Rrëfim për librat eseistike, jetën dhe vdekjen

Ornela

Moikom Zeqo

Bukurinë

Kurrë s’e preva në besë.

Gjithë jetën e shpërndava me drejtësi.

S’mbajta pjesë për vete.

 I varfër gjer në palcë.

Me një zambak fushe

Ndriçova netët më të egra.

 Kujtomëni!

 

JANI RICO

 Libri “Ofelia me mjekër” është bleu i tretë pas “Refuzimit të shkrimit” (DITURIA, 2011) dhe “Vetullat Hyjnore” (BOTA SHQIPTARE 2012).

Është fjala për një bashkësi tekstesh që paraqiten ndërmjet të ndryshmëve shpesh paradoksale.

Ftillëzimi është i mjegullt, pra një nebulozë.

Mbase (guxoj të konstatoj) se një pikë reference është satira madhështore e Jonathan Swiftit “The Battle of Books” (“Betejë e Librave”) e shekullit XVII që stimulon polemika të hatashme, por edhe përkorje deri në plogështi.

Pikëpamja se asnjë traditë në vetvete nuk vlen më tepër se një tjetër shërbeu si përligjje për një liri kërkuese dhe të pandalur të artit, kundër paralelizmit grotesk të pavlefshmërisë komerciale të artit Kitch.

Historia nuk duket më si një continuum.

Kulti i energjisë buron tashmë nga vizioni i Historisë (Letërsisë) botërore, që është në thelb apokaliptik.

Stephane Mallarme që në 1891 ka thënë se Poeti (Krijuesi) modern është, thjesht dhe pa mëdyshje: “en greve devant la société” (“në grevë kundër shoqërisë. »

“Vetëm fjala liri arrin ende të na mbushë me entuziazëm”, ka thënë në 1924 Andre Breton-i.

Letërsia e vërtetë është rebelim konceptual.

S’ka se si të jetë ndryshe.

Banaliteti i shoqërisë së konsumit dhe pop-hedonizmit kërcënon gjithçka, por mbi të gjitha artin.

Post-modernizmi është një dilemë ,por s’mund të jetë art.

Kjo duhet kuptuar.

Perceptimet e pjesshme s’janë vetëdija.

Dekadenca s’estetizohet.

Të shkruash është gati robinsionadë, çdo epokë është ne disa aspekte një burg shpirtëror.

Ne një parabolë të Bruno Schultz-i flitet për bllokimin e Kohës. Pacientët, të cilët mjeku i ka diagnostikuar me kancer, duke u thënë se u mbetet për të jetuar vetëm 3 ose 6 muaj ende u thuhet fshehtasi se një alkimist bashkohor e ka një hotel të quajtur “Klepsidra”, ku nëse strehohen aty (kuptuar duke paguar jo pak) dhe aty mund t’u ndalej Koha,- afati i vdekjes shmangej (fuqia magjike e alkimistit, që përbuzte shkencën mjekësore arrinte të ndikonte mbi “ngrirjen” e Kohës, -pa i përfillur ligjet e saj.)

Pacientët mund të rrinin me vite të tërë brenda “Klepsidrës” pa vdekur, por kushti fatal ishte se nëse dilnin jashtë do të vdisnin me siguri absolute (natyrore).

Bruno Schultz-i me stil të thekshëm migjenian (ah, Migjeni!) tregon se pacientët të çmendur nga jeta e mbyllur, gjenin shpëtim prej lemerisë ekzistenciale duke dalë jashtë, sepse Vdekja qe një variant i Lirisë.

Gjithçka e tillë e ngjashme është edhe me Letërsinë!

Po kush e kupton këtë?

Mungon Vizioni.

Pra vetë Njeriu!

Prandaj të shkruash është të vdesësh në Liri!

Satis quod sufficit!

. (Është e mjaftë ajo që mjafton!)

 

 

Share This Article
Leave a Comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *