat e dorëheqjeve
Parlamentarët e partisë Popolo della Liberta bënë të ditur se kishin vendosur të tërhiqeshin në grup nga detyra e tyre në të dyja dhomat e parlamenitit, nëse junta e Senatit do të votonte për heqjen e postit të senatorit të Silvio Berluskonit më 4 tetor. Dhe janë të gjitha gjasat që të votohet pro dekadencës së Kavaljerit.
Junta duhet të shprehet në lidhje me një vendim gjyqësor të formës së prerë ndaj Berluskonit me 4 vjet burg për evazion fiskal, gjë që ia bën të pamundur mbajtjen e detyrës në Senat. Kërcënimi i dorëheqjes së parlamentarëve të partisë së tij, do të ishte një zgjidhje për të bërë presione të reja mbi qeverinë e Enriko Letës dhe mbi presidentin e Republikës, Xhorxho Napolitano. Sipas eksponentëve të Pdl-së ky është një gjest që politikisht mund të lexohej si një shpërbërje e një pjese të madhe të rezultateve elektorale, duke i sugjeruar presidentit të republikës zgjedhje të reja. Edhe pse serioziteti dhe besueshmëria e njoftimit vihen në dyshim, në të vërtetë rezultati shfaqet teknikisht shumë i ndërlikuar për t’u arritur.
Për të kuptuar mekanizmin që fshihet mbas dorëheqjes masive të deputetëve dhe senatorëve duhet të merret në konsideratë ajo që thotë Kushtetuta: Një parlamentar prezanton vullnetarisht dorëheqjen në dy situata të ndryshme. E para, verifikohet kur parlamentari vendos të marrë një detyrë që nuk përputhet me mandatin e tij. Zakonisht bëhet fjalë për rastin më të thjeshtë: Vendimi i komunikohet Dhomës që i përket parlamentari, anëtarët e së cilës e marrin parasysh pa e votuar.
Por bëhet më e vështirë kur parlamentari dëshiron të japë dorëheqjen si zgjedhje personale: duhet t’i shpjegojë sallës motivet e tij, në mënyrë që më pas të kalojë në një votim. Në Dhomën e Deputetëve dhe në Senat, Pdl-ja ka gjithsej 196 parlamentarë, nëse vendosin në grup të linin detyrën, çdo deputet dhe senator duhet të prezantojë në parlament motivet e dorëheqjes së tij. Më pas, dhomat e parlamentit duhet të ekzaminojnë secilin rast, të shtrohen në debat dhe në fund të votohet… dhe për këtë do të duhej një kohë shumë e gjatë. Veç kësaj Pdl-ja nuk ka mazhorancën as në Dhomën e Deputetëve dhe as në Senat dhe çdo anëtar i kësaj partie do të duhej të bindte kolegët e partive të tjera si Pd, Sel, Lega Nord dhe M5S. Në praktikë, duke konsideruar që parlamentarët e Pdl-së janë 196 do të duheshin vite punë në të dyja dhomat e parlamentit për të plotësuar kërkesat e dorëheqjeve.
Kreu i shtetit italian, braktisi kuvendin në Senat pas votimit të së enjtes në asamblenë e parlamentarëve berluskonianë, të cilët kërcënojnë të japin dorëheqjen nëse do të votohet ligji për rrëzimin nga posti i senatorit, i kreut të tyre.
Në një komunikatë zyrtare presidenti Napolitano kritikoi ashpër kreun e Pdl-së, Silvio Berluskoni për qëndrimin e tij. Katër pasazhe thelbësore në këtë komunikatë. a) për kreun e shtetit pozicioni i marrë nga parlamentarët e Pdl-së rrezikon të kompromentojë funksionin e Dhomave; b) është absurd dhe i pavend evokimi i grushteve të shtetit apo operacioneve në dëm të shtetit; c) qëllimi i dorëheqjes në masë do të ishte edhe më shqetësues nëse do të finalizohej për të ushtruar presione mbi presidentin dhe për ta nxitur që të shpërbënte paraprakisht dhomat e parlamentit; d) as kolegji dhe as kryeministri nuk mund të ndërhyjnë mbi vendimet e dënimeve përfundimtare.
Përgjigja e besnikëve të kavalierit nuk vonon. Pak minuta pas publikimit të komunikatës ata nisën mbledhjen e firmave për vendosjen e dorëheqjeve, për t’ia dorëzuar në fund kryetarëve të dhomave të parlamentit, Laura Boldrinit dhe Piero Grasos më 4 tetor, menjëherë pas votimit të juntës./D.Gjuzi
