Seanca plenare e radhës do të mbahet ditën e martë, 5 mars 2019. Ky është vendimi paraprak i Kuvendit.
Opozita njoftoi sot anulimin e protestës së ditës së nesërme para Parlamentit për shkak të moszhvillimit të seancës parlamentare dhe pritet të kthehet të martën në shesh.
“Grupi organizator i protestave në PD vetëm pak minuta më parë ka shpërndarë një mesazh për të gjithë degët e Tiranës por edhe dëgë të tjera afër kryeqytetit duke ju kërkuar të angazhohen për në datën 5 mars pasi parlamenti pritet të mblidhet. Si duket opozita do të dalë sërish në protestë” raportoi gazetari Everest Dedaj.
Ndërkohë, po të njëjtat burime thonë se mbetet e pandryshueshme protesta e 16 Marsit, përpara Kryeministrisë.
Ditën e djeshme, opozita e bashkuar zhvilloi një protestë 3 orëshe para Parlamentit, ndërkohë që Parlamenti po zhvillonte seancën, ku u miratuan strukturat e KLGJ dhe KLP.
Gjatë protestës së djeshme pati edhe përplasje me policinë, ku protestuesit çanë kordonin e policisë dhe i goditën me sende të forta, ndërsa kjo e fundit u përgjigj me gaz lotsjellës.
v.l/ Dita
