Nuk janë të pakta ndërlikimet e shfaqura tek pacientët si shkak i përdorimit të gabuar të antibiotikëve.
Madje në shumë raste veprohet me marrjen e antibiotikëve më të fortë, ndërkohë që trajtimi duhet të nisë nga përdorimi i antibiotikëve më të lehtë, kjo me qëllim për të shmangur rezistencën e antibiotikëve.
Profesori Kim Drasa tregon për “Dita”, se çfarë duhet të kemi parasysh në rastet e përdorimit të antibiotikëve që i përkasin klasave të flourkinoleneve dhe kinoloneve, për të cilat Agjencia Evropiane e Barnave rekomandoi që të kufizohet tërësisht përdorimi i tyre për shkak të ndërlikimeve që shkaktojnë në shëndet nga përdorimi pa kriter i tyre.
Në vijim të shkrimit doktori jep 15 këshillat që duhet të dini sa i takon veprimit të këtyre antibiotikëve, si dhe dëmtimet më të shpeshta që vijnë si shkak i keqpërdorimit të tyre.
Prof. Kim, kush janë këto dëmtime kaq të rënda?
Agjencia Evropiane e Barnave (EMA) evidentoi në këto konkluzione se përdorimi i barnave të grupit të flourkinoleneve janë të shoqëruara me dëmtime serioze, potenciale, dhe më e keqja është se këto dëmtime edhe pas ndërprerjes së mjekimit, zgjasin me muaj, ose vite të tëra. Flourkinolenet dëmtojnë një sistem, ose disa sisteme të trupit tonë (vaskulare, nervore, muskulare, ligamentare), organet klasike dhe të shqisave. Këto dëmtime përfshijnë: Tendinitis, rupturë të tendinit, arthralgia, dhimbje në extremitete, trazira në ecje, neuropati shoqëruar me paraesthesia, depresion, lodhje, dëmtim të memories, çrregullime të gjumit, si dhe dëmtime të dëgjimit, pamjes, shijes, nuhatjes, etj.

Doktor, a mund të na shpjegoni se kush janë konkretisht kuinolonet dhe flourkinolenet, pasi janë terma mjekësore të cilat duhet të jenë më të qarta në popull?
Kinolonet janë një grup i veçantë i medikamenteve që ka gjetur një përdorim masiv. Medikamenti i parë që u prodhua ishte Acidi Nalidixic (Negrami), në vitin 1962 dhe ky u konsiderua si i pari i këtij grupi. Më pas u prodhuan edhe llojet e tjera: “Acid Pipemidic, Acid Oxolinic, Cinoxacin”. Ky prodhim zgjati deri 1970. Ne si vend kemi përdorur vetëm Negramin (Acid Nalidixic), por edhe ky është mbipërdorur dhe keqpërdorur. Mbas kësaj ka filluar prodhimi i grupit të flourkinoleneve, të cilat ndahen në katër grupe (gjenerata), të cilat janë : Acidi Oxolnic (Rosoxacin), grupi i dytë përfshin Ciprofloxacin, Perfloxacin, Rufloxacin;, Norfloxacin, Ofloxacin. Grupi i tretë përfshin levofloxacin. Ndërsa në grupin e katërt përfshihen prurifloxacin, moxifloxacin.
Po për analizat bakteriologjike ku shënohet se si duhet të përdoren këto antibiotikë , çfarë mund të themi?
Fatkeqësia dhe çudia më e madhe po ndodh me laboratorët bakteriologjike se kur ju bëjnë Urokulturën-Antibiogramen, kur ju del mikrobi- Eschericia coli (Mikrob qe kap 80-85% të rasteve), në krah të tij shënojnë antibiotiket, të cilët veprojnë(S); veprojnë ½(I), ose nuk veprojnë(R), për çudi shënojnë se vepron(S) Levofloxacina ?? Kjo çudi është sepse kompanitë farmaceutike (Industriale), te cilët kanë interes të fitojnë sa më shumë prapëseprapë janë të detyruar ligjërisht që në fletën e përdorimit të Levofloxacin, të theksojnë se: “Levofloxacina nuk vepron kundër “Eschericia coli”. Pra si arrin laboratori në këtë përfundim??. Gabojnë.
A është lajmëruar më parë në lidhje me këto ndërlikime që vijnë nga përdorimi i këtyre antibiotikëve?
Po. Dy vite më parë edhe FDA amerikane lajmëroi në shtyp tre dëmtime madhore nga përdorimi i fluorokinoloneve: që janë dëmtimet e shëndetit mendor, duke përfshirë çrregullime ne vëmendje, çrregullime në orientim, axhitim, nervozizëm, dëmtim të memories(kujtesës), si dhe delirium(jerm, kllapi). Dëmtimet e grupit të dytë kanë të bëjnë me çrregullime serioze të sheqerit (Glukozës) në gjak. Glukoza në gjak pëson çrregullime nga secili antibiotik i grupit fluorokinolone. Konkretisht, tani ata theksojnë se duhet të reflektojmë qartësisht për rrezikun potencial te çuarjes së pacientit deri në gjendjen më të rëndë nga ulja maksimale e glukozës në gjak dhe kjo quhet Koma diabetike. Ndërsa grupi i tretë përfshin aneurizmën e aortës. Aneurizma e aortës është një hollim i paretit të aortës (fryrje), e cila mund të zmadhohet dhe te shpërthejë, duke shkaktuar rreziqe, ose hemorragji fatale. Pacientët, të cilët janë më tepër të rrezikuar për të shkaktuar aneurizëm të aortës, mbasi janë duke marrë fluorokinolone, janë: të moshuarit, pacientët me presion të lartë gjaku, pacientët me histori të bllokimeve te aortës ose vazave të tjera të gjakut, pacientët, të cilët kanë kondicione gjenetike siç janë sindromi Marfan ose sindromi Ehlers-Danlos. Komisioneri i FDA, Dr. Scott Gottlieb ka theksuar se : “Pacientët, të cilët përdorin flourkinoleneve janë dy herë më të rrezikuar të kenë aneurizëm aortike ose rupture(Çarje) të kësaj Aneurizme”. Pra, këto grisje quhen disseksion i Aortës ose rupture të aneurizmës së aortës, e cila të çon drejt rrezikut të një hemorragjie të rrezikshme për jetën dhe në raste ekstreme, bile vdekjen. FDA amerikane gjithashtu paralajmëron se disa antibiotikë mund të shkaktojnë dëmtime fatale të zemrës.
15 këshillat që duhet të dini për përdorimin e këtyre antibiotikëve
1. Në secilën kuti ku ka medikamente flourkinolene duhet të shënohen rreziqet, të cilat i përmenda gjatë intervistës (siç shënohen dëmet në secilën paketë cigaresh).
2. Ciprofloxacina (Ciprinol, Cipro, Ciproxin, Ciprobay) duhet të ndalohen me ligj (moratorium) për 5 vite. Kohe, e cila mendoj se duhet që të zhduket rezistenca mikrobiale ndaj ciprofloxacinave, me të gjitha emrat etiketuese (label).
3. Flourkinolenet te tjera duhet të mos përdoren pa kriter, si dhe asnjëherë në rastet e infeksioneve, të cilat mund të ikin pa antibiotikë, ose kur nuk janë të rënda (përshembull infeksionet e fytit. Po ashtu, nuk duhet të përdoren edhe në rastet e infeksioneve jobakteriale, pra në Prostatitet kronike jo bakteriale. Duhet të mos përdoren edhe në rastet kur ka grup tjetër antibiotikesh, të cilët bëjnë efekt të deklaruar. Në asnjë rast kur duhet të përdoret një lloj antibiotiku për të parandaluar (profilaxi) një tip infeksioni dhe në rastet më të rrezikshme siç janë ato: “Para bërjes së biopsisë së Prostatës, e cila fatkeqësisht po vazhdon të procedohet nga shumica e Urologëve (publik dhe privat)”.
4. Flourkinolenet duhet të përdoren vetëm në rastet ekstreme kur nga antibiograma del se vetëm ky grup bën efekt për të shpëtuar jetën e pacientit dhe vetëm sipas rekomandimeve të dhëna nga mjeku specialist.
5. Pacientët, të cilët po përdorin flourkinolenet, në rastet kur ata ndjejnë se simptoma të disexsionit të Aortës (dhimbje të papritur, të ashpër, konstante në zonën e stomakut, kraharorit ose në shpinë) duhet menjëherë të thërrasin urgjencën për trajtim të specializuar për probleme vaskulare.
6. Psikiatrit- Kur ju paraqitet një pacient me ankesa të dëmtimeve të shëndetit mendor duhet patjetër mos t’i fillojnë mjekimin pa i pyetur: “A keni përdorur apo jeni aktualisht duke përdorur flourkinolene “?
7. Urgjencat kur ju paraqitet një pacient në Koma duhet të pyesin familjaret: “A ka përdorur ose po përdorte aktualisht Flourkinolene” dhe po qe kjo duhet të mendojnë se janë para një kome diabetike dhe kështu do e kenë më të lehtë për t’i vënë diagnozën, pra kane shanse për t’i shpëtuar jetën.
8. Mjekët dhe pacientët duhet të ndërgjegjësohen se ka mbaruar koha kur antibiotiket mund të përdoren si aspirina.
9. Levofloxacina të mos keqpërdoren siç u keqpërdor ciprofloxacina, bile më e mira është që mjekët të jenë ekstremisht rigoroz në dhënien e këtij medikamenti.
10. Fillimisht çdo pacient me probleme urologjike duhet të fillojë të trajtohet me antiseptike urinare (Bimore si përshembull Batteril) dhe kur nuk qetësohet për 2-3 ditë dhe për më tepër kur ka temperaturë, duhet t’i shtohet një antibiotik sipas urokulturës-antibiogramës dhe kryesisht sipas eksperiencës së mjekut, sepse po me ndodh që edhe kur ka dalë në analiza se vepron ky, ose ai antibiotik, prapëseprapë nuk më ka dhënë efektin e duhur, siç e ka dhëne para disa vitesh. Duke u nisur nga kjo po jap edhe porosinë për laboratorët.
11. Laboratorë t në përgjigje të antibiogrames duhet të bëjnë këto shënime: Jo vetëm Sensibel (S), por siç duhet pra kur të shënojnë se ky lloj antibiotiku vepron kundër atij mikrobi duhet të shënojnë:a) + kur vepron me pak; b) ++ kur vepron më tepër se e para dhe c) kur antibiotiku ka veprim më të fortë, të shënohet me +++. Kjo sepse vërtet dalin disa antibiotikë, te cilët bëjnë efekt, por gjithmonë ka një ose dy antibiotikë që bëjnë efekt më të fortë, prandaj të shënohet me tre +++.
12. Antibiotikët të përdoren sipas gjeneratës së prodhimit ,pra në rastet e lehta të fillohet me gjeneratën e parë dhe sipas gjendjes së pacientit të vazhdohet, ose në raste të rënda të përdoren ato të gjeneratës së fundit(IV). Konkretisht: Mos të fillohet menjëherë me antibiotikët e gjeneratës së fundit IV(siç fatkeqësisht, po ndodh). Shkenca ka ngelur (në vend numëro) tek gjenerata e IV dhe fatkeqësisht nuk po zbulohet akoma gjenerata e V(peste).
13. Komiteti i EMA për produktet Medicinale Humane (CHMP) miratoj:”Pezullimin e marketingut për medikamentet të cilat përmbajnë-Cinoxacin, Flumequine, Acid Nalidixic(Negram) dhe Acid Pipemidic”(kuinolonet) dhe “Përdorimi i Fluorokinoloneve duhet ekstremisht të kufizohet.
14. Flourkinolenet dhe Corticostroidet nuk duhet të përdoren njëkohësisht.
15. Pacientët kur mjekohen me Flourkinolenet duhet të jenë nën kontroll e monitorim serioz dhe të vazhdueshëm. Gjithashtu duhet të theksohet se Flourkinolenet kanë aktivitet kundër disa agjentëve “bioterrorism” si në rastet epidemike: Murtaje dhe ne Antrax (Johns Hopkins Center-Baltimore).
p.k/dita
