Pyetje: Doktor unë jam një kosovare që jetoj jashtë. Kam një pyetje për një problem që më shqetëson shumë. Kam të gjitha të mirat e kësaj bote, me punë jam shumë mirë dhe fitoj shumë. Jam e martuar që dy vjet me një djalë shumë të mirë e të kamur, pra, kam një jetë perfekte. Por, një gjë e vogël më shqetëson e ma prish gjithë lumturinë time: Ka dy vjet që kam dhimbje dhe shumë pak epsh. Burrin e dua shumë, por sa provoj të kryejmë marrëdhënie, psikika ime ndikon për keq, sepse jam shumë e ndjeshme. Nuk di çfarë të bëj. Shpresoj shumë në ndihmën tuaj.
Faleminderit.
Përgjigje:
Ti nuk mund të kesh as më të mirat e kësaj bote, e as një jetë perfekte, po qe se nuk ke jetë seksuale të kënaqshme. Seksi, supozohet, të jetë kënaqësi për të gjitha vajzat dhe gratë, por fatkeqësisht, e vërteta nuk është kështu. Për disa vajza e gra, ashtu si dhe për ty, seksi është dhimbje, mundim, shqetësim, një torturë e vërtetë.
Në qoftë se ti je një nga ato gra, që mendojnë, se gjithkush, me përjashtimin tënd, kënaqet me seksin, e ke gabim. Ti nuk je vetëm. Sipas një studimi të madh, të kryer vitet e fundit në Amerikë, 43% e grave dhe vajzave, nuk ndjehen mirë me seksin. Siç e shikoni, nuk janë pak, janë, afërsisht, gjysma.
Pse ndodh kështu?
Ka pesë gjendje seksuale që e prishin kënaqësisë e seksit. Këtu më poshtë do t’i përshkruaj ato dhe do të përpiqem të jap zgjidhjen e mundshme për secilën. Lexoi me kujdes dhe përpiquni të kuptoni në cilën kategori hyni ju të dy.
1-Kur humbet dëshira për seks
Kjo është ankesë e shumë grave dhe e partnerëve të tyre. Burrat e këtyre grave mendojnë se ata nuk janë më tërheqës për gratë e tyre, por ky është një mendim i gabuar. Shkaqet e vërteta për humbjen e dëshirës për seks dhe prishjen e jetës seksuale të grave janë: stresi, tejlodhja dhe shpërqendrimi.
Por, ka edhe faktorë të tjerë që bëjnë të humbasë dëshira e grave për seks, siç janë:
a-Pikëpamjet e gabuara dhe të prapambetura për seksin.
b-Frika nga shtatzënia e padëshiruar.
c-Eksperiencat seksuale të mëparshme të këqija.
d-Kur marrëdhënia seksuale nuk i jep kënaqësi emocionale gruas.
Të gjitha këto, e bëjnë shtratin martesor të duket sikur çarçafët i ka të lagura. Mungesa e dëshirës për seks, është problemi seksual më kompleks dhe shkaqet për të janë shumë individuale. Jo rrallë ndodh, që edhe kur kokat dhe zemrat tuaja janë në sinkron, disa sëmundje si diabeti, fibromialgjia dhe prishja e ekuilibrit hormonal (nga çrregullime të thyroides ose prej menopauzës), mund ta shkatërrojnë jetën seksuale dhe bashkë me të edhe dashurinë. Zbehja e jetës seksual, shpesh, bën që të prishen edhe marrëdhëniet martesore në tërësi, si pasojë çiftet përfundojnë në divorc. Në këto kushte, përdorimi i terapisë hormonale zëvendësuese e rikthen jetën e kënaqshme seksuale, përmirëson marrëdhëniet me burrin, madje, edhe shumë çifte të divorcuara më parë rimartohen.
Si rifitohet dëshira për seks?
• Sapo të përcaktoni shkakun e rënies së dëshirës për seks, ju duhet të përpiqeni të pakësoni stresin, të rrisni nivelin e energjive tuaja, të mbani dietë të shëndetshme dhe të ushtroheni fizikisht. Këto do t’u ndihmojnë të riktheni ngrohtësinë midis çarçafëve dhe ta ndizni përsëri zjarrin.
• Para se të bini për të fjetur, vini alarmin e orës që të bjerë 90 minuta pasi të keni fjetur. Ngrihuni, bëni bashkë një dush që të rifreskoheni dhe pas kësaj bëni seks. Kjo do t’u relaksojë dhe do t’u ndihmojë të flini përsëri. Mund t’u duket e pabesueshme! Provojeni dhe do të shikoni çdo të ndodhë. Ju do të përfitoni nga avantazhi që ka cikli i parë i gjumit, që është koha kur eksitimi seksual është në pikun e tij. Këto 90 minuta të para të gjumit, janë ato në të cilat ne shohim ëndrrat, janë ato që thurim fantazitë seksuale. Kjo periudhë e gjumit quhet periudha e lëvizjeve të shpejta të syve.
• Rishikojeni me kujdes marrëdhënien tuaj. Sa shumë konflikte keni? A qëndroni mjaftueshëm bashkë. A të dëgjon ai? A komunikoni me njëri-tjetrin? Këtë duhet ta bëni, sepse mungesa e dëshirës mund të jetë pasojë e një problemi tjetër në marrëdhënien tuaj dhe ju duhet ta gjeni shkakun, që të mund ta evitoni atë. Rindërtoni gjithë jetën tuaj dhe bëjeni marrëdhënien bashkëshortore prioritet të jetës.
• Largoni mendimet e këqija.
• Zgjerojini opsionet seksuale. Seksi nuk është të fusni pjesën A tek pjesa B. Gruaja mund të dojë një fërkim të shpinës, një puthje të nxehtë, ose një përqafim. Njerëzit duhet të njohin dhe të kënaqin trupat e njëri-tjetrit. Partnerët duhet të komunikojnë me njëri-tjetrin për të gjitha gjërat, që ata i vlerësojnë e i ndjejnë si seksuale.
2-Kur mungon eksitimi seksual
Njerëzit mendojnë se gruaja është e eksituar plotësisht kur ajo laget. Kjo është e gabuar. Kjo nuk është e tëra. Eksitimi seksual është më shumë se lubrifikimi. Kur gruaja është e eksituar plotësisht, ndodhin ndryshime të shumta në organet e saj gjenitale. Kështu, klitori dhe indet rreth tij mbushen me gjak. Kjo bën që lëngjet të dalin nga vazat e gjakut në vaginë. Kjo është lagia, por kjo nuk është eksitimi seksual i plotë. Kur gruaja eksitohet seksualisht në mënyrë të plotë, pjesa e sipërme e vaginës, mitra, qafa e mitrës dhe klitori fryhen e balonohen. Kështu i hapet vend penisit, sado i madh qoftë, të akomodohet pa dhimbje në vaginë. Pjesët e poshtme të vaginës dhe buzët ënjten dhe e ngushtojnë hapjen vaginale, që ta mbështjellin më mirë penisin e erektuar. Të gjitha këto ndryshime ndodhin kur trupi juaj është eksituar dhe është bërë gati për të pritur penisin e erektuar. Kur gruaja nuk është e eksituar sa duhet, i gjithë procesi që përshkruam më sipër ndërpritet. Gratë e përshkruajnë këtë gjendje, “sikur janë të vdekura atje poshtë.”
Pse ndodh kjo?
Shumë nga ato gjëra që përshkruam në pikën një, e që frenojnë dëshirën për seks, janë përgjegjëse edhe për uljen e eksitimit. Kur mungon lubrifikimi dhe vagina është e thatë dhe jo komforte, gruaja, nuk do të ndjejë asnjë ngacmim seksual. Kjo ndodh, kur gruaja nuk është e zonja që në shtratin bashkëshortor të largojë shqetësimet e saj të përditshme. Ajo nuk arrin dot të relaksohet. Ajo kur është duke bërë seks, mendon për provimin që ka fëmija, ose për një detyrë që e pret nesër në punë. Por kjo gjendje mund të ndodhë edhe kur ajo, vërtet, nuk e do burrin e saj. Të gjitha këto e pengojnë eksitimin seksual të gruas.
Si ta rifitoni eksitimin seksual?
Përdorimi i lubrifikantëve vaginalë me bazë ujore, ndihmon në këto raste. Mos përdorni lubrifikantë me bazë vaji, sepse ato shkatërrojnë kondomet latex dhe diafragmat. Në këtë mënyrë ato prishin mbrojtjen nga shtatzënia e padëshiruar dhe nga sëmundjet seksualisht të transmetueshme. Në qoftë se thatësia vaginale ka për shkak uljen e nivelit të estrogjenit, terapia zëvendësuese hormonale do ta mbajë të shëndetshme shtresën e brendshme vaginale dhe do të ndihmojë lubrifikimin. Doktori mund ta japë estrogjen në shumë forma të ndryshme, siç janë kremi me estrogjen, ngjitëset në lëkurë me estrogjen, unaza, ose tabletat me estrogjen që futen në vaginë. Mos e përdorni kremin e estrogjenit si lubrifikant, sepse trupi do të absorbojë sasi të vogla të tij, çdo herë që do ta përdorni. Por shumë estrogjen, mund të jetë i dëmshëm për shëndetin. Evitoni përdorimin e antihistaminikëve. Ato, ashtu siç thajnë mukozën e hundës tuaj, u thajnë edhe atje poshtë. Mund të përdorni suplementet që përmbajnë amino L-arginine. Këto rritin lubrifikimin vaginal dhe bashkë me të edhe kënaqësinë nga seksi.
3- Anorgazmia
Kjo është paaftësia për të arritur orgazmën prej çdo lloj seksi. Kjo gjendje është më e shpeshtë tek gratë, ndërsa tek burrat shumë rrallë ndodh. Siç e kam theksuar edhe herë të tjera, rreth 30% e grave, e arrijnë orgazmën, vetëm, me interkursë seksuale.
Pse ndodh anorgazmia?
Shkaqet pse ju nuk lëshoni fishekzjarrë mund të jenë të shumta: Disa probleme mjekësore si diabeti, skleroza multiple dhe kanceret gjinekologjike. Shkak tjetër mund të jetë përdorimi i antidepresantëve. Studimet tregojnë se rreth 70-80% e grave që marrin antidepresantë, vuajnë nga anorgazmia. Veç antidepresantëve, ka edhe shumë barna të tjera, që e ulin dëshirën e gruas për seks. Midis tyre janë barnat që përdoren për uljen e tensionit të gjakut, përdorimi i antikonceptivëve hormonalë, edhe shumë barna të tjera. Një arsye tjetër për anorgazminë, është kur gruaja nuk e di ç’është orgazma dhe si arrihet ajo. Gruaja nuk i njeh vetë dhe nuk i ka mësuar as partnerit vendet e ëmbla në trupin e saj.
Si mund të ndihmoheni?
Eksploroni çdo zonë të trupit tuaj. Ju mund të çuditeni nga kjo që do t’u them tani: Shumë gra nuk dinë se si duket trupi i tyre, veçanërisht, zona e tyre gjenitale. Tani është koha që të merrni një pasqyrë dore dhe të ekzaminoni veten tuaj. Vendoseni pasqyrën midis kofshëve dhe shikoni si duket organi juaj gjenital. Pas kësaj lërini gishtat të marrin rrugët. Përdorini ata që ta prekin trupin tuaj në një mënyrë jo seksuale, por të kënaqshme. Bëni vetë-masazh. Bëni një banjë, ose dush të nxehtë dhe eksploroni të gjithë trupin tuaj. Provoni se çfarë u bën ta ndjeni veten mirë. Kur të ndjeheni mirë, çojini duart në gjenitalet tuaja. Ngacmoni klitorin, vatrën G, madje, edhe ngacmimi i qafës së mitrës mund t’u çojë në orgazëm. Kërkoni dhe gjeni mënyrën e eksitimit që ka sukses për ju. Mësoni si ta gjeni vatrën G. (Për këtë kam shkruar herë të tjera).
Tani që mësuat të përgjigjeni seksualisht ndaj vetë-stimulimit, provojeni me partnerin tuaj. Ai, padyshim, do të jetë më i suksesshëm, nga sa ishit ju vetë. Flakeni frikën. Frika pengon arritjen e orgazmës. Në trupin tuaj linjat janë bllokuar, riaktivizojini ato.
Të mësosh të arrish orgazmën, është si të mësosh një zeje. Praktika e perfeksionon arritjen e orgazmës.
4-Vaginizmi
Gjatë vaginizmit muskujt e dyshemesë së pelvisit pësojnë shtrëngime, që pengojnë futjen e penisit në vaginë. Sa e shpeshtë është kjo vështirësi? Këtë askush nuk e di me siguri, sepse shumë gra nuk kërkojnë mjekim kur vuajnë prej saj, ose nuk e kuptojnë çfarë kanë. Sipas disa klinikave të njohura, vagjinizmi, haset në 7% të të gjitha grave.
Vaginismi i pamjekuar, mund të zgjatë shumë vite. Doktoresha Renshaw në Çikago, shkruan se ka mjekuar një grua, që ka vuajtur nga vaginizmi për 23 vjet rresht, përpara se të kërkonte ndihmë. E kuptoni, njëzetë e tre vjet kjo grua, nuk e ka lejuar penisin e burrit të hyjë në vaginën e saj, për arsye të vaginizmit.
Pse ndodh Vaginizmi?
Shkak për vaginizmin janë infeksionet mykotike që përsëriten shpesh, si dhe infeksionet e traktit urinar. Këto shkaktojnë reaksione muskulore refleksive. Shkak për vaginizmin mund të jetë frika nga seksi dhe nga shtatzënia. Një shkak tjetër për vaginizmin janë traumat emocionale, nga abuzimi seksual i mëparshëm.
Si mund të ndihmoheni?
Në qoftë se vaginizmi ka shkak fizik, ushtrimet në shtëpi, mund të ndihmojnë. Këshillohen këto ushtrime:
• Ushtrime pa partnerin? Shtrihu dhe vendosu në pozicion komfort. Merr frymë ngadalë. Hape gojën kur nxjerr frymën.
• Lubrifiko gishtin me lubrifikant me bazë ujore, ose me pështymën tënde dhe fute në vaginë. Vazhdo të marrësh frymë thellë. Duke eksploruar vaginën tënde, do të ndjesh se ajo po lirohet.
• Ashtu siç bëni kur përpiqeni të mbani rrjedhën e urinës, shtrëngo muskujt fort rreth gishtit, në 1/3 e poshtme të vaginës. Relaksohu dhe përsërite këtë disa herë. Mësohu t’i vesh nën kontroll muskujt e vaginës tënde.
• Përsërite këtë ushtrim për pesë minuta, dy herë në ditë. Përdor një gisht në dy ditët e para. Për dy ditët e tjera fut dy gishta, ndërkohë merr frymë thellë e ngadalë dhe kontrakto muskujt.
• Në dy ditët e tjera, kërkoi partnerit që të fusë ai gishtin e tij të lubrifikuar, brenda në vaginë. Drejtoje gishtin e tij dhe përqendrohu në përgjigjen tënde seksuale.
• Në dy ditët e tjera, kalo shumë kohë me paralojën seksuale (nxehjen). Ndërkohë që kërkon të eksitohesh, kërkoi partnerit të shtrihet, pasivisht, në krahun tënd.
• Vendose penisin e tij të zbutur në vaginën tënde. Kontraktoj dhe relaksoj muskujt e vaginës. Do të ndjesh që partneri po forcohet dhe ti nuk do të kesh dhimbje. Po qe se ai është akoma i eksituar, shtyje penisin e tij të erektuar më thellë, ngadalë, deri sa penisi të zbutet. Përsëriteni këtë veprim. Lejojini vetes aq kohë sa ju duhet, që të ndjeheni mirë në të gjitha stadet e këtij ushtrimi.
Fizioterapia e specializuar për muskujt pelvikë ndihmon. Mjeku mund të rekomandojë dilatatorët vaginalë, me dimensione graduale, që shtyhen në vaginë nga gruaja ose partneri i saj. Kjo bëhet për 10 minuta, disa herë në javë. Këto ushtrime pasohen nga kryerja e interkursës.
5. Dispareunia
Kështu quhen dhimbjet gjatë dhe pas interkursës. Këto dhimbje e bëjnë seksin që të mos jetë një kënaqësi, por vuajtje. Shumë gra, fatkeqësisht, e kanë të vështirë ta bisedojnë këtë problem me doktorin. E vetmja gjë që atyre u mbetet të bëjnë është ta evitojnë aktin seksual. Ka çifte, që për arsye të dhimbjeve që ndjen gruaja gjatë aktit seksual, për vite të tëra nuk arrijnë ta konsumojnë martesën. Po qe se ato do të shkonin shpejt tek doktori, ato do të kuptonin se kishin një problem të vogël, i cili mund të zgjidhej me lehtësi. Seksi, siç dihet, është pjesë me rëndësi e një marrëdhënie të zgjatur, ose e martesës. Kur mungon seksi, marrëdhënia ose martesa janë të kërcënuara seriozisht.
Pse gratë kanë dhimbje gjatë seksit?
Shkaqet janë të shumta. Endometriosa (rritja e shtresës së brendshme të uterusit jashtë tij), mund të jetë një nga shkaqet. Vaginizmi, që e përshkruam më sipër, mund të jetë një shkak tjetër për seksin me dhimbje. Infeksionet e traktit urinar janë ndër shkaqet e shpeshta të dhimbjeve gjatë seksit. Vagina e thatë mund të jetë shkak për seksin me dhimbje. Këto janë vetëm pak nga shkaqet, sepse ka shumë kombinime të tjera të faktorëve fizikë dhe psikologjikë që mund të shkaktojnë seksin me dhimbje, ose dyspareuninë.
Si mund të shpëtoni prej dhimbjeve gjatë seksit?
E para, shkoni tek doktori për një ekzaminim fizik, për një analizë gjaku, që të kontrolloni nivelin e hormoneve në gjakun tuaj. Sapo problemi i juaj fizik do të zgjidhet edhe jeta seksuale do të ndryshojë. Mjekimi i shkakut dhe seksterapia janë shumë ndihmuese. Ju duhet të dini, se çrregullimet seksuale nuk kanë të bëjnë, vetëm, me gjenitalet. Ka çrregullime seksuale që janë edhe me natyrë holistike. Duke qenë se problemi është kaq kompleks, ka shumë rëndësi që në rastet e dispareunisë të vlerësohet gjendja e gruas në përgjithësi dhe jo vetëm një pjesë e saj.
Ju duhet të dini, gjithashtu, se interkursa, nuk është e vetmja mënyrë për të gëzuar kënaqësinë seksuale. Gjeni alternativa të tjera. Provo çdo gjë që të bën të ndjehesh mirë dhe të jep kënaqësi, vetëm që të mos ketë dhimbje.
Ja dhe diçka tjetër: po qe se vuani nga dhimbje të pashpjegueshme, doktori mund t’u japë antidepresantin amitriptiline (Elavil), ose nortriptiline. Në doza shumë të vogla (një e dhjeta e dozës që jepet për depresionin), i pakëson ndjeshëm dhimbjet pelvike.
Shpresoj t’u kem ndihmuar që edhe ju të ndjeheni mirë me marrëdhënien tuaj seksuale.
Dr. Adem Harxhi – DITA

Prsh doktor jam 18 vjec dhe kur kam kryer maredhenie per here te pare kam pasur shm dhimbje kam pasur dhe nje infeksion mykotik te cilen e Kurova shqetesimi I’m Eshte se sa here kam kryer maredhenie kam pasur dhimbje dhe aspak kenaqesi cfar te bej ? Ju lutem me ndihmoni