Përvjetori i poetit të shquar Koçi Petriti

Leda Hysa

 

Mihal GJERGJI                                                                                                              

Ishte fundjava e parë e marsit 2011, ditë e shtunë. U nisëm nga Tirana për të mbritur në qytetin e Korçës, si mysafirë. Qafa e Krrabës, na joshte për t’iu  larguar zhurmave dhe ndotjes pa fund të metropolit, mirëpo sa u futëm në qytetin e Elbasanit, smogun që lam prapa, e gjetëm të nderur sipër këtij qyteti, hallet e të cilit t’i thonë shpenguar vetëm valët e Shkumbinit të rrëmbyeshëm.

Nxituam pastaj të kalojmë fushën e Domosdovës, ndërsa Moikom Zequa, bashkëudhëtari im, më fliste për betejën e Skënderbeut, rrënojat e mbetura nga objektet e kulteve të islamizmit dhe toponimet e çuditshme të vendbanimeve, të cilat lidhen me invazionet sllave të shekullit të VI-të. Mandej ndaluam për të pirë kafen e mëngjesit në pragun e qytetit të Pogradecit, aty ku Lasgushi ushqente magjinë e krijimit dhe dehej nga “mushti“ i liqenit.

Filloi të binte një shi i hollë, por i ftohtë. Makina rrëshqiste nën ritmin e nxituar të pikave, ndërsa kurora e maleve rreth Korçës kishte hedhur supeve vellon e bardhë. Ishim futur në pragun e qytetit dhe ecnim në rrugën që të shpie te Bibloteka.

Poeti i mirënjohur i lirikave dhe baladave shqiptare, Koçi Petriti, festonte 70-vjetorin e lindjes mes artistësh dhe kolegësh të ardhur nga shumë qytete të vendit.

Më dukej sikur shkoja në këmbë të Mihal Gramenos. Po të isha bashkëkohës i tij, besoj se do më pranonte si luftëtar në radhët e çetës që drejtonte, ndërsa në këto kushte, me kapedanin në fjalë, të përbashkët kemi vetëm emrin, jo bëmat.

Moikomi, i mbështetur në sedilen e parë, dukej si i derdhur në bronx. Aty për aty më pëlqeu ta krahasoja me Çerciz Topullin, për të vazhduar kështu linjën e meditimit, madje ia shpreha si ide.

-Po unë s’ia them për nagantë, – tha Moikomi.

-Punë e madhe,- ia ktheva, ne s’shkojmë për luftë, por veten duhet ta mendojmë si luftëtarë.

Në shoqërinë tonë ishte edhe shkrimtari e poeti Petraq Risto me humorin e tij mbreslnës. Humori, veçanërisht te shkrimtarët, është tregues i fuqisë së talentit krijues. Petraqi e mishëron këtë të vërtetë. Orgjinën e këtij autori të përkthyer edhe në gjuhë të huaja, e bëmë objekt diskutimesh. Herë e linim në Voskopojë e herë në Vithkuq, ku gjënden ende banorë me këtë mbiemër. Mbas rrënimit të dytë apo të fundit të Voskopojës, stërgjyshi i Petraqit mund të ketë blerë tokat rreth kodrës së Ardenicës, në kufirin mes Fierit dhe Lushnjës, ku poeti figuron si pronar legjitim, por vetëm në letër, sepse në Shqipëri është e vështirë të gëzosh të drejta pronësie, është shumë e vështirë.

Dhe i katërti, i cili drejtonte edhe automjetin, ishte Komi Furrxhi (më plqente ta quaja Kovi) nga Bubullima e Lushnjës,  – mishërim tipik i personazhit të Mitrush Kutelit te “Gjëma e mëkatit“.

Komi, edhe pse i kishte kaluar të dyzetat, krahas biznesit, vazhdonte edhe studimet e larta për gjuhë-letërsi.

E ndërsa ngjisnim shkallët e Biblotekës së këtij qyteti, pëshpërisja në buzë vargjet e Koçit: “I vetëm s’jam/ kam djem dhe gruan/ e varre ku shkoj qaj/ e kundërshtarë, e që më duan…“

Vërtet, miqtë dhe adhuruesit e Koçit ishin të shumtë. Megjithëse ishte një ditë e ftohtë, salla e madhe kishte më shumë se 150 intelektualë, të mbledhur për të uruar e nderuar njëkohësisht, lirikun e shquar.

Sa mirë kur të vlerësojnë të tutë, sepse po s’të deshi familja, s’vlen as për të tjerët.

Prefekti i Qarkut (A.M), nxitoi të përshëndeste i pari, mandej të largohej (edhe pse kishte çfarë të mësonte në këtë takim të përzemërt), sepse ishte i pari i vëndit, dhe i madhi është edhe ’hallemadhi’,-kështu thotë populli. Kjo vlen edhe për Ministrinë që quhet i Kulturës, po të begeniste me pjesëmarrjen e tij, me siguri që do merrte një mesazh kulturor, sepse kultura asnjëherë s’fitohet individualisht apo brenda zyrave luksoze të shtetit. Kjo edhe për faktin se, Koçi Petriti s’lartëson vetëm Korçën dhe korçarët, por poezinë shqipe në tërësi.

Pas Prefektit, vijoi B. Vila, sekretar i kësaj Prefekture, lexoi propozimin e Shoqatës Atdhetare e Kulturore “Gora“, për ta nderuar Koçin me titullin “Nderi i Qarkut të Korçës“.

Vazhduan me radhë të ftuarit, pastaj Stavri Trako, pedagog i gjuhë-letërsisë në një nga universitetet e qytetit, shoqëruar nga kolegë të tjerë dhe krijues të shumtë.

S.Hysenaj, nga krahina e Mallakastrës, kishte mbrojtur një master me temë: “Veçori të ligjërimit poetik të Koçi Petritit“, pra kishte edhe ai detyrimin për të uruar profesorin e tij.

Foli edhe një burrë, ashtu shkujdesur, me zërin plot drithërimë, por me shpirt e mall. Ishte bashkëmoshatari i Nevruzit, vëllait partizan të Koçit:

“Dy varre ndrroi fatziu Nevruz/ gjer tek i treti u tret/ si hënë e mbytur pus më pus/ ka nënën varr të vet“. Ishte pra një nga bashkëluftëtarët e tij.

“…E ruaj akoma aromën e djersës së Nevruzit, kur rrinim bashkë në netët e vështira të luftës, rrahjet e zemrës së tij ende më trokasin në kujtesë…“- kështu foli fisniku korçar, dhe duke nderuar poetin, ai nderonte njëkohësishtë edhe kujtimin e martirit, vëllait të Koçit. I kërkoj ndjesë për emrin, të cilin s’mund t’ia kujtoj, ndryshe s’mund të rrija pa ja shkruar.

Drejtori i Biblotekës, poeti Skënder Rusi, e përcolli në heshtje takimin, por besoj se me emocione, sepse poetët e kuptojnë mirë njëri-tjetrin edhe në heshtje.

Më duhet të përmënd edhe diçka tjetër. Ai që më bëri më shumë përshtypje, ishte poeti Vladimir Toroveci, i cili mbante mbi shpinë edhe peshën e mbarëvajtjes së këtij takimi. Kishte një pamje hijerëndë, ndoshta nga që  ishte i lirë, dukej i prerë dhe i sertë në sjelljen e tij fisnike, sqimatar në fjalët e kursyera.

Në ikje më dhuroi librin  e tij me poezi të zgjedhura, “Kohë parvenysh“. E shfletova me kërshëri. S’e kisha njohur më parë. Më befasoi lirika e tij interesante, mendimi i fuqishëm shoqëruar me dhimbjen që futet gjer në eshtër. “ O Zot, ç’është kështu?/ Të rigjeta ty/ dhe sërish/më pushtoi marrëzia/I dehur prej lirisë/ si prej një vere të rrallë/ kam filluar çjerr rrobat e mia“. Ja që furtunat s’qëndrojnë vetëm brenda natyrës, ato i mban edhe njeriu në shpirtin e tij.

Vladimiri është ciceron te Mësonjëtorja e Parë Shqipe, kryetar i Lidhjes së Shkrimtarëve të Korçës, gjithashtu. Besoj se këto institucione kulturore s’janë ndarë si partitë politike, dmth, të ketë dy apo tre të tilla brenda një qyteti, besoj…

Mes të pranishmëve ishin edhe të afërmit e poetit, njerëzit e tij të gjakut, nipi, Gjergji me zonjën e tij fisnike, Mira Petriti, mësuese në shkollën e Bulgarecit; Esmaja, motra binjake e Koçit, e shumë të tjerë. Për mikpritjen dhe qytetarinë e tyre, rezervoj një nderim të veçantë. Mirëpo ballkanasit, pse jo, edhe ne shqiptarët, s’jemi të shpenguar në nderimin e grave. Kam parë shumë intelektualë tek nxitojnë të puthin duart e Kryepeshkopit, kuptohet, kur u lënë radhën politikanët, ndërsa ngurojnë të puthin duart e zonjave të nderuara shqiptare.

Brënda këtij qyteti relativisht të ri në moshë ka vërshuar qytetaria dhe kultura e dikurshme voskopojare, emigrimi i vazhdueshëm ka realizuar prurje kulturore dhe investime, të vogla sigurisht, ndërsa sot, qytetarët korçarë, presin shpresëhumbur, që qyteti të marrë pamjen e kryetarëve që ndërrohen herë pas here.

Të qëndrosh në qëndër të Korçës, mes vështrimeve të luftëtarëve, s’mund të heshtësh për ta. Ata lartësohen, ashtu, të derdhur në bronz. Brenda tyre qëndrojnë të ngurtësuara, edhe dhimbja edhe shpresa. Ata janë bërë objekti i baladave të Koçi Petritit. Themistokli Gërmenji, Mihal Grameno, Sali Butka, Kajo Babjeni, etj. Të vdekurit e gjallë frymojnë brenda fjals poetike. Ndryshe, si mund t’i shkruante Koçi baladat e mrekullueshme; “Baladë liqeni“, “Balada e nënës gorare“, “Baladë suljote“, “Balada e dheut“…aty ku shpirti njerëzor lartësohet në krahët e përjetësisë.

 

Shënime udhëtimi

Korçë, 5 mars 2011

Elegji nga Koçi Petriti

Pas shpine mal, përballë det,

vend që e ha enigma e vet,

Enigma e ujkut që me bisht

ç’dele që prek e ndjekin çmendurisht.

Bregdetin perlë e dheun ar

kam prona e s’jam askund pronar.

Kam krom e naftë e shkoj shes gjak,

Përndjekur si indigjen zezak.

N’Evropë rroj, s’jam as Azi,

qaj nën dykrershin shpend të zi.

***

Ky Dhe shtrydh lëng nga drunjtë e vet,

sa derdh Shkumbini ujë në det.

Ky Dhe qeth lesh nga dhent’ e tij,

sa vesh me triko tri Greqi.

Me pemë e vresht, me peshk e shpend,

me gjedh që ther e gjah që vret,

Me mollë e gur-madem për top,

Belgrad e Romë e Athinë i ngop.

Me zjarr nga lisi e lumi i vet,

me plazh që thek Ballkanin krejt,

Eden me tre cerberë përqark,

Det, gjol e lumi i vet e lag!

Cerber, bunker e sherr e terr,

Otranton varr, kufirin ferr.

***

O fis me dukë e kont e mbret,

që shqip e gjuhë Shekspiri flet,

Pushtime s’bën, pushtues je,

në çdo kënd Dheu ti djemtë i ke.

Pinjoll i gjakut tënd fisnik

mësoi të famshmin Kopernik.

Kur Kryqin Gjysmëhëna e prish,

parzmore Evropa Ty të kish.

Ndërton Egjypt, bën zap Liban,

e Krisht e Muhamet s’i ndan.

***

Ndan dy perandori në mes,

si eshka që gurstralli e ndez.

Këtej gurstrall, andej uror,

ti ndizu e digju e bjerë theror.

Në Lindje ç’nduk, në Jug ç’gëlltit,

Drejt Perëndimi e jashtëqit.

Ç’merr nga ky krah,ç’flak nga ai krah

tek ty vjen kont e shkon pasha.

Shkon Gjergj e Aleksandër vjen,

shkon Gonxhe e Nënë Shënjtore kthen.

***

Me perandor ke bërë krushqi,

lind çifligar e vdes çifçi.

E nën sulltan je gjeneral,

në dheun tënd ç’bastard fatal!

Rron në Paris, je parisian,

me gen sojlliu, binjak me arian.

Zbulon nëndheun tënd antik,

dhuron Shenjtorë e Viagrën shpik.

***

Në ç’labirinth të Botës bredh

e ç’lëmsh qytetërimesh mbledh,

Me fill t’Arianës si Tezeu

rikthehesh prap shqiptar te Atdheu.

Të tretesh do në varr me prind,

si ngjala që shkon ngordh ku lind.

***

O vend fatal, sinor e prag,

si bishë e kapur keq në lak.

Ti  udhëkryqi e lidhza “Dhe”

mes Lindje e Perëndimit je.

Patkoi i Orientit trokrrebel

mbi ty me t’Oksidentit shkel.

Nën dy rresht kuajsh ngritur kas,

dy fronte gjoks më gjoks përplas.

Patkua e tank, avion e blind,

mbi zverkun tënd shkon-vjen si xhind.

Nën ta rri krrusur ti dhe klith,

si ura që dy brigjet lidh.

Ç’karvan shkon Lindje e Perëndim

mbi ty pëgën me kafshërim.

E Via Egnatia, ikur larg,

s’është udhë, po lumë vrer e gjak…

***

Të thonë pushtues, ti nj’atdhe

nën pesë shtete rob e ke.

I ndarë me kurth, Traktat e plumb,

skifter në paqe, në luftë pëllumb.

I shtrirë mbi kudhër, nën çekan,

o eshtërbluar në havan!

Mbi bark Ballkani plënc e pleh

kërthizë e prerë me drapër je.

***

Ti han buzë udhës, ku hanxhiu

mërgon e zot rri qiraxhiu,

Nga ç’burg nënvetëdije nxjerr

pleh primitiviteti e terr?

Atë që Evropa dit për dit

ka treqind vjet që e jashtëqit.

***

Nxin Lisi i Gjakut tënd tragjik,

klith Lisi i Tamblit tënd fisnik.

S’të ka frikë hasmi, mikun trëmb,

ç’ngre dhjetra vjet, një natë e shëmb.

Ç’rrit tërë një jetë e zhbën një çast,

ç’fiton dy luftra e humb një bast.

Pagan, pa fe, fetar trefish,

me emër shpendi e shtat hyjnish.

***

O gjysmi Nol e gjysmi Zog,

ç’Kain të la përjetë ulok?

Ç’ndjek pas çdo prinjës çmendurisht,

si delja q’ujku e prek me bisht?

E besën mburr e besën prish,

baladë e thur mes pabesish.

Me aq mund sa bën bunkerët-varr

a s’ngre tre vila çdo shqiptar?

***.

Lypsar nuk je e dorën shtrin,

të vdesësh do e s’gjen qefin.

Ti tokën shet e varrin ble,

ke president e strehë s’ke.

Ç’ke burrëri ndër zyra e tredh,

altarin ndyn, vakëfin vjedh.

Një bushtër mbars, pjell tri parti,

ndërron tri fe për tri dhrahmi.

Majm bodigard, stërvit sambist,

zgjedh deputet kontrabandist.

Bën ”sankylotin” miliarder,

flak një gjeni, mban një kapter .

Mermerin shet, plitharin ble,

ke pyll për mbret, përdhe shtron fle.

Shtron fle përdhe e ar tregton,

bordell nuk ke e kurvëron.

***

O fis fisnik i bërë hajdut,

ç’lëmsh djajsh mbështjell, ç’fill shenjt këput?

I bërë gjarpër, zhgabë e ujk,

ç’gji greklatin, shkjaturku nduk?

Përmbys pronar, rrëmben tapi,

ngre kult kasollen me një dhi.

E ç’bard e ç’murg e ç’demiurg

S’e shëmb nën tel me gjëmb e burg?

Zengjinë e fismë e gdhin bari,

Zulu e ngrys një mbretëri.

***

Me ç’magjistricë e ç’pus me zift

zien Hoxhë e Sheh e Pop e Prift?

Si i nxin pa fe, si himne u ngre,

si i bën Makbeth në fron pa fre,

Si i ve mbi mbret, mbi komb, mbi Zot,

I pshurr mbi varr të qarë me lot.

***

O popullzi, klith, ulëri,

vetveten ke kufi e fqi.

Kufi e fqi ke truallin tënd,

gjer n’Australi ble një varr vënd.

Të thonë pushtues, ti nj’atdhe

coptuar pesë copa e ke.

Këtej shqiptar, andej shqiptar,

ndarë i ziu djep nga i veti varr.

Ti djep e varr mbi shpinë i mbart,

të shqyejnë anve e rritesh lart.

Përballë det, pas shpine mal,

në Shtrat Prokrusti, fis Tantal!

Mbas ambasade e gdhin mbi gur,

shkon shpend mbi skaf e vjen qivur.

S’të tremb ty plumb, as peshkaqen,

me tra Otranton kapërcen.

***

Kreshnik që bën me krajl dyfek,

ç’mish çikash çon në treg-gjerdek?

E ç’nuse qan e ç’motër klith,

ç’rracë ujku e nduk, ç’bir bushtre e thith?

Gjer u shartofsh me bisk hyjnor,

mbi trung të lashtë e stërgjyshor,

Tët bija i pafsh nën dem e mëz,

në shkofsh sojlli e u kthefsh sojsëz!

***

Po ç’qenka, oh, gjith’ ky shkretim,

o Zot, nga ç’fron lëshon mallkim !?

Ç’kurban kërkon e ç’akt martir,

ç’vakëf, ç’mekam e ç’manastir?

Ç’pendim, ç’flijim prej meje pret

ky vend që e ha enigma e vet?

Fal pronë e plëng, jap shpirtin tim,

e marr veç krim-ndëshkim shpërblim.

Qaj nën dykrershin shpend të zi

të djeshme e të ardhme e ç’jam tani.

***

Nxin Lisi i Gjakut tim tragjik,

klith Lisi i Tamblit tim fisnik.

Ti, Geg e Tosk, shpend dykrenor,

si pendë qe me nur hyjnor,

Si luledielli kryet kthen

andej nga drita e Zotit vjen.

Eh, ç’vend me djaj, shenjtorë e mbret,

vend që e ha enigma e vet!

Pas shpine mal, përballë det

Share This Article
5 Comments
  • Pene “trinitrine”;Mihal Gjergji-Koci Petritin sjelle!
    Mirenjohie asaj pene.

    Mihall Gjergji; emer dhe mbiemer Joshes/(1)
    me bere te jetoj ne tejvite,sa te sotem,
    Te falemindrit sjelle miq zemre te mij,
    Me Koci Petritin,me te madhin- MOJKOM.
    Te falenderoj,”trinitrine ” nga Ty marre,
    Korcen e “Rilindasve sa te sotmen sjelle
    Nga tej oqeanit dejt atdheun jam nise…

    1.-Mihal; i ndjeri babai im, lene pas asaj lufte, jetim..

    Toronto04-03-2O19 GURI NAIMIT D.

  • Ndonese nuk munda brenges t`i bej balle
    Zjarr perseri kam ne shpirt i djegur
    Nese me i vdekur jam se cdo i gjalle
    Mire pra,me i gjalle jam se cdo i vdekur.
    Wilson Blloshmi

    • Të ndjerin s’e kam njohë
      Mihalin s’e di
      Por sa më sipër shkruan
      Kuptohet se veç një bajgë je ti

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *